NE KUJTIM TE REVOLTES NE KAMPIN E SPAÇIT
Nga Agim Xh. Dëshnica
O ti, o Orë e Malit,
tek endesh në vetmi
në kroje e hije në freski
a të bie kund ndër mend
dhunim e poshtërim,
si ai mjerim që ç’mend?
Ku jeta hiqej zvarrë-zvarrë,
pa gjurmë e pa mbresë,
Sizifi i dërmuar, do t’shembej
nën ngarkesë,
kur uji rrjedh e qan, sy e buzë lan
e veç një qen shoqëron
të munduar, posi qengj
e zogu në frengji
këndon dhimbshëm si shenjtë,
e njeriu, i verbër me armë.
shurdh, i prapë e pa shpirt ,
me plumb, litar e kamxhik.
Mos griset re e zymtë, sipër majë më majë
e copë e pakët qielli, mos zbret në ferrin Spaç?
Me erën dhe mendimin, kalon hendekë e boka,
përroin – rrjedhë gjaku, ku jeta hesht në gropa;
mbi kulla karakollësh, pushon e pret në pragje,
troket në porta lehtë, nga gjumi zgjon të lodhur,
me thirrje e pak fjalë,
të vdekur e të gjallë.
E gjaku vlon në tru,
në zemër e në krah,
ringjallja merr vendim
në mug e zbardhëllim,
shpërthen dëshira për liri:
Mjaftë më! Më këmbë! Drejtësi!
Sfilitur, skllevër, por bijë të mirë,
kur s’dimë u ngrys apo ka gdhirë.
S’durohet , tmerr, skëterrë-minierë,
qysqi e plagë, kazmë e lopatë,
vare e rëndë, vdekje e mandatë,
me afsh vullkani në çdo skutë;
në ditë pa ditë, helm e gas i mrytë;
vagon me gjak e normë mizore
tunel e terr, shpellë mortore
e jashtë dhunë, ndëshkim, kërbaç,
e brenda burgut qeli e tmerr,
O Spaç, O Spaç, o Spaç!
Më këmbë. Flamurin !
Mjaftë më, gazetë e supë e zezë,
përbindësh apelesh në mëngjes
pa diell, pa qiell,
pa një livadh e hijeshi
e shtigje qark, për miqësi.
Më këmbë! Lirinë !
Na digjet shpirti për lule e degë,
na digjet buza për fjalë e këngë;
për dhomë të qetë e shpresë e ëndërr;
për dasmë e valle, me nuse , dhëndër.
Për lojë vocërakësh tok me gruan;
afër nënokes kur gatuan
për një gotë me babanë,
bisedë me motër e me vëllanë.
për mësim, shkencë e krijim,
për ardhmërinë me ngadhënjim .
Na presin drita, era e lirë, gjindje e tokë.
Të gjithë me halle e mall, për miq e shokë.
Të dalim rrugësh, në bulevard,
kur moti ngroh a mali zbardh.
Të shkojmë të lahemi në lumë,
në hije manash të bëjmë zhurmë;
në det të hapur kur fryn nga jashtë,
në muzg, në park, në orën gjashtë.
O ti, o Orë e malit, pse rri e kqyr më kot,
rrudh ballin e menduar, në faqe rrjedhin lot?
Skënderin, Palin, Dervishin, Hajriun;
s’i preu plumbi, as vdiqën, as humbën.
Jetojnë, thërrasin: Kujdes!
Bijtë e nënave, guximtarët e dritës,
Djelmoshat – trima të patundur .
armiqtë e territ me flamur!
Enden gërmadhash, gurësh , braktisjesh ,
Pjetër, poetë, piktorë, kujtesa dhimbjesh;
përroi zhurmon, mbush rrjedhën e jetës…
Dëgjohen fuqishëm thirrje: kujdes, kujdes!