Programi fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”
Vlash Fili, Filadelfia
Është bërë traditë tashmë, në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, në Filadelfia, që dy herë në vit, në përfundim të gjysmës së parë të vitit shkollor, në prag të festive të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, si dhe në mbyllje të çdo viti shkollor, në muajin qershor, fëmijët e kësaj shkolle të japin një program me këngë dhe recitime, para prindërve, anëtarëve të shoqatës “Bijtë e Shqipes” si dhe të bashkatdhetarëve të Komunitetit Shqiptar në Filadelfia.
Nën drejtimin e mësueseve të kësaj shkolle, fëmijët tregojnë jo vetëm se çfarë kanë mësuar gjatë muajve në këtë shkollë, por edhe seriozitetin me të cilin ata përgatiten, për t’u paraqitur e treguar para të rriturve.
U bënë shumë vite dhe ky vit është i katërmbëdhjeti, që programet, të cilat fëmijët e kësaj shkolle paraqesin, tregojnë më së miri punën e madhe që bënë shkolla shqipe “Gjuha Jonë”, për të përciell, te fëmijët e Komunitetit Shqiptar në Filadelfia, gjuhën e bukur shqipe, që ajo të mos harrohet edhe larg Atdheut, këtu në kontinentin e largët Amerikan. |
Kështu ndodhi edhe më 24 Dhjetor 2017, kur kjo shkollë mbylli, me sukses, gjysmën e parë të vitit shkollor 2017 – 2018.
Sipas traditës së këtyre veprimtarive, ceremoninë e hapi kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Tajar Domi.
Në fjalën e tij, z. Tajar, falenderoi, prindërit, për sakrificën që bëjnë, për të sjellë fëmijët në shkollën shqipe, çdo të dielë, mësueset për përkushtimin maksimal, që fëmijët të përfitojnë sa më shumë, si dhe fëmijët, për punën e tyre në vazhdim, që gjuha shqipe të mos harrohet.
Pastaj radhën e patën fëmijët. Nën dejtimin e mësueseve Irini Zenelaj, Elvana Pone, Mereme Mema dhe Raimonda Bardhi, ata dolën sipas klasave, para të rriturve.
Në fillim fëmijët e klasës së parë, që me ato çka treguan, muarrën duartrokitjet e të pranishmëve në sallë, që ishte tejmbushur, sepse u falën atyre shumë kënaqësi. Një e papritur e bukur ishte te ky grup se e mbyllën programin e tyre, me urimin për të pranishmit që ishin në sallë, duke u kënduar atyre.
Pas tyre e patën radhën fëmijët e klasës së dytë. Si zakonisht ata treguan gjithçka nëpërmjet këngëve dhe recitimeve. Edhe ata kishin një të papritur të këndëshme, interpretuan një pjesë të shkurtër teatrale, të përshtatur për ta. Duartrokitjet e forta dhe përgëzimet “Ju lumtë”, “Bravo, Bravo”, treguan se të vegjlit ia arritën shumë bukur qëllimit.
Mbas tyre, vazhduan fëmijët e vitit të tretë, të katërt e të pestë, të cilët, si më të vegjëlit, me recitimet e tyre, treguan se kanë bërë përparime të dukshme, në mësimin e gjuhës shqipe.
Në përfundim të programit, të gjithë të pranishmit, duartrokitën fëmijët edhe një herë së bashku, ashtu si i kishin duartrokitur edhe veç e veç, sipas klasave.
Në traditën e Këshillit Drejtues të Shoqatës: “Bijtë e Shqipes”, që ka në administrim këtë shkollë, ka qenë që për këto festa, të shpërendahen edhe dhurata. Kështu vazhdoi edhe në këtë ditë. Z. Bujar Gjoka, n/kryetar i parë shoqatës, i ndihmuar nga z. Dritan Matraku, n/kryetar i dytë, shpërndanë dhurtat për secilin fëmijë. Thërritej emri i fëmijës, i jepej dhurata, babagjyshit të krishtlindjeve, dhe ai ia dhuronte ato fëmijëve, mbasi bënte një foto me ta.
Me kënaqësinë që fali kjo paraqitje e fëmijëve si dhe gëzimit të dhuratave për secilin, të gjithë fëmijët e shkollës, me mësueset e tyre, bënë një foto të përbashkët, si një kujtim i bukur i kësaj dite.
Pastaj z. Bujar Gjoka, komunikoi datën e fillimi të mësimëve, mbas pushimeve të festave të fundvitit, pa harruar të uroi fëmijët, mësueset dhe prindërit, për t’i kaluar sa më gëzushëm këto festa.
Kjo ceremoni e bukur festive u mbyll me një pica-party.
Edhe ne i urojmë fëmijëve, mësueseve, prindërve dhe nëpërmjet tyre të gjithë bashkatdhetarëve të Komunitetit Shqiptar në Filadelfia, dhe më tej të gjithë bashkatdhetarëve anë e kënd botës:
GËZUAR FESTAT E FUNDVITIT: KRISHTLINDJET DHE VITIN E RI 2018. QOFTË VITI i BEKUAR PËR TË GJITHË BASHKATDHETARËT TANË NË MBARË GLOBIN KU JETOJNË E PUNOJNË.
Vlashi Fili
Filadelfia, 25 Dhjetor 2017