RAPORTET NDËRETNIKE NË MAQEDONI NË MES MAQEDONASVE DHE SHQIPTARËVE PAS VRASJES SË PESË TË RINJVE MAQEDONAS NË AFËRSI TË SHKUPIT
Interviste me intelektualin e njohur, Fejzulla Abdullai
1. Pyetje:Republika e Maqedonisë, siç dihet, është shtet multietnik, mund t’i përshkruani raportet në mes dy etniteteve më të mëdha në këtë vend (Shqiptarëve e Maqedonasve), para dhe pas vrasjes makabre te 5 të rinjve në afërsi të Shkupit që ndodhi para do kohe?
Përgjigje: Raportet në mes këtyre dy etnive nuk janë në nivelin e duhur që duhet t’i ketë një shtet demokratik. Shikuar në retrospektivë historike, mund të thuhet se shqiptari , jo vetëm nga ana e maqedonasve por edhe nga sllavët nëpërgjithësi, nuk është parë me sy të mirë. Vazhdimisht ka ekzistuar një shqiptarofobie sllave ndaj këtij etniteti të vjetër që jeton me shekuj në trojet e veta. Konkretisht, në Maqedoni këto raporte ndonjëherë kanë qenë tepër të tensionuara, varësisht prej situatës. Pas kësaj vrasje tensionet u rritën në një nivel tepër të lartë sa që mund të shpërthente edhe konflikt ndëretnik. Kjo nga fakti se vrasje iu qe përshkruar shqiptarëve, si nga ana e mediave vendase ashtu edhe e atyre të huaja (në radhë të parë ato serbe). Nga të huajat pra, më tepër janë prononcuar ato serbe. Për këto do flasim mëvonë.
2. Pyetje:Prej kur është rritur urrejtja në këtë shtet ndaj shqiptarëve dhe në çfar mënyrë është manifestuar?
Përgjigje: Pas mëvetësimit të Maqedonisë si shtet më vete në vitin 1991, shqiptarët nuk janë parë me sy të mirë nga maqedonasit (shprehur më saktë, sllavomaqedonët), nga arsyeja se tani shqiptarët kanë kërkuar që me kushtetutën e shtetit të ri, të jenë edhe këta shtetformues (pasi me numër vinë pas maqedonasve dhe nuk përfaqsojnë pakicë në shtet) bashkë me maqedonët si shumicë. Kjo kërkesë kategorikisht u hodh poshtë. Shqiptarët në këtë kohë bënë edhe shumë kërkesa të tjera, por ato nuk u pranuan me arsyen e thjeshtë se janë “pakicë” dhe të“ardhur” në Maqedoni, ndaj duhet të trajtohen njësoj si pakicat e tjera kombëtare.
Shqiptarët duke parë se të drejtat e tyre legjitime nuk u avancuan në nivel të duhur, qenë të detyruar t’i marrin armët dhe të hyjnë në një konflikt të armatosur drejtpërsëdrejti me maqedonasit. Ky konflikt përfundoj me një marëveshtje qeveritare në mes partive në koalicion që u quajt “MARËVESHJA E OHRIT”. Në këtë marveshje janë marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve të cilat më vonë duhej të plotësoheshin. Implementimi i kësaj marëveshjeje, ndonse jo i plotë, gjer diku avancoi disa kërkesa të shqiptarëve. Por, me kalimin e kohës, autoritetet maqedonase nuk kanë qenë të disponuar që çdo gjë të plotësojnë, ndaj kjo disi po kalon në marëveshje partiake, ku vetë partitë tani kanë filluar të manipulojnë me të. Edhe pse disa gjëra janë realizuar, akoma ekziston diskriminimi ekonomik, gjuhësor. Gjuha shqipe që duhej të jetë gjuhë e dytë nuk është. Vazhdon akoma diskriminimi ekonomik, social, kulturor edhe ai fetar.
Kur jemi këtu, duhet të theksojmë se qysh në fillim të procesit të implementimit të marveshjes, u imponua një preambulë kushtetuese, e cila nuk ka qenë në frymën e kësaj marëveshje. Disa amandamente Kushtetuese të miratuara pas luftës të vitit 2001 paraqesin disa zbrazëtira të qëllimshme të cilat nuk mundësojnë avancimin e të drejtave të shqiptarëve në aspektin politik, ekonomik e social.
Qeveria e parë e pas luftës (2001) që qe në koalocion SDSM-BDI në mandatin e vet, sipas të dhënave që i japin disa politikanë shqiptarë, bilancin e pat mjaft tragjik. Po citoj disa të thëna të tyre:
Ø edhe pse pas luftës u soll ligj për amnesti, u bënë mjaft burgosje të ish ushtarëve të UÇK-së;
Ø nuk u bë rregullimi i statusit të dëshmorëve të kombit dhe kujdesja institucionale e familjarëve të tyre;
Ø nuk u bë riparimi i dëmeve të shkaktuara gjatë luftës;
Ø nuk u bë ndarje proporcionale e buxhetit, nuk u bënë investime në vendbanimet shqiptare;
Ø liria e premtuar u shndërrua në një burg të vërtetë për shqiptarët;
Ø vazhdimisht u ushtrua dhunë e paparë në territoret e banuara me shumicë shqiptarë.
3. Pyetje: Në çfar formash janë manifestuar urrejtjet antishqiptare pas konfliktit 2001 të cilat sjellin edhe në rritjen e tensioneve?
Përgjigje: Pas këtij konflikti, siç përmendëm, raportet nuk janë përmirësuar ashtu siç kërkohej, por, përkundrazi, qëndrimi antishqiptar në forma të ndryshme ka vazhduar. Në këtë kohë vazhdimisht janë shkruar parulla antishqiptare, madje brohoritje fyese për kombin shqiptar nëpër stadiumet sportive e tj. Në brohoritjet me përmbajtje raciste thuhej: “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Vdekje për shqiptarët”, “Shqiptarët të shkojnë në Shqipëri” etj., etj (këto parulla asociojnë me kohën e J.Cvijiqit kur edhe në atë kohë shkruheshin parulla urrejtjesh ndaj shqiptarëve, si: “Populli sllav shqiptarët e vërtetë i konsideron armiq më të mëdhenj”). Nëpër autobusët edhe nëpër rrugët janë bërë rrahje të shqiptarëve (nxënsëve). Bile u bë edhe një vrasje e dy shqiptarëve të rinj nga ana e një polici maqedonas. Urrejtja antishqiptare eskaloi pas vrasjes së pesëfishtë të të rinjëve maqedonas. Bile një gazetar maqedonas në një nga kanalet televizive në gjuhën maqedonase, haptas kërkoj që edhe në Maqedoni duhet të ketë një Breivik si në Norvegji për të ndalur sulmin e shqiptarëve.
4. Pyetje: Në një situatë të këtillë të tensionuar, si kanë qenë qëndrimet qeveritare ndaj shqiptarëve?
Përgjigje: Qeveria maqedonase nuk ka reagur ashpërt, bile ndonjëherë në disa raste edhe“nuk i ka ndëgjuar” brohoritjet antishqiptere. Ka kërkuar që nëse ka raste të rilla, organet kompetente t’i zbulojnë aktorët, t’i nxjerrin para drejtësisë e t’u japin dënimin e merituar.Vetëm kaq.
5. Pyetje: Ndaj konflikteve të këtilla si është reagimi i partive shqiptare pozitë-opozitë dhe i faktorit të jashtëm?
Përgjigje: Partitë shqiptare i kanë dënuar aktet e këtilla të shëmtuara, duke kërkuar që të zbulohet se kush qëndron prapa tyre. Lideri i partisë në pushtet në një prononcim të tij ka thënë se, këto ndadhi nuk kanë ndonjë prapavijë politike, por janë vetëm “spontane”!Konstatimi i këtillë i një lideri nuk mund të jetë i pranueshëm sepse hyrje në autobus i 18 personave të maskuar, të paisur me mjete të forta dhe rrahja brutale e nxënsëve shqiptarë, nuk mund të jetë rast spontan, por mirë i organizuar dhe me qëllim të caktuar. Brohoritja nëpër stadiumet me përmbajtje raciste antishqiptare, nuk mund të jenë spontane, por mirë të organoziuara dhe të përkrahura nga struktura të caktuara. Sipas një analisti shqiptar, faktori politik shqiptar brenda dhe jashtë Maqedonisë dheai ndërkombëtar, kanë reaguar në këtë mënyrë: Deklarata e faktorit politik shqiptar në Maqedoni: “…ruani gjakftohtësinë dhe mos bini pre e provokimeve…” – Autoritet e Tiranës dalin me prononcimin: “…ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera…” –Udhëheqja e Prishtinës del me deklaratën: “…ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë mbizotërojnë marrëdhënie të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë…”; – Faktori ndërkombëtar apelon: “…të zihen fajtorët dhe të nxirren para drejtësisë…”
6. Pyetje: Sipas mendimit tuaj, kush mund të jenë faktorët që kanë ndikaur në paraqitjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve, e pastaj do kalojmë në atë se kush mund ta ketë kryer vrasjen e 5 të rinjëve që përmendëm më lartë?
Përgjigje: Kjo pyetje ka një përgjigje mjaft të ndërlikuar, por do mundohem që të jap një përgjigje lakonike. Sipas mendimit tim, ekzistojnë dy faktorë: të parët do t’i quaja historikë dhe të dytët biologjikë. Sipas të parëve, shikuar historikisht, popullata shqiptare ka qenë kompakte e pozicionuar në gjeohapësirën e vet. Mirpo ky pozicionim nuk u ka shkuar përshtat qëllimeve ekspanzioniste të politikës sllave, në radhë të parë asaj serbe. Në gjysmën e parë të shek. 19 kur lindi ideja për një Serbi të madhe, ideologët serbë nuk u pajtuan me pozicionimin e shqiptarëve nga fakti se këta i kishin “okupuar”vendet strategjike. Madje i kishin“zaptuar” tokat pjellore në zonën e Sharit e të Kosovës dhe se, me këtë e ndanin popullatën sllave- serbët në veri nga maqedonasit në jug. Nga ky fakt, ata filluan një akcion shfarosës kundër shqiptarëve. Nga rrethi i Nishit, prokupljes, Sanxhakut, Novi Pazarit (Pazari i Ri) e Leskovcit në këtë kohë u dëbuan rreth 70 mijë shqiptarë. Shqiptarofobja e këtillë u përcoll edhe në qeveritë e vazhdueshme serbe. Ndërkohë kjo vazhdoj edhe tek popullata sllave-maqedonase në territorin e Maqedonsë. Prej këtij vendi, poashtu, u dëbua një numër i madh i shqiptarëve në Turqi. Kjo urrejtje vazhdon edhe sot.
Në kohën e fundit mediat serbe haptas shkruajnë kundër shqiptarëve duke iu dhënë kurajo edhe maqedonasve për një luftë antishqiptare. Po citoj një shkrim të mediave serbe ku, shprehimisht thuhet: “Më thuaj nëse di emrin dhe mbiemrin e një shqiptari që nuk angazhohet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Ata janë një fis, të cilët kuptojnë vetëm ligjin e dhunës, që nga foshnja që arsimohet në këtë frymë e deri te pleqtë. Dëgjoj se si maqedonasit janë duke djegur shtëpitë e shqiptarëve… Po u duhet këtyre njerëzve që të vetorganizohen, pasi që shteti i tyre, ashtu si ky yni, është i paaftë. Tash është rasti që duhet shfrytëzuar për të pastruar vendin e tyre prej këtij fisi. Të gjithë deri te më i fundit shqiptar duhet të dëbohen në Shqipëri. Kështu edhe bullgarët i kanë dëbuar turqit në vitin 1989, dhe nuk i ka munguar asgjë, tash janë anëtarë të BE-së. Vetëm përpara, maqedonas”. Nga kjo shihet se serbët po i ofrohen në ndihmë maqedonasve në luftë kundër shqiptarëve. Faktori i dytë, biologjik, është i lidhur me shtimin natyror të shqiptarëve. “Shqiptarët biologjikisht shtohen më tepër se sllavët dhe në të ardhëshmen, sipas tyre, do të jenë më të numërt se sllavët. Kjo është pra, arma më e fuqishme e tyre me të cilën do të na zhdukin ne si popull të civilizuar në Ballkan. Nga ky fakt edhe në këtë aspekt duhet sulmuar ky popull i“pacivilizuar” ”. Ja pra, siç shihet, këta janë disa nga faktorët të cilët kanë ndikuar në lindjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve.
7. Pyetje:Sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoni, kush mund të jetë prapa atyre që krijonë tensioneve ndëretnike dhe që pastaj shkaktohen konflikte?
Përgjigje: Nuk jam mirë i informuar, por megjithatë po citoj vetëm disa konstatime të një politikani të opozitës shqiptare, i cili shprehimisht thotë: “Lufta kundër shqiptarëve në Maqedoni është duke u zhvilluar në të gjitha rrafshet e jetës politike, ekonomike, kulturore dhe fetare dhe në këtë luftë janë të implikuar institucionet shtetërore të këtij vendi. Me qëllim të fshehjes së implikimit institucional të shtetit në këtë luftë qarqet antishqiptare Beograd-Shkup konstruktojnë skenarë për t’i dhënë terrorit shtetëror karakter të konflikteve civile dhe ndëretnike. Në këto skenarë shpesh pësojnë njerëz të pafajshëm, të përkatësive të ndryshme etnike, me qëllim të nxitjes së konflikteve ndëretnike. Shqiptarët asnjë herë nuk kanë qëndruar prapa akteve të shëmtuara. Përkundrazi, shumë shpesh kanë qenë viktima të këtyre skenarëve”! Po i njëjti konstatot: “Lufta në Maqedoni nuk ka karakter të luftës civile por të një terrori shtetëror kundër shqiptarëve. Shteti dhe institucione të veçanta shtetërore qëndrojnë edhe prapa paramilitarëve të kamufluar si huligan që terrorizojnë popullin shqiptar”.
8. Pyetje:Të kthehemi tek vrasja. Sipas mendimit tuaj, kush mund ta ketë kryer vrasjen e pesë të rinjve në afërsi të Shkupit?
Përgjigje: Nuk mendoj që të paragjukoj, por një gjë është e sigurtë se këtë krim të shëmtuar nuk e kanë kryer shqiptarët. Për këtë flet vetë fakti se, pas vrasjes së dy shqiptarëve në Gostivar, ndokush (me siguri jashtë vendit) duke shfrytëzuar këtë rast dhe duke marrë parasysh raportet e brishta në mes maqedonasve e shqiptarëve, i sigurtë se shqiptarët do mund të hakmerren, organizoj një vrasje makabre të të rinjëve maqedonas me qëllim që faji, kuptohet, do t’u mbetej shqiptarëve. Edhe ashtu ndodhi në fillim. Nga ana e maqedonasve u organizuan shumë protesta antishqiptare me brohoritje fyese, duke kërkuar që dorasi të gjendet tek shqiptarët. Mirpo me ndërhyrjen e faktorëve politik dhe organevce të rendit, situata disi është pak qetësuar. Sipas deklaratave të MPB,vrasja ka qenë makabre dhe e kryer profesionalisht me armë të sofistikuara, gjë që shqiptarët nuk kanë pasur mundësi për një gjë të tillë. Mirpo, duke nisur nga fakti, siç përmenda edhe më lartë, popujt sllavë shqiptarin nuk e shikojnë me sy të mirë, e çdo gjë që ndodh ja përshkruajnë shqiptarit. Pasataj, ndërkohë mund të them se shtetet fqinj nuk janë të interesuar për një Maqedoni stabile, ndaj lirisht mund të jap mendimin tim se këtë krim e kanë kryer sherbimet sekrete të huaja, në radhë të parë ato serbe. Serbia si çdo herë është e interesuar për destabilizim në Ballkan e pastaj për një luftë gjithpërfshirëse me qëllim që të rëmbejë toka të tjera të cilat mendon se bëjnë pjesë në Serbinë e vjetër. Këtë konstatim tim po e mbështes me një prononcim të një politikologu shqiptar, i cili merret drejtpërsëdrejti me politikën e Ballkanit. Sipas mendimt të tij, ky akt i shëmtuar është mirë i planifikuar. Shprehimisht thotë: “Scenari mund të jetë në Beograd ose Athinë, kurse degëzimi në Shkup”.Kjo është shumë e qartë sepse këtyre dy shteteve, përfshirë edhe Bullgarinë fqinje, nuk u shkon përshatat një Maqedoni stabile.
Megjithë se ekzistojnë indikacione se këtë akt të shëmtuar mund ta kenë kryer shërbimet e jashtëme, qeveria maqedonase nuk pati besim tek shqiptarët, ndaj gjatë investigimit tërë vemendjen duket se e ka patur aty. Me qëllim që të arsyetohet dyshimi, Ministrisa e Punëve të Brendështme të Maqedonisë në orët e hershme të mëngjezit të ditës së martë (1, Maj, 2012), me një akcion policor të quajtur “Monstrum”,bëri bastisje në disa lagje të Shkupit të banuara me shqiptarë, duke arestuar rreth 20 persona (shqiptarë) të dyshimtë, ndër ta një grua 60 vjeçare e një burë 64 vjeç. Në deklaratën zyrëtare të kasoj Ministrie thuhet: “Këto janë grupe radikale islame, janë persona të rrezikshëm dhe për ta do të ngrihen padi penale për terrorizëm”. Nga kjo mund të vijmë në një konkluzion se po plotësohen qëllimet e politikës serbë për destabilizimin e Maqedonisë e më gjerë. Ky akcion besoj se do ketë pasoja të rënda në raportet e dy etnive, duke i ritur më tepër tensionet dhe mundësinë e konflikteve, qëmund të eskalojnë çdo moment.
9. Pyetje: Kur jemi këtu, si janë reagimet serbe për këtë vrasje?
Përgjigje: Faktet flasin se serbët janë promotorët e destabilitetit në rajon. Sipas tyre, Maqedonia qenka “konflikt që pritet të eksplodojë”. Sipas tyre, çelsi i destabilizimit ekziston vetëm tek një etnitet në Maqedoni, ata janë shqiptarët. Ndaj edhe në këtë rast nëpërmjet mediave të shkruara elektorinike dhe atyre televizive, gishtin e drejtuan tek shqiptarët. Në një kanal teliviziv bile u ndëgjuan edhe “fakte konktrete”, se kinse sherbimet sekrete maqedonase kanë gjetur një dëshmitar, i cili paska fakte të sigurta, por e mbajnë në një fshehtësi të madhe. Madje, sherbimet serbe paskan gjetur një makinë të parkuar anës kufirit të Maqedonisë me Kosovën, kinse në atë makinë qenkan aktorët e vrasjes, ose, siç i quajnë ata teroristë shqiptarë, dhe, se, pastaj paskan hyrë për strehim në Kosovë. Me këtë ata paskan ardhur në një “përfundim të sigurtë” se aktorët e vrasjes qenkan shqiptarë. Për këtë janë të “sigurtë” se krime të këtilla në rajon mund të kryejnë vetëm teroristët shqiptarë të cilët nuk ja duan të mirën Maqedonisë dhe vazhdimisht luftojnë për
një Maqedoni jostabile.
10. Pyetje: Sipas mendimit tuaj, vall ekzistojnë gjasa që të zbulohen aktorët e kësaj vrasje makabre e cila nga ana e faktorëve përgjegjës kualifikohet si një krim kundër njerëzimit?
Përgjigje: Në këtë vrasje, siç përmenda edhe më lartë, janë të implikuara sherbime sekrete të huaja, sipas të gjitha gjasave ato serbe, por vështirë se mund të gjendet vrasësi i vërtetë. Aq më tepër kur dorasi mund të ndodhet jashtë shtetit. Ndaj dhe organet shtetërore të zbulimit gjer tani janë pa ndonjë rezultat konkret. Kjo besoj se do vazhdojë një kohë të gjatë. Bile nga disa organizata joqeveritare, qeverisë maqedonase i është sugjeruar që të kërkojë ndihmë nga Byroja Federale e Investigimit (FBI)të Amerikës.
Nga kjo që përmenda, do të jetë vështirë të paracaktohet koha se kur do të gjenden aktorët e vërtetë të vrasjes dhe se kujt etniteti i përkasin, brenda ose jashtë vendit. Nëse organet e zbulimit vinë në një përfundim të sigurtë se janë prej jashtë vendit, atëheren mundësitë për zbulimin dhe kapjen e tyrë janë akoma më të vështira. Jam i mendimit se që të zbulohet ky mister i rëndë, nevojitet kohë dhe një profesionalizëm i përsosur me përvojë të gjatë të organeve të zbulimit.
11. Pyetje: Dhe në fund, sipas mendimit tuaj, a ekzistojnë gjasa që ky terror antishqiptar në Republikën e Maqedonisë mund të ndalet dhe cila do të ishte zgjidhja më e mirë që në të ardhëshmen të mos ketë konflikte të ndryshme ndëretnike, ose, që në rastin e fundit, nga mediat iu përshkruhet shqiptarëve?
Përgjigje: Personalish, pasi jam larguar për një kohë të gjatë nga Maqedonia, do të ishte vështirë që të jap mendimin tim për ndonjë zgjidhje të mundëshme e cila do të ishte në interes të të dy etnive. Sidoqoftë, duke u bazuar në interesin e përbashkët të brendshëm, pastaj e të faktorit ndërkombëtar, i cili në sajë të pozitës gjeostrategjike dhe gjeopolitike që ka Maqedonia, vazhdimisht qëndron në mbrojtjen e integritetit teritorial, jam i mendimit se Maqedonia duhet të jetë shtet i përbashkët i të dy etnive të mëdha, përfshirë edhe etnitetet më të vogla. Me fjalë të tjera duhet të bëhet federalizim i shtetit, sikurse kemi raste në disa shtete evropjane. Kjo besoj se është mënyra e drejtë (por jo edhe më e drejta), sepse në këtë mënyrë do të shmangeshin konfliktet ndëretnike dhe asnjëra palë nuk do të ishte humbëse. Por me një kusht, që në hapësirat ku janë të pozicionuar shqiptarët, të mos ketë debalancë demografike në dëm të shqiptarëve. Shumë analistë shqiptarë japin varianta të dryshme, por, sipas mendimit tim, ato janë të pakapshme, qoftë për faktori politik (shqiptar apo maqedonas) të brendshëm, apo për atë të jashtëm, për arsye të ndryshme. Disa media të huaja, p.sh., janë për ndarje në mes shqiptarëve e maqedonasve (pa dhënë detaje për çfar ndarje mendojnë) . Këtë ato e quajnë preventivë për ruajtjen e stabilitetit jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. Vetëm në këtë mënyroë do të sigurohej stabilitet në rajon. Lidhur me këtë ja seç shkruan në portalin e vet një gazetë bullgare: “Për të ruajtur paqen dhe të shmangen skenat e reja horror në Ballkan, është e nevojshme që të shqyrtohen të gjitha opsionet, ndërsa zgjidhje më argumentuese është ndarja preventive e Maqedonisë”. Madje vazhdon: “Nga ndarja preventive do të përfitojnë të gjithë, me ç`rast shqiptarët do të kënaqin idetë e tyre të mëdha kombëtare, ndërsa maqedonasit do të humbin një pjesë të vogël, në rast se tani do të ndahen nga shqiptarët, dhe jo pas dy dekadave, për shkak se nataliteti i shqiptarëve shënon rritje rapide”. Edhe këtu nuk mund të shihet qartë se për çfar ndarje mendohet, edhe pse thuhet se“shqiptarët do të kënaqin idetë e tyre të mëdha kombëtare”, kurse “maqedonsit do të humbasin një pjesë të vogël”.
Bisedoi: Pjeter Jaku