Në vigjilje të 105 vjetorit të Kuvendit të Junikut

                                            

                                                                               

                                              HYSA REZEHANA 1                              Mr.sc.Rezehana Hysa

                    

                            Mersim Dema në Kuvendin  e  Junikut

Rrethet patriotike shqiptare mendonin se kryengritje e re duhet të shpërthente në pranverë të vitit 1912. Në janar të vitit 1912 xhonturqit fituan zgjedhjet e reja,[1]sepse autoritetet ushtarake,policore e civile turke në Vilajetet shqiptare madje edhe në Stamboll ishin impenjuar që zgjedhjet për parlamentin e ri të fitoheshin nga partia”Itihad ve terrakki”e turqve të rrinj.[2]

Hasan Prishtina më 11 janar 1912 paralajmëroi qeverinë e re, se nëse nuk plotësoheshin kërkesat kombëtare në Shqipëri do të shpërthente kryengritje e armatosur.Në parlamentin e ri të cilën e përdornin si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare, nuk u zgjodhën as Ismail Qemali dhe as Hasan Prishtina,andaj u krijua një gjendje mjaft e acaruar.Padurimi u bë kritik, ndaj komitetet e fshehta formuan kudo në Shqipëri e Kosovë çeta të armatosura.Përleshjet e para ndodhën në Gjakovë në prill të vitit 1912.[3]Madje në gjysmën e dytë të prillit të vitit 1912 përleshje e armatosur u zhvilluan edhe në Malësinë e Dibrës midis  kryengritësve shqiptarë dhe  forcave të ushtrisë dhe xhandërmarisë osmane ku batalioni osman pothuajse u asgjësua plotësisht.Andaj  analistët e huaj këtë betejë e  vlerësuan si më të organizuar se  asnjëherë më parë.Për këtë qëllim, drejtuesi i njohur i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Malet e Dibrës,Mersim Dema në krye të një çete prej 50 vetash udhëtoi në të gjithë viset e sanxhakut të Dibrës duke bërë për vete për qëllimet e kryengritjes një pjesë të madhe të popullsisë të këtyre viseve.Kështu në fund të prillit në Dibrën e poshtme dolën në mal disa çeta të cilat numëronin nga 40-50 luftëtarë e më shumë.[4]Në maj 1912 kryengritja u shtri në Pejë,Lumë,Mirditë,Zadrimë etj.[5]Përhapja e kryengritjes e bëri të nevojshme bashkërëndimin e forcave të armatosura dhe krijimin e një qendre të vetme drejtuese[6] për arritjen e objektivit madhor si  dhe do ta lartësonte në shkallë më të lartë guximin dhe fundin e të njëjtit qëllim.[7]Andaj me nismën e Hasan Prishtinës,Nexhip Dragës dhe të tjerëve u mblodh Kuvendi i Junikut.[8] Përgaditjet më intensive për organizimin e tij u bënë në gjysmën e dytë të majit të vitit  1912,por për shkaqe konspirative nuk bëheshte e ditur  data dhe vendi i mbajtjes.[9]Kuvendi kombëtar  për ta pasur efektin e dëshiruar,Hasan Prishtina  ftoi me anë të shkresave dhe njerëzve të tij krerët më me ndikim të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe parinë e krahina të ndryshme të Shqipërisë që të mernin pjesë në të.[10]

Kuvendi  kombëtar i Junikut u mbajt në Junik të Gjakovës prej nga e mori edhe emrin dhe  kishte për qëllim të përcaktonte masat organizative  dhe programin politik të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 kundër sundimit osman.[11]Në Kuvend  morën pjesë përfaqësues të Vilajetit të Kosovës,krahinave të Dibrës,Shkodrës dhe të jugut të vendit nën kryesinë e Hasan Prishtinës.Kuvendi zgjati prej datës 21 deri më 25 maj të vitit 1912 gjegjësisht pak muaj para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe  u lidh besa për tu hedhur në luftë për çlirim kombëtar.[12]Në të morën pjesë 250 delegatë nga vilajeti i Kosovës, si dhe nga sanxhaqet e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit,si dhe  disa përfaqësues nga krahinat e Jugut.Në Kuvend morën pjesë edhe përfaqësues shqiptarë të Senicës,Beranës,Jeni Pazarit,tre përfaqësues të Vilajetit të Shkodrës dy prej të cilëve ishin përfaqësues të klerit katolik,dy përfaqësues të Dibrës[13] Mersim Dema dhe Sheh Sula i  Zerqanit të cilët i kishin zgjedhur delegatët  e”Kuvendit të dheut”, i cili u mbajt në mars të vitit 1912 te  “Gropat e Ukut” mbi Homezh në prani të 5000 malësorëve nga “Gryka e Vogël”,”Gryka e Madhe” dhe Bulqiza.Kuvendi zgjati 22 ditë.Mersim Dema dhe Sheh Sula i Zerqanit kishin organizuar çeta për ta kontrolluar dhe neutralizuar çdo lëvizje të forcave osmane në drejtim të “Gropave të Ukut”.Pjesmarësit në “Kuvendin e Dheut” përveç zgjedhjen të përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Junikut gjegjësisht Mersim Demën dhe Sheh Sulën e Zerqanit  morrën edhe  një sërë vendimesh që në atë kohë u quajtën “Vendimet e Kuvendit të Dheut”të “Gropave të Ukut”,si:

  • Njohja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve sipas premtimeve të bëra para shpalljes së Kushtetutës Osmane të korrikut 1908;
  • të mos paguanin taksa e të dhjeta qeverisë turke;
  • në shenjë proteste të mos punonin tokën për tre vjet;të sulmoheshin dhe të largoheshin nga malësia patrullat që ishin vënë në kohën e Turgut Pashës;
  • të sulmohej e të çlirohej qyteti i Dibrës së Madhe,me qëllim që të bëhej qendër e koordinimit dhe veprimit kundër Turqisë.

Vendimet e “Kuvendit të Dheut” të bëra publike përpara 5000 malësorëve te “Gropat e Ukut” ishin një sinkron me kërkesat politike që do tia paraqitnin Haxhi Adil beu nga 10 përfaqësues të Dibrës së madhe,Dibrës së poshtme dhe Matit.Në një nga takimet e atyre ditëve me një delegacion ushtarak turk te “Gropat e Ukut”,Mersim Dema ishte deklaruar:”Na kërkojmë që asqeri i Turqisë të shkojë prej nga ka ardhur e ti heq karakollet dhe nuk kemi me mbjellë nji kokër përderisa qeveria të na lejë rehat me jetuar sipas zakonit të pleqve sepse ne nuk jemi turq por shqiptarë”.Për mbajtjen e “Kuvendit të Dheut” morrën vesht edhe autoritetet osmane të Dibrës së Madhe.Një grup oficerësh të bindur se me forcën e armëve nuk mund të arrinin gjë, kërkuan të hynë në bisedime edhe këtë herë me Mersim Demën dhe krerët e tjerë të Dibrës,por përgjigjja e tyre edhe kësaj here ishte:”Nuk duam me na sunduar qeveria e huaj.Të ikin karakollet prej maleve tona,duam të udhëheqimi vet dhe sipas kanuneve të të parëve tanë”.Malësorët të prirë nga Mersim Dema për tu treguar turqve se ishin një forcë e madhe,hynin në pyll,pastaj dilnin e hynin në pyellin tjetër të rradhitur ndryshe sa që turqit habiteshin se sa shumë shqiptarë në numër paskan kundër tyre sa që nuk mund të mbaronin kurrë”. Kjo  ishte njëra nga   strategjitë  që  përdornin krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Dibër duke përfshirë edhe Mersim Demën për ti larguar turqit kur numri i luftëtarëve shqiptarë ishte i vogël në këto anë. Pas 4-5 ditësh oficerët turq e tërhoqën ushtrinë nga “Nëntë Malet” e Dibrës ku paraprakisht shqiptarët çarmatosën patrullën turke,sulmuan stacionin e xhandërmarisë në Homezh dhe dogjën gjithë mjedisin që kishin ndërtuar turqit në pazarin e Homezhit.Vendimet e “Kuvendit të Dheut” u pranuan edhe nga kryengritësit e viseve të tjera të Shqipërisë sepse shënoi një faqe të re në historinë e “Maleve të Dibrës”,një demostrim mençurie e force që nuk ishte parë ndonjëherë.Më 11 maj 1912 midis përfaqësuesit e Dibrës dhe krerët e kryengritjes së Mirditës,Kthellës,Malësisë së Lezhës,bajrakut të Kurbinit dhe të Bregut të Matës u lidh besa për të nxjerë turqit nga krahinat e tyre.Më 19 maj 1912 në këtë beslidhje hyn edhe Mati.

Zgjedhja e  Mersim Demës  dhe Sheh Sulës të  Zerqanit  për ta përfaqësuar Dibrën dhe gjithë rrethin e Matit në Kuvendin e Junikut  ishte unanime sepse dibranët dhe matjanët kishin besim të pa diskutueshëm në aftësitë e tyre dhe se kërkuan prej të zgjedhurit e tyre që në Kuvendin e Junikut  të flisnin në emër të malësorëve kryengritës të Dibrës dhe ti siguronin kryengritësit kosovar dhe krerët e  tyre se dibranët e kishin dhënë fjalën  e tyre në “Kuvendin e Dheut” dhe se ishin gati të hidheshin në veprime të forta luftarake porsa të jepej sinjali i parë i kushtrimit.Në Junikun historik përfaqësuesit e Dibrës,Mersim Dema dhe Sheh Sula i Zerqanit shtrënguan duart me tribunët kosovar Isa Boletinin,Bajram Currin,Idriz Seferin,Bajram Daklanin,Zefin e vogël,Sali Hoxhën,Hasan Ferrin dhe ideologun e Kuvendit të Junikut Hasan Prishtinën.[14]

Në Kuvend nuk morën pjesë përfaqësuesit e kazasë së Shkupit dhe të Gjilanit,por ata me anë të letrave që ia drejtuan Kuvendit,deklaruan se pajtoheshin me to dhe do të mbështetnin vendimet që do të mereshin në të si dhe vendimet e kuvendeve në Drenicë dhe të Shalës të Bajgorës.[15]

Në Kuvend morën pjesë edhe krerë turkoman që mbronin interesat e xhonturqve si dhe përkrahës të partisë turke”Hyriet ve Itilaf”(Liri e marëveshje)që quheshin itilafistë të cilët ishin kundërshtarë të politikës së xhonturqve,por jo përkrahës të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare[16]

Ndonëse ishte paralajmëruar pjesmarja  edhe e Ismail Qemalit ai për shkaqe të panjohura nuk mori pjesë por në vend të tij shkoi sekretari personal Salih Hoxha-Elbasani[17]

Krahu i patriotëve revolucionar në mbyllje të Kuvendit miratoi programin:

  • njohjen e autonomisë së Shqipërisë,
  • vendosjen e administratës shqiptare,
  • caktimin e gjuhës shqipe me alfabetin kombëtar si gjuhë zyrtare,
  • ngritjen e flamurit kombëtar në të gjithë vendin,
  • emërimin e një gurvenatori të përgjithshëm me origjinë shqiptare dhe
  • sigurimin nga ana e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave,të cilat iu paraqitën Portës së Lartë.[18]

Kërkesa e fundit ishte bërë për arsye se turqit shpeshherë u kishin premtuar shqiptarëve për zbatimin e kërkesave të tyre por në momente të vështira për to,ata  premtime nuk i kishin mbajtur asnjëherë.[19]Kërkesat e shqiptarëve të dala nga Kuvendi i Junikut në formë memorandumi iu dorëzuan qeverisë osmane dhe Fuqive të Mëdha në Shkup.[20]Shoqëritë brenda vendit u bënë ftesë shoqërive jashtë vendit që ta mbështesin kryengritjen që kishte shpërthyer në atdhe dhe njëkohësisht kërkonin  mbështetje  materiale dhe financiare  për armatim.[21] Kuvendi i Junikut me programin e tij kombëtar ndikoi në zgjerimin e kryengritjes në viset e tjera dhe në shtimin e rradhëve të saj me mijëra luftëtarë shqiptarë anekand trojeve shqiptare.[22]

Në mbyllje të punimeve të Kuvendit të Junikut,Hasan Prishtina iu drejtua pjesmarësve”Burra,shihet se të gjithë jemi të vendosur për pajtimin e gjaqeve,për bashkim dhe vëllazërim,për të krijuar një qendër udhëheqjeje të kryengritjes e për të shpallur kryengritjen e përgjithshme “.Më 26 majit të vitit 1912 Juniku u gdhi i qetë.Delegatët bashkë me çetat kryengritëse kishin marë rrugën e kthimit për në viset e tyre me një shpresë e me një dëshirë “Mirupafshim në Shqipërinë e lirrë”.[23]

Pushteti turk ishte informuar dhe i shqetësuar pa masë për vendimet e  Kuvendit të  Junikut prandaj u përpoq me çdo kusht që ta pengojë kryengritjen shqiptare.Pushtet mbajtësit turq luanin rolin e dyfishtë përderisa  në disa vende të banuara me shqiptarë  mbanin  mbledhje me popullin,në të cilën kryengritjen shqiptare e gjykonin si vepër të disa njerëzve që janë vu në shërbim të huaj me qëllim që të futnin përçarje në mes të shqiptarëve  ndërsa në anën tjetër pandërpre sillnin ushtri që me forcë ta shtypnin kryengritjen.Por këto mbledhje të organizuara nga turqit  mbetën tw pa suksesshme,pasiqë në to nuk merrnin pjesë shqiptarë.[24]Madje ministri osman i punëve të brendshme udhëtoi në Shkup me shpresë që të bënte për vete një pjesë të parisë së Vilajetit të Kosovës për qëllime të qeverisë,por kur morri vesht se kush ishin krerët e Kuvendit të Junikut,u kthye i zgjënjyer  nga pazari i Korçës”[25]dhe i njëjti në ndërkohë deklaroi në parlamentin osman se “kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësitë për të mbajtur lirisht Kuvendin në Junik”.

Me këto vendime të Kuvendit të Junikut,Lëvizja Kombëtare Shqiptare në këto vise kishte shtruar qëllimin  e saj të caktuar.Me gjithë vështirësitë dhe pengesat që i nxirrte pushteti turk me ndihmën e elementeve turkofil ata u përpoqën ta realizojnë ëndrën e vjetër të tyre,autonominë e Shqipërisë,e cila do të ishte faza e parë për shkëputje nga Perandoria Osmane.[26]

Për Kuvendin e Junik dhe për ngjarjet që pasuan më vonë shkruajti edhe shtypi europian.Disa gazeta me të drejtë e kishin quajtur “Revolucioni shqiptarë”pasi këto ngjarje nuk mund të konsideroheshin më si turbullira me karakter lokal.Gazeta “Radniçke novine” e kohës shkruajti:” se turqit e rrinj me politikën e tyre e kishin pezmatuar sedrën e popullit shqiptarë, i cili edhe ashtu jetonte në kushte mizable ekonomike e kjo ka ndikuar që ata të formojnë vetëdijen për kombin e tyre.Politika zgjedhore e turqve të rinj i kishte shtyrë krerët shqiptarë të fillojnë luftën legale kundër tyre”[27]Ndërsa gazeta”Liri e Shqipërisë”shkruan se:” Kuvendi i Junikut nxorri edhe një rezolutë në të cilën thuhej se qeveria osmane në vend të shkollave shqipe  që kishte premtuar ti hapte shqiptarëve  po ngriste fortesa ushtarake,në vend që të lehtësonte taksat po nxirrte të reja dhe se populli shqiptarë  kishte besim te kryengritësit dhe jo te rregjimi xhonturk.”[28]Ndërkaq Gazeta”Jeni Asar”e Selanikut shkruan:” se e gjithë bota e qytetëruar i din shërbimet që i kanë sjellë shqiptarët Turqisë dhe konstitucionit.Kombi otoman duhet të dijë se duke ngritur shqiptarët flamurin e kryengritjes nuk dëshirojnë të mirësuarit vetëm të Shqipërisë por të shpëtojnë atë nga rreziku gjithë mbretësinë”[29]ndërsa Konzulli sërb në Prishtinë vinte në dukje se:”  qëllimi i Kuvendit ishte jetësimi i autonomisë së Shqipërisë”.[30]

Në vazhdën e përgaditjes të kryengritjes së përgjithshme,në fillim të qershorit të vitit 1912 atdhetari elbasanas Aqif Pashë Elbasani dërgoi në Dibër tri misionarët e lirisë,Sali Hoxhën,i cili ishte sekretar i Ismail Qemalit,Themistokli Pollon dhe Gore Dindin dhe një letër për Mersim Demën në të cilën bëhej fjalë për planin e kryengritjes së përgjithshme.Mersimi sikurse në Junik të Kosovës poashtu edhe para misionarëve të lirisë që i kish dërguar Aqif pashë Elbasani u betua se bashkë me atdhetarët e tjerë të rrethit të Dibrës do ta zbatojnë me përpikmëri planin e kryengritjes së përgjithshme.Themistokli Polo në kujtimet e tij shkruan se:”kur na përcolli atdhetari Homezhas Mersim Dema krahas betimin që bëri  u zotua se  do ta zbatojë me përpikmëri planin e dërguar nga Aqif Pashë Elbasani dhe se kërkonte prej  tyre që ti sjellim edhe simbolin e lirisë dhe sovranitet kombëtar  gjegjësisht flamurin kombëtar për ta ngritur atë në qiellin e Dibrës kreshnike sepse ai ishte i bindur se çështja e pavarësisë së Shqipërisë ishte çështje ditësh dhe njëkohësisht kërkonte që ti sjellim edhe abetare shqipe për shkollimin e dibranëve si domosdoshmëri absolute për zhvillimin dhe përparimin e vendit”.[31]Mersim Dema në atë kohë ecte me pushkë në krahë dhe abetare nën sqetull dhe me parrullën “Liri a vdekje”,parrullë e organizatave të fshehta që ishin krijuar për çlirimin e Shqipërisë në kuadër të së cilës ishte edhe organizata e “Grykës së vogël” që kryesohej nga Mersim Dema.

Qeveria xhonturke e ndodhur përballë një kryengritje shqiptare shumë të organizuar morri masa dhe dërgoi në Shqipëri  e Kosovë forca të mëdha ushtarake nën drejtimin e Fadil Pashës.Kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga krerët e tyre zhvilluan veprime luftrake në të gjithë viset shqiptare.[32]Madje thuhet se në Vilajetin e Manastirit ku “de jure” bënte pjesë edhe Dibra me gjithë rrethin e Matit,në mes të oficerëve të korparmatës së Manastirit ishte krijuar një organizatë e fshehtë,program i së cilës ishte përmbysja e qeverisë xhonturke.Opozita ushtarake e Vilajetit të Manastirit vendosi ta përkrahte kryengritjen shqiptare me qëllim që këtë ta shfrytëzonte për realizimin e planeve të veta.Nga kjo korparmatë më 22 qershor të vitit 1912 dezertuan 150 ushtarë shqiptarë në krye me oficerin e tyre Tajar bej Tetovën,pas tyre dezertuan edhe të tjerë,kështuqë deri në fund të qershorit ishin larguar 30 oficerë e 400 ushtarë me shumicë shqiptare.[33]Udhëheqësit e kryengritjes shqiptare nuk dëshironin që oficerët të marin pjesë në të dhe që kjo të zgjerohej në një lëvizje otomane ku do të humbte karakteri kombëtar i kërkesave të tyre.Dihet se sipas vendimeve të Kuvendit të Junikut,shqiptarët  nuk luftonin për të përmbysur një “qeveri të keqe”dhe për ta zëvendësuar atw me një tjetër “më të mirë”por në rradhë të parë për të fituar autonominë e Shqipërisë.[34]

Me rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejmë të kryengritjes në Shqipërinë e mesme pati edhe Kuvendi që u mbajt në Martanesh më 8,9,10 korrik 1912 ku morën pjesë përfaqësues të krahinave të Elbasanit,Dibrës dhe Tiranës dhe viseve të tjera.Kuvendi u organizua me qëllim që ti jepej mbështetje kryengritjes së armatosur,si dhe hartoi një deklaratë me anë të së cilës paria e Tiranës,e cila deri atëherë kishte qëndruar anash ti bashkohej kryengritjes së armatosur.Si rrjedhojë e këtij Kuvendi,Mersim Dema ia doli ti kthente të gjithë kaçakët në favor të objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.Gadishmëri për tiu bashkuar rradhës së kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 shprehën edhe 100 të burgosur nga burgu i Elbasanit duke u shprehur”Jemi 100 veta dhe kemi lidh besë që sapo të na nxjerrni do vim pas jush”[35]Autoritetet osmane iu trembën përmasës që morri kryengritja në Shqipërinë e Mesme andaj për ta prerë hovin e saj me urdhër të qeverisë dërgoi një delegacion prej katër anëtarësh në Shtabin e  kryengritjes për ti bindur kryengritësit shqiptarë që të hiqnin dorë nga kryengritja e armatosur.Mirëpo kjo përpjekje edhe kësaj here rezultoi e pa suksesshme.[36]

Nga mesi i qershorit të vitit 1912 përfaqësuesit e krerëve të Maleve tw Dibrws dhe paria e qytetit të Dibrës u dorëzuan autoriteteve osmane në Dibër një memorandum me anë të së cilit bënin të qartë qëndrimin e tyre dhe të tërë popullatës së krahinës.Në memorandum theksohej:

  • Shqiptarët nuk do të pranonin të kryenin shërbimin ushtarak jashtë Shqipërisë;
  • Nuk do të paguanin kurrfarë tatimesh të reja;
  • Nuk do të lejonin që në fshatrat e tyre të vepronin ligjet shtetërore;
  • Nuk do të lejohej të ngriheshin karakollet e projektuara;

Dorëzimi i memorandumit drejtuar autoriteteve osmane u bë në kohën kur Komiteti Qëndror i  Stambollit lëshoi urdhër për Kryengritjen e përgjithshme kundër turqve.[37]Në ndërkohë një forcë ushtarake osmane me reth 3000 ushtarë turq ishin pozicionuar në Dibër dhe Rekë,një togë në Mej të Kalasë së Homezhit,në përbërje të së cilës kishte edhe disa oficerë dhe ushtarë shqiptarë që kishin rënë në kontakt me anëtarët e klubit “Bashkimi”të Dibrës.Ata kishin rënë në ujdi me krerët e malësorëve pa dyshim  edhe me Mersim Demën për fillimin e kryengritjes kundër turqve.Dezertime nga garnizonet turke dhe marja me vete e sasive të mëdha të armëve dhe municioneve  ishte më se evidente.Sipas konsullit të Mbretërisë Sërbe në Manastir,Lubo Mihajlloviqi nga garnizonet e Dibrës kishin dezertuar 120 ushtarë dhe 8 oficerë.Ndërsa sipas burimeve shqiptare numri i të dezertuarve ishte rreth 500.Në këtë kohë një pjesë e kryengritësve shqiptarë në kryesimin e Mersim Demës qëndruan në Dibër të vogël me idenë e shtrirjes së veprimeve luftarake nga Voret e vrame mbi Zerqan,Shupenzë,Topojan deri në Luzni,Cidhen,Dardh e Reç.Pa humbur kohë Mersim Dema dërgoi me ngut 2 luftëtarë të tjerë shqiptarë te Aqif Pashë Elbasani që të siguronin armë për kryengritësit dibran.Aqif Pashë Elbasani shiti një pjesë të misrit nga hambaret e tij bleu 200 armë dhe ia dërgoi Mersim Demës në Homezh.[38]Në valën e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912 kundër osmanëve Mbreti i Maleve Mersim Dema lëviste sa në një krahinë në tjetrën për organizimin e malësorëve në këtë kryengritje.Irfan bej Ohri në letrën dërguar Avdi bej Toptanit shkruante se:” Mersim Dema është burrë shumë i zgjuar,trim,atdhetar andaj letrat që do ti dërgoni në malësinë e Dibrës drejtoni përmbi Mersim Demës”.[39]

Në korrik kryengritja ishte shtrirë pothuajse në të gjithë trevat shqiptare që nga Mitrovica,në veri dhe deri në çamëri,në jug.Forcat kryengritëse,çliruan qytete dhe krahina të tëra sidomos Vilajetin e Kosovës.Veprimet e reparteve ushtarake dhe të autoriteteve osmane në Shqipëri u paralizuan.Ngjarjet e Shqipërisë e detyruan qeverinë xhonturke të jepte dorëheqje më 17 korrik 1912.[40]ti ndërpresë veprimet  ushtarake në Shqipëri dhe vendosi të hyn në bisedime me kryengritësit.[41].Bisedimet filluan në Prishtinë më 2 gusht 1912 mirëpo në to u përfaqësua vetëm Kosova e  kryesuar nga Hasan Prishtina  sepse përfaqësuesit e krahinave të tjera nuk ishin arritur ende.Por paria turkomane pas rrëzimit të qeverisë xhonturke kërkonte vetëm shpërndarjen e parlamentit edhe pse Hasan Prishtina paraqiti kërkesat kryesore për autonominë e Shqipërisë.Pas shumë bisedimeve komisioni qeveritar nuk i pranoi kërkesat për autonominë e Shqipërisë.Atëherë udhëheqësit shqiptarë Hasan Prishtina,Bajram Curri etj.i ndërprenë bisedimet me komisionin qeveritar dhe së bashku me mijëra kryengritës çliruan Ferizajin.Në ndërkohë diku më 5 gusht 1912 u shpërbë edhe parlamenti osman dhe paria turkomane u largua nga Lëvizja kurse komiteti kombëtar i Shqipërisë i dha të drejtë legjitime përfaqësimit të tyre nga Hasan Prishtina[42] i cili hartoi një program tjetër kërkesash që është i njohur me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës”që ishin një kompromis midis dy rrymave që egzistonin në rradhën e kryengritësve shqiptarë.Këto kërkesa iu dorëzuan komisionit qeveritar më 9 gusht 1912 në Prishtinë duke deklaruar se nëse kërkesat nuk pranohen brenda 2 ditëve kryengritësit do të marshojnë në Shkup.Meqenëse qeveria turke e vonoi përgjigjen për kërkesat e parashtruara nga shqiptarët atëherë rreth 35.000 kryengritës shqiptarë nga të gjithë viset shqiptare që u tubuan në Shkup dhe Ferizaj  marshuan drejt Shkupit dhe e çliruan atë.[43]Grupi i parë i kryengritësve hyri në kryeqendrën e Dardanisë më 12 gusht 1912 në krye më Zefin  e Vogël dhe Bajram Daklin,më 13 gusht grupi tjetër me Isa Boletinin në krye ndërsa më 14 gusht grupi i udhëhequr nga Bajram Curri.Prej këtej një grup kryengritës shqiptarë me në krye Mehmet Pashë Derrallën u nisën nga Shkupi  për Tetovë dhe me 16 gusht e çliruan edhe Tetovën.Po këtë ditë u çlirua Kumanova,Presheva,ndërsa një grup tjetër shkoi në Veles dhe po mendonin që të shkonin në Selanik me qëllim që ti bashkohen kryengritësve të Shqipërisë së Jugut.[44]Në ndërkohë pritej të hynte në Dibër dhe Mat,drejtuesi kryesor i kryengritjes së maleve të Dibrës dhe Matit Mersim Dema me 3.500 kryengritës.[45] .Sukseset e kryengritësve shqiptarë gjegjësisht çlirimi i  shumë qyteteve dhe krahina të tjera shqiptare dhe të frigësuar nga shtetet ballkanike që po bënin përgaditje për luftë kundër Turqisë, bëri të mundur  që pala turke e kryesuar nga Ibrahim Pasha  ti vazhdoi bisedimet me palën shqiptare të kryesuar nga Hasan Prishtina  sa që  u detyrua më 23 gusht 1912  ti pranonte “12 pikat e Hasan Prishtinës” nga 14 të mundshmet dhe se ato ishin të vlefshme për tërë Shqipërinë dhe tërë shqiptarët.[46]

Lajmi se kryengritësit shqiptarë hyn në Shkup i entuziazmoi kryengritësit dibran të cilët menjëherë u hodhën në veprime luftarake në tërë qarkun e Dibrës.Kryengritësit shqiptarë me në krye Mersim Demën  prenë linjat telefonike,shkatruan stacionin e xhandërmarisë dhe më 12 gusht 1912 çliruan Peshkopinë dhe po bënin përgaditje të marshonin në drejtim të Dibrës së Madhe për ta çliruar “kërthizën e Shqipërisë”.Andaj prefekti i qytetit të Dibrës së madhe kërkoi që të hynte në bisedime me krerët e kryengritjes dhe parinë  e qytetit të Dibrës.Takimi u organizua te Plepi i egër në Maqëllarë ku morën pjesë të gjithë krerët e Dibrës si dhe myftiu Vebi Agolli.Në ndërkohë udhëheqësit kosovar iu kumtuan dibranëve se “Të gjithë kërkesat tona u pranuan.Qetësohuni nëpër shtëpitë tuaja”.

Luftërat shqiptaro-turke tashmë kishin marë fund.Por tyta e armëve të dibranëve nuk arritën që të ftoheshin sepse tani do të luftonin kundër pushtuesve sllav të jugut.Mbreti i maleve Mersim Dema  krahas të tjerëve do të luftonte kundër hegjemonizmit sërbo-madh deri në Manastir kundër sërbëve e në Follorinë kundër grekëve.[47]

 

[1] Grup autorësh:”Historia e popullit shqiptarë,Tiranë,1996,faq.131

[2] Moisi Murra:”Mersim Dema,Mbreti i maleve”Tiranë,2003,faq.61

[3] Historia e popullit shqptarë,e cituar,faq.131

[4] Ramiz Abdyli,Historia e popullit shqiptarë,vëllimi I II-të,Prishtinë,2014,faq.209

[5] Historia e popullit shqiptarë,e cituar,faq.131

[6] Po aty…faq.131

[7] Ramiz Abdyli,Lëvizja Kombëtare Shqiptare,1911-1912,Vëllimi I II-të,Prishtinë,2004,faq.237

[8] Shukri Rahimi,Vilajeti i Kosovës më 1878-1912,Prishtinë,1969,faq.172

[9] Ramiz Abdyli,e cituar..faq.237

[10] Po aty…,faq.237

[11] ASHSH:”Fjalori enciklopedik shqiptarë”Tiranë 1985,faq.586

 

[12] Po aty…faq.586

[13] Ramiz Abdyli,e cituar,faq.236

[14] Moisi Murra,e cituar..faq.75

[15]  Ramiz Abdyli e cituar..faq.236

[16] Historia e popullit shqiptarë,e cituar…faq.131

[17] Ramiz Abdyli,e cituar,faq.238

[18] Fjalori enciklopedik shqiptarë,Tiranë,1985.faq.586

[19] Shukri Rahimi..e cituar..faq.174

[20] Ramiz Abdyli…e cituar  faq.241

[21] Po aty…faq.242

[22] Historia e popullit shqiptarë,Tiranë,1996,faq.109

[23]Mosi Murra e cituar..,faq.74-75

[24] Shukri Rahimi,e cituar..faq.175

[25] Ramiz Abdyli,e cituar..faq.242

[26] Shukri Rahimi,e cituar..faq.174

[27] Po aty…faq.174

[28] Ramiz Abdyli,e cituar..faq.241

[29] Po aty..,faq.241

[30] Po aty..faq.241

[31] Themistokli Pollo”Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912,Tiranë 1962,faq.454

[32] Histori e popullit shqiptarë e cituar..,faq.132

[33] Shukri Rahimi…e cituar,faq.176

[34] Po aty…faq.177

[35] Ramiz Abdyli…e cituar..faq.305

[36] Po aty.. ,faq.306

[37] Moisi Murra,e cituar..faq.82

[38] Po aty..,faq.84

[39] Po aty…,faq.86

[40] Histori e popullit shqiptarë,Tiranë,1999,faq.109

[41] Po aty….

[42] Po aty..faq.133

[43] Shukri Rahimi,e cituar..faq.185

[44] Po aty…faq.186

[45] Ramiz Abdyli..e cituar..faq.377

[46] Po aty… faq.435

[47] Mosi Murra,e cituar..fq.89

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *