Poezia nuk është një profesion që mësohet me mësues

(  Per rubriken e Revistes Kuvendi “ A eshte Letersia Shqipe ne rrezik?” )

alickaBisedë me Inxhi Aliçka

Inxhi Aliçkaj, është autore libri, që praktikisht ka provuar të shkruaj poezinë dhe prozën. Kjo nuk mjafton për Inxhin, pasi, veç këtyre dy dhuntive, që nuk i ka primare, është njohëse e letërsisë, ndaj ne po i drejtohemi me disa pyetje për rubriken e Kuvendit: “ Letërsia shqipe në rrezik!”

 Pyetje: Si mendon Inxhi Aliçkaj për Letërsinë Shqipe, veçanërisht në periudhën postkomuniste?

Inxhi Alicka: Kënaqësi të komunikojmë me gjuhën e letërsisë për letërsinë shqipe. Besoj të gjithë atyre që e dashurojnë letërsinë, u dhemb shumë fakti që, në 26 vite, vijojmë të kemi tranzicion trishtues letrar dhe nuk kemi mundur të profilizojmë një letërsi të mirëfilltë. Në pozitat, më tepër të një dashamirëseje të artit të letërsisë, sesa të një shkrimtareje të profilizuar, nuk më lejohet ta “errësoj” shumë realitetin në këtë drejtim. Por nuk e mbaj dot atë të vërtetë që perceptoj. Absolutisht, ka pasur zhvillime dhe tentativa, por jo të mjaftueshme, ose mungesë terreni, për të spikatur apo bërë “epokë letrare”. E thënë shqip: “na merr malli” më tepër për të rilexuar korifenjtë tanë të letërsisë, sesa të tërhiqemi nga një titull a autor i ditëve të sotme. P.sh, në poezi, do të lexoja më me endje çfarëdo që vijon të krijojë i madhi Dritëro Agolli dhe të më mbetet në mendje, sesa të më imponohet ndër duar e në ndjesitë e mia, një libër me poezi nga ndonjë autor i ri. Gjithsesi, nuk do të doja të isha drastike. Njoh miq të mitë që tentojnë fuqishëm ta mbajnë gjallë teknikën dhe shpirtin e të shkruarit realisht letërsi. Madje, së fundi, falë panairit të Librit në Tiranë, më ra në dorë një botim i poetit dhe shkrimtarit të ri, Lisandri Kola, i titulluar “Sonete” dhe të them të drejtën jam surprizuar. Në këtë gënjeshtër letrare që po “shitet” ngado, përjetova një mrekulli të vargut, strukturës, teknikës së një soneti të vërtetë, në një gegërishte perfekte. Pas interesimit tim, mësova se nga ky autor kishte vepra të tjera shumë të mira. Por, të tillë poetë nuk arrijnë të mbizotërojnë terrenin letrar, pasi komerci që ka kapluar gjithë politikat institucionale të menaxhimit të aktiviteteve letrare dhe promovimit të talenteve (çmimeve të trumpetuara, orientimeve klienteliste, etj.), favorizojnë falsitetin letrar dhe lenë në hije ata që realisht krijojnë me shpirt e talent.

Pyetje: A është në rrezik Letërsia Shqipe, dhe pse?

Inxhi Aliçka: Absolutisht po. Pak a shumë e thashë edhe më lart. Letërsia Shqipe është në krizë të mirëfilltë, ashtu siç vijojmë të jemi ende si shoqëri. Po “rritet” një shoqëri e edukuar me shije “pa shije” për artin e mirëfilltë. E para, sepse nuk po shkruhet më shqip, por kemi një deformim total. Nëse nuk di ta shkruash fjalën shqipe, nuk ke se si të krijosh art me të dhe të tejçosh përjetim, botë, zhvillim. Teknologjia, tek ne, edhe në këtë drejtim, ka pasur ndikimin më të keq të mundshëm dhe vazhdon të keqpërdoret. I largoi njerëzit nga libri, rrjedhimisht nga krijimi i një boshti dijesh, ndjesish, fjalori, etj., që pasurojnë botën shpirtërore dhe krijojnë aftësi shprehëse. Lexojmë në rrjete sociale çudira të konsoliduara, që i servirin si art, si poezi a prozë, të shkruara më së keqi, me një shqipe të përdhosur… Gjithsesi, më vjen mirë që, sado që janë në minorancë, ka disa poetë e shkrimtarë të rinj që “luftojnë” me artin e tyre, pavarësisht se shpesh ai sfumohet nga imitimi apo lojëra fjalësh që nuk krijojnë dot një fabul që të të tërheqë, nga fillimi në fund, të të mbajë pezull, të të shtyjë leximin drejt kërshërisë. Së dyti, këto vite, referuar edhe zhvillimeve tranzitore të gjithë shoqërisë, politikës tonë, por edhe qasjes ndaj historisë dhe personazheve që kanë bërë historinë e këtij vendi, ka një fokusim te letërsia memoristike, historike (absolutisht një zhanër shumë i domosdoshëm). Në vitet e para, kjo lloj letërsie, pati interesin e vet, etjen për informacion të vërtetë, por kur ajo të vjen ende dhe sot, e përsëritur, e ripërsëritur, e transformuar, e trumpetuar në ekrane, etj., bëhet e lodhshme. Shto këtu faktin që nuk do ta quaja letërsi të mirëfilltë, por thjesht një publicistikë, që ka vlerën e saj të padiskutueshme. Por.., ju lutem…, mos ma servirni si letërsi shqipe… Është thjesht tentativë e rraskapitur për të qëndruar në fokus.

Pyetje: Pse, ende shitet më shumë letërsia e huaj në Shqipëri?

Inxhi Aliçka: Po e nis nga eventi i fundit letrar, Panairi i Librit, në Tiranë. M’u desh të hallakatesha 3 ditë nëpër panair, me gjithë ndihmën që kërkova nga miq të mitë, për të më rekomanduar dhe orientuar mbi tiitujt e autorët dhe, përfundimisht, përfundova në blerje të autorëve të huaj sërish, me ndonjë përjashtim të vogël si ai që përmenda më lart. Sinqerisht, kam kërkuar me kujdes në mënyrë që të kisha diçka shqip që t’ia vlente në bibliotekën time dhe nuk e gjeta. Tituj e autorë pa fund, por asgjë nuk të mbetej. Një libër i mirë godet, që në parathënie, në përmbledhje, në mënyrën e organizimit të fjalës dhe përmbjatjes, qoftë edhe në pak rreshta që lexon. Por, të mos harrojmë, që edhe në letërsinë e huaj që serviret në Shqipëri, ndodh edhe një lloj tjetër krize, ajo e përkthimit. Përkthime pafund, por ama përkthyesit e vërtetë të letërsisë numërohen me gishta… Një tjetër sfidë e madhe kjo.

Pyetje: A ka letërsi Diasapora?

Inxhi Aliçka: Realisht, ky është një diskutim shumë delikat. Është i pakontenstueshëm fakti se diaspora është gur i rëndë në ndërtesën e letërsisë së një kombi. Natyrisht që ka letërsi, por mund të themi me një intensitet dhe intensë tjetër poetike prej Diasporës së periudhës së mëparshme, – referohem këtu për atë Diasporë të periudhës së realizmit socialist-, e cila kishte përndritjen e vet më të madhe në historinë e letrave shqipe, edhe për vetë natyrën specifike të saj, le t’i quajmë më saktë autorë të ekzilit, me Ernest Koliqin, Martin Camajn, Arshi Pipën etj., përgjithësisht të përqendruar në vendet kryesore të letërsisë së përbotshme, si SHBA, Itali, Gjermani etj. Diaspora e sotme vijon të jetë aktive, por tashmë me një shtrirje që i referohet dhe synon ndërkombëtarizimin, jo natyrës kombëtare të Diasporës së mëparshme. Sot, në Diasporë kemi një qëllimësi të letërsisë në vete dhe për vete, jo më një Diasporë që i referohet problemeve të përgjithshme të formimit të identitetit kombëtar. Thelbësore është shqetësimi autorial për artin dhe jo shqetësimi mbi angazhimin e autorit përmes artit për kombin. Por, si çdo aspekt tjetër i letërsisë shqiptare, këto 25 vite, edhe letërsia e diasporës është duke përballuar sfidat e mediokritetit dhe fasadës, ku në shumë raste është kthyer si element dyluftimi për emër, mes komuniteteve dhe shoqatave të diasporës. Kjo është për të ardhur keq. Gjithsesi, shpresoj dhe besoj fort që kjo Diasporë do ta ruajë thelbin e misionit të saj, duke na afruar ne si popull, si letërsi, me simotrat e saj kudo në botë.

Pyetje: A keni një autor që mund ta veçoni nga Diaspora?

Inxhi Aliçka: Është e vështirë të veçoj një autor, pasi për fatin tonë të mirë, mund të themi që Diaspora e sotmë është shtrirë në çdo cep të globit dhe na bën të ndjehemi më të sigurtë si një letërsi që tashmë ka një traditë që vijon. Të marrë veçmas, mendoj se ende nuk i kemi emrat që përmendem më sipër, Koliqin, Camajn dhe Pipajn, por mund të përmend disa autorë që më kanë lënë gjurmë, (duke kërkuar falje, nëse nuk e kam njohjen e mjaftueshme, aq më pak, ngaqë nuk na bien në dorë botimet e të gjithëve) si Lindita Harapi, Gezim Basha, Elinda Marku, Ramiz Gjini, Nexhip Ejupi, Iliriana Sullkuqi, Ndrekë Gjini,  Gëzim Hajdari, Ardian Christian Kyçyku, Qerim Skënderaj, deri tek më e reja Qendresa Halili e ndonjë tjetër në zhanre të ndryshme, poezi, prozë, ese, studime etj. Tashmë, këta autorë kanë në esencën e krijimit artistik tematika universale, duke iu larguar qasjeve periferike vetëm të një kulture të vogël. Po kështu, veprat e tyre synojnë një lexues model ndërkombëtar, përmes gjuhës që zgjedhin të shkruajnë, duke mos u fokusuar vetëm në gjuhën shqipe, e cila në fakt, ka një numër të kufizuar lexuesish.

Pyetje: A mendoni se krijuesit duhet të lexojnë më shumë se sa shkruajnë?

Inxhi Aliçka: E përmenda dhe pak më lart dhe po e përforcoj: Ajo që më dhemb më shumë, si një njeri që e dashuroj letërsinë, është fakti që kemi pseudo shkrimtarë që shkruajnë pa lexuar. Është kthyer si në një betejë për tituj, si një garë, ku nëpër podium, i përplasin njëri-tjetrit numrat e pseudoveprave. Nëse do të kishin lexuar sikur pak më tepër, sesa kanë shkruar vet, do të stepeshin nga përgjegjësia e madhe për të shkruar. Letërsia nuk ka nevojë për ambicje dhe konkurrencë shifrash dhe emrash, letërsia do konkurrencë shpirti dhe profesionalizmi. Ose di të të shkruajë shpirti, ose nuk di. Nuk është një profesion që mësohet me mësues, është forcë që buron nga arti i përdorimit të fjalës dhe ndjesive, nga talenti. Këta lloj shkrimtarësh, i kap edhe deliri i madhështisë dhe harrojnë se nuk mund t’i fyhet inteligjenca një populli, njerëzve që realisht e kanë botën e brendshme të tyre “poezi”, pavarësisht se nuk munden, nuk kanë kushte, apo nuk dinë ta shprehin atë detyrimisht me artin e fjalës. Atëherë, njerëzit bëjnë zgjedhjen e tyre, të penalizojnë duke të mos lexuar. Por kjo është vdekja më e hidhur e letërsisë. Ndaj jemi në krizë dhe varfëri librash.

Pyetje:Cila duhet të ishte politika e botimeve, sipas jush? A duhet të kishte një lloj orientimi për lexuesit?

Inxhi Aliçka: Politika e botimeve sipas meje duhet të priret vetëm ndaj kriterit të vetëm: atij meritokratik. Duke qenë se botimet, flas për shtëpitë botuese shqiptare apo në trevat shqipfolëse, mbështeten thelbësisht në komerc dhe përfitim monetar, niveli i lexuesit nga viti në vit ka degraduar. Sepse ata po receptojnë një letërsi që ka në esencë të vet tregun. Natyrisht duhet të ketë një orientim të lexuesit, çka më i vyeshmi do të ishte një institucion a organ botues, i cili do ta drejtonte atë kah vlerat reale letrare. Edhe ato raste që kanë pasur një orientim, kanë qenë provizore, sepse revista në rastin konkret është mbyllur. Në këtë pikëpamje, duhej të kishte një projektprogram institucional që mbëshetet financimin e revistës/ave, librit/ave. Po ashtu, duhet të ketë një standardizim të procedurës së kritikës letrare, gjë që te ne kryhet në mënyrë sporadike.

 

Bisedoi: Pjetër Jaku

Dhjetor, 2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *