SYTË E MOLINËS Tregim

draguRUSH DRAGU

Po largohesha nga atdheu me më shumë mall se sa kur kisha zbritë nga aeroplani i linjës Frankfurt – Tiranë. Ditët e qëndrimit në Shqipëri ikën si pa e kuptuar se kur erdhi koha të bëja gati plaçat e kthimit për në Amerikë. Kishin kaluar shumë vite pa ardhur në atdhe, për njëmijë e një arsye.

Gjatë asaj kohe të munguar kishin lindur fëmijë, ishin rritur e martuar e shumë nga ata që i pata lënë buzë votrave, ishin larguar prej kësaj bote, mungonin shumë prej bashkëmoshatarëve  te mij, ishin larguar në emigracion ashtu si dhe unë. Pra shumë gjëra mungonin. Edhe me vëndet ku isha rritur e burrnuar pothuajse nuk u njohëm me njëri-tjetrin, rrugët e rrugicat e rinisë nuk ishin më, ishin vetëm në celuloidin e kujtesës, mungonte e shkuara ime e rinisë.  Bashkë me mërgimin kishte tretur peizazhi i vendit tim si mjergullat e fundit të vjeshtës që ngarkohen me furtunat e prag dimrit.

Berta që tërhiqte zvarrë valixhet dhe zëri i stjuardesës që lajmëronte se pasagjerët e linjës së Frankfurtit duhej të bënin Check-in për të fluturuar, më shkundën nga dremitja ime në kujtesën e largët.

-Dukesh shumë i lodhur-tha Berta,- tash që jemi shtetas dhe nuk kemi më pengesa për t’u kthyer, nuk duhet të rrimë kaq gjatë pa ardhur në Shqipëri, – dhe shpejtoj për të dorëzuar pasaporten tek kontrolli.

Kur u rehatuam në ndejset e aeroplanit, Berta si papritur theu heshtjen me një pyetje sa të beftë aq edhe të dyshimtë, se mos ajo kishte marrë me vehte sado pak xhelozi prej takimit tonë me çiftin Gjergj e Molina Shtegu.

-Se çfarë të ka rikthyer në kujtesë darka me shokët e tu të vjetër, – foli duke kërkuar një libër me fjalëkryq, të cilin sa herë që marrim rrugë ajrore, ajo e humbë kohën në labirintet e atij libri që i ngjante me shumë një zhubrosjeje se një gjëje që të jep njësinë e kënaqësisë.

Nuk priti të merrte përgjigje, por vazhdoj me të sajen: – Sa të bukur i ka përsëri sytë Molina? I shkreti ti me shokët e tu, kushedi sa ëndrra, vargje e komplimenta do të keni sajuar në trutë tuaja për ata sy – foli gjysëm me inat e gjysëm me tallje, kur e dinte që po  më ngacmonte për vitet e rinisë së shkollës.

Edhe pse kishim kaluar tetë vite sëbashku ne të katër, Bertës kurrë nuk iu largua një xhelozi për Molinën. Kishin kaluar vite, ndjenja e respektit për mua, vitet e shkollës, konviktit të saj me Molinën dhe ajo asgjëja që ia kishte vërtetuar xhelozinë boshe për shoqen e saj të dhomës, e detyronte që vetëm herë pas here të shfrynte ndër hundë e  pastaj jeta vazhdonte normalisht. Kurrë nuk kisha lypë shumë argumenta që t’ja vertetoja se Berta mbetej shoqja ime e vetme; bashkëshortes, edhe pse pak xheloze, asnjëherë ai ves nuk na krijoi ndonjë sherr të madh në mes nesh.

Mbasi u rehatuam mirë, zgjodha albumin e Imelda May me këngë në monitorin e sediljes sime që do të më shoqëronte më shumë se një orë. Këngë të lehta e plot melankoli, të cilat plotësonin gjëndjen time shpirtërore.

Sado që mundohesha të mendoja gjëra të tjera, nuk më hiqej nga mëndja kërkesa që më bëri Molina kur i shtërnguam duart njëri-tjetrit në momentin e ndarjes nga darka që na shtruan ajo dhe Gjergji.

Molina megjithë vitet në kapërcyellin e gjysëmshekullit, kishte mbetë ajo e shkollës, e qeshur, me shumë humor, por e çiltër përtej kufinjve të një femre. Pikërisht nga ajo çiltërsi shpesh herë ishte keqkuptuar nga ata që nuk e njihnin nga afër edhe bashkëshortet e djemve të fakultetit shumë herë e shikonin me inat, mbasi frigsoheshin se mund t’i tradhtonin sytë e kaltër në të gjelbër të Molinës.

Nuk mund të harroheshin lehtë ata sy. Të vinte një avull dehjeje kur të shikonin drejtpërdrejt. Ishin të bukur dhe të magjishëm. Qeshë i bindur edhe pse ishte aq lozanjare dhe e tillë kishte mbetë edhe pas aq shumë vitesh, kur dhe fëmijët i kishte të martuar, se askush nuk kishte pasë shansin “ta fuste” në dorë përveç Gjergjit.

“Do të postoj një email, duhet ta lexosh vetëm ti- ishte porosia dhe kërkesa në momentin e ndarjes me Molinën. “Nuk kisha njeri në botë tjetër veç teje për t’i besuar. Mbaje per vete edhe po nuk mund ta kryesh porosinë time”. Molina, ishte ajo studentja çapkëne që të gjithëve “ua kallzonte” e askush s’e kishte mundur të merrte “po”-në e saj veç Gjergjit. Shumë nga shokët e mij kishin pa në ëndërra vehten në krahët e Molinës. Ehe! Koha kishte ikë pa kthim e sytë e saj kishin po atë gjallëri.

Çfarë e mundonte Molinën?! Kishim dhe shumë orë që të arrinim në qytetin e largët verior të Amerikës.

Butësia e melodive të Imelda May dhe kolovitja e aeroplanit bënë që pa e kuptuar të humbja në një gjumë pa ëndërra.

U gjeta zgjuar kur udhëtarët po merrnin valixhet e dorës dhe bënin nga zyrat e emigracionit për kontrollin strikt të dokumentave të udhëtimit hyrës në Amerikë.

Kaluan disa ditë dhe Molina nuk më kishte shkruar akoma. Të ishte penduar?! Mua m’u duk se e kishte urgjente për t’ja kryer atë porosi!

Pas një jave në Inbox të gmail-es shikoj se Molina Shtegu shkruante “Vetëm për ju e pastaj fshije”!

Më shkruante për herë të parë qysh se ishim njohur. Megjithëse kisha kaluar dhe netë pa gjumë në kohën e shkollës rreth syve te saj, por mbas fejesës me Gjergj Shtegun, si unë dhe shokët e tjerë në fakultet ulëm shikimet tona hileqare dhe ngacmimet për Molinën. Kurrë nga ajo kohë nuk kisha pritë letra nga ajo e aq më tepër tash që kishim kaluar gjysëmshekullin mbi supe.

E njihnin të gjithë dobësinë time për sytë e papërballueshëm të Molinës. Edhe Berta e dinte dhe shpesh herë me ngacmonte duke më ironizuar: “Ç’e don se nuk i kanë të gjitha sytë e papërballueshëm si ajo!”.

Nejse. Hapa email-in dhe me një frymë e lexova. Mbeta i shastisur për atë që Molina shkruante dhe më lypte me shumë sinqeritet për një dhuratë që kurrë s’më shkonte mëndja se një grua e fortë si Molina, ajo që nuk ja kishte përtesë të përveshej me grushta me djemtë e fakultetit kur kalonin “vijën e kuqe” si e thoshte kur edhe nga hundët e kisha parë që i rridhte gjak nga “përleshja e nderit”. Molina, që luante fuboll me pantollona të shkurtra, ajo që mbronte Gjergjin, i cili me heshtjen e tij kishte arritë t’ia “hante sytë” ku derdheshin qiejt, detrat e livadhet e bjeshkëve, ishte një nga ato krijesa që vetëm zoti në “ditë pushimi” di të sajojë.

“Alban!

Faleminderit për vizitën tuaj me Berten dhe për gjithë atë mbasdite që kaluam bashkë. Gjergji ka kaluar një sëmundje shumë të rëndë dhe vetëm zoti e mjekët në tokë mundën ta shpëtojnë. Ka gjithë këtë kohë që ka rënë edhe moralisht, por vizita juaj duket se e ka gjallëruar. Më beso se të gjitha të mirat nuk bëhen kurrë bashkë. Ishim si pak kush, të dy me punë të mira. Fëmijët i kemi shkolluar dhe kanë marrë rrugën e mbarë të jetës. Por ja që kjo sëmundja e Gjergjit, disa muaj para se të bëhej operacion e deri sot na vërtitet si hije e zezë nëpër shtëpi. Por mjekët, mbas operacionit, i kanë dhënë shpresa se operacioni ka dalë me sukses, por ama  pesha e mungesës së burrit dhe mashkullit të shtëpisë i peshon padiskutim e kam frigë që edhe mund t’ia shkurtojë jetën.

Kur mjekët me kanë komunikuar se çfarë ndërhyrjeje do të kishte operacioni i tyre, sikur më ka mbuluar qielli. Më kupto, nuk ishte friga që do të mungonte shumë nga diçkaje për një çift që ka mbi tridhjetë vjet martesë, por edhe për Gjergjin që do të “kalonte ylberin” dhe do të ishte dikush tjetër. Nuk do të ishte Gjergji për Molinën, e cila kishte refuzuar të mirë e “heronj” për sytë e saj.

Ai ishte i bindur dhe e dinte si edhe unë se Molina kishte qëne vetëm e tija. Për aq vite nuk kishte arritë të vinte dorë njeri edhe pse kjo Molina ishte kërcënuar se do të pushohej nga puna, se i ishin ofruar pará dhe zyra më komode, por kurrë qetësia dhe maturia e Gjergjit nuk e kishin dobsuar mendjen e Molinës.

Alban! Nga ky burrë që kemi rrugëtuar gjatë bashkë kurrë nuk kam prishë rehatinë dhe kurrë nuk më ka munguar dashuria dhe respekti nga ai. Këtë, besoj se edhe ju e dini.

Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk me ka shkuar mëndja ta tradhtoj, edhe pse më qenë bërë oferta marramendëse. Unë e di se ju dhe shumë shokë të dashur të mij janë zhgënjyer nga shpërfillja e dashurisë së tyre, bile dashurisë deri në marrëzi. Një nga ata jeni dhe ju. Edhe atë ditë shikimet e fshehura tuaja dhe zjarri i viteve të rinisë nuk ishte shuar. Ky nuk është faji im. Zoti ma ka falë atë shikim e ata sy që shumë nga ju vazhdoni të përbetoheni në zot dhe sytë e mij.

Të gjitha këto i ka ditë Gjergji, asnjëhere nuk ka dyshuar se unë nuk jam e zonja të tejkaloj çdo situatë. Ai edhe në muajt e rënduar të sëmundjes më ka dhuruar dashuri si në ditët e zjarrta të rinisë.

Unë e ndjej e vehten time se jam akoma e re në shpirtë, por edhe fizikisht jam si një tridhjetëvjeçare. Ose më ndryshe, si thonë nga anët tona, “plaku edhe një burrë”. Këtë e di dhe Gjergji dhe merakoset më shumë për fatin tim. Kurrë nuk i jam shprehur dhe njëmijë jetë të jetojmë bashkë nuk do ta dijë se mund të mungojë mashkullësia e tij.

Edhe këtu në Tiranë ka treg që blihet çdo gjë. Si kudo në Europë ka blerje online që njeriu siguron çfarë të shkojë në mëndje. Por ndryshe nga atje te ju, nuk ta ruan kush jetën personale. Të keqkuptojnë e të keqinterpretojnë.     

Alban! Une e di se menjëherë do të shkoj mëndja të thuash se si Molina të shkruan ty që një jetë të tërë u je kushtuar legjendave e historisë, të merret me punë të karakterit të fortë? Dhe sërish ke për ta pyetur vehten “Nuk e di Molina që jam një burrë i profileve të forta”?

Alban, ta njoh karakterin, se të kam parë kushedi sa herë në jetën studentore të dilje mbi vehten, të kam besuar e të besoj si dikur që të kam “futë thikën në zemër” kur të pata thënë se kisha prishë virgjërinë me Gjergjin. Të jam dukur e çmendur! Edhe sot do ta kujtosh atë ditë. Ishte koha që ato fjalë ishin më shumë se tabu për t’u thënë, por ja që me ty kishim marrëdhënie të  tjera. Ishte dhe një veprim tinzar imi që të bëja ty të hiqje dorë përfundimisht nga unë.

Edhe unë jam grua e fortë, por kam edhe jetën time si të gjitha femrat. Nuk dua t’i dorëzohem një zyrtari, një  mashkulli epshor për të shujtur ndjenjat e mija femërore që edhe më parë të thashë se jam e fortë dhe e shëndetshme. Nuk dua të kem lidhje me asnjë mashkull tjetër në këtë botë. Vetëm Gjergji e ka mbyllë  atë cikël. Por ai tashmë nuk është mashkull nga ana anatomike. Në operacion i kanë hequr testikulat, sepse ishin prekur nga kanceri. Vetëm ajo ishte rruga që do t’i shpëtonte jetën Gjergjit.

Dua mos të zgjatem. E kam pa në foton tuaj të facebook-ut se afër biznesit tuaj është një dyqan ku blihen ato lojrat e seksit për femra. Të lutem më bëj një nga ato dhurata, se dua që unë të mbetem femër. Të mos më shkojë mëndja për asnjë mashkull. E kisha blerë edhe këtu, por më beso se gjithë qyteti do ta marrin vesh. Fatmirësisht operacionin Gjergji e bëri në Itali, se  ndryshe ta bënte këtu edhe mund të rridhte e vërteta e testikujve të tij! Jam femër që kam bërë emër dhe menjëherë do të isha lajmi i ditës. Lajm i ditës me langoj nga pas!

Shpresoj se e more vesh se jam Molina e pamposhtur,  por jam njerëzore si çdo femër tjetër. Mos mendo keq për “yllin” tënd.

Molina”

Në ato momente ndjeva në shpirtë dhimbje për Gjergjin dhe Molinën. Me zemër luta zotin të kishte jetën e gjatë dhe mendova se si mund ta nisja sa më shpejt e doravisht dhuratën.

Mbasi e bleva nje mikuttim që udhëtonte për Rinas ja dhashte “plaçken” e mbështjellë me letër ilaçesh dhe numrin e celularit të Molinës, që do e priste në aeroport. Isha i sigurtë se “plaçka” do të binte në dorë e pahapur.

Pas pak ditësh më shkruante:

“Alban !

Më fal për bezdinë që të kam qitë. E mora “dhuratën” e pahapur.

Të jam mirënjohëse si edhe më parë.

Molina.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *