ROZA ANAGNOSTI NË MIRDITË, JO PËR TË XHIRUAR FILM…

NDUE DEDAJ

 

Fundjavën e kaluar, Mirdita kremtonte ditët e pajtorit të Abacisë së Oroshit, Sh’Llezhdrit (Shën Aleksandrit), tashmë një emër që i përket mbarë dioqezës së Rrëshenit. Ishin të mirëseardhur në këtë festë njerëz të shumtë, mes tyre dhe aktorja e mirënjohur Roza Anagnosti, e ftuar speciale e ipeshkvit Imzot Gjergj Meta. Zonja e nderuar kishte ardhur me bashkëshortin, Dhimitër Anagnosti, gjithashtu një emër i shquar i kinematografisë shqiptare prej 60 vitesh.

Në fillim në katedralen e Rrëshenit, në meshën e rastit, pastaj në pallatin e kulturës, ku Roza u ngjit disa herë në skenë, me kërkesën e publikut. “Nuk kam ardhur si herët e tjera në Mirditë, për të xhiruar film…”, e nisi ajo fjalën e saj emocionuese, që ishte e gjitha artistike, duke nisur me lutjet, vargjet dhe thëniet profetike të Nënë Terezës, që aktorja e shquar e ka përzemër prej kohësh. Ndjesi dhe kujtime të paharruara shpaloseshin në interpretimin e saj, nën tingujt melodioz të pianos së kompozitorit të njohur Zef Çoba, që kishte ardhur nga Shkodra bashkë më korin e tij të afirmuar brenda dhe jashtë vendit, “Rozafa Ekspresion”, për të dhënë një koncert artistik. Gjatë gjithë kohës aktorja e madhe e teatrit dhe kinemasë shqiptare ishte e përlorur, edhe kur deklamoi fjalët e Nënë Terezës, edhe kur recitoi poezinë emblematike “Nënë e bijë” të poetit lirik shkodran, ipeshkvit martir Vinçens Prennushi, apo dhe lirikën e ngrohtë kushtuar të nipit, Jonit, që rron me prindërit në anën tjetër të Adriatikut. Ndihet që ka një lidhje të hershme shpirtërore të aktores me Nënë Terezën dhe kumtet e saj planetare. Roza Anagnosti disa herë ka sjellë në skenë për publikun lutjet e humanistes së madhe, si në koncertin e para disa viteve, në Akademinë e Arteve, nën drejtimin kompozitorit Aleksandër Peçi etj.

Njerëzit që ishin në sallën e koncerteve në Rrëshen e duatroktitën fort përformancën nënëtereziane të Anagnostit. Ishte nder që në skenën e tyre ngjitej një aktore me peshë si ajo, por dhe krenar për origjinën e saj mirditore, të dëshmuar nga vetë ajo. Babai i saj (ushtarak) ishte lindur në Mirditë dhe mbante mbiemrin e vendlindjes, Xhuxha, i rënë herët në Shkodër, ku do të martohej me një vajzë shkodrane. Roza kishte shkelur në trojet e të parëve më së shumti si artiste, ku do të luante role në filmat e xhiruar në këto anë, si “Kosmisari i dritës”, “Plagë të vjetra” etj., për të cilat na ka folur dhe regjisori Mark Topallaj, bashkëkohës i saj në kinematografi. “Pavarësisht se në ç’kohë janë realizuar filmat, unë jam përpjekur të jem e vërtetë në lojën time aktoriale, kam luajtur me përkushtim…”, thotë ajo. Dhe profili i saj ka qenë ai i një princeshë të skenës dhe ekranit, plot sharm e magji skenike, ashtu si dhe i simotrave të saj aktore klasi: Marie Logareci, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Violeta Manushi, Edi Luarasi etj. Origjinë mirditase kishin pasur dhe artistë të tjerë të mëdhenj shkodranë, si Marie Kraja, Prenkë Jakova, Prengë Lëkunda, Bik Ndoja etj. Roza ishte veshur së pari me kostumin e gruas mirditore kur ishte mjaft e re, në rolin e Rudinës, një vajzë e bukur që donte të dilte nga verigat mbërthyese patriarkale, për çka ndëshkohet nga i “zoti i shtëpisë” me prerjen e flokëve, që ishte një akt shëmtues ndaj femrës në rastet kur ajo rebelohej. Zonja Anagnosti është shprehur nëpër intervista se për të ka qenë një zbulim njohja e karakterit, psikologjisë dhe historive të grave të Mirditës dhe trevave të tjera veriore, ku ajo ka mishëruar disa role, si Cuca e Maleve, Vera, Mrika etj. Thënë ndryshe, aktoren e kanë intriguar dramat e jashtëzakonshme të grave shqiptare të shekullit XX, që nuk reshtën për emancipimin e tyre social – kulturor, paçka glorifikimit ideologjik nga ana e regjimit të kaluar të figurës së grave veprimtare pas Luftës së Dytë Botërore.

Roza Anagnosti nuk mund të mos shprehë vlerësimin e saj për shumëçka që lidhet me trashëgiminë kulturore të trevës nga vijnë te parët e saj dhe veçanërisht kostumin e gruas mirditore, që thotë se e ka pëlqyer shumë vazhdimisht. “Ne kemi kostume shumë të bukura, – thotë ajo në një intervistë dhënë autorit Gjon Marku, – por ky kostum është shumë femëror. Edhe Malësia e Madhe ka kostum shumë të bukur, por kostumi i gruas mirditore paraqet linjat, harmonizimin e ngjyrave, çka vërehet në të gjithë përbërësit e tij, si qemeri, xhamadani, xhupi etj., që e bëjnë atë të mrekullueshëm”. Është për t’u përgëzuar që fëmijët dhe të rinjtë e sotëm të Mirditës nuk e kanë braktisur këtë kostum “mbretëror” që vjen që nga koha ilire, por e veshin rregullisht në festat tradicionale të krahinës, në shfaqjet e tyre artistike shkollore etj. Aktorja Anagnosti i ka ndjekur me kënaqësi në skenat kombëtare e lokale artistët e ansamblit “Mirdita”, të cilët në vitin 1978 shënuan suksesin e tyre më kulmor, duke fituar flamurin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, falë një trupe artistësh të talentuar, si Gjok Beci, Fran Vorfi, Dorian Nini, Mark Gjoka, Nikollë Preçi etj.

Në Mirditë ndiejnë adhurim të dyfishtë për Roza Anagonstin, si artiste e shquar e mbarë kombit, por dhe si “Roza e tyre”, me origjinë nga të njëjtat male, lugina e brigje me ta. Njëherësh, ardhjet herë pas here të artistëve të kryeqytetit në skenat e qyteteve të periferisë, ndikojnë jo vetëm në shijet e publikut, po dhe që artistët amatorë ta rrokin më mirë skenën, sepse mbetesh i “huaj” për të, nëse nuk arrin të përlotesh aty si Roza Anagnosti, Robert Ndrenika etj.

Kremtimi i Sh’Llezhdrit në Mirditë solli dhe të tjerë të ftuar të veçantë, si Imzot Kristoforo Palmieri, ipeshkvi paraardhës i dioqezës së Rrëshenit, tashmë në pension në Itali, i cili shërbeu për një çerek shekulli mes mirditorëve, duke pasur meritë për ndërtimin e katedrales, shkollës së mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” etj. Po ashtu, ndonëse e moshuar, kishte ardhur nga Shkodra dhe Rozina Gjini, e mbesa e Imzot Frano Gjinit, abatit të fundit të Mirditës, i shenjtëruar si një nga martirët e kishës katolike, bashkë me Marie Tucin, Dom Mark Gjanin, Dom Jak Bushatin, të Abacisë së Mirditës. Shumë vite më parë në shtëpinë e saj në Shkodër kemi patur rastin të shfletojmë albume fotografike dhe dëshmi të tjera të imzot Gjinit të ruajtura me përshpirtni prej Rozinës, dhe pse nga shteti komunist kërkohej të zhdukej çdo gjurmë që lidhej me klerin e fenë. Aq më tepër në Shkodër që, siç dihet, qe ngritur muzeu ateist, mundet i vetmi i tillë në Europë!…

Roza Anagnosti ka lindur në Tiranë, por është rritur në Shkodër, duke përjetuar dramat e fundit të klerit katolik të qytetit të saj, që veçse misonarë të fesë, profesorë dhe dijetarë në zë, qenë dhe dramaturgë e artistë të shquar teatrorë, muzikantë, piktorë etj., si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Zadeja, At Martin Gjoka, Dom Mikel Koliqi, At Leon Kabashi etj. Në seminaret, kolegjet dhe trupat artistike të drejtuara prej tyre pati mësuar në fillimet e veta edhe elita e ardhshme e aktorëve të Teatrit Kombëtar, Teatrit të Operas e Baletit, orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar etj. Janë dhe këto motive që e bëjnë aktoren e dashur pëër publikun Roza Anagnosti ta “ndërlidhë” katedralen e Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Rrëshenit etj. me artin e interpretimit skenik, ku në këtë ushtrim shpirtëror, kulturologjik të sajin nëpër Atdhe, ajo zbulon përditë e më shumë “Nënë Terezën” brenda vetes…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *