SINDROMI I STOKHOLMIT…

i-seciILIR SECI

 

Gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti, drejtuesit kryesore të shtetit dhe politikës shqiptare vizituan Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në muajin mars ishte për një vizitë Lulëzim Basha kryetari i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, ndërsa në muajin prill erdhi për vizitë Edi Rama kryeministër në detyrë i Shqipërisë.

Të dy drejtuesit kryesore të shtetit dhe politikës shqiptare, përveç takimeve dypalëshe diplomatike, mbajtën edhe takime me komunitetin shqiptar që jeton në SHBA. Kjo u pasqyrua gjerësisht në rrjete sociale si Facebook dhe Twitter, ku vërshuan foto të njerëzve që kishin pozuar me të dy liderët shqiptarë. Mes atyre që kishin postuar kësi fotosh me liderët kishte edhe nga miqtë e mi, ata që kam njohur personalisht apo ata virtualë.

Gjithmonë, kur shoh të postohen të tilla foto me intrigon ideja ti pyes, të paktën miqtë e mi: “Cila është arsyeja që dilni në foto me politikanët shqiptarë të Republikës së Shqipërisë!?” Kjo pyetje është më shumë për të gjithë miqtë e mi që postojnë foto me politikanë të Shqiperisë së Republikës “londineze” të 1913-s, “Përse!?”…

A munden miqtë e mi, të njohur në person apo virtualë, të ma gjejnë një arsye të vetme përse pozojnë me këta politikanë?! Dhe që të mos keqkuptohet – kjo pyetje shtrohet njësoj – si për ata që pozuan me Edi Ramën, ashtu dhe për ata që pozuan me Lulëzim Bashën… Rama qëlloi me qenë i mbrami politikan shqiptar që vuri një maskë buzëqeshje në fytyrë dhe pozoi me bashkëkombasit në Amerikë. Pyetja është për secilin rast, për pozimet me cilindo politikan shqiptar që ka marrë avionin duke përshkuar mbi 6 mijë kilometra për me  ardhë në SHBA.

I mbrami ishte Edi Rama në prill 2016, para tij ishte Lulëzim Basha në mars. Para Lulëzim Bashës ka qenë Sali Berisha. Para Sali Berishës, Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko e me radhë…Përpara gjithë këtyre ka ardhur Ramiz Alia në vitin 1990, i cili edhe ishte i pari drejtues i Republikës së Shqipërisë që vizitoi ShBA-të, 43 vjet pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, menjëherë mbas Luftës së Dytë Botërore.

Pyetjen: “Përse dalin në foto me politikanë?” e shtroj sepse personalisht asnjëherë nuk e kam gjetur qoftë dhe një arsye të vetme përse shqiptarët që jetojnë në ShBA apo gjetiu ne emigrim, duhet t’i presin dhe t’i takojnë drejtuesit dhe politikanët e Shqipërisë së 1913-s!? Dhe jo vetëm t’i presin individualisht, por për me tepër edhe t’u rezervojnë pritje me darka e ceremonira për hir të tyre!?

Politikanët e shtetit shqiptar munden me ardhë për vizita pune – të ftuar nga Departmenti Amerikan për marrëdhënie me jashtë apo nga OKB-ja – krejt në rregull, por me diasporën nuk e kuptoj për çfarë takohen!? Po rendis disa arsye që më bëjnë të shtroj pyetjen e mësipërme se përse takohen me diasporën!?

Ka 25 vjet që thuhet se është vendosur demokracia në Shqipëri, por ende sot e kësaj dite diaspora shqiptare nuk mundet të thotë fjalën e vet përmes votës kur mbahen zgjedhje në atdhe. Shqiptarët që jetojnë jashtë Atdheut nuk mund të hedhin votën në vendet ku jetojnë, pa pasur nevojë të marrin avionë e të shkojnë të votojnë në Shqipëri. Pse ua mohojnë këtë të drejtë!? Nga ana e shtetit Amerikan nuk ka asnjë pengesë – ShBA e lejon dyshtetësinë – dhe shqiptarët me banim në Amerikë lirisht mund të votojnë. Përherë kur ka zgjedhje në vendet e Evropës Perëndimore, asaj qendrore apo edhe në Lindjen e largët, shtetasit amerikane me dyshtetësi nga ato vende, votojnë sepse vendet e origjinës ua krijojne atë mundësi. Dhe janë shumë vende që e mundësojnë këtë gjë – jo vetëm demokraci të konsoliduara – por edhe shtete të së ashtuquajturës “Botë e Tretë”. Kam disa miq dhe kolegë pune nga Peruja apo Bolivia, të cilët votojnë në qytetin e Nju Jorkut sa herë ka zgjedhje në vendet e tyre të origjinës. Vendi nga kanë ardhë ua jep mundësinë të thonë fjalën dhe ua llogaritë votën që hidhet në qendra votimi që ngrihen në Brooklyn, Staten Island, Bronx apo Manhattan. Kurse shteti ynë shqiptar nuk e bën. Ende nuk e ka bërë deri me sot! Liderët Politikë të Shqipërisë kanë 25 vjet që vijnë në Amerikë, veshur me kostume firmato e buzëqeshje fallso, por asnjëherë deri më sot nuk kanë sqaruar se përse nuk ua mundësojnë shqiptarëve të mërgatës votimin në vendet ku jetojnë si në ShBA, Kanada, BE apo kudo tjetër ku është e mundur të realizohet kjo gjë?! Shqipëria sot ka në emigrim gati gjysmën e popullsisë, që nga viti 1990, është llogaritur që mbi 1 milion e gjysmë shqiptarë janë larguar nga Atdheu! Dhe një pjesë e madhe e tyre sot jetojnë në ShBA. Politikanët shqiptarë jo vetëm që nuk ndihen keq për faktin se është larguar thuajse gjysma e vendit, por përkundrazi i ndjekin mbrapa dhe mundohen t’i torollepsin edhe atje ku kanë zgjedhur të jetojnë?!

Në çdo muaj shtator mbahen punimet e OKB-së dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar vijnë të marrin pjesë në ato seanca të përvitshme. Me këtë rast menjëherë organizohen pritje për këta drejtues nga disa shqiptarë që jetojnë në ShBA. Pritje me çmime të kripura – minimumi nga 200 dollarë për person – siç më kanë thënë – mbasi personalisht asnjë herë nuk kam shkuar në pritje të tilla dhe as e kam ndërmend të shkoj. Dhe sallat mbushen plot!? Kjo ngjet vit për vit, çdo shtator edhe pse qeveritë shqiptare këto 25 vjet në unison mbajnë të njëjtin qëndrim shpërfillës ndaj diasporës sonë!? Asnjëherë nuk u lodhën për ta konsideruar këtë diasporë. E megjithatë sallat e pritjeve që shtrohen për politikanët shqiptarë mbushen plot!? Çudia e çudive!? Ec e mos fol për “Sindromin e Stokholmit” pastaj! Ec e mos fol për viktimën që ndjek mbrapa persekutorin deri edhe në kushtet e Lirisë!?…

-”Përse mendoni kështu!?” – mund të pyesë me të drejtë ndokush?!

Ja disa argumente:

Në vitin 1990, vjen për një vizitë në ShBA, Ramiz Alia, i fundmi president i diktaturës komuniste, por përkundër kësaj atij i rezervohet një pritje madhështore nga diaspora!? Të dalin dhe ta presin me limuzina trashëgimtarin më besnik të Enver Hoxhës ata që u arratisën nga diktatura e drejtuar nga ai sistem që ndërtoi Ramiz Alia!? Në vend që njeriu i zgjedhur i diktatorit të pritej me protesta dhe me thirrje ku të kërkohej dënimi i kriminelëve të kuq, ai u prit me vargan makinash?!

Në vitin 1991, vinte në SHBA Sali Berisha drejtues i të parës parti pluraliste – edhe këtij i bëhet pritje madhështore – nga komuniteti shqiptar në ShBA. Ishte koha e shpresës mbarëkombëtare se Shqipëria më në fund kishte nisur shndërrimet demokratike. Deri në njëfarë mase nuk mund të fajësohet ky komunitet për pritjen që ja rezervuan Sali Berishës në vitin 1991. Ashtu si shqiptarët në Shqipëri edhe bashkatdhetarët në Amerikë ushqyen shpresa për ditë më të mira për Mëmëdheun. Por me politikën që ndoqi mbas ardhjes në pushtet me 22 Mars, Berisha zhduku çdo iluzion – mosndëshkimi i kriminelëve të kuq, moskthimi i pronës pronarëve dhe aprovimi i ligjit 7501, për tokën – ishin akte të qarta që i dhanë fund çdo iluzioni lidhur me figurën e tij… Çuditërisht shqiptarët në Amerikë prapë e pritën dhe e respektuan edhe pas atyre zhgënjimeve!? Edhe pse ai ligjëroi në demokraci vjedhjet e kryera në kohën e diktaturës siç ishte rasti i dyqaneve të pronarëve të ligjshëm që u ishin shtetëzuar forcërisht nga diktatura. Ato dyqane, kafene apo restorante ju dhanë shitësve ose shitëseve te kohës së Enverit, pikërisht atyre që ndryshimet e viteve ’90 i gjetën duke shitur aty!? Dhe të mendosh se shumica e mërgatës shqiptare në Amerikë vijnë pikërisht nga familje që u shpronësuan dhe u përndoqën nga regjimi komunist!?

Mbas ngjarje të vitit 1997 Amerikë erdhi edhe Fatos Nano. Si kryetar i Partisë së Punës me emër të ndërruar në PS, Nano  asnjëherë nuk u distancua publikisht nga e kaluara e PPSH-së, asnjëherë nuk kërkoi falje publike për krimet e kryera nga diktatura 47 vjeçare që vendosi partia e tij… E megjithatë edhe Fatos Nano u prit nga komuniteti dhe asnjëherë nuk u përball me pasardhësit e viktimave të komunizmit… Për hir të së vërtetës duhet thënë se Nano nuk e vriste shumë mendjen për diasporën shqiptare, kur vinte në SHBA, ngaherë e mbante vrapin në kazinotë e Atlantic City… Edhe pse Nano kumarxhi ishte më i pafat se Nano politikan, prap me nji ngulmim maniaku nuk u ndahej kazinove… aq ngulmues saqë e njihnin me emër punonjësit e kazinove të preferuara prej tij…

Në Amerikë mbas viteve ’90-të nisën të vijnë edhe shumë nga ajo kategoria që njihen si xhaketëkthyerit, ish-funksionarë të PPSH-së që një mbrëmje vajtën të flenë komunistë dhe në mëngjes u gdhinë nacionalistë! Nacionalistë profesioniste që mbas ndryshimeve politike u lëshuan të hapin nga një kioskë me llamarina etnike, kioska që do u sillnin plot përfitime të majme në periudhën e tranzicionit… Mjaft ilustrativ është shembulli i Koço Danajt, ilustrim klasik i thënies se “Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjëve!”

Koço Danajn tregëtia me shumicë e ideve nacionaliste e solli deri në SHBA…Pikërisht Koço Danajn ish-funksionarin e Sigurimit të Shtetit pikërisht Sigurimit që kishte përndjekur për dekada me rradhë familjet dhe të afërmit e të arratisurve në SHBA… Për më tepër Danaj kishte qenë edhe sekretar i Komitetit te Partie në rrethin kufitar të Sarandës pikërisht në kohën kur vriteshin në kufi me Greqinë, djemtë dhe vajzat e nënave që donin të arratiseshin! Sekretar i PPSH-së, asaj Partie që jepte urdhër për të ekspozuar rrugëve trupat e pajetë të të vrarëve në kufi… Për fatin e Koço Danajt e shumë koçodanajve tjerë shqiptarët janë një popull me kujtesë njëqelizorësh… Nuk kanë mbamendje…

E pra, ai Koço Danaj vinte në Amerikë, ftuar nga diaspora të cilës i shiste llamarina etnike, pritej nga fëmijet e ish-viktimave të PPSH-së dhe armës më të dashur të asaj Partie, Sigurimit… Të flasim sa të duam për Sindromin e Stokholmit…

Po kur vinte në New York, po ashtu i ftuar nga diaspora, Nasho Jorgaqi, autori i romanit “Mërgata e Qyqeve”, një libër i helmët, jo vetëm që është i shkruar mbi parimet e Sigurmit të Shtetit por edhe është shkruar me ndihmesën e kuadrove të Sigurimit të Shtetit, siç e ka pohuar vete autori… Libri ështè një mal shpifjesh dhe fallsifikimesh për të arratisurit nga diktatura. Për ata që kishin fatin të arratiseshin dhe shpëtonin pa u pushkatuar, burgosur apo vrarë në kufi Sigurimi ndërsente Nasho Jorgaqin që shkruante volume shpifjesh… Për të tilla  vepra në çdo vend normal Nasho Jorgaqi do ishte hedhur në gjyq… Në të kundërt, mbas vitit 1992, vinte i ftuar ai – persekutori – ne SHBA, Nasho Jorgaqi vetë, autori i “Mërgatës së Qyqeve”!? Nasho Jorgaqi – shkrimtari shpifës i cili kur u pyet në New York nëse  ishte penduar që kishte shkruar një libër të tillë shpifës, ua ktheu : “Unë po ju them: nuk jam penduar”…

“Çudi për t’u çuditur!?” – shkruante Shekspiri në një tragjedi të vetën…

Një rast më ka takuar të njoh një malësor që ishte arratisur nga Shqipëria në vitet ’50, nën breshërinë e plumbave të kufitarëve të Enverit. Edhe kur rrëfente peripecitë e jetës së vet, shihej që e përjetonte tmerrin kur shqiptonte atë përvoje rrëqethëse të arratisjes së tij me grua e fëmijë. Më kallëzoi për vuajtjet që kishte hequr në vitet në vitet e para në vend të huaj. Pastaj Zoti e kishte parë, kishte punuar fort dhe ishte bërë i pasur. “Të afërmit e mi që mbetën në Shqipëri kanë vuajtur shumë për shkakun tim!” – tha duke lëshuar një psherëtimë: “Vëllezërit mi burgosën kurse familjet e tyre i degdisën në internim, ku mbetën deri në vitin 1991… “Mbas vitit 1991, kur u hap Shqipëria i kam pru të gjithë në Amerike!” – me tha me njëfarë toni ku dallohej shfajësimi. E dëgjova plot simpati gjithë kohës, deri në një moment kur jo pa mburrje me tha se kishte pritur shkrimtarin Ismail Kadare. – “Zotni po me habit!” – i thashë, – “Si e paskeni pritur Ismail Kadarenë!” Më pa i shtangur. Një shtangie e asaj natyrës së njeriut që habitet pse bashkëbiseduesi nuk u impresionua. – “Ju sapo përmendet që familja juaj kanë vuajtur burgjeve e internimeve në vitet e diktaturës e nga ana tjetër keni mikpritur Nënkryetarin e Frontit Demokratik të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, atij Fronti që është marrë me Internim-dëbimet e familjeve të të arratisurve!? Frontit që ka pasë kryetare Nexhmije Hoxhën, gruan e diktatorit!? Ju keni mikpritur zëvëndësin e saj!? Keni mikpritur ish-deputetin e Kuvendit Popullor diktatorial që ka aprovuar me ligj pushkatimet e familjeve reaksionare!? Ti qofsh!” – i thashë dhe vazhdova – “Por kësaj i bie sikur nesër një Hebre nga familjet që ka përjetuar Aushvicin të mikpresë zëvendësin e Adolf Eichmannin!?” U pre. Duke pëshpëritur nëpër dhëmbë përmendi një arsye pse duhej të largohej dhe u ngrit e iku. Në fakt ja dita për nder që iku. Bëri shumë mirë!

***

…Nuk besoj se ka ndjesi me dëshpëruese se ndjesia që përjeton njeriu kur sheh bashkëkombësit e vet – emigrantë – që postojnë në rrjete sociale foto me politikanët e Mëmëdhembjes Shqipëri. Emigrantë që janë detyruar të marrin udhët e botës pikërisht për shkak të atyre politikanëve?! Pikërisht për shkak të politikës që prej 72 vjetësh sundon në vendlindje. Një milion e gjysmë shqiptarë kanë ikur nga atdheu në gjithfarë mënyrash, duke u arratisur nën breshërinë e plumbave, duke hyrë në ambasada, duke rrëmbyer anijet, me skafe, me gomone, me pasaporta false, disa me fat ikën duke blerë viza. Por të gjithë njësoj ikën për të njëjtën arsye, sepse nuk mund të jetonin më atje në kushtet ku u degdisi Atdheu nga politika! Varfëri, papunësi, mungesë e së Ardhmes. E megjithatë prapë pozojnë në foto me po ata politikanë!? Ata shqiptarë që siç kanë treguar vetë, kane provuar çdo rrugë për të ikur në ShBA me muaj të tërë nëpër Karaibe e Amerikë Latine, deri kanë mbërritur në Meksikë, histori me vete secili rast! Nga Meksika pastaj për të kaluar në ShBA u duhej të ecnin ditë me radhë nëpër shkretëtirë përcjellë nga çakajtë,(Kojotët) e famshëm. Vetëm që të ikin nga Atdheu për të arritur në cak me çdo kusht! Dhe ja mbas disa vitesh, kur rregullohen disi në SHBA harrojnë ç’patën hequr dhe pozojnë në foto pikërisht me shkaktarët e eksodit shumëvjeçar… Doni më për Sindromin e Stokholmit!? Përse u shkojnë pas politikanëve edhe këtu në ShBA?! Është interesante kjo dukuri tek në sepse vetëm ne Shqiptarët e manifestojmë këtë Sindrom masivisht. Kam pyetur emigrantë nga Meksika, Amerika Latine, Karaibet, vendet Aziatike, etj. dhe të gjithë më kanë thënë se drejtuesit e shteteve të tyre nuk guxojnë të kërkojnë takime me emigrantët se ua tregojnë vendin! Dhe ashtu duhet ishte në fakt: vendi u duhet treguar! Emigrantët që ikën dhe nisën jetën në Tokën e Lirë, të paktën një nder mund t’ia bëjnë Atdheut nga erdhën: të mos legjitimojnë politikën e korruptuar në Atdhe! Jo vetëm të mos e legjitimojnë por ta diskreditojnë establishmentin politik që ka uzurpuar Shqipërinë që nga 8 nëntori 1941! Sepse kështu, duke i pritur e përcjellë në Amerikë, diaspora u jep kredibilitet politik pikërisht shkaktarëve të fatkeqësisë shqiptare të këtyre 72 viteve!

Nëse ju vjen keq për Atdheun mos i prisni këta politikanë, denoncojini, i prisni me prostesta, mos ua lini vendin!

Delegjitimojini të gjithë sepse të gjithë janë shkaktarë të fatkeqësisë shqiptare.

Të paktën ju që jetoni në një vend të lirë çlirohuni prej tyre!

 

 

One thought on “SINDROMI I STOKHOLMIT…

  1. Fotografitë jane dokuente historie. Edhe ju keni dale ne foto
    Me foton tuaj njihemi nga larg me ju dhe me mqite tane kudo
    ne bote. A ka njeri qe perbuz foton plotesisht
    : Ndoshta ndonje fanatik nuk del ne foto.
    Marubi me anen e fotove beri te njohur shqiptaret
    dhe Shqiperine e panjohur aso kohe.
    Zakonisht nje njeri del ne foto me njerzit afert duke
    filluar nga familja..
    Si shkrimin juaj i bukur shqip kemi lexuar nga shume
    vete pas vitit 1990, Shume gjera kane dryshuar. e do
    te ndryshojne si kudo ne bote. Nuk jemi si ne fund
    te viti 1944.
    vete, njezet vjet me radhe dhe jeta ka rrjedhur si gjithmone
    perpara dhe jo prapa. sic ndodh sot kudo ne bote.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *