Hapi krahët dhe më merr me veti
E lehtë do të jem
Shpesh do ta dëgjosh pëshpëritjen
Ku kërkon shpirti të ndalet
Më ndihmo të çmallem
Kurbeti më bëri qiri
Para se bëhemi qiell
Ndalu te avenue e gjashtë
Ku pikoj loti i parë i frikës
Njeriu pa gjuhë pa emër
Pa titull pa numër
Eci i zbathur
Më merr do të jem e qetë
Nga lartësia ta shoh
Bjeshkën e vetmuar
Burimin sekret ta tregoj
Ku uji është më i ftohtë se errësira
Por të freskon si kënga e zanave
Më merr o pëllumb i bardhë
Zemra më është çart
Varrin e babait ende se kam parë
Dua të puthi duart e nënës plakë
Por nuk dua të më shoh
Si ka mbetur fuqi për të lotuar
Hapi krahët
Dua shpirtin tim ta shtri
Në bardhësinë tënde
Të fluturojmë së bashku në çerdhen time
Më merr o pëllumb
I lehtë është shpirti im.
Ë
Jam trohë e bukës në sofrën e shtruar
Flas shqip
Lutem shqip
Mendoj shqip
Veproj shqip
Këndoj shqip
Jetojë shqip
Humbem shqip
Ëndërroj shqip
Dashuroj shqip
E gjitha për Shqipëri
Në gurin tim vetëm një shkronjë e kërkoj,
Ë
Më pyete kush jam
Çdo ditë nga një dritë e kam të falur
Jo për mua
Por për atë ku zëri thërret
Po të them kjo dritare s’ka dry
Është burim drite
Është udhëdritë në dorën time
Çdo ditë një mrekulli e kujtoj
Jo për mua
Por për atë që qëndron në maj të malit
Kur frikësohet nga çfarë sheh
Ia përcjelli një gacë të guximit
Çdo ditë jap nga vetja ime mija ngjyra
Përmes dhimbjes dhe buzëqeshjes
Të kuptosh atë që e ke në pragun tënd
Merre jetoje ngadalë ta ndjesh ndjenjën
Më pyete kush jam?!
Jam ngjyrë e qiellit që derdhet në tokë
Nuk të takoj ty as vetes.
E paprekur
Me sytë e mbyllur
I lëshohem kësaj nate
Të më shkrijë në të nesërmen
Me aromën e përgjumshme
Dua t’i zgjojë puthjet e hënës.
Ngadalë depërtoj
Në brendësi të kohës
Dua t’i zhys duart
Në baltën e skulpturës tënde
Ta gjej emrin tim ku e gdhende
E paprekur isha Para se të vije ti.
Puthja sekret
Të preka
Rreze e mëngjesit depërtoj në mua
Ngadalë t’i zgjoj Buzët e tua nga gjumi Shpërndahen nëpër hijen e trupit tënd
Do të mbetem aty përgjithmonë
Zjarri me ujin u bashkuan
Puthjen time sekret ta dorëzova.
Kështu s’kam dashuruar
Nuk e preka as s’e putha
Por e pashë
U bëra njeri me dy shpirtra;
Një e ringjallë kur e ndjej ngrohtësinë e saj
Tjetri jeton derisa e kërkoj nëpër lotët e nxehtë
Kështu s’kam dashuruar kurrë
Nuk e preka as s’e putha
Por në sytë e mi
E pash dashurinë e saj
Të mban në pëllëmbë të dorës.
Me fjalën tënde
Në shtatë pjesë gurin e zemrës e copëtove
Loti i ngrirë në puthje u shndërrua
Buzëqeshjen e humbur e vodha
Nga jeta e jetuar
Me fjalën tënde e shtrova shtratin e dashurisë
Bëhu erë e malit të luash me flokun tim
T’a di që nuk jam në ëndërr.
Si gjithmone e sakte dhe poetike, plot ide te nje fantazie me kembe ne toke. nuk eshte kollaj “te grisesh terrin”…
Urime per poezite e bukura!