Pjetër Jaku si krijues larg atdheut i stisur nga malli dhe nga poetët e asaj kohe të ndritur, të Nolit, Konicës, kërkon që t’ia kthejë borxhin jetës, konkretisht asaj jete që zhvillohej në vendlindjen e tij. “Në Lak të Drenit dhe Suk Bukur / E ka humb fyellin Lala Prengë. / As nip-stërnipi nuk është dukur, / T’ia lidhë plagët me një këngë”.
Në poezinë e tij kërkon tema që përcjellin brengën e mërgimtarit, kërkon pasqyrimin e gjithë plagëve që e përshkojnë atë. Në lirikën Vendit tim, dhimbja e tij flet e djeg: mërgimmërguar për tek ti, një zjarr i djegur që më djeg. Autori si krijues, si bir i larguar nga vendlindja e sheh veten në dëshmitë autoktone të vendit të tij, te lisat për të lind e rilind vetëm në atdheun e tij.
Jam në rrënjët e çdo lisi
Që kur lind edhe rilind
apo: ( Vendlindjes time, Mollë-Kuqe ), “Thyhen ditët mbi shkëmbinjtë, Vetmia kullat po i plas! Krojet rrjedhin lotë të hirtë, Malet ne po na vijnë pas”.
Lëndë e poezisë për poetin janë të gjitha ato meditime që e preokupojnë shoqërinë shqiptare brenda dhe jashtë saj. Në poezi ai kërkon “njeriun e kohës”, ndërsa si të metë të saj konsideron mospraninë e plotë të njeriut në të. Matëse e vlerës së poezisë për Jakun është tharmi i njeriut me mall për vendlindjen, për të dashurën, për të mirën, të drejtën, kundër kapjes së njeriut nga makutëria për vesin, ndaj Shqipëria është mungesë e përhershme:
“Ti nuk e di,
Të gjitha mërgimet e ngarkojnë mbi vete emrin tënd,
Rikthimet nga viset më të largëta kanë emrin tënd,
Shqipëria ime, mungesë e përhershme”!
Dhimbja për atdheun e bjerrun nga muret e heshtjes së diktueme, bëjnë që autori, nga ana e tij, të kërkojë misionarin, pelegrinin që vihet në kërkim të fjalës së mohuar, në kërkim të lirisë që digjet e flakohet në mall dhe i ngjyros me metafora sugjestionuese, duke flakue imazhin e atdheut të fjetun prej kohësh në muzën e tij shtegtare. “Më bëni qytetar nderi në Mollë të Kuqe, Fshatin tim të braktisur, Ku retë e kalojnë Munellën duke qarë! Në vendin më të bukur të botës, Ku vetëm varrezat banojnë”.
Në vargjet e tij, ndihet e vëzhgohen shprehjet e mendimeve që ngjizin probleme njerëzore, gëzimi apo pikëllimi është i drejtpërdrejtë. I thurur si varg i rimuar me gjuhën e fantazisë dhe imazhit, ai përcjell botën e tij ndjesore.
“Udhëtoj errësirës, I përhumbur, i mbytur, Pa qënë i verbër”!
Ndërkaq, në vjetët e krijimtarisë së tij letrare në atdhe të huaj, ai pohon e thotë me të drejtë: atë që ndjen dhe e shpreh në një varg të endur me thjeshtësi.
Diktatori: Me pabesi shpellash, Monstër ogurzezë për vendin e tij, Pa miq, pa shokë, pa ndjenjë. Metamrofozë e keqe, që nuk dihet nga vjen…
Krijuesi kërkon mallin, rrënojat, portretet e memorizuara në kujtesën e hapave të dikurshëm, ndërsa me artin e krijuesit jo më fillestar, ai i jep jetë vargut fuqi kohore dhe mesazhit dhe i përgjigjet qëllimit të krijimit.
“Eh atëherë,
oho, sa mirë
Gjithë kulltarët do të mbërrijnë
Gjyshër-gjyshet do të ngrihen
T’gjitha kullat do të krihen”!
Në poezinë e tij, autori shpreh e kërkon hallet e njerëzve që luftojnë për të ndryshuar realitetin. Drejtpërdrejtë, ai transmeton një lloj realitetit me të gjitha hije-dritat që e përshkojnë botën e tij ndjesore. Udhëtim i pakthyeshëm ( Babait )
“Gjyshja më kish thënë dikur, se njeriut, para se të vdesë, shpirti i shkon gjithkund ku ai ka shkelur. Para se fryma t’i soset dhe ajri t’i bëhët mal i rëndë, shpirti udhëton, gjithkund mendja i ka shkuar”.
Materiali poetik në shumë tituj poezish si: Vendit tim, Mirdita, Kthimi i emigrantit, Vdekja e varreve, Peisazh patriotik; behet përcjellës i shqetësimeve jo vetëm të një mikrobote njerëzore, por një makrobote emigrante, që është shpërndarë në çdo vend të botës. Në poezi ai kërkon ndjeshmërinë e njeriut me virtyt, ndërsa thupron antivlerat, evidenton veset, dështimet, të mirat po dhe gjen diçka premtuese: …Një popull i lodhur, i kërrusur nga vuajtjet, Veç për të mbijetuar. Edhe pinjollet pa morfologji, Që ia mbajten kokën në duar dhe zunë karrigen e tij, Kemi për t’i lejuar….
Herë me shpirt rebelues, e herë me tone të buta me nuancë baladeske, në poezitë Pritje, Shkruar s’di se kur, E shtunë, Letër, Ëndërr: mëton të trajtojë temën e dashurisë. Dashuria për vashën është terreni më i përshtatshëm në përpjekjet e tij për të ndërtuar vargje plot ndjesi për brendinë shpirtëroretë një burri.
“Dashuria,
Nuk e di se si vjen, Se kur mbaron e di, Atëherë kur qielli zien, Dhe valët flasin këngë, Kur retë përplasen, Për të derdhur shi, Ato më pare, ranë, Në dashuri”!
Në botën e poetëve mërgimtarë, autori nuk hyn me drojë, sepse:
“Nëse çdo emigrant / Do të shkruante / Dhimbjen e vet, / Në botë / Do të kishte / Një miliard / Poetë”!
Jaku arrin atje ku synon me përkushtimin e krijuesit që ruan origjinalitetit, përmes simbolove dhe metaforave poetike synon të sjellë porosi të kuptueshme.
Tendenca e lirikës së dashurisë nuk synon kompleksitetin jetësor, edhe kur mbetet në brendinë e shpirtit të tij krijues. Në këtë betejë të brendshme shpirtërore e mendimesh, I sikletur, i vrerosur, (Portret), për të vizatuar të bukurën, të dlirtën ndjenjë të dashurisë, autori nuk e ndal trokun e tij edhe pse ndoshta do të vuajë…
Do të mbytëm…
“Porsi kalë liruar freri / Trokun vetës s’do t’ia ndaj / Do të mbytem unë i mjeri / Në shpirt-mallin e asaj…”
Poezia e Pjetër Jakut që shpesh vjen nga një heshtje e brendshme e tij, në momente të caktuara shpërthen, bëhet e zhurmëshme me synim edhe rebelizmin. Ky shpërthim i menjëhershëm, si rezultat i revoltës që ia shkakton Lejimi i së keqes nga vetë populli që e lindi dhe e rriti, tingëllon fuqishëm dhe bëhet refuzues i së keqes, përmes shprehjeve të poetike që përcjellin fenomene të ndryshme, ekstreme, që e shëmtojnë jetën:
E lejuam diktatorin të ikte, pa e përzënë
Pa e tortutuar, pa e vrarë, pa i hy ferrë në këmbë.
Një popull i lodhur, i kërrusur nga vuajtjet
Vëç për të mbijetuar.
Edhe pinjollët pa morfologji,
Që ia mbajtën kokën në duar dhe zunë karrigen e tij,
Kemi për t’i lejuar….
Ndërsa vargjet: “Unë jam bir i marrëzisë, S’e lë rehat imagjinatën, Në udhëtim drejt pleqërisë, Asnjëherë nuk do të plakëm”, janë rezultat i ngadhnjimin të poetit.
“Mendime pa udhë, Mendime të mjegullta, Pushojnë në mua, Herë më marrin mëngjesin, Herë ma errësojnë mesditen, Në vend të më vrasin,ma vjedhin diten.” vijnë në kuptimin e një situate reflektuese, ai nuk i fshihet realitetit para syve të botës dhe mënyrës jo transparente për vendime të rëndësishme, ai është aty përmes shprehjes metaforike, që nënkupton forcën e vargut të mallit të emigrantit në kërkesën e besëtarit: Që unë t’u pri përjetësisht maleve….
Gjer ku dielli shkon e vjen
Le të jem për vendin tim
Dhe pse larg, një gur i rëndë!
Dr. Ermira Ymeraj
Shkodër, më 25.12.2017