BERISHA NE BURG… PO PASTAJ?

Nga Rush Dragu

Dëgjojmë aty-këtu, në protestat në Tiranë, thirrjet: “Rama në burg, Berisha në burg!”

Thirrje që të kujtojnë turmat e mbledhura dikur para dyerve të gjykatave në kohën e Enver Hoxhës, duke bërtitur: “Armiqtë e popullit në litar!”. Kohë të ndryshme, por e njëjta mendësi, e njëjta frymë urrejtjeje dhe e njëjta logjikë linçuese.

Protestat, siç duket, tashmë janë kapur nga qeveria, duke krijuar një barazim absurd mes “dëmtuesit”, që është qeveria Rama, dhe të “dëmtuarve”, që janë populli dhe opozita.

Si mund të barazohet Edi Rama, i cili prej 14 vitesh është në pushtet, firmos dhe vulos, emëron dhe shkarkon nga puna, nga ministra e drejtues policie deri te rojet? Ai që firmos miliona përmes tenderave dhe përcakton fituesit me një të rënë të lapsit; që shpall e dështon projekte për linja ajrore, satelitë, anije dhe prodhim energjie elektrike, ndërsa faturën e dështimeve e paguan populli.

Ai që akuzohet për blerje, shantazhim dhe ndikim mbi drejtues të opozitës, si dhe për ndëshkimin e të gjithë atyre që e kundërshtojnë. E shumë të tjera që nuk mund të përmblidhen në një shkrim.

Dhe, përballë gjithë kësaj, kërkohet që në të njëjtën mënyrë të shkojë në burg edhe Sali Berisha, të cilit iu vendos etiketa non grata, ndaj të cilit u tentua përjashtimi nga partia që themeloi, iu morën logoja, flamuri dhe emri në zgjedhje, u izolua për një vit në shtëpi dhe iu kufizua mundësia për të zhvilluar fushatë elektorale.

Berisha nuk firmos paga, emërime në administratë, tendera apo aleanca financiare.

Por për thirrësit në bulevard, të gjithë janë njësoj!

Kjo është ironi dhe tallje jo vetëm me protestuesit në rrugë, por me të gjithë shqiptarët.

Është fare e thjeshtë: kryetarin e opozitës e zgjedhin anëtarët e Partisë Demokratike. Nuk mund ta zgjedhin patronazhistët e Edi Ramës.

Në vend të thirrjeve “Rama në burg, Berisha në burg”, më e dobishme do të ishte të kërkoheshin ndryshime konkrete:

  1. Dorëheqja e Kryeministrit.

  2. Krijimi i një qeverie tranzitore me mandat njëvjeçar.

  3. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor.

  4. Kufizimi i mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Këto janë masa të mjaftueshme për të korrigjuar rregullat e lojës dhe për t’u dhënë të gjithëve mundësinë të provojnë forcën e tyre politike në drejtimin e PS-së, PD-së dhe partive të tjera.

Ndryshimi nuk vjen nga thirrjet e dëshpëruara në bulevard, por nga presioni qytetar dhe politik mbi këtë parlament dhe këtë qeveri.

Të kërkosh nga turma në rrugë diçka që edhe vetë protestuesit e dinë se nuk mund të realizohet me britma, është thjesht një mënyrë për të justifikuar paratë e marra për të bërtitur ato slogane.

Pa realizuar ndryshimet e mësipërme, protestuesit do të vazhdojnë të sillen kot në bulevard, duke bërtitur derisa t’u plasin mushkëritë: “Rama në burg, Berisha në burg!”

Por burgosja e kujtdo nuk vendoset me thirrje në rrugë. Ajo është çështje e institucioneve të drejtësisë dhe duhet të bazohet në ligj e prova.

Në një vend demokratik dhe normal, beteja politike për zhvillimin e vendit bëhet me qeverinë, sepse ajo ka pushtetin, përgjegjësinë dhe të gjithë mekanizmat e drejtimit të shtetit.

Opozita mund të kërkojë pushtetin, por nuk ka çelësat e tij në dorë. Përgjegjësinë për qeverisjen e ka ai që qeveris!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *