Prend Doçi ky personalitet i madh i kulturës dhe kombit shqiptar

Ne kuader te 100 vjetorit te vdekjas

 

Nga Gjon Marku


        Preng Doçi lindi më 7 shkurt të vitit 1846 në lagjen Paraspor, në luginën e Bulgërit. Shkollën e nivelit të ulët ai e kryen në Kallmet ku ishte rezidenca Ipeshkëvnore e Lezhës. Në 2 gusht të vitit 1859 hyri në Seminarin Papënor të Shkodrës, ku qëndroi dhe studioi deri në vitin 1861 kur shkoi në kolegjin Urban të Romës. Në vitin 1871, kthehet në atdhe i caktuar si famullitar në Korthpulë. Në vitin 1872 ai bëhet Kapelan dhe sekretar i Abatit të Oroshit, Gaspër Krasniqi, deri në vitit 1875.

Abat Preng Doci

Gjatë kryengritjeve të vitit 1876-1877 ai braktisi gjithçka dhe u bashkua me forcat kryengritëse antiturke. Ishte ky shkaku që Ipeshkëvi i Dioqezës së Lezhës, Françesko Malcini, shtetas austriak, me kombësi ukrainase e shkishëron Dom Preng Doçin nga shërbimi kishtar.

Në vitin 1877, Dom Prend Doçi u nis me shumë shokë për të shkuar në Cetinë, por nuk mundën të mbërrinin, pasi në Vuthaj të Gucisë, u kapën nga ushtarët turq dhe prej andej u dërguan në Pejë dhe më pas në Stamboll të Turqisë. Këtu 31 vjeçari Prend Doçi fillon një jetë plot sprovë, e cila zgjat jo pak por 11 vjet. Pas njëmbëdhjetë vjetësh ai dënohet për t’u kthyer në Shqipëri dhe endet në shumë vende të botës.

Në vitin 1883-1884 u dërgua në Athinë me detyrën e sekretarit të Arqipeshkëvit Katolik të Athinës, Marango. Gjatë rrugës Tivar- Pire, Prend Doçi u ndal në Korfuz ku pati takim me anëtarët e Komitetit Shqiptar të atjeshëm dhe me atdhetarë nga Çamëria. Në Athinë ai vijon lidhjet me shqiptarët dhe me patriotët shqiptarë në Greqi. Shërbimet në Tivar dhe në Athinë i shërbyen si urë lidhjeje me Shqipërinë. Mbërrinë në Shqipëri në vitin 1888 më 6 nëntor dhe i shoqëruar nga djemtë e Mirditës shkel katund më katund për të arritur në Orosh si Abat i Abacisë Nillius të Oroshit.

Papa Leon i XII me dekret “Supra montenum Mirditarum” dt 25 tetor 1888, e kishte përtërirë Abacinë e Shën Llezhdrit, duke e shkëputur nga juridiksioni i Ipeshkëvisë së Lezhës, dhe duke e shpallur këtë Ipeshkëvi të varur drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë në Romë. Kongregacioni i shenjtë i propagandës Fide me drekret S.Smus D: N: Leo dt 27 tetor 1888, lajmëronte se Dom Prend Doçin, Papa e kishte zgjedhur si Abat të Mirditës.

Përveçse diplomat i shquar, Abat Doçi nderohej edhe si poet dhe letrar. Poezinë dhe prozën e shkroi me një gjuhë të rrjedhshme dhe të përdorur mirë, duke i botuar në Kalendarin Vepra Pijore, të vitit 1916, dhe Kalendar për të gjithë.

 

 

Ai në vitin 1898 hap të parën shkollë laike në Mirditë, në Orosh dhe një vit më vonë së bashku me Fishtën, Gurakuqin, Dom Dod Kolecin etj. themeloi shoqërinë “Bashkimi” në Shkodër, e cila ka publikuar rreth 32 vepra, ndër të tjera edhe fjalorin e dom Dodë Kolecit. Prend Doçi zë një vend të merituar në literaturën shqiptare.

Përveç librave të botuar prej kësaj shoqërie, prej saj kemi edhe Alfabetin e gjuhës shqipe me germa latine që Kongresi i Manastirit, i mbajtur në nëntor të 1908-ës, e miratoi me pak ndryshime.Abati cilësohet edhe si mbrojtës dhe nismëtar i hapjes së shkollave shqipe në Mirditë e rrethina.

Doçi ishte dhe një poet i spikatur.

Krijimin brilant poetik të Abat Prend Doçit: “Zani i Kasnecave” e kemi marrë të plotë nga libri “Historia e Shqypnisë. Ç’me kohë t’vjetra deri m’tashmet” të autorit Ndoc Nikaj, botuar në Shkodër nga shtypshkronja “Nikaj”, në vitin 1917. Ky libër i kushtohet Prend Doçit, Abat të Mirditës, dhe në faqet 213-216 të tij gjendet edhe poezia në fjalë që po e japim të plotë. Ky krijim është shumë i rrallë. Të dhënat bibliografike të kësaj poezie janë marrë nga: “Bibliografia e librit Shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (1913-1944),” Tiranë, 2010, faqe 605, zëri 3110 i autorëve Maksim Gjinaj, Margarita Mele, Myrvete Elamazi.

 

Zani i Kasnecave

I.

Zani i kasnecave përpiqet me gjamë

T’ fushave t’maleve, e thrret

Burrat e dheut gadi m’u bamë

Ndr’ armë: qata burra qi për  t’madh shëndet,

T’ rrebtë, kan kthye, me sheje t’arta

Ndër shpija t’ veta, gjithmonë, si drita e larta.

 

II

Gjith ngasin tuei dihatë; ndër pleq e kapidana

Armët shndrisin prejë çelikut t’bardhë;

Pushkët besnike t’Shqyptarëve asgana

Duken, ndër duer t’dielmniës paë ardhë

N’ burrnië: gjith ngasin si vala e rrebtë,

Ku asht rreziku maa i vshtiri e i rrebtë

 

III

 

Dheu asht ndër t’vshtira për rreth trenue

Anmiku vargoit e randë për shej difton

Se si për mas sodit me e pengue

Por, jan prep tu ai, m’e poshtnue mendon

Me i sjellë marre t’madhe e me e turpnue:

Kso doret kuiton e kshtu a tuej shprrallue.

 

IV

A do t’presim na kso farë sikletesh ?

I veem dekën e jetës qi t’i’u presin vrapin !

A do t’u laam marren t’parve t’anë, a do t’bvetesh ?

Se si kan pas trimniën, si kan pas takatin ?

E na do t’rrim nder fialë e tuej kuitue ?

Se shka me baa, se shka me gjikue ?

 

V

Jo, jo, ky dhee asht nana qi n’a kaa rritun,

Me tamël t’gjive vet n’a kaa yshqye

Asht vasha qi dashtniën e kaa gjitun

N’ zemra t’ona e t’butit e kemi ylnjye.

Kush kish me muitë, që kaa dashtniën e dlirë,

Si biir e dhander, me gjak t’vet me pshtirë?

 

VI

Do brimë t’ forta, siellë me rribë t’ murranit

N’ lamë t’ Spahive, fushës, pluhni çohet si ree,

Difton se u nis ushtrija mii doshmanit

Njizet mii Shqyptarë Shkodranë porsi rrfee

Ibrahim Mahmiut Begolli si Asllani

Priin me shpatë e i daan trimnija e zani

 

VII

Kush asht ky veshun ndër petka leet

Forrt i pervuit duket afër shokve vet

Trazon zemrat n’frigë e ban me met

Shtatin e kaa si div e syyn si zhgjetë ?

Ky burrë i vetëm ndër trima shoq nuk kaa

Gjithmonë pr’orë në trimnië asht daa

 

 

VIII

Qindro, more Pasvan me bylyqe tue

Saa do qi Rumelija, Bosnia e Anadolli,

U bakan trii herë maa tepër se kam kuitue,

Çartën shoqishoinë, e kshtu nolli:

Asqeri i tii u thye e u shpelvuer

Lshoj fushën t’gjith e malet muer.

 

IX

 

Si vala e prronit ecën e shkon gjaku,

Kurmat e Ianiçerëve i’a presin riedhën,

Dyy trii herë menë, e i’u gjet haku,

Boshnjakët djelmt e Anadollit i mbledhen

Bini bre, se u thyem e Ahmeti met,

N’ derë t’ Osmanlliës maa i miri mas Pasvanit vet

 

X

Hini tuta e i ndali hovin ushtris,

Pasvanit i hypën n’qaf ë e iku i pari ,

Kush kje i leet e muer mrapa viës.

Peja, more Pasvan e xen si asht luftari

Diftoj Mretit t’ynë si kee marue

E si diin Shqyptarët me dek si me luftue,

 

XI

Bajrakët qi t’onët s’janë e janë përzieje

Bashkë me T’onët, tregu i trimniës;

Faqia e bardhë e jona gjithkund asht ndije,

Çikrriët e anmikut menë n’ lamë t’ ushtriës.

Eni gzoniu o Shqyptarët e mii,

Zoti me ne asht kianë, ai n’a ka prii

 

XII.

Eni djelmt e mii, dhandrrit e dashtnies,

Eni t’i’u shtërngoj, me mallë, n’krahnuer,

Se paë juu kishim metë, metë t’gjith t’robniës,

Kishim bierrë erz e kishim metë shtruer.

Eni e pushoni n’ krahnuer t’em e msoni

Fmive t’uej se sa jeni trima e si luftoni.

 

Duke qenë një njohës i thellë i çështjes shqiptare në të katër vilajetet ku ajo shtrihej aso kohe dhe sidomos i gjendjes fetare dhe kombëtare në Epir, ai i drejtohet Selisë së Shenjtë Vatikanit, me një “promemorje” të cilën po e japim të plotë më poshtë. (Botohet për herë të parë në gjuhën shqip.)

Që Misioni Katolik në Epir të ketë sukses ai propozon që në Epir të caktohen klerikë arbëreshë, të vajtur në Itali shekuj më parë prej Epiri, prej Votrës amëtare. Njëherësh synon që të caktohen dhe ata në përbërje të misionit, pra, të kthehen në Shqipëri. Nuk kemi akoma të dhëna se ç’jehonë pati pranë Selisë së Shenjtë kjo promemorje.

 

 

Promemorje drejtuar Papës

“Epirjotët – adhurues të së vërtetës”

 

Hirësi e nderuar.

Ndërsa Hirësia Juaj përcjell mendimin e çmuar dhe në krahinat më të lashta të hemisferit, diku për të mbështetur e përforcuar misionet e vjetra, diku për të krijuar të reja nuk do të jetë pa vend në qoftë se unë do t’ju flas për një pjesë të madhe të vendit tim. Për Epirin, ku po të krijohet një mision, zelli juaj do të kurorëzohet, me siguri, me një sukses të lumtur. E para; është mjaft afër. Ai shtrihet gjatë bregut të Detit Jon nga Gjiri i Artës deri në portin e Vlorës, duke përfshirë Manastirin në kufi me Maqedoninë dhe Mecovën në shpatet e Pindit. E dyta; sepse rrethanat e kohëve të tashme, dhe qëndrimi i mirë i këtyre popujve të ushqejnë besimin që tani ka ardhur koha edhe për ta rikthyer në gjirin e kësaj kishe prej së cilës janë gjetur larg,  jo se ata janë rebeluar, por për një rast të vajtueshëm.

Duke vijuar ende sundimi i Portës së Lartë në Epir, nuk e teproj po të them se është e lehtë që kjo pjesë e shqiptarëve të kthehet (në fenë katolike) – shënimi ynë, P. D.  e cila, pas pushtimit osman qe shtërnguar të ndërrojë fenë dhe të përqafojë kultin e Muhamedit. Flas, pra, për ata që do të thosha, se pa e ditur, u gjendën anëtarë të kishës greke shizmatike.

  1. Si ortodoksët dhe muslimanët, në shekullin e XV, ishin të gjithë katolikë, por në kohën e Perandorisë Bizantine u gjendën nën varësinë e Patriarkut të Konstandinopolit… Populli që iu qep maleve të Epirit për të mos ndryshuar fenë, me kalimin e kohës, pa të kthehen midis tyre priftër, murgjër e peshkopë si nga Greqia, ashtu edhe nga Konstandinopoli. Por këta sollën midis tyre shizmën (fenë ortodokse) që për shkak të urrejtjes ndaj papëve dhe të popujve të Europës Perëndimore, Qeveria Osmane kishte filluar t’i tolërojë në Perondorinë e vet.

Me kohë filluan të vijnë në Epir edhe grekët, dhe vllahët. Por popullsia shqiptare epirjote është shumë më e madhe përderisa gjithë ortodoksët e Epirit arrijnë në 600 000 banorë. Katolikë, nuk ka në këto anë veç disa qindra të shumtën tregtarë e punëtorë të përhapur në qytetet kryesore, të cilët kanë ardhur nga Shqipëria e Epërme, nga Italia ose vendet e tjera dhe i përkasin ritit latin. Këta kanë në Prevezë një misionar italian, në Vlorë një tjetër, pra në dy skajet e këtij vendi shumë të gjerë. Janina qyteti i parë dhe qëndror është veçant prej kohësh. Kryepeshkopi i Durrësit ushtron juridiksionin mbi qytete. Kisha Ortodokse që është nën juridiksionin e Patriarkut të Kostandinopolit ka seli të ndryshme peshkopësh në Epir, si në Janinë ku është orakulli antik i Dodonës, në Berat ose Belgradin shqiptar, në Përmet, në Delvinë, në Paramithi ose kështjella e shën Donatit etj. Ka një numër të madh klerikësh dhe manastire të ndryshme. Ato janë shpërndarë në qytete dhe krahina. Qytete të njohura si Preveza, Parga, Himara, Delvina, Argjirokastra, Tepelena ku ortodoksët janë të shumtë dhe kanë shkolla e klerin përkatës. Durrësi i shtrirë në Shqipërinë e Mesme (me Tiranë dhe Elabasan), ka shumë ortodoksë, të cilët nëpërmjet shkollave dhe mjeteve të tjera, kishat ortodokse kërkojnë t’i fusin nën ndikimin dhe mbështetjen me para të Greqisë.

Duke vënë në dukje në mënyrë të veçantë se ka disa kohë që mirëkuptimi midis vetë epirotëve (shqiparëve- shënimP.D.) dhe epirotëve grekë ka pushuar të jetë e përzemërt. Ky symptom vihet re edhe te kleri. Edhe antipatia ëshë shkaktuar nga vetë Patriarku i Konstandinopolit, i cili ka shtyrë Qeverinë Osmane të mos lejojë literaturën shqipe në Epir. Greqia ka mbështetur këtë patriark në synimet e tij, duke ndaluar gjuhën shqipe në shkollat e tyre në Epir. Pra, si njeri si tjetri, janë ngritur haptazi si armiq të kombit shqiptar. Greqia, ka dhënë edhe prova që do t’i shkëpusë lidhjet midis Shqipërisë së Epërme dhe Epirit, duke e pushtuar ose duke e bërë të vetin këtë të fundit. Dhe epirotët duke kuptuar se qëllimi i Greqisë nuk është emancipimi i Atdheut të tyre, por nevoja që ka Greqia për të formuar një ushtri të vetën me djemtë e Shqipërisë dhe për të paguar borxhet me pasuritë e këtij vendi shumë pjellor.

Forca lëvizëse e çdo shqiptari, qoftë musliman qoftë i krishterë (ortodoks) është dashuria për ATDHEUN, ndjenja e ruajtjes së kombësisë dhe e gjuhës së vet. Në qoftë se ata do të arrijnë të kuptojnë se bashkimi në një fe është një mjet për të ruajtur të paprekur gjuhën dhe kombësinë e tyre, pa ngurrim e  përqafojnë atë.

Grekët dhe sidomos shqiptarët janë tepër konservatorë të traditave të tyre të lashta, sidomos në punën e gjuhës dhe kultit. Në Greqi janë rreth 500.000 shqiptarë, të cilët e recitojnë ende lutjen në gjuhën e vet dhe në greqisht.

Madje në Epir, sapo të hiqet pengesa e ritit dhe e misionarëve latinë, vështërsitë e kthimit në fenë katolike do të jenë shumë më të vogla. Meqë ata nuk janë shkëputur nga kisha romake për shkak të ndonjë rebelimi, në zemrën e tyre epirotët janë ende katolikë. Ata janë nga natyra krenarë, të ndershëm e fisnikë dhe e duan të vërtetën…Madje në këtë kohë kur ata dëshirojnë të shkëputen plotësisht nga Greqia dhe Kostandinopoli, kujdesin dhe mbështetjen e Selisë së Shënjtë do ta shikonin si një shenjë paralajmëruese të çlirimit të afërt e të përparimit të tyre …Ata e dinë se Selia e Shenjtë nuk ka asnjë interes për të shkatërruar Kombin e tyre, dhe për ta zëvendësuar me një tjetër gjuhën e stërgjyshërve të tyre të lashtë, pellazgëve.

Pastaj është e sigurtë që muslimanët e Epirit, me një ndërrim të administratës fetare bëhen të krishterë, meqë në zemër janë të tillë me kohë. Është gjithashtu e sigurtë se ata nuk do të bëheshin ortodoksë, vetëm sepse urrejnë Greçinë. S’ka dyshim se ata do ta përqafonin fenë tonë, në qoftë se kjo, në këto ndryshime, do të kishte zënë rrënjë në këtë vend, se vetëm kjo duke thënë të vërtetën, ka qënë feja e gjyshërve të tyre.  Muslimanët e Epirit arrjnë në afro 700.000

Ndërkaq, me që Hirësia juaj me urtësi e quan oportune të krijojë misione në Epir, shpresoj se nuk do ta ketë të vështirë të gjejë misionarë shqiptarë të ritit grek e të gjuhës së Epirit, që është e njejtë me atë të shqiptarëve të Kalabrisë dhe të Sicilisë. Peshkopët dhe kleri i këtyre kolonive shqiptare, mund të japë edhe mjetet e nevojshme që ndërmarrja e tyre bamirëse të dalë me sukses, duke formuar shoqata dhe duke mbledhur fonde ndër bashkatdhetarët e tyre në Itali, të cilët nuk janë të pakët. Këta shqiptarë, të cilët kanë emigruar fill nga Epiri në shekullin e XV e duan me shpirt atdheun e tyre të lashtë, dhe kanë besim se me një shenjë të Selisë së Shenjtë do t’i përvishen punës për të kthyer vëllezërit e vet me gëzim dhe shpejtësi Ata me siguri do të mirëpriten në Epir ku ende vajtohet largimi i tyre. Ata janë të ditur dhe kanë mësuar në Itali për t’i përdoruur mjetet e qytetërimit të krishterë me oportunitet sipas vendit dhe kohës. Ndoshta edhe Qeveria Osmane do ta shohë ardhjen dhe veprën e tyre në Epir, me më pak dyshim se atë të Greqisë.

Ju lutem Hirësi të më falni për lirinë me të cilën e parashtrova këtë promemorje lidhur me misionet në Epir.

Me ndjenjë të nderimit të thellë Ju puth unazën shpirtërore i urtë dhe i bindur i Hirësisë suaj.

 

Romë. 20 tetor 1886

Prend Doçi

Nxjerrë nga libri:

F . Gordignano: “L’Albania a traversal” operare… vol. 3, f. 299-301

 

 

Vdiq më 22 shkurt 1917, në orën 14.30. Pak ditë më parë, më 17 shkurt, duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të murlanit, në oborrin e Abacisë ndjeu dobësi dhe u rrëzua. E vizituan dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh me ushtrinë dhe e diagnostikuan me bronkopneumoni e dobësim zemre.

 

 

Literatura

 

  1. AMPJ LPK Konsullata  francezes në Shkodër, vëll. 20. fl. 435.
  2. Martini, Luigj. Abati i mirditës Prend Doçi. Tiranë. 2012. f. 97.
  3. AMPJLPK Konsullata franceze në Shkodër, vëll. 20. fl. 22r-423-r
  4. AIH , Dosja “Raporte nga Shkodra , më 1876”, f. 88.
  5. AQ i RPSH Fondi Ipeshkëvia e Lezhës, viti 1877.
  6. AIH. Konsullata franceze Shkodër 1862, vol.21, f. 65.
  7. AIH. Konsullata franceze Shkodër 1862, vol.21, f. 47.
  8. Mile, L. “Kryengritja e Malësisë së Veriut në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Përmbledhje studimesh , Tiranë, 1962, f.28.
  9. AIH , Dosja A-IV-325, f.36.
  10. AIH ,Dok. Austro Hungareze, Raporti nr. 12, datë 11.02.1978.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *