Une, Shota (Reflektime)

ERIOLA  QENDRO

 

2016 – Mora trenin Montreal-Ottawa dhe u nisa me shërbim drejt kryeqytetit pa famë të Kanadasë. Ishtenjëpasdite e bukur, e qetë dhe me pak shi. Libër nuk kisha me vete, sikundër ndodh rrallë herë. Kësaj rradhe kisha disa lëvizje për të bërë, hotele për të ndryshuar e taksi për të marrë sa majtas-djathtas, ndaj paketimi ndoshta tepër minimalist më detyroi të lija pas atëçka vlerësoj më shumë në jetë.

 

Për të shtyrë disi mërzinë u lidha nëWi-fi e trenit dhe u mundova të shihja diçka në Netflix.

Interneti ishte ngadalësuar kaq shumë nga qindra aparate të lidhura në të njëjtën kohësa m’u deshënnjëzet minuta për të hyrë në faqen e parë të Netflix. Mbylla kapakun e laptopit e frustruar dhe nisa të shihja jashtë dritares. Shiu kishte veshur xhamin me ujë dhe nuk e di pse në atë moment më erdhi ndër mend Shote Galica. Ishte njëshoqërizim idesh pa lidhje, tëcilin edhe sot nuk mund ta shpjegoj se nga lindi. E kërkova në Google. Për fat,pas disa tentativash, faqja u hap, edhe pse ngadalë. Klikova linkun e Wikipedias,megjithëse nuk prisja shumë të dhëna për të.

Në fakt, për atdhetarët shqiptarërrallë gjendet informacion i shtjelluar. Ndonjëherë më duket sikur jeta e tyre është e rrethuar nga errësira, mosnjohja e mosmirënjohja ndaj veprës së tyre.

 

Ne Wikipedia (https://sq.ëikipedia.org/ëiki/Shote_Galica ) thuhej:

 

Shote Galica, emëruar në lindje si Qerime (Halil) Radisheva, (1895 – 1927)

 

Ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, Heroinë e Popullit. Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të Kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.

Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare. Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë. Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbanisë së Vogël). Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës, në dhjetor të 1924-s luftoi kundër ushtrive intervencioniste serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Humbi në luftime nga masakrat e shovenistëve serbë 22 anëtarë të familjes.

Më 3 korrik 1927 Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku vdiq në Fushë Krujë e braktisur nga qeveria e Zogut.

 

Kaq ishte përshkrimi ne Wikipedia. Plot dymbëdhjetë vjet luftë të përmbledhura në dy paragrafë dhe një përfundim shkatërrimtar. Sa keq!

 

Lashë faqen e Wikipedias dhe klikova nëpesë-gjashtë faqe të tjera. Vetëm dy prej tyre mund të thuhej se kishin njëfare informacioni gjysmë të vërtetë e tëbazuar mbi fakte (të paktën kështu dukej), edhe pse nëdy-tre pika njëra faqe kundërshtonte tjetrën si për të bindur lexuesin, se errësira rreth Shotës ishte ngulitur mirë e thellë.

 

Bota Sot (www.botasot.info) titullonte artikulline saj ‘Shote Galica, nusja e maleve’. Aty thuhej se kundrejt traditës, kur lindi Shota janë shkrehur pushkë, sepse ajo ishte e para vajzë mbas gjashtë djemve dhe shtëpisë i erdhi si lajm i gëzuar. A thua të ketë qenë një profeci për drejtimin që mori jeta e saj më vonë?!

 

Ndersa lexoja këtë paragraf befas më përshkoi ndiesiae kontrastit mes meje dhe heroinës për të cilën po kërkoja në Google, ndiesi që do më shoqëronte pothuaj gjatë gjithë këtij meditimi jo të zakonshëm. Unë isha e para, e fundit dhe e vetmja vajze e shtëpisë sime. Nuk pati pushkë, vetëm gëzim edhe pse thellë-thellë shtëpisëgjithmonëi mungoi një djalë.

 

Artikulli vazhdonte më tej duke thënë se :

 

Qerimja e vogël nuk do të mund të shkollohej në Radishevën e Drenicës. I jati s’mund ta çonte diku larg ngase kanuni nuk lejonte me nxjerr vajzën prej shtëpie, veç ate ditë kur do të hingëllonin kujat e krushqisë tek dera.Por bija e Radishevës u rrit duke pirë në gurën e pashtershme të urtësisë dhe trimërisë popullore.Mes kujtimeve bubulluese të luftërave të Drenicës, Qerimja e vogël u rrit sa me trimërinë e të parëve të vet,aq edhe me urretjen për armikun shekullor, serbin.Veçmas i jati Halili e donte shumë vajzën e vogël.E merrte në krahë,e nxirte në luginat e bukura të Radishevës,i bënte vend në odën e zjarrit.Qerimja ishte e shëndetshme,e bardhë si bora e malit,e qeshur,ndaj dhe i jati,me përkdhelje quajti, Shote.

 

Nëse e zhvesh tekstin e mësipërm nga zbukurimet letrare, kupton sëçfarë terri e injorance rrethonte Shotën. Dashuria e babait për të bijën del në pah si diçka e rrallë, e jashtëzakonshme kur në fakt duhet të jetë mëse normale. Respekti që ai i tregonte duke « i bërë vend në odën e zjarrit» një krijesë qe nuk kishte të drejtë të dilte nga shtëpia, e vë Shotën mbi shoqet. A mosvallë ky trajtim ‘i veçantë’ e bëri Shotën ajo që ish?! Sikur baballarë të tjerë të kishin trajtuar bijat e tyre në këtë mënyrë, sa vajza të tjera të shtypura do të mund të bëheshin trimëresha?!

 

Natyrshëm i kthej sytë tek vetja:A jam unënjë trimëreshë e këtyre përmasave? Absolutisht që jo! A jam unë trimëreshë? Nuk e besoj.E guximshme? Ndoshta!

Im atë më ka dashur, respektuar e mbështetur, por kjo nuk ka zgjuar tek unëasnjë forcë të jashtëzakonshme fizike apo shpirtërore. Ndoshta vetëm pak më shumë kokëfortësi se ç’duhet.Kur sakrificat e Shotës nuk mjaftuan, a mundem unë të lë gjurmë, të sjell përparimin, të ndryshoj botën? Ndoshta, bëj gabim që krahasoj në këtë menyrë. Ne jemi në epoka të ndryshme dhe çdokush ka betejat e tij për të luftuar në jetë, por a do të kisha bërë unë të njëjtat zgjedhje në të njëjtat kushte? Trishtueshëm, tek lexoj për Shotën bindem edhe më thellë se ylli im do të shuhet po aq pa dritë sa u ndez…

 

Prandaj pyes, kush ishte i veçantë, i ati apo bija e Radishevës? Mos vallë të dy?! Mos ishte Halili që ndezi shkëndijën e parë tek Shota që mbante thëngjij nën gji?

 

Në vitin 1908 nisën disa kryengritje tërëndësishme në Kosovë. Në 1909-n, kur Shote Galica ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç, Xhavit Pasha në ndjekje të Isa Boletinit rrafshoi fshatin e saj, Radishevën, duke detyruar shpërnguljen në male të të gjithë banorëve, të rinj e pleq, burra e gra. Shota pa nga larg sesi digjeshin kullat. Çfarë mendonte ajo vallë?!

 

Ngrita sytë nga xhami i lagur për t’u shkëputur nga dhimbja e Shotës. Pikat e shiut e bënin të pamundur të shihje më tej. Nata kishte filluar të binte dhe mjegulla bënte gjithçka të dukej gri.Kujtimet mëçuan në vitin 1997, kur trazirat në Shqiperi kishin arritur kulmin. Varfëria e papunësia të merrnin frymën. Pasiguria ndihej në palcë. Ishte bërëe vështire të dilej nga shtëpia. Njerëzit po blinin ushqim me shumicëpër t’i mbijetuar asaj qëpritej të ndodhte. Në familje të gjithe ishin të shqetësuar; lufta civile ishte e pashmangshme. Po ndiqnim lajmet duke mbajtur frymën kur u fol se ishin hapurdepot e armëve. Diçka e rëndë po ndodhte dhe transmetimi u ndërpre në mënyrën më tëçuditshme. Një bombë shpërtheu jo larg nesh dhe shtëpia u drodh aq shumë sa thamë se xhamat do të thyheshin në mijëra copëza. U shtrimë në tokë. Të shtëna filluan papushim dhe të gjithë u mblodhëm në korridor, nëtë vetmin vend të shtepisë ku nuk kishte dritare. Në një fraksion sekonde para se të mbyllej dera e dhomës (a thua se kjo do të na shpëtonte nga plumbat) pashë, ashtu e mbledhur kruspull nëkorridor, se qielli ishte bërë flakë i kuq nga të shtënat. Kaluam natën në tokë. Pothuajse nëntë dekadapas sulmeve të Xhavit Pashës dhe Shqipëria ishte sërish në flakë.Unëende nuk kisha mbushur katërmbëdhjetë vjeç.

 

Nuk mund të them se çfarë mendova në ato çaste, por di vetëm se më kaploi një ndjenjë e thellë pafuqie dhe qava me denesë, për një kohë të gjatë. A kishte qarë Shota?

 

Do të doja të thosha se gjërat u bënë më mirë në mëngjes por nuk do të ishte e vërtetë. Të shtënat vazhduan papushim, për një kohë të gjatë, ditë e natë. Ato u bënë aq shumë pjesë e normalitetit sa si lojë përpara se të më zinte gjumi numëroja të shtënat në ajër. Është kallashnikov, mendoja me bindje mbasi numëroja 36 të shtëna rresht. Po si lojë, të nesërmen, bashkë me fëmijët e tjerë, numëronim gëzhojat e rëna përtokë. Ishin shumë.

 

Thonë se kulla e Shotës ishte djegur disa herë. Po ashtu ishin djegur kullat e kujtdo që e ndihmonte dhe e strehonte. A qahet çdo fole e djegur e çdo qiell i kuq njëlloj si herën e parë? A digjen rrënjët bashkë me kullën? Sa kulla më vonëtë reshtin lotët dhe kjo jetë me rrënje të pa ngulura kthehet nënormalitet?

Ndoshta dhe Shota kishte humbur numrin e kullave të djegura. Ndoshta ky ishte normaliteti i saj.

 

Në një përpjekje për të qetësuar dallgët brenda shpirtit tim, tashmë i ndjeri xhaxhai im, Gëzim Qëndro, bëri portretin e mëposhtëm.

Shota, pikture

 

Në njëmënyrë disi të ngjashme me atë tëDorian Grej, portreti im shfaqi vrasjen e pafajsisë, thyerjen përgjithmonë të mitit, se bota është e bukur, e dashur, e lumtur.Ne moshën ku ende gjendet një copëz fëmijërie, ende pa u veshur mirë petku i rëndë i përgjegjësive, tiparet e mia u ashpërsuan e u egërsuan tejet moshës. Ky portret u dha formë ndjenjave të mia dhe ato mbeten të ngurtësuara aty, mes vijash e ngjyrash të panumerta. Pak kohë më vonë unë u largova nga Shqipëria për ta braktisur atë në mes të çmendurisë shqiptare për të cilën Konica i madh ka folur bindshëm, për ta lënëatënëmëshirë të fatit, në mëshirë të armiqve të jashtëm dhe mbi të gjitha, atyre të brendshëm.

 

Po Shota?

Në mungesë të telajos atë natë që iu dogj kulla (si dhe herë të tjera kur kulla e saj digjej), mbetet foto e mëposhtme:

                                                           Shota, portret

 

Fytyra e saj është e re (edhe pse jo më katërmbëdhjetë-vjeçare) por e rënduar nga vite lufte, vite humbjesh e dëshpërimi. A mendoi ndonjëherë Shota të largohej nga Shqipëria? Të ngurtësonte ndjenjat e saj e të shkonte diku ku jeta ishte më e qetë, më e bukur, më e dashur? Ajo i fali atdheut gjithçka, por kësaj rradhe ishte Shqipëria qe e la atë në mëshirë të fatit, në mëshirë të armiqve të jashtëm dhe mbi të gjitha, atyre të brendshëm.

 

Portreti gjithmonë ka përfaqësuar për mua rrënjët, thelbintim. Tani, ndërsa treni lëkundet ngadalë e monotonshëm kujtoj se xhaxhai sapo kishte mbaruar studimet në Hollandë dhe ishte kthyer plot shpresë e tjetërbotëkuptim. Po ai çfarë ndjeu atë natë të turbullt, tëfrikshme? Në pamundësi për të qarë, në pamundësi për të marrë armët, ai bëri luftën e tij me penel. Amos ndoshta pikturoi dhimbjen e tij në fytyrën time? Ngjashmëria në tiparet e mia me ato të Shotës, trauma, trishtimi, trazirat në sy, ndoshta nukmë përkasin mua por përfaqësojnë Shqipërinëtonë. Ndoshta aty dergjen ndjenjat e tij, të saj, të miat e të gjithë atyre që panë vendin në flakë.

 

Në 1912, thirrjes së Hasan Prishtinës e Isa Boletinit iu përgjigjën 2000 burra, ndër ta babai dhe disa nga vëllezërit e Shote Galices. Kryengritjet vazhdojnëme egërsidhe në Nëntor Shqipëria vetëshpall pavarësinë edhe pa njohjen e ndërkombëtarëve. Por, më 1913-n, gjatë Konferencëssë ambasadorëve në Londër Kosovai jepet Serbisëdhe copëtohenmë tej,pa të drejtë,territoret e katër vilajeteve nëkufijtë e Shqipërisë etnike.Teksa Shota mëson të gjuajë me pushkë fjalët e saj shpjegojnë qartësisht situatën ku ndodhejajo dhe vendi: “Ani ma mirë njeriu me msue herët të hidhtat.Të amblat vijnë mandejna!” A erdhën të amblat mandejna për të?

 

Pak vite më vonë ajo martohet me Azem Galicën, një luftëtar trim, të cilin ajo e njohu gjatë kuvendeve në odën e burrave. Për të nuk ka dasëm e duvak. Përkrah Azemit, ajo merr pushkën dhe emrin ‘Nusja e maleve’, sepse maleve nusëroi.

 

Në artikull, përmenden rrëmbimthi gojët e liga, të cilat bënë të vetmen punë që dinëtë bëjnë mirë gojët e liga, përbaltosjen pa kufinj e pa moral ndaj Shotës, dhe këtë, krejt pa pagesë. Shota u përball jo vetem me armikun e jashtëm, por edhe me atë më të ndyrin e mëtë egrin; armikun e brendshëm. A mundej njëjo-shqiptar t’i bënte aq keq sëi bënënjerëzit e saj? A dhemb më shumë plaga e trupit apo ajo e shpirtit?

 

Shote Galica bën rezistencë e betejat prej të cilave ajo del fitimtare janë të panumërta. Emri i saj merr përmasa gjiganti dhe kështu tërheq edhe më shumë vëmendjen e armikut.Sulmet ndaj saj shtohen e rëndohen.

 

Në 1924, pa bërë tëtridhjetat, Shote Galica humb Azemin, i cili plagoset rëndë dhe vdes tre ditë më vonë. Çfarë mund të ketë ndjerë një grua, edhe trimëreshë qoftë, teksa humb të dashurin e zemrës mes maleve të larta, e rrethuar nga njënatyrë e eger dhe një armik edhe më i egër?

A shkuli flokët? A shtrëngoi gjoksin tek klithte nga dhimbja? A dyshoi Shota se bëri zgjedhjen e duhur apo edhe njëherë ajo qëndroi mbi shoqet, mbi shqiptaret, mbi gjithë njerëzimin?

 

Me vendosmëri ajo vazhdon luftën edhe për disa vite duke lënë pas thirrmën e famshme «O prite Azem Galicen!», por situata bëhet e pamundur për të dhe luftëtarët i kërkojnë që ajo të largohet me disa jetimë të shokëve të rënë e tëshkojë në Shqipëri. Ajo vendoset përfundimisht në një fshat të Krujës, qytetit të bekuar të Skënderbeut.

 

Në moshën 32 vjeçare ajo vdes nga uria së bashku me jetimët e luftëtarëve të saj.

 

Nga uria! – klitha në brendësi të vetes. Nuk u përmbajta dot dhe sytë m’u mbushën me lot. Ngrita sërisht sytë nga xhami për të thyer dhimbjen por nuk mundesha. Ajo ishte sa unë! Ende në lule të moshës. Shota kishte luftuar me armë kunder armiqve të ndryshëm dhe nuk ishte mposhtur kurrë. Ajo nuk u mposht as kur humbi 22 pjesëtarë të familjes e as kur humbi Azemin. Ajo kishte thyer tabutë e kohës, kanunin, injorancën, ndoshta pa e ditur kishte revolucionarizuar gjendjen e gruas, ishte bërë shembull i qëndresës, i forcës, i atdhedashurisë dhe kishte vdekur nga…uria.

 

Çfarë tmerri, çfarë makabriteti, çfarë dhimbje për të, për ne si Shqiptarë!

 

Ajo dhe vepra e saj mbetën në harresë. Nje lapidar është ngritur për tëmë 1962 (35 vjet mbas vdekjes). Eshtrat e saj sot gjenden dyshimshëm në një varr në Shqipëri.

 

Eshtëkrejtësisht dëshpëruesejeta,por edhe më shumë vdekja e saj. Si mund të shuhet në këtë mënyrënjë yll kaq i shkëlqyer?Mos vallë ironia e fatit nuk njehmëshirë apo ky fund i pakrahasueshëem e bën yllin e saj edhe më të ndritshëm?

 

Ku ishte shteti Shqiptar për të? Ku ishin bashkëkombasit, bashkëfshatarët? Si mund tëkenë lënë tëvdesë nga uria një grua me një tufë jetimë? Kufijtë e imagjinatëssime nuk më lejojnë të perceptoj ç’mund të ketë ndjerë një vajzë kaq e re, kaq rëndë e braktisur.

 

Unë di vetëm se uria nuk mund ta mposhtte kurrë një luftëtare, të cilën nuk e mposhti asnjë armik, sado i fortë. Ajo e la veten të vdiste nga uria. Vetë-flijimiishte mesazhi i saj i fundit, beteja e saj e fundit prej së cilës ajo edhe njëherëdoli fitimtare. Por me ç’kosto, me ç’peng?!

 

Epilog –Përse të shkruaj për Shotën dhe jo për qindra trimëresha të tjera që dhanë jetën për atdheun? Në fakt, qëndresat e grave në shekuj janëtejet të admirueshme dhe ato duhen përmendur të gjitha një për një. Por, vdekja e Shotës, me shumë se jeta e saj, e bën atë të pakrahasueshme. Të biesh në dorë të armikut, të martirizoheshsiZhan D’Ark etë marrësh përmasa heroi është më e pakta që pritet nga figura të tilla të historisë. Të vdesësh urie ështëpërtej dhimbjes, përtejtë kuptueshmes dhe pikërisht kjo e bën Shotën të veçantë mbi bijat, mbi gratë, më tragjiken ndër të gjitha heroinat.

Shote Galica: bijë, grua, heroinë, e jashtëzakoshme, e paarritshme madje edhe në vdekje.

 

Unë: bijë, grua, e zakonshme, një yll gjysmë i shuar ende pa ndritur mirë. Ne pamundësi për të ndryshuar botën, unë thjesht mund të shkruaj për Shotën, t’i falem dritës që ajo la pase ndoshta jo vetëm kaq…

2 thoughts on “Une, Shota (Reflektime)

  1. Një tekst eseistik ku , siç është edhe e natyrshme janë integruar meditimet, përsiatjet dhe refleksionet që ngërthejnë sa momente intime, vetjake aq edhe mbresa tënjë rrethi më të gjerë të dimensioneve kohore dhe hapësinore. Kultura e të shkruari të ngjall respekt, ndërsa spontaniteti dhe ngjyrimet stilistike të detajeve dhe diakronia racionale të emocionon. Faleminderit për idetë dhe pikëpyetjet e hedhura për çështje që ende përbëjnë problematikën aktuale në Shqipërinë tonë. faleminderit

  2. Përshëndetje Eriola.
    Më fal por nuk e dija se ke mbaruar Universitetin për letërsi, bile jam gati të besoj se në këtë fushë je dipllomuar në ndonjë institucion evropjan.
    Ky shkrim, kjo renditje inteligjente, shumëngjyrshe, mallëngjyese, prekëse dhe plot ndjenja pozitive njerzore të këtyre reflektimeve të mekullushme më sjell në mënd shumë gjëra, pra është frymëzues në një shkallë superiore: qoftë në aspektin e përgjithshëm dhe qoftë në atë të veçantave të përfshira në të.
    Për mua është e pamundur të ndalem e të paraqes të gjitha ato që më inspiron çdo paragraf, bile dhe çdo frazë.
    Pra po ndalem vetëm në frazën e fundit.
    Dakort, je një bijë e mbarë e prindërve të nderuar, por nuk jam dakort me atë që thua se je “grua, e zakonshme, një yll gjysmë i shuar ende pa ndritur mirë”. Këte e them sepse ky shkrim tregon të kundërtën, tregon se ti nuk je aspak e zakonëshme në vlerësimin e figurave të ndritura femërore të kombit tonë. Dhe besoj se edhe ti, që i ngjan nënës tënde të nderuar, e ndodhur në konditat e Shotes, me siguri do të mbaje të njejtin qëndrim heroik.
    Ja një shprehje e babait tim : ” Çdo njeri lind me një kompleks predispozitash latente (të fshehta) që mund të aktivizohen ose jo në kondita të caktuara”.
    Ajo që dimë me siguri është fakti se në kohën e trimëreshës Shote ajo nuk ka pasur mundësi dhe konditat ku mund të çfaqeshin talente të tjera të saj (ndoshta edhe një talent shkrimtareje si ti), po ashtu sot nuk ka kondita që femra të talentuara, frymëzuese, shembuj të evolucionit pozitiv femëror si ti, të tregohen trimëresha si Shotja.
    Jam shumë dakort që Shotja la një dritë ndriçimi heroik e human, por ne brezat pasardhës, si do të mund ta vinim re, ta shikonim, ta çmonim, ta vlerësonim siç duhet, nëqoftë se nuk do të ishin ata që ruajtën gjithshka nga heroizmat e saj, ata që shkruajtën për të me dashuri dhe ndjeshmëri të thellë, ashtu siç shkruan ti?
    Pra, për mua, nga ata që ruajtën kujtimet për trimëritë e Shotes e deri tek ju që shkruani sot me një ndjeshmëri dhe një njerzillëk për t’u admiruar, është zhvilluar një evolucion pozitiv i mënyrës humane e patriotike paraqitjes dhe të konservimit të vlerave patriotike të figurave të çmuara të Kombit tonë.
    Prandaj kur ti shkruan: “unë thjesht mund të shkruaj për Shotën…..”, unë këtu dëgjoj zërin e Modestisë tënde, sepse kontributi tënd me këtë shkrim, në atë evolucionin pozitiv që përmënda mësipër është i shkëlqyeshëm dhe shumë i nderuar. Dhe siç e dimë të gjithë është ky evolucion që ndryshon botën, e në këtë rast në mënyrë shumë njerzore, pozitive.
    Me nderim dhe respekt
    Petrit Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *