TIRANA, NGA KULLA E SAHATIT

DEDAJ NDUE,1NDUE DEDAJ

Qytetet, ashtu si shtëpitë e vjetra, kanë orën e tyre, që nuk është gjarpri i bestytnisë. Njerëzit ishin ngjitur në “15 katëshin” (Hotel Tirana International), por në Kullën e Sahatit kishin qendruar vetëm zogjtë.Pas rikonstruksionit që iu bë para pak javësh, i pari nëpër 90 shkallët e saj u ngjit kryebashkiaku Veliaj, si për të na thënë se tash do ta kundronim kryeqytetin dhe nga “Ejfeli” ynë, ndërtuar rreth dy shekuj më parë. Tirana ka kodet e veta, si çdo qytet tjetër europian dhe ku më mirë se te “ora” e saj mund t’i zbërthesh ato, ritualin e takimeve që liheshin te kali i Skënderbeut, ashtu si takimet e dashurisë një kilometër më tej, te Liqeni. Kushdo që shkruan për kryeqytetin nuk mund të mos spikasë “Qytetin Studenti” dhe Universitetin e Tiranës, që kanë bërë “tiranas” pjesën më vitale të shqiptarëve, nga vitet ’50 e më sot, teksa para Luftës kishte patur një elitë intelektuale me formim e vizion perëndimor. Nga ballkoni i “Sahatit” sodit sheshin qendror, antenat dhe çisternat e ujit mbi pallate, gjer kodrat gri matanë. Të kujtohet mjegulltasi hedhja në erë e godinës së Bashkisë në vitet ’70 dhe aspak si nëpër mjegull tërheqja zvarrë e shtatores së udhëheqësit komunist. Kulla e Sahatit i përngjet një personazhi kontradiktor romani historik, me “ekstravagancën” e Mbretit të vetëshpallur të një populli të varfër, pamjet e zbarkimit fashist të prillit 1939 me shqiptarët që e urrenin pushtuesin, por dhe pak që galdonin duke tundur qeleshet, pompozitetin mediokër të shefave të diktaturës me dorën lart në tribuna si të ngrirë, gjer siluetat e atij regjimi që befas u shndërruan në antikomuniste. Është pamja e polarizimit politik 25 – vjeçar, sa sheshi në këmbë të Kullës i ngjan një “salamandre” të pushteteve, që ndërron ngjyrë dhe formë sa herë ikin dhe vijnë të majtit apo të djathtit në krye të bashkisë së Tiranës.

Sheshi “Skënderbej” është copa e vendit që e kanë shkelur të gjithë, se të gjitha rrugët të çojnë aty. Takimi i parë në vitet 70-80 ishte me fotografët që dilnin nga prapa pemëve dhe të ftonin për një foto të çastit te shatrivani modest, apo pranë memorialit të Heroit Kombëtar, ku rëndom përmendej kali dhe jo i zoti. Kulla e Sahatit mbante shënim kronikën kryeqytetase, shtëpitë me qerpiç, shpalljen e Tiranës kryeqytet në 1920-n, ndërtimin e godinave qeveritare nga italianët, kohën kur merrnin zhvillim Yzberishti, Lapraka, Tirana e Re, Sauku, gjer “pikturimin” e pallateve nga kryebashkiaku piktor i viteve 2000 etj. Sheshi është arena e historisë politike të kryeqytetit e në njëfarë mënyre e gjithë Shqipërisë. Hyrja solemne e qeverisë së Enver Hoxhës në nëntor 1944. Paradat e kuqe të komunizmit. Revolta masive e 90-s dhe shpërthimi i ambasadave. Demonstratat e para antikomuniste. Puthja e makinës së Xhejms Bejkerit. Mitingje entuziaste dhe antimitingje të frikshme, shpesh të verbra si një eklips, përherë me gjakun e ngrirë, nga do të mbanin turmat? 97-a, 98-a, 21 Janari. Për disa kohë mitingjet e dhunshme të politikës qenë kthyer në “orën” e mbetur të Tiranës. Po ke kapur sheshin “Skënderbej”, e ke bërë Shqipërinë zap, si në kohën e tribuve. Ai copë vend ishte pasqyra ku politika numëronte mbështetësit e saj të qenë e të paqenë. Sheshi që ka pritur Hrushovin, Xhorxh Bushin e dytë, dy Papë në njëzet vjet e që vazhdon të jetë “zemreku” i kryeqytetit.

Një qytet dëshmohet dhe përmes emërtimeve të veta, veçmas të rrugëve, sa zor se do të humbasë ndonjëherë kuptimi i Rrugës së Dibrës (edhe kur të ketë përfunduar Rruga e Arbërit), Rrugës së Elbasanit, Rrugës së Kavajës, Rrugës së Durrësit etj., po aq dhe prej institucioneve qendrore, si Teatri Kombëtar, Opera, Akademia e Shkencave, që gjithsesi nuk e kanë më shkëlqimin e dikurshëm, apo Lidhja e Shkrimtarëve, Estrada e Shtetit që nuk janë më, ndërkohë që qyteti ka fituar një përmasë bashkëkohore me biznesin, mediat, dixhitalizimin, qendrat sociale, guidat turistike etj. Përherë e më pak përmenden “Kafe Flora”, “Selvia”, “Varri i Bamit”, “Rrapi i Treshit”, por dhe “Stacioni i Trenit”, “Parku Rinia”; i vështron ato duke u rrotulluar andej nga sillen akrepat e orës së kryeqytetit dhe kupton se e vjetra e Tironës po gjymtohet e shuhet, me qiellgërvishtëset “njujorkeze” në forma të çuditshme, sa pa frikë mund ta quash “eksperimental” kryeqytetin e vendit tënd, simbolet e reja të të cilit janë betoni, pluhuri, zhurmat dhe qentë endacakë. Një qytet që komunizmi e çoi në 250 mijë banorë, demokracia e katërfishoi në një milion banorë, po ku e vetmja “metro” është Lana. Tirana e ëndrrës, ku të gjithë e kanë apo e synojnë nga një shtëpi, po ku nuk janë dhe një milion pemë, bile as nga një pëllëmbë gjelbërim për njeri. Një qytet që të gjithë e “blejnë” shtrenjtë dhe askush nuk e pëlqen për të jetuar. Tani përherë e më shumë përmendën adresat e reja Xhamlliku, Linza, Kodra e Priftit, Surreli, Farka, Kashari, pasi qyteti prej kohësh ka dalë nga “unaza e vogël” drejt unazës së madhe, që një ditë do të mbërrijë deri në Durrës. Ndërsa Kamza përbri është bërë një Tiranë e dytë dhe kështu duhet quajtur me vendim qeverie, duke shmangur toponimet me tingëllimë negative si “Bathorja”, qoftë dhe për faktin aty nuk ka më bathë, por qytetarë që kanë sakrifikuar për ta urbanizuar atë kodër të thatë.

Kalaja e Tiranës dhe Lumi i Tiranës janë ndër të paktat objekte historike, natyrore që mbajnë emrin e saj, por nëse kalaja është bërë e vizitueshme, nuk e ka hequr erën e rëndë të qofteve që piqen mbi pedonale, duke të bërë të mendosh se kryeqyteti nuk ka dalë plotësisht nga shpërfaqja orientale. Kurse lumi i ndotur me emër të bujshëm është në kërkim të dlirësisë e pastërtisë, siç rrjedh i kulluar nga Gryka e Tujanit. Tirana e Toptanëve, Tafajve, Tabakëve, Pezëve, Petrelëve etj. pak nga pak u bë dhe e suitës mbretërore, ardhur kryesisht nga Mati, për t’ua lënë vendin Hoxhëve, Kapove, Shehëve të pas Luftës. Kurba e pushtetit e orintonte Tiranën herë nga Jugu e herë nga Veriu. Duam apo nuk duam, Tirana ishte përherë e triumfatorëve e asnjëherë e të gjitha palëve. Dhe sot Bashkia është herë e “jona”, herë e “atyre” dhe si e tillë ende jo e qytetarëve. As në Ditën e Verës udhëheqësit nuk këmbejnë nga një lule apo ballokume me njëri-tjetrin. Edhe në kishë, xhami e teqe politikanët venë të ndarë dhe çudia është se krerët e komuniteteve fetare i presin e përcjellin veç e veç, pa guxuar t’iu thonë: “Po hajdeni bashkë, ju bekoftë perëndia”. Tirana gjuhëlidhur e komunizmit, i ka foltoret e politikës përherë të ndezura, ulet një zëdhënëse e hip një tjetër, është një “valle” që politika e kërcen si poker. Shqipëria matanë maleve dhe fushave mban veshët ngrehur e sytë hapur se çfarë po thonë baballarët e kombit.

Tirana kundrohet më së miri dhe nga “Olimpi” i saj, Dajti, kryekurora e gjelbër e kryeqytetit, me pisha, freski, burime uji, borë dhe të vetmin teleferik të ndërtuar nga mjeshtrit e kësaj zeje në Europë, austriakët. Të duket se asnjëherë këtij mali orakull nuk i është ditur rëndësia, jo se nuk është shpallur Park Kombëtar, jo se atje nuk janë duke u ngjitur përpjetë vilat dhe hotelet, nga kodra në kodër, sa nesër do të jetë ai parajsa e të pasurve, por se asnjëherë nuk ka patur një rrugë më të mirë se e gurores dhe sidomos përsa i përket identitetit kryeqytetas, pasi pak metra përtej sheshit “Skënderbej” e kemi ndërruar tavernën “Dajti” me Tajvanin “aziatik”, që mund të jetë dhe kulmi kozmopolit i qytetit. Pa Dajtin mbi krye thuaj sa të dush jam “tirons i vjetër” apo i ri. Tirana e vështruar nga Dajti në mesnatë, pas një dasme mondane, i shëmbëllen një prushi që shkëlqen më fort në disa pjesë të saj, si lagjia e dikurshme hermetike e udhëheqjes komuniste, ish “Blloku”, kthyer në një Bllok të ri të gjithkujt dhe i të gjithave. Tashmë njerëzit e kanë harruar – në mos vetëm ambasada kineze jo – se në majën e Dajtit pati rënë tekniku kinez i antenave televizive Çan Pa Y, i cili nuk mund të kishte statusin e heroit të punës socialiste.

Kulla e Sahatit është monument i trashëgimisë kulturore i kategorisë së parë, por Tirana ka dhe plot memoriale të munguar, si bustin e priftit të shquar kosovar Dom Shtjefën Kurti, ish-famullitar i katedrales së kryeqytetit për 9 vite, njëri nga 40 martirët e kishës katolike. Gurëzi i Milotit ia ka bërë me kohë bustin, por ai ishte po aq misionar i Tiranës, apo kryet e vendit e ruajmë për bustet “tanë”, domethënë të politikanëve që prapa (nuk) u vete historia? Kryeqytetin, nga Kulla e Sahatit, e shohim jo vetëm si pyllnajë pallatesh, por si metropoli që di ti vërë në rendin e duhur çeshtjet urbane, sociale, kulturore, si dhe nderet e historisë, që nuk e ka tepruar me dhurimin e “Çelësit të Tiranës” dhe dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, që në bashkitë e tjera nuk ka mbetur ish-funksionar i regjimit të djeshëm pa u dekoruar si i tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *