nga Gjon Marku
Mirdita ishte një territor në të cilin vazhdonin të sundonin princër dhe drejtues e krerë popullorë, të cilët kishin bërë të mundur që falë së drejtës zakonore dokësore të kishin mëvetësinë dhe nuk e lejonin pushtimin e kësaj treve.
Por shpërthimi i luftërave çlirimtare nuk ishte i lehtë në kushtet kur mungonin gjërat kryesore, pra bashkimi i popullit dhe armët. Për të siguruar këto u organizuan njëri pas tjetrit kuvendet panshqiptare e ndërballkanike, të cilët kërkonin të arrinin bashkimin e popullit në luftë kundër osmanëve. Kuvendet e pleqve ndër këto vise tashmë ishin një traditë e kahershme ku miratoheshin projektet e luftërave. Krerët popullorë, pleq të maleve tona, pasi shqyrtonin këto situata dhe situatën jashtë trevave të tyre, u drejtoheshin Fuqive të Mëdha për ndihmë.
Por prej kësaj tradite dhe prej këtij trualli vinin dhe humanistët, dijetarët dhe ambasadorët e mëdhenj të Gjergj Kastriotit vëllezërit Gazulli, origjina e të cilëve është Mirdita edhe pse jeta dhe veprimtara e tyre lidhet fort me Raguzën, Padovën me qytete të tjera të Dalmacisë dhe të Italisë, apo Europës. Ata zenë vend të rëndësishëm në Rilindjen Europjane.
Vetë koha kur jetuan gazullorët bën që për ta të ketë të dhëna të ndryshme e shpesh jo të plota edhe për faktin se akoma institucionet studimore e shkencore të vendit tone, nuk janë angazhuar ndaj tyre me vemendjen dhe përkushtimin e duhur. Kështu akoma nuk është dokumentuar data e plotë dhe e saktë e lindjes së humanistit të madh Gjon Gazulli. Hipoteza të ndryshme ka dhe për vendin se ku lindi. Ka studiues të ndryshëm ndonjëherë jo fort seriozë qoftë këta vendas por edhe të huaj, që për qëllime të ndryshme, vendorigjinën e tyre e spostojnë herë pas here duke krijuar një hutim dhe pështjellim aspak serioz dhe të panevojshëm.
Po t’iu referohemi dokumenteve historike që disponojmë dhe që njihen deri më sot, atëhere ka vetëm një vend origjine të kësaj familjeje fisnike dhe aristokrate e ajo është Mirdita. Askund tjetër nuk gjendet asnjë lloj dokumenti bindes që ta spostojë vendorigjinën e kësaj famijeje.
Origjina e hershme e gazullorëve ishte nga Mirdita, shkruhet ndër dokumenta, ku deri vonë janë ruajtur disa mbishkrime me këta emra ndër varrezat e Ndërfanës. “Te Kisha e Ndërfandënësë, ndë Mirditë, ku duket kje edhe një mungadë Benediktinësh u gjetënë rrasa vorresh të shkrueme latinisht me mbiemnin: Gasolus shkruhet në revistën prestigjioze “Hyllin e Dritës”.1
“Familja e Gazullorëve njihet si një ndër më të vjetrat, në Shqipërinë Veriore. Nga trungu i saj vetëm një pjesë e vogël u shpërngul jashtë atdheut, pasi, sipas dokumenteve, ata i gjejmë të përhapur në Shqipëri edhe pas pushtimit osman të vendit. Për origjinën e hershme të kësaj familjeje nga Mirdita, shkruan edhe studiuesi i mirënjohur Mikel Prenushi në librin e tij “Konntributi shqiptar në Rilindjen Europiane” botuar nga shtëpia botuese “8 Nëntori” Tiranë, 1981.2 Ky është dhe studimi më i plotë që vjen deri në këtë kohë për humanistin e madh Gjon Gazulli.
Këtij mendimi i qëndron Mikel Prenushi edhe vite më vonë, pra në vitin 2002, kur botohet intervista e tij në Librin “Mirdita Intervista II”.
Në librin “Antologji e mendimit të sotmë për Mirditën” ku është ribotuar kjo intervistë dokumentohet se: “Vëllezrit Gazulli, humanistë dijetarë dhe amasadorë të Skëndërbeut ishin nga Mirdita e gjitha katolike. Këtë e pohojnë edhe dokumentet diplomatike” shkruan ky autor. 3
Po ky studiuesi i mirënjohur dhe mjaft serioz qysh herët në revistën “Shkenca dhe jeta” kishte shkruajtur se figura poliedrike “Gjon Gazulli nga Mirdita si matematicien, astrolog, pedagog dhe personalitet politik i shquar, paraprin plejadën e humanistëve shqiptarë të shekujve 15-të, 16-të dhe është padyshim një ndër shembujt e gjallë të gjenisë krijuese të popullit tonë në fushën e shkencës”. 4
Këtij mendimi i qëndron edhe Prof. Dr. Pal Nikolli, i cili shkruan se: “…Nuk kemi akoma një njeri më të ditur se ai, një njeri me kaq zemër e kaq të zot. S’kemi ç’bëjmë duhet t’ia plotësojmë kushtin Gjon Gazullit…” këto fjalë të një zyrtari plak të këshillit të madh të Raguzës për matematikanin, astronomin e mbi të gjitha atdhetarin e flaktë Gazulli nga Ndërfana e Mirditës. Gjon Gazulli, u bë shkak për të shkruar diçka mbi këtë personalitet të shkencës dhe kulturës shqiptare dhe për vëllezrit e tij – Palin e Andrean” 5
Por sa më shumë të mbështetemi në dokumentet historike, aq më e qartë dhe më e pakontestueshme bëhet origjina e tyre prej Mirdite.
“Gazuj e Gazullorë gjenden madje mjaft shpesh në Mirditë në shek. XVII e tektej” shkruhet në revistën “Leka” në vitin 1939, nga Florio Banfi. 6
Shqipëria e Veriut kishte njerëz të shquar dhe të arsimuar, të cilët gjendeshin ndër qytete të ndryshme ku ndër shkollat e atëhershme ligjëronin gramatikën, moralin dhe lëndët e tjera, shkruan Milan Shuflay7
Vetë ai dokumenton se manastiret benediktine, si ai i Rubikut, i Ndërfanës (në Gëziq), i Shënpalit (në Blinisht), i Shën Aleksandrit (në Malin e Shenjtë në Orosh) etje. në luginën e dy Faneve, nga ku në shekullin e XIV-të, siç thotë Shuflaj, dilnin priftërinj dhe për Dalmacinë Jugore, flasin dhe për ekzistencën e një popullsie jo të pakët në këto anë.
Ndërkaq, në shekullin e XV kemi po ashtu njerëz të shquar dhe dijetarë si për shembull: Johannes Gazulus Ragusiensis, gjegjësisht Gjon Gazulli (1400-1465), nga Mirdita, matematicien, astonom dhe humanist i njohur në këtë shekull, i cili njihet si “mësues dhe prift i ndershëm”8 shkruan në librin e tij “Krishterimi ndër shqiptarë” profesor Zef Mirdita. Po ashtu ai përmend edhe Pal Gazulli, Pavao de Gazlis i vëllai i Gjon Gazullit, që u zgjodh rektor i shkollave të qytetit të Dubrovnikut gjatë viteve1442-1444.9
I këtij mendimi është edhe Fulvio Kordignjano (Fulvio Cordignano) dhe Florio Banfi; të cilët në studimet e tyre konstatojnë se mbiemri “Gazuj e Gazullor gjenden mjaft shpesh në Mirditë në shek. XVII e tektej” shkruhet në revistën “Leka” në vitin 1939. 10
Po këtu e vendos origjinën e hershme të Gazullorëve edhe Dom Gaspër Gurakuqi. 11
Gjon Berisha në Librin e tij “Arbnorët ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore gjatë shekullit XI-XI”, natyrisht që e gjen në Mirditë origjinë, e Gazullorëve.12
Dijetari i parë më i hershëm humanist shqiptarë është Gjon Gazulli. Ai u lind në qytetin e Raguzës, në një familje shqiptarësh të ardhur nga Mirdita. Mbimri Gazulli është i gjallë edhe sot në Shqipërinë e Veriut, pohon studiuesi Moikom Zeqo 13
Duke dashur t’i afrohemi sa më shumë vendlindjes së Gjon Gazullit, atëhere gjithnjë e më tepër bëhet e domosdoshme ballafaqimi i dokumentave historike e natyrshëm shtrohet pyetja a u lind në qytetin e Raguzës, Gjon Gazulli, apo erdhi në këtë qytet në moshë fare të re?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet të marrim parasysh:
Së pari: faktin se administrata raguziane e asaj kohe ishte shumë e zhvilluar, kështu që po të kishte lindur në atë qytet, me siguri do të gjendej një shënim për datën, ditën dhe vitin e lindjes së tij.
Së dyti: po t’ju referohemi disa burimeve historike, në to thuhet se ai emigroi, këtë e pohon edhe Oliver Jens Schmitt në librin “Arbëria Venedikase (1392-1479)” Ai shkruan se: Humanisti me prejardhje Arbër, sikurse astronomi i famshëm dhe njeriu i besuar i Skënderbeut Gjon Gazulli (Johannes Gazulus), nuk i gjenin dot në vendin e tyre kushtet e nevojshme materiale dhe intelektuale, ndaj dhe emigron: Gazulli do të bënte karrierë në Raguzën e pasur. 14
Përpara tij, klerikë të shumtë kishin emigruar në Dalmaci dhe Itali. Kjo hemoragji mendore u shkaktua në thelb nga luftërat e shumta në hapësirën arbërore dhe nga pasiguria që sillnin ato, së bashku me bllokimin e përsëritur të jetës ekonomike. Në Arbërinë venedikase nuk është se mungonin talentet, por mungonin kushtet e favorshme të përgjithshme, vijon me tej Oliver Jens Smitt
Së treti: Shuteriqi pohon se: Gazulli, shqiptar, autoritet në Raguzë, nuk duhet të jetë pa dijeni, mbi çka zhvillohet në Mirditën e tij, ku zoti i vendit Gjon Kastrioti është thyer e nënështruar më 1430 dhe tani e ka syun për kryengritje, në mos e ka nisur, shkruan Profesor Dhimitër Shutetiqi në librin e tij “Moti i Madh” përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479. 15
“Për astronomin më të shquar, i cili ka vepruar në territorin e Kroacisë në shekullin e XV” kanë shkruar (Zh. Dadiq) Gjon Gazulli, i lindur shqiptar, i cili jetoi dhe punoi, Dubrovnik, Shime Juriqi,16 Mirko Drazhen Grmek17, Zharko Dadiqi,19 dhe Jurjo Tadiq,19 të cilët në bazë të studimeve të dokumenteve arkivore ia dolën që në vija kryesore ta ndërtojnë jetën dhe veprën e këtij të ardhuri shqiptar dhe i lindur shqiptar, i cili jetoi në Dubrovnik” 20
Por të gjitha këto dokumente kanë vetëm një origjinë të famijes së Gazullorëve, pra Mirditën.
Si duket, më vonë një pjesë e tyre kanë zbritur në fushë e sidomos në fushën e Zadrimës, përderisa dhe në “Regjistrin e kadastrës dhe të koncensioneve për rrethin e Shkodrës” të vitit 1416-1417, ata figurojnë të shpërndarë në Barbullush, Kukël, etj. Si dhe i kanë dhënë emërin e tyre një fshati të vogël në afërsi të Velipojës.21
Disa nga shqiptarët në shkullin e XV kanë merita për zhvillimin e shkencave të ndryshme. Më i rëndësishmi ndër ta është matematikani dhe astronomi, humanisti Gjon Gazulli që rrjedh prej një familjeje shqiptare, e cila kishte gjetur këtu strehim dhe punë, shkruan Jashar Rexhepagiq në vitin 1968. 22
Shperngulja e një pjese të familjes së Gazullorëve prej Mirdite për në Raguzë përmenden, së pari, në vitin 1301 në “Libër Reformatium” të Raguzës me mbiemrin Gazulus (Gazuli), Gasolo, Gazolus, Gazola, Gasolus, Gassolus. Etj. Por në dokumente të tjera gjenden dhe të shkruajtur Gasoli (Gazulli)
“Qysh ndë vj. 1301, ndë Leber Reformationum të Ragushësë, përmendënë do Gazullorë me mbiemnin, Gazulus (Gazuli) Gazolo, Gazula” shkruhet në vitin1942 në revistën “Hyllin e Dritës”. 23
Sipas të dhënave që ruhen në Arkivin Historik të Dubrovnikut, del se në fund të shek. XV në Raguzë jetonin shumë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, si dhe nga qytetet bregdetare shqiptare. Sipas Nikoll Ranjanit, i cili në gjysmën e parë të shek. XVI, në një anal të vet, paraqet regjistrin e parë të bujarisë raguzjane, vërehej se nga 152 familje të bujarisë raguzjane dymbëdhjetë ishin me origjinë shqiptare, pohon Jahja Dranqollit në librin e tij: “Gjin Gazulli astronom dhe diplomat i shekullit XV”. 24
Por lidhjet e Gazullorëve me Raguzën datojnë që nga fundi i shekullit XIV. Pikërisht në kohën, kur në këtë qytet vjen Pal Gazulli, gjyshi i humanistit tonë. Ndërkaq, priftin at Matej Gazulli, ungjin e Gjin Gazullit në fillimin e shekullit XV, e ndeshim në qytetin e Raguzës. 25
Dhe po të kishte lindur këtu Gjon Gazulli pa tjetër që do ta kishin pagëzuar në kishë, dhe për të do të gjendeshin dokumente por kjo nuk e përjashton mundësinë që Gjon Gazulli në moshë shumë të re është vendosur në Raguzë te xhaxhai i tij. Këtë hipotezë e hedh edhe Jahja Dranqolli në librin e tij për Gjin Gazullin botuar në Prishtinë në vitin 1984.
Gjon Gazulli (1400-1465) humanist, matematikan dhe astronom i shquar shqiptar rrjedh nga një familje nga më të vjetrat e Shqipërisë Veriore nga krahina e Mirditës, një trung i të cilit ishte shpërngulur në Raguzë (Dubrovnik) aty nga fundi i shek.XIV, shkruhet në Vëllimin e parë të “Fjalorit Enciklopedik shqiptar” të botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në Tiranë, në vitin 2009 26
Edhe Gaspër Gjini në librin e tij “Ipeshkevia e Shkup Prizrenit nëpër shekuj” dokumenton veprimtarinë e Gazullorëve në Raguzë. “Në mes të tyre ishte Johnnes Gazulus Ragusiensis (Gjon Gazulli), matematikan i famëshëm, astronom dhe humanist i madh i shekullit XV përkatësisht “mësues dhe prift i nderuar”
Ketë e deklaron dhe Juriç. 27
Në këtë kohë është i njohur edhe Pavao de Gazlis (Pali I Gazulli) i vëllai i Gjon Gazullit, që u zgjodh rektor i shkollave të qytetit të Dubrovnikut gjatë viteve 1442-1444. Në mesin e tyre ka qenë edhe Marinus Becchichermus (Marin Biçikerni), professor i Universitetit të Padovës dhe dhjetë vjet rektor i Shkollës së lartë në Dubrovnik. 28
Këtu le të përmendim dhe artistin e famshëm Andrea Aleshin, i cili shumicën e veprave të tij të mrekullueshme i ka punuar në Dalmaci dhe në Italinë fqinje, ndërsa qyteti i Splitit e ka shpallur si qytetar nderi. 29
Për origjinën e Gjon Gazullit nga Shqipëria, na vjen në ndihmë edhe një dokument i ardhur nga arkivat e Padovës, kur Gjon Gazulli u diplomua. Ky dokument u botua në vitin 1922 dhe e sjell të qartë origjinën e Gjon Gazullit prej Shqipërie.
“Ioannis q. Gin Gazulli de Albania…”
“Gjoni i të ndriturit Gjin Gazulli nga Shqipëria…” 30
Dokumenti mban datën 31 janar 1430. Në të del qartë origjina shqiptare e Gjon Gazullit, ku përpara komisionit e deklaron veten: “Gjoni i të ndriturit Gjin Gazulli nga Shqipëria. Merita për botimin e këtij dokumenti i përket Mikel Prenushit, i cili e boton në librin e tij “Kontributi shqiptar në Rilindjen Europiane” të botuar në Tiranë, në vitin 1981 nga Shtëpia botuese “8 Nëntori”.
Nga fundi i shekullit të XV gjejmë të shpërngulun në Raguzë një farë Gjon Gazulli prej Arbënije….” 31
Nëse për familjen e Gazullorëve të shpërngulur në Raguzë gjenden dokumente të shumta nuk gjendet deri më sot asnjë dokument që të vërtetojë se Gjon Gazulli lindi në Dubrovnik. Prandaj vetë logjika dhe ballafaqimi i dokumentave të çojnë drejt idesë se ai emigroi në moshë të vogël në Dubrovnik.
Për Gjon Gazullin dokumentacioni historik i pasur i arkivave të huaja (Itali, Kroaci, Hungari) etj. si dhe literatura historike e botuar për të, që në shekullin XVI, edhe pse është mjaft e gjerë nuk është e njohur sa dhe si duhet sidomos në vendin tonë, ku akoma botimet dhe studimet për familjen e Gazullorëve, për humanistët e mëdhenj janë të pakta dhe jo të plota. Akoma nuk kemi të ndëriçuar të plotë portretin e këtij kolosi as për veprimtarinë politike, e diplomatike as si pedagog apo si shkencëtar i shquar dhe mbi të gjitha as si patriot që vuri gjithë energjitë e veta në shërbim të çështjes shqiptare.
Natyrisht Gjon Gazulli ka qenë pa dyshim një ndër figurat më të shquara të shkencës europiane të shek.XV. Pa frikë mund të thuhet se fushveprimtaria e tij ka qenë e gjerë dhe pa dyshim ai mund të quhet një enciklopedi e gjalllë e kohës kur ka jetuar, përkatësisht për epokën e humanizmit dhe Rilindjes Europiane.
Literatura
- Gelasius (pseud. i D. Nikollë Gazulli), Fjalor toponomastik: “Hylli i Dritës” Shkodër, nr 5-10, maj tetor 1942. f. 270.
- Prenushi, Mikel. “Kontributi shqiptar në Rilindjen Europiane” Shtëpia botuese “8 nëntoi”, Tiranë 1981. F. 36.
- Marku, Gjon. “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” Tiranë 2009. f. 161.
- Prenushi, Mikel. “Figura të shquara të kulturës e të shkencës sonë. Humanisti shqiptar Gjon Gazulli “Shkenca dhe jeta”, nr. 6, 1972.
- Nikolli, Pal. Gazeta “Ora e Shqipërisë, Tiranë, nr. 3, prill 1994, f. 3; Rilindja, Tiranë, nr 582, 7 maj 1995, f. 7.
- “Leka”, Shkodër, nr 1-2, 1939. (sh. Cordignano, L, Albania a trenorsa l’ opera e gli acritti di un grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi S.J., Roma, Ist P. I Eur. Orient 1934, v. III, pp. 22, 56 ARK.HIST. SAVERIAN, nr. 2382-2384: “D. Shtjefën Gazullori, famullitsari i Vigut 1613-1617”
- Acta Alb. Vëll.II 233: M Sufflay, Povijesti sjevarnih Albanica (Socioloska studija), në AAAJ knj.II (1924 q 925, f.220.
- Jereçek, K. – Radoniç, J. Istoria Srba I Beograd 1978, f 86
- Frankoviç, D. Pavijest skolstva i pedagogije u Hrvatskoj Zagreb 1958, f22.
- Revista “Leka”, Shkodër, nr 1-2 , 1939. (sh. Cordignano, L, Albania a trenorsa l’ opera e gli acritti di un grande Missionario italjano il P. Domenico Pasi S.J., Roma, Ist P. I Eur. Orient 1934, v. III, pp. 22, 56 ARK.HIST. SAVERIAN, nr. 2382-2384: “D. Shtjefën Gazullori, famullitsari i Vigut 1613-1617”
- Dedaj, Ndue. “Toka e Katedraleve” Tiranë 1999. f. 166
- Berisha, Gjon. “Arbnorët ndërmjet kishës perëndimore dhe asaj lindore gjatë shekullit XIX Prishtinë 2015 f. 561: Mikel Prenushi, “Kontributi shqiptar në Rilindjen Europiane”, Tiranë 1981, f 34-59
- Zeqo, Moikom. “Humanisti shqiptar i Rilindjes Europiane”, “Horizonti”, nr12, 1981.
14 Schmitt, Oliver Jens. “Arbëria Venedikase (1392-1479)”. Fjala 2014. f. 14.
- Shutertiqi, Dhimitër. “Moti i Madh” përmbledhje shënimesh e dokumentesh për historinë shqiptare të viteve 1379-1479 Shtepia botuese “Dituria”, Tiranë, 2006 f. 83.
- Juriq, Shime. Prilozi bibliografiji Ivana Gazulija, Abnali Historijskog Instituta u Dubrovniku, 8-9(1960—1961) , f. 447-479.
- Grmek, Mirko Drazhen. Hrvatski I sveuçilishte u Padovi, Ljetopis Jazu, knj. 62, 1957, f. 353-354; Mirko Drazhen Grmek I ZhaarkoDadiq, O astronomu Ginu Gazulu o dubrovaçkom traktatu o astrologu, Anali Historijskog odjela Centraza znanstveni rad Jazu u Dubrovniku, 13-14 ( 1976) f. 53-94
- Dadiq, Zharko. Pavjesti egzakni znanosti u Hrvata I, Zagreb 1982, f 46.
- Tadiq, Jorjo. Johenes Gazulus, dubrovaçki humanista XV veka , Zbornik filozofskog fakulteta, Beograd, 8/1964/, sv.2 f 429-454
- Stipçeviq, Aleksander. “Albanologjia në Koraci – pasqyrë historike” Gjurmime albanologjike. Insituti Albanologjik i Prishtinës 21-1991. F 166
- Regjistri i kadastrës dhe i koncensioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417, Tiranë .1977, f. 227, 256, 257
- Rezhepagiq, Jashar. “Kontributi për njohjen e disa artistëve, shkrimtarëve dhe punëtorëve pedagogë shqiptarë të shekullit XV” Simpoziumi për Skënderbeun 9-12 maj 1968” Prishtin ë
- “Gelasius (pseud. i D. Nikollë Gazulli), Fjalor toponomastik: “Hylli i Dritës” Shkodër, nr 5-10, maj tetor, 1942. f. 270.
- Dranqollit, Jahja. “Gjin Gazulli astronom dhe diplomat i shekullit XV” Rilindja, 1984, f. 9
- Dranqollit, Jahja. “Gjin Gazulli astronom dhe diplomat i shekullit XV” Rilindja, 1984, f. 12.
- “Fjalori Enciklopedik shqiptar Vell. I” Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2008.
- S., Juriç S., Prilozi biografiji Ivana Gazulica. Anali Historiskog institute Dubrovnik. God. VIII-X (1962) 447-479; Tadiç J., Johannes Gazulus dubrovaoki humanista 1442-1444 veka ZFF. knj. VIII, Spomenica Mihaila Dinica 2, Beograd 1964. 385-424.
- “Historia e letërsisë shqipe I-II”, Prishtinë 1968, f .169.
- Galanti A., L’Albania, Roma 1961. f 8; Gjini, Gaspër. “Ipeshkëvia e Shkup Prizrenit” ndër shekuj, Ferizaj, “Drita” 1992 f. 185.
- Prenushi, Mikel. “Konntributi shqiptare në Rilindjen Europiane” Shtëpia botuese 8 nëntoi 1981. F 37
- “Bota Shqiptare” libër leximi për kursin e naltë të shkollës së mesme, botim i Ministrisë së Arsimit, Tiranë, 1943- XXI f. 521.
Nga Gjon Makru per Revisten KUVENDI
KOMPLIMENTE DHE RESPEKT TE VECANT PER JU SI STAF I REVISTES KUVENDI DHE PER AUTORIN AQ TE VEMENDESHEM SERIOZ E KEMBENGULES PER BOTIMIN E SHKRIMEVE DHE KUMTESAVE TEPER SERIOZE DHE ME PESHE PER KULTUREN DHE HISTORIN E TREVES SE MIRDITES POR DHE ME GJERE ME ARGUMENT BINDES DHE ME NJE BIBLIOGRAFI PER TU PASUR ZILI.
ME RESPEKT GERTI LEKNIKA