Periudha komuniste/ Mësim në gjimnaze, Agron Tufa: Nuk do bëjmë propagandë
15 Dhjetor, 2016
Agron Tufa: Nuk do bëjmë propagandë, informim mbi një pjesë të historisë së panjohur
“Të rinjtë tanë të informohen se çfarë ka ngjarë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, të zbulohet perdja e krimit dhe dhunës së gjithanshme, duke parë se këtë mision të kujtesës nuk po e kryejnë tekstet shkollore të edukimit”
Sejrie Baleta
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit pas një marrëveshjet të arritur me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ka marrë një projekt pilot i cili do të shtrihet në të gjitha gjimnazet e Tiranës, ku nxënësit do të njihen me të vërtetën dhe me fakte të cilat i përkasin të kaluarës komuniste. Në një intervistë për gazetën “Standard” Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit Agron Tufa është shprehur se: “Ne nuk po bëjmë propagandë. Jemi një Institut i pavarur shtetëror i Parlamentit që bashkëpunojmë me institucionet shtetërore. Gjithçka që ofrojmë është fryt i dëshmive, arkivave, dokumentave e akteve zyrtare e arkivore me karakter njohës, edukativ, që duhej të ishte përfshirë në kurrikula”. Një herë në javë Instituti do të mbajë dy orë mësim me nxënësit e shkollave në Tiranë të cilët do të informohen mbi një pjesë të historisë së panjohur për ta si edhe informacion për të gjithë aktivitet e ardhme.
Pas marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizëm, një herë në javë do të mbajë dy orë mësim me nxënësit e shkollave në Tiranë të cilët do të informohen mbi një pjesë të historisë së panjohur për ta si edhe informacion për të gjithë aktivitet e ardhme. Cili është qëllimi kryesor i këtij projekti?
Arritëm, për fat, në mirëkuptim me MAS për një “Platformë Kombëtare Bashkëpunimi” për njohjen e qytetarëve dhe sistemit shkollor më krimet dhe pasojat e diktaturës komuniste, duke trajtuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me të kaluarën e shoqërisë shqiptare nën regjimin komunist. Në akord me këtë marrëveshje Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) do të informojë brezat shkollor, gjimnazet, me materiale audio-vizuale, dokumenta, biseda, libra të posaçëm studimorë e memuaristikë rreth dhunës së ushtruar mbi liritë qytetare, vrasjet, zhdukjet, burgimet, internimet dhe luftën e klasave gjatë diktaturës. Kjo është, për fat të keq, një faqe fare e panjohur nga brezat tanë shkollorë, pasi në kurrikulat e teksteve shkollore nuk thuhet thuajse asgjë rreth kësaj periudhe gjysmëshekullore të dhunës, masakrave, torturave e burgimeve, që çoi në tjetërsimin e shfytyrimin e shoqërisë. Qëllimi i këtij Projekti është që të rinjtë tanë të informohen se çfarë ka ngjarë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX në atdheun tonë të përbashkët, të zbulohet perdja e krimit dhe dhunës së gjithanshme, si parakusht për të ndërtuar një tablo reale në vetëdijen e secilit nxënës, duke parë se këtë mision të kujtesës nuk po e kryejnë tekstet shkollore të edukimit. Pa njohjen e të shkuarës, nuk mund të perceptohet as e tashmja dhe as e ardhmja e një shoqërie. Të tria kohërat kanë rëndësi vendimtare për fatet e një individi dhe shoqërie. Këtë mision shoqëritë ish-totalitare në Evropë e kanë kryer dhe vazhdojnë ta kryejnë, ndërkohë që shoqëria jonë as që e ka zënë fill. Kjo shpie mandej në përfytyrime të shtrembëruara e nostalgjike për Enver Hoxhën dhe Komunizmin, sikundërse e tregoi këto ditët e fundit edhe rezultati i sondazhit të kryer nga prezenca e OSBE në Shqipëri.
Përse ju si Institut keni menduar që është e rëndësishëm marrja e këtij projekti?
Sepse trajtimi i kujtesës dhe krimet e kryera nga diktatura komuniste është thelbi i misionit të këtij Instituti, të bazuar në Ligjin themelor që rregullon veprimtarinë e tij dhe, siç mund ta kuptojë vetvetiu gjithkush, detyra e kujtesës është hapi më i rëndësishëm në marrëdhënieve tona ndaj të Vërtetës. E vërteta na çliron, na bën të meditojmë mbi natyrën e së Keqes, na bën më fisnikë, më humanë. Njohja e të vërtetave të fshehura apo të heshtura qëllimshëm na bën qytetarë të denjë, të pa manipulueshëm nga çdo lloj demagogjie ideologjike, thjesht qytetarë të aftë për të përballuar detyrat tona njerëzore e atdhetare.
Si do ti ndihmojë nxënësit, dhe për çfarë mund tu shërbejë, në krahasim me ata çka marrin dhe në shkollë për të kaluarën komuniste?
Së pari më informimin, vënien në dijeni të tyre mbi çfarë ka ngjarë. Reflektimi është i lidhur ngushtë me informimin e drejtpërdrejtë të tyre. Që në javën e parë tek gjimnazi Ismail Qemali, një nxënëse, fill pas seancës informuese mbi materiale audiovizive, pranoi, se “asgjë e këtillë nuk na është thënë ndonjëherë në shkollë”. Dhe kjo është e vetëkuptueshme kur kemi parasysh se si trajtohet nuk trajtohet periudha e diktaturës komuniste në tekstet e tyre alternative të Historisë apo Letërsisë.
Cilat janë disa nga materialet që Instituti ka përgatitur për tua prezantuar nxënësve?
Është vështirë të thuhet e gjitha, pasi ne kemi përgatitur dhjetëra module, pa e përsëritur veten gjithkund njëlloj. Por, sa për të krijuar një ide, strukturimi i këtyre seancave prej 2 orësh, nis me një ekstrakt informativ me persekutimin dhe gjenocidin komunist të ushtruar mbi popullatën shqiptare që gjatë Luftës Çlirimtare, mandej, pas vendosjes së diktaturës, shpaloset terrori konceptual që pushteti komunist ushtroi mbi klasat e shoqërisë shqiptare, deri në likuidimin e plot fizik të tyre, siç janë: pushkatimi i të gjitha elitave politike, ekonomike, ushtarake, arsimore, kulturore e fetare që ishin gjallë pas vitit 1945; asgjësimi i fesë, institucioneve fetare deri në ndalimin e besimit të sanksionuar në Kushtetutën e vitit 1976; skllavërimi i qindramijëra qytetarëve që konsideroheshin kundërshtarë, duke i dënuar me burg, internim dhe punë të rënda të detyrueshme në ndërtimin e veprave të mëdha bujqësore, minerare e industriale; filma dokumentarë e intervista të qytetarëve të mbijetuar, materiale e dokumente arkivorë, letra denoncuese e akt-ekspertiza që Sigurimi i Shtetit hartonte për dënimin e qytetarëve; metodat shtrënguese të Sigurimit në rekrutimin e spiunëve duke e bërë gjithë popullin bashkëfajtor; dënimet për agjitacion-propagandë, vrasjet në kufi et, etj.
Këto orë mësimi do të jenë të detyruara apo do jenë në dëshirën e nxënësit për ti ndjekur?
Në akord me marrëveshjen dhe drejtuesit e gjimnazeve (me të cilët kemi gjetur mirëkuptim të shkëlqyer, për çka i falënderojmë), auditori që na ndjek është i përzgjedhur dhe i mjaftueshëm në fillim, në kapacitetin e plotë që zë salla. Jemi duke menduar për një zgjerim të auditorit, përderisa ky vit është projekt-pilot. Por pjesëmarrja e gjimnazistëve është në maksimumin e mundshëm, kjo falë edhe punës së vyer mirëkuptuese të mësuesve e drejtorëve të gjimnazeve.
Si është pritur ky projekt nga nxënësit pavarësisht se është vetëm në fillimet e tij?
Ju thashë se interesi është i gjallë. Kjo duket nga përfshirja dhe pjesëmarrja në pyetje e debate që është e rezervuar në fund të performancës. Nxënësit tanë, kemi vënë re, se nuk janë aspak indiferentë në lidhje me të shkuarën, siç mundohen t’i paraqesin. Ata nuk kanë patur rastin të përfshihen më parë. Dhe kuptohet, mosha e tyre e pastër, e pafajshme, është e etur për drejtësinë, sikundërse është mosha e tyre idealiste. Ne thjesht u ofrojmë atyre të Vërtetën që u është fshehur pafalshëm mbi të shkuarën diktatoriale e kriminale të diktaturës komuniste.
Përpara se të pilotohej si projekt keni pasur konsultime me grupe interesi, p.sh. me prindër të nxënësve, mësues etj. Cili ka qenë qëndrimi i tyre?
Jo. E pse duhet të kemi? Ne nuk po bëjmë propagandë. Jemi një Institut i pavarur shtetëror i Parlamentit që bashkëpunojmë me institucionet shtetërore. Gjithçka që ofrojmë është fryt i dëshmive, arkivave, dokumentave e akteve zyrtare e arkivore me karakter njohës, edukativ, që duhej të ishte përfshirë në kurrikula. Në thjesht këtë zbrazëtirë po mbushim si fillim, deri kur të kemi një tekst informativ shkollor mbi Historinë e Shqipërisë gjatë Diktaturës Komuniste, të shkruar nga specialistësh e të miratuar.
Mendoni se në shkollat në të gjithë vendin duhet futur një lëndë e veçantë për ti njohur nxënësit me të kaluarën komuniste?
Duhet një lëndë në kurrikulat e shkollave nëntëvjeçare dhe Gjimnazeve mbi Historinë e Shqipërisë gjatë Diktaturës Komuniste si dhe duhen riparë kurrikulat e letërsisë dhe lëndëve me formim humanitar, që të pasqyrohet e vërteta pa shtrembërime e nostalgji komuniste. Për këtë jemi duke u përpjekur me ekspertë të MSA dhe botën akademike shkollore e universitare.
Këtë vit po pilotohet si projekt vetëm në Tiranë. Mendoni se në vitet në vijim do të shtrihet në të gjithë vendin?
Pikërisht. Pas këtij Projekti-pilot, mendojmë seriozisht për një shtrirje në gjithë vendin. Kjo kërkon një bashkëpunim më të gjerë me institucionet arsimore dhe ekspertët historisë, kryesisht me trajnimet e mësuesve të Historisë. Kjo do të na bënte edhe ne pjesë të reflektimit gjithë evropian për rishikimin e të kaluarës komuniste. Në mungesë të këtij misioni, siç e keni parë, kemi situatën katastrofike të vetëdijes qytetare shqiptare, e cila doli sheshit me rezultatet e sondazhit të OSBE, ku thuajse gjysma e shqiptarëve ka nostalgji për diktatorin Enver Hoxha dhe janë pro rikthimit të regjimit komunist