Frymëmarrje e re në letërsinë shqipe

BIBOLLASITMARCH 11, 2011

Shenime rreth  romanit “ Bibollasit”, të Ramiz Gjinit,  fitues i çmimit të parë në konkursin kombëtarë të letersisë për vitin 2010

Nga Pjetër Jaku

Të  edukuar prej dekadash të lexojmë pothuaj të njëjtën prerje në prozën e gjatë shqipe, Ramiz Gjini me romanin “ Bibollasit”, fitues i çmimi të parë, në konkursin kombëtar të Ministrisë së Kulturës për vitin 2010, na sjellë një prozë jo vetëm të lexueshme, por edhe shumë komforte për t’u ndjerë mirë.

Pjesë të këtij libri, i kisha lexuar që para një viti, biles edhe botuar në revistën “ Kuvendi”. Por, është krejt ndryshe kur e lexon librin si një të tërë. Kam qenë në kontakt me krijimtarinë e tij në organet e shtypit, por, kam pasur rastin të lexoja edhe nja dy vëllime të tij me tregime si “ “Rrëfime në hije”, botim i vitit 2008, apo” Atëdheu prej dëbore”, tashmë i njohur edhe në rumanisht. Pra, lexuesi i vëmendshëm shqiptar, e ka pritur një libër të tillë prej autorit Ramiz Gjini.

Edhe në prozën e shkurtër Ramiz Gjini është dallur për finesën dhe trajtimin krejt të veçantë të materialit letrar, pothuajse ndryshe nga tradita e letrave shqipe. Humori fin dhe loja befasuese stilistike, ka bërë që  Gjini të pëlqehet e të përkthehet, por gjithnjë me syrin e të ardhurit nga provinca, që nuk duhej kurrë të prishë rehatinë e të afirmuarve.

Larg skematizmit, si model i ndërtimit të një vepre në prozën e gjatë, romani “ Bibollasit” është krejt i veçantë. Aty nuk ka një hero kryesor, rreth të cilit është ndërtuar subjekti, konflikti, zhvillimi i konfliktit, kulmi, zgjidhja, marrëdheniet me përsonazhet e tjerë, pjesët, kthesat, kompozicioni, masa, etj, – matje përcaktuese të deritashme në vlerësimin e një vepre letrare, siç është romani.

Forma dhe stili

Brenda së njëjtës lëndë lindin konflikte, që për secilin përsonazh kanë rëndësi. Ato lindin dhe zhduken për të rilindur në një formë tjetër, që ngërthen gjithë anët e një shoqërie, në një vendosje të caktuar kohore. Ngado që shkojnë, përsonazhet kthehet tek vetja, në kohën e tij, në vendin e tij, në një rrethsjellje që nuk del më larg se Bibolli, nje vend imagjinar, krijuar enkas për këtë vepër nga autori.

“Bibollasit” është as më shumë e as më pak se shoqëria shqiptare në ndrrim të shekujve (vite më parë në sistemin diktatorial, dhe vite më pas në lirinë, që desh i ktheu mbrapa ata që nuk e kuptonin se ç’është liria.)  Pikërisht për këtë “ Bibollasit” na kujton  “Don Kishotin” e Servantesit, që desh e kthyen kohën moderne, në kohën e mesme; atë Spanjën e madhe e të centralizuar, që kish nën sundim gjysmën e Amerikës, në një Spanjë të vogël e të përçarë; që u përpoqën ta kthenin nga shkenca te magjia, nga historia te përrallat dhe, aq më keq, nga drita në errësirë.

“ Bibollasit”, që në disa raste të bën të qeshesh me vete, na kujton  Eduard Fitzgeraldin, përkthyesin e Omar Khajamit, i cili e vlerëson Don Kishotin, si veprën me të lezetshme të botës.

Krejt lehtë mund t’i vemë ballë për ballë bjelurçinën e Servantesit dhe Lulushen e Ramiz Gjinit tek romani “ Bibollasit”; si dhe tipin e laros me Zav Tarroten. Paralelizma të tillë mund t’i shkonin fare mirë edhe me prozën filozofike të Tomas Moor, me qytetin ideal të ndërtuar vetëm në fantazinë e tij.

Vepra të tilla vijnë  bash në kohën kur duhen, ashtu siç erdhi edhe “ Gomari i Baba Tasit” dhe “Gabovë Hilë!” i At’ Gjergj Fishtës.

Personazhet dhe subjekti, një gjetje e veçantë

Edhe emrat e përsonazheve janë gjetje e veçantë. Në këtë libër, secili prej tyre mban një emër ose mbiemër të padëgjuar, ose pjesë të tyre, mbajnë një sarkazëm tepër therëse për anët negative të një shoqërie në transformim.

Fil Zhulin, shef policie i Bibollit, e mbyt zgjebja dhe kroma. Kurse Xhabir Kaçorri, kryetar i bashkisë, është njeriu që më së shumëti qëndron në hije, duke nxjerrë në pah nënkryetarin Brahim Çadëbashi. Brahimi, nuk është më shumë se një çadër për  Kaçorrin, i cili vjen nga regjimi i qoftëlargut, por që duhet respektuar, sepse është kryetar bashkie.

Zav Tarrota, përsonazhi që takohet më shumë se asnjë tjetër në roman, është pushtuar nga miza e  mërzisë së thellë, e cila, në fakt, u ka rënë gjithë bibollasve.

Për të ecur sinkron me kohën, Zavi zgjedh t’u shpallë luftë mizave dhe buburrecave, që kanë pushtuar, sidomos, shtëpitë e pushtetarëve. “Për sa kohë që në Biboll të kemi pisllëk me shumicë”, i thotë ai nënkryetarit të bashkisë Brahim Çadërbashit, “biznesi i luftës kundër mizave dhe buburrecëve do të jetë me leverdi të madhe”.

I biri i Zavit, Haruni, ka privatizuar nevojtoret e qytetit. Ai është shumë i pakënaqur nga politikanët, sidomos nga deputetët, të cilët, teksa kryejnë nevojat, përgadisin dsikutime për parlament në nevojtore  dhe  ikin pa paguar. Kjo hale”, i thotë ai policit Krroq Murdari, “ ka meritat e saj në lartësimin e tyre, sepse të gjithë, këtu e kanë marrë një farë shkollimi. Ai mburret me nevojtoren e tij, pasi ajo nevojtore, kishte nxjerrë politkanë dhe artiste mjaft të dëgjuar në Biboll, dhe “ndoshta një ditë, pse jo, mund të bëhet edhe akademi shkencash”.

Në kuptimin figurativ, nevojtorja, personifikon në vepër sistemin e kaluar diktatorial, nga i cili trashëguam zhganin e politikanëve, kryesishtë të majtë. Ata që dje bënë politikë kundër interesave të poopullit, nuk mund të bëjnë sot politikë në interes të popullit. Ky është, sipas meje, edhe mesazhi që përcjell simbolikisht, prania e nevojtores në vepër.

Tipi më intersant,  nga fillimi deri në fund, që tregon fytyrën e shtetit, është polici Krroq Murdari, një avdall i prapë, arrogant, injorant dhe krejt qesharak. Krroqi si polic i pashkolluar, ndjehet aq i pushtetshëm, sa guxon ta quajë veten ligji. Po të arrestoj Krroqi, ke apo nuk ke faj, të ka arrestuar ligji. Kjo është edhe motoja e përditshmërisë së tij me skena përplasjesh karnavaleske. Bandat e rrezikshme, të cilave, ai u ka shpallur luftë, nuk janë aspak rreale; ato ngjajnë me mullinjtë e erës tek Don Kishoti i Mançës.  Fakti që ai i vë prangat Zav Tarrotës, që kishte mbetur i betonuar për së gjalli, aty ku të nesërmen pritej të vendosej shtatorja e një heroi, tregon gjithë brutalitetin, që gjeneron injoranca tek përfaqësuesit e pashkolluar të ligjit.

Skenat të tilla qesharake të ndjekin në çdo faqe të këtij libri.

Një tjetër skenë interesante është kur  plaka Xhabie ve në lojë  udhëheqësin e revolucionit, Vladimir Ilic Lenininin.

Bëhet fjalë për një skenë, që na shfaqet në vepër si një ëndërr e Zav Tarrotës.

Lenini vjen në Biboll për të parë si shkojnë punët me kooperativën bujqësore, por skandalizohet kur merr vesh që plaka Xhabie, nuk e ka ndjekur porosinë e partisë për t’u futur në kooperativë si të gjithë të tjerët. “Duket ashiqare, o shoku Lenin”, i thotë Zavi, “që plaka Xhabie, nuk e pjerdh fare partinë”.

Atëherë, Lenini, vendos t’i trokasë në shtëpi plakës, të cilën e gjen teksa ushqente pulat në oborr.

Qafsha taj, o hazreti Lenin, – i thotë plaka Leninit, – unë për të pjerdhë e pjerdh si ç’ke me të partinë, por a s’më thue, ç’më duhet mu koperativaAsht’ ma mirë, secili t’punojë e t’i terezisë punët si don vetë, se sa t’bahemi grumbull si gjaja e gjallë n’vathë.” ( fq. 129)

I bindur që plaka nuk e ka idenë çështë kooperativa, Lenini kërkon t’ia shpjegojë thjeshtë, me anë të një kokrre lajthie. “Ne jemi këtu tre vetë” – i thot ai plakës. – “Dua të di çfarë do të bësh me këtë kokërr lajthi”? Plaka nuk e ndan lajthinë në tre pjesë, siç shpresonte Lenini,  por e han të gjithën për vete. “Shumë keq”, i thot Lenini, “Ne të dy, çfarë do hamë tani”? Plaka ia kthen aty për aty: “ Ju t’hani një m… o dreqi i moskovit. A nuk ishte lajthia ime”?  Dhe ia vesh me sqepar kokës.

Eshref Kica ka fituar tenderin për të furnizuar me lesh punishten e tjerrjes dhe thurjes së qylimave, – pronë e Lulushes së Brahim Çadërbashit. Me lekët, që fiton nga tregëtia e leshit, ai paguan Xhanfize Pasmaqiun, që t’ia shkruajë librat. Kësisoj, krahas konkurencës në biznes, ai bën konkurencë edhe në letërsi me shkrimtarin e dëgjuar Nuri Tarrota, vetëm pse e urren atë.

Edhe polici injorant Krroq Murdari, e ka një përkufizim për shkrimtarin Eshref Kica. “Duke paguar t’ia shkruajnë të tjerët librat me lekët që fiton nga leshi, atëherë i bie, që Eshrefi të jetë shkrimtar leshi, i thot ai Nuri Tarrotës. A nuk është ky një qëndrim fshikullues ndaj një dukuri aktuale, e shfaqur menjëherë pas nëntëdhjetës, ku shumë tregëtarë dhe biznesmenë, madje edhe të pashkollë, na u bënë edhe shkrimtarë e poetë? Komentet e mëtejshme janë të panevojshme.

Mërzia e thellë si kategori sëmundjesh mendore

Mërzia e  thellë, e cila ka përfshirë gjithë bibollasit, jepet në vepër si një kategori filozofike, që shfaqet sa herë qytetarët e gjejnë veten para dyerve të mbyllura. Zav Tarrota e konsideron atë si një sëmundje, që shkaktohet nga një koloni mizash mikroskopike, që pushton mendjet dhe shpirtërat e njerëzve. Miza e mërzisë së thellë dhebuburrecët, janë elemente që shfaqen në ambjente ku mungon një ekologji shpirtërore dhe ambjentaliste. Aty ku ka pisllëk, do të ketë me shumicë edhe miza dhe buburrecë, që duan të ushqehen. Bibolli është pushtuar gjithandej nga mizat dhe buburrecët, ndaj dhe kërkohet Zavi, për t’i luftuar ato. “Duhen ndërtuar hale e duhen hapur kanale, për ta derdhur pisllëkun në detin Adriatik, ndryshe do të qelbemi”, thotë diku i biri i Zavit, Haruni. Simbolikisht  i përsekutuari, tani do t’u kthente reston përsekutorëve, duke u “ shërbyer” grave të tyre, si fillim gruas se kryepolicit Filp Zhuli, Aishes, (që i ka hyrë buburreci), për të mbrritur pastaj, deri te Lulushja e bukur e Brahimit, i cili, shterpësinë e tij intelektuale, ka bërë zakon ta mbulojë me shprehjen steriotipe : “Po, po…Mos e diskuto…”, që do të thote se mbështeste cilindo shef që kishte mbi krye.

Mister Kakotas, është një tjetër gjetje si figurë interesante, që nuk dihet saktë nga ka ardhur. Ai vjen në Biboll si përfaqësues i një fondacioni bamirësie, por kur shikon që në këtë vend të vdekurit gjendeshin me shumicë, vendos të bëjë tregëti me ta. Kufomat që blen, ai ia shet një institute në Francë që merrej me kërkime shkencore. Mirëpo, kur bibollasit marrin vesh që të vdekurit bëjnë pare, nisën të vrisnin njëri-tjetrin. Ngase në Biboll nuk egziston një ligj për tregëtinë e kufomave, si dhe nga frika se mos papritur, gjendet i përfshirë në ndonjë rrjet kriminal, i huaj vendos ta braktisë Bibollin. Kështu ai gjen një partner në Irak dhe vendos të shkojë atje për t’i blerë kufomat, “ku të vdekurit qenë me shumicë dhe çmimi ishte më i lirë”.  Kjo bën, që ekonomia në Biboll të pësojë rënje. Fakti që të vdekurit në Biboll bëjnë pare, sipas meje, është në vepër një aludim mbi vrasjet për konflikt interesi, pra, një praktikë eleminimi bandash rivale.

Shejtanë apo njerëz?

Pothuajse gjithë përsonazhet në vepër janë negativë, autori i ka dubluar ato me shejtanët e tyre. “E ka shejtanin në bark” thotë populli. Shejtanët thirren me emrin e të zotit, por marrin një mbaresë “çka”.  Zaçka, është shejtani i Zav Tarrotës, i cili e  nxit për  të prishur moralin duke tradhëtuar nënën e dymbëdhjetë fëmijëve. Brahimi, ka shejtanin e tij, Braçka, Lulushja, shejtanin e saj Luluçka, Polici Krroq Murdari, ka shejtanin e tij Krroçka, e kështu me radhë. Po ashtu, gjejmë në roman, një përqasje mes Engjëllit Azrail, (që thuhet se ka fituar tenderin para Zotit për të mbledhur shpirtërat e njerëzve), dhe kryeshejtanit Iblis.

Engjëlli Azrail, ua nxjerr shpirtërat njerëzve me anë të një teli të përdredhur e me majën si grremç, nga ato që përdoren për të pastruar tubacionet e bllokuara të ujrave të zeza. Por, nëse ia do interesi, disa shpirtëra të këqinj, si ato të politikanëve të pamoralshëm, doganjerëve hajdutë, prostitutave apo hoxhallarëve, ai ia shet lirë kryeshejtanit Iblis. Kryeshejtani i blen ato, thjeshtë sepse i pëlqen t’i mundojë.  “Këtë shpirtdo ta dekompozoj për së gjalli, do ta bëj torfë kënete” thotë kryeshejtani Iblis për shpirtin e të bekuarit hoxhë Rrahimi, ish sekretar partie i brigadës së madhe të plehut, ( fq. 381)

Veprimet vrapojnë te qëllimi

Malli që shitet më shumë në Biboll, nuk janë ato të konsumit të përditshëm, me të cilat njerëzit mbajnë shpirtin gjallë, por janë gënjeshtrat e partive. Ato prodhohen në selitë e partive dhe shiten në pazarë mu si zarzavatet.

Nënkryetari i bashkisë, Brahim Çadërbashi, ka dalë të shesë gënjeshtrat e partisë së tij, edhe pse ca nga ata janë  skaduara, ca të papjekura, e ca të tjera të kalbura e të krimbura. “Gënjeshtrat e partisë, më janë bërë si cigaret e duhanit, nuk rri dot pa to”,-  thotë në roman njëri nga personazhet, një klient me emrin Adil. Ai shpjegon, që për çdo ditë pinte dy paketa cigare  dhe merrte rregullisht, tek e pakta, katërmbëdhjetë gënjeshtra partie. Brahim Çadërbashi, rrihet me demokratin Kel Fisti, vetëm pse ky i fundit, u bënte thirrje njerëzve të mos blinin gënjeshtrat e partisë së Brahimit. Mes tyre futet dhe i ndan Fidaim Qorri, i cili me zë të lartë u thotë: “Mosni bre burra, sepse është gjynah të rriheni në sy të popullit kur shisni gënjeshtra. Populli ka shije të ndryshme, prandaj është mirë kur gjenden në treg gënjeshtra të lloj-llojshme. A nuk ju kujtohet ajo kohë kur për pesëdhjetë vjet, u shitën në pazar vetëm gënjeshtrat e Partisë së Punës? Nuk thoni shyqyr që erdhi kjo ditë ku pazari është plot dhe populli mund të zgjedhë gënjeshtrat që do, por ziheni me njëri-tjetrin!”

Po ashtu, në lartësinë e një grotesku të madh, na shfaqet në roman si karikaturë e një shteti farsë edhe tenda e sekserit Ndoc Bucela.

Ndoci krenohet, që nga tenda e tij, kishin dalë shumë kuadro, avokatë, inxhinjerë e diplomatë të zotë. Brenda asaj tende, mund të merrje çdo llojë diplome të shkollës së lartë, gjithfarëlloj pasaporte diplomatike, mund të dekoroheshe me medalje e gradoheshe në detyrë. Gjithë atributet e institucionit të shtetit gjenden të grumbulluara në tendën e Ndoc Bucelës, mjafton të bësh porosinë dhe të paguash paratë. Ndoc Bucela, është futur nga autori në roman si prototip i sekserit të allishverisheve mes shtetit të korruptuar dhe individit dallkauk.

Madje edhe polici injorant Krroq Murdari, që kontrollon tregun, më shumë për të  fryrë barkun e tij se sa për të kryer detyrën, porosit për veten e tij një medalje trimërie në krye të detyrës, të firmosur nga Presidenti i Rrepublikës”.

Kruarja si metaforë në një shoqëri të infektuar

Një tjetër fenomen grotesk në roman është edhe kruarja mes bibollasve. Të gjithë kruhen. Kruajnë veten dhe njëri-tjetrin. Më kruan ti, të kruaj edhe unë, ka marrë për bibollasit një kuptim idiomatik.

Kruarja tek bibollasit shpjegohet si një fenomen, që nxjerr të keqen nga trupi, ndihmon për të cliruar dioksidin e karbonit dhe gazet toksike si dhe heq skorjet e krijuara nga kruarjet e vjetra. (Kujtoni thirrjen e famshme të diktatorit E. Hoxha: “të spastrojmë skorjet”) Kurrë, thotë autori, nuk mund ta zgjidhje një hall te zyrtari i zgjebosur i shtetit, pa futur si mik njeriun e zgjebosur me të cilin ai kruhej. Qylgjynjtë e zgjebosur të shtetit, i pranonin ryshfetet vetëm duke patur si ndërmjetës miqtë e zgjebosur me të cilët ata kruheshin. (fq. 141)

Me një shpotitje mjaft të hollë, therëse, autori krijon kapitullin domethëns  “Shteti dhe korrupsioni”, ku vihen përballë polici Krroq Murdari, që e quante veten “Shteti” dhe qytetari dallgauk Kel Fisti, i cili ngase ka qenë dënuar njëherë për korrupsion, njihet me nofkën “Korrupsioni” . Grotesku arrin gjer aty, sa “Korrupsioni” e mbyll “Shtetin” brenda në hale të gjykatës.

Vetëbetonimi aksidental i Zavit, por që trajtohet nga opozita si një vetflijim në shenjë proteste kundër qeverisë, është në roman një nga pjesët me të arrira artistikisht, ku vonesat për shpëtimin e tij, i huaji Kakotas, i krijon enkas për qëllime fitimi. Edhe këtë rast, i huaj përpiqet ta shfrytëzojë në interes të tij, duke mos ndjerë pikë mëshire njerzore, edhe pse Zavi po vunate ferrin e gjallë, i varur kokëposhtë për orë të tëra.

Mjetet artistike dhe leksiku

Veç subjektit dhe kompozicionit, në prozën e Gjinit, do të ndeshësh një gjuhë mjaft figurative, duke shmangur përsëritjet, të cilat në disa raste, në prozën e gjatë janë të pashmangshme. Krahasimi dhe metafora, duke mos  folur fare për nëntekstin, i cili është  i pranishëm në gjithë lëndën, janë të përdora me efkete të larta artistike, duke e bërë prozën më të këndshme.

Ja disa shembuj:

Sistemet janë si muret (dmth ngrihen e bien), i tërhoqi fjalët, buburrec i madh sa një kokërr kumbulle, thesari i sulltanit (nënkupto seksin te femra), shitja e pikpyetjeve, shitja e gënjeshtrave të partisë, i fishkëllente fyti si torolingë, ju ngjit damari në ballë si rrënjë shqope, i skuqur si spec, rrëzoi vështrimin, rrasi kokën mes supeve, i vari turinjtë pesë pëllëmbë (dy figura brenda një shprehje) metafora dhe hiperbola: tre gulshe qeshje, të shponte me sy, gënjeshtra të pjekura, gënjeshtra rrumbullake etj.. etj..

Vetëm një përshkrim: “Ajo hodhi sytë nga dritarja ku pa një peisazh të ngrirë, ndërsa mbajti vesh një heshtje të gjatë varri. Briri i vërdhemtë i hënës, derdhte pikëllueshëm mjellnajzën e një drite të zbehtë mbi gjithësinë. Drurët, nëjherë i bëhëj sikur flinin dhe ëndërronin, njëherë tjetër, sikur e përgjonin. Që andej nga varrezat, vinte një klithmë e përvajshme dhe e trishtueshme hutini, që përhapte nëpër natën e errët kumte të frikshme.”

Gjithashtu, leksiku në një vepër letrare, është  mjeti që të çon në kohën për të cilën bëhët fjalë, por edhe në vendin ku zhvillohet subjekti. Gjetja e leksikut që i shkon rrëfimit e bën veprën shumë më të qendrueshme.

Ja disa shëmbuj:

Zbriti rrokapjkethi, tarbihat, ca ngic-ngace, u shkartis (u derdh, mbeti pa frymë), e kapi gollomesh ( le nëne, lakuriq), shpella e orëve të liga, zavall, eci marrakëmbthi, foli përçaptaz, përvëlak, u nëpërduk, lumizhde, me sytë gëllduq përjashta, pallavi, këlysh zardafi, duke u borroçitur si cjeptë, avdall, kartall, bufalaqe, zgrofullën e barkut, ia giligicte kujtesën, u dëgjua një hickëlitje, surrat vrarëlie, gishtërinj të ngrydhët, çukërmonte kotmëkot, çëfësht, buluriu, grraçi i kungullit, etj.. etj..

Këto ishin vetëm disa shënime, të marra kalimthi gjatë leximit nëpër katërqind e dhjetë faqet e romanit “Bibollasit”, pa pretenduar se kam bërë ndonjë analizë të mirëfilltë. Por, shpresoj, që kritika e specializuar letrare, do ta thotë fjalën e saj jo vetëm për këtë botim, por dhe për botime të tjera, duke i dhënë mundësinë lexuesit të lexojë atë letërsi, që përligj kohën, atë letërsi, që gjendet vetëm te librat me vlerë.

Autori me të drejtë i ka kushtuar një faqe të veçantë  sponsorizuesit të këtij libri, biznesmenit dhe aktivistit te njohur për çeshtjen shqiptare, vatranit Zef Bala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *