KUR DINJITETI NËPËRKËMBËT NË EMËR TË LIGJIT

NDUE DEDAJ

Dedaj-Ndue-300x226

Është e pamundur të hedhësh sytë nga titrat e televizioneve informative dhe të mos lexosh dhjetëra herë në ditë se në iks rreth, iks person u ndalua për iks shkelje të ligjit, informacion që lajmërohet pambarimisht nga mëngjesi në mbrëmje. Veçanërisht ata që e njohin të ndaluarin merren imtësisht me të, ca nga meraku, ca nga kurreshtja, po dhe të atillë që përfoljen e kanë në maje të gjuhës. Çfarë… Si… Pse?…. Falë teknologjisë së zhvilluar “faqja e zezë” e tij ka merr dhenë. Krijohet pështjellim te njerëzit e afërt, sidomos kur ata janë në emigracion, të cilët i hipin avionit për t’iu gjendur pranë njeriut të tyre. Por shpesh ndalimi i bujshëm qëllon një flakë kashte! Brenda njëzet e katër orëve gjykata e ka lënë të lirë personin që vetëm një ditë më parë e ka parë emrin e tij qindra herë nëpër titra dhe dëgjuar po aq nga dhënësit e lajmeve televizive. Mirëpo publiku i gjerë ka marrë vesh vetëm arrestimin, por jo dhe lirimin. Kaq duhet nganjëherë për ta njollosur dikë, për ta “lënë” në burg dhe kur ai nuk ka shkelur atje, por vetëm në paradhomën e tij. Hajde e merre vesh këtë demokraci të publikes e njëherësh të dinjitet të shkallmuar të individit. Në ka një gjë të shenjtë për njeriun, ai është dinjiteti, por dhe pse është i tillë, qëllon që merret kaq lehtë nëpër këmbë, për më tepër në emër të ligjit. Këtu problemi është i dyfishtë, ligjor dhe mediatik. “Nuk është faji i mediave, se mos ishin ato që e ndaluan iksin apo ypsilonin, mediat atë punë kanë, të japin lajmin”, thuhet. Dakord. Po a nuk është po aq lajm lënia i lirë e një njeriu të akuzuar vetëm një ditë më parë? A nuk duhet ta thonë mediat dhe faktin se personi që u ndalua në flagrancë u la i lirë nga gjykata, pasi nuk kishte prova në adresë të tij? Vetëm kështu media është në rregull me publikun moralisht dhe profesionalisht. Ndërkohë që për një media serioze, investigative, më shumë se një ndalim rutinë nga policia është lajm ajo se si ndodh në këtë vend që një njeri ndalohet kaq lehtësisht, kaq me nxitim, pa patur prova të mjaftueshme? Ky është problemi dhe jo thjeshtë lajmi se ky apo ai qytetar u ndalua, shoqërua etj. Një oficer policie i ndaluar disa muaj me parë për një kinse shkelje ligjore në punë u la i lirë të nesërmen, ama pasi emri i tij “gjëmoi” gjithandej si të ishte keqbërës ordiner. Personaliteti i tij njerëzor, publik dhe profesional u cenua jo pak, përpos stresit disajavor, pasi e përjetoi keq “dhuratën” e bërë nga kolegët e tij. Por, më e pakta, askush nuk e dha lajmin se arrestimi i tij kishte qenë diçka e padrejtë. Një mësues ndalohet me akuzën se kishte plotësuar me shkelje të ligjit dokumentacionin shkollor dhe lajmi u dha gjithë ditën, duke habitur familjarët, kolegët, drejtuesit, por dhe nxënësit e tij, që nuk i bënë detyrat atë mbasdite. Mirëpo mësuesi pas një dite “pushim” në dhomat e paraburgimit shkoi prapë në klasë te nxënësit, të cilët e shihnin me habi, pa e kuptuar se çfarë kishte ndodhur, që edukatori i tyre sa hap e mbyll sytë ishte bërë i fajshëm – i pafajshëm. Kush ia jep të drejtën ligjit të luajë me njerëzit? Nëse Kuvendi ka miratuar ligje të tilla, ku njerëzit mund të ndalohen nga policia pa prova të mjaftueshme, atëherë pse e kemi Republikën? Kushtetutën? Presidentin? Si mundet që qytetarë të lirë të këtij vendi, që nuk kanë bërë asgjë, të ndalohen me lehtësinë më të madhe, thjeshtë për një dyshim, duke bërë që brenda afatit të dhënies së masës së sigurisë të çohen peshë të gjithë (të afërmit, miqtë, sekserët, politikanët) për ta shpëtuar nga burgu të ndaluarin. Dhe kur personi del i pafajshëm, nuk kthehet kush prapa për të parë se cili që ai që urdhëroi ndalimin e tij të paligjshëm! Prandaj lypet reforma në Drejtësi, ku jo më pak ajo është e nevojshme dhe në polici.

Nga ana tjetër, nëse nuk ka nevojë për ndonjë ligj për mediat, ka të paktën nevojë për një kod moral shumë më të denjë se ky i sotmi, ku gazetari të mos i “gëzohet” lajmit të keq, me arrestime, dënime, përmbytje, djegie, ndotje, izolim nga bora, familje në zgrip etj., por dhe atij që mediat e kësaj kohe nuk e quajnë lajm, kur ndodh e mira njerëzore dhe publike. Ka vend të reflektojë dhe vetë shkolla e gazetarisë. Se a ka peshë “leksioni” i kësaj shkolle kur merret si shembull ndalimi i kryeplakut të fshatit, se në hapësirën administrative që ai mbulon është gjetur drogë e mbjellur nga të tjerët? Aspak. Sepse kush nuk e di që kryeplaku nuk është rojtari i kopshteve të kanabisit, dhe pse ligji ka bërë sikur e ka varur diku përgjegjësinë, se të ishte kjo puna e drogës kaq e thjeshtë, punë kryepleqsh, do të ishte zgjidhur lehtë. Por është punë trafikantësh të drogës, brenda dhe jashte vendit, të cilët nuk pyesin për kolonelët e gjeneralët e shtetit, jo do të pyesin për kryeplakun e fshatit. Ndaj nuk na falet që të bëjmë sikur nuk shohim e dëgjojmë se ku bie vërtet kambana. Nuk është se përmirësohet imazhi i policisë me ndalime si për “plan”, për të dalë emri i mirë në komunikatat e ministrisë së Brendshme se po punohet në këtë apo atë drejtori Policie qarku, komisariat etj. Ashtu si nuk i bën nder profesionalisht reporterit të rajonit të kthehet në një zëdhënës i komunikatës së policisë. Nuk mund të jetë lajm çdo ndalim apo shoqërim policor. Janë këta gazetarë terreni që në raste ngjarjesh të rënda kriminale kanë rrezikuar e sakrifikuar duke përcjellë në kohë reale aksionet e policisë. Është e tepërt të themi kjo është gazetaria, kjo është policia e duhur,  e jo “plani” i raportimit të përditshëm dhe kur nuk ka lajm, apo i “aksionit” të përditshëm të policisë dhe kur nuk ka vepra kriminale. Në këso rastesh çudia më e madhe zgjat tre ditë, pas kësaj askush nuk do t’ia dije se çfarë u bë më oficerin, mjekun, mësuesin, elektriçistin, nëpunësin bashkiak, drejtuesin e mjetit që i ndalua dhe pastaj u lirua. Apo me kryepleqtë e ndaluar gjatë verës, që ka gjasë t’i ketë kapur dimri pa përfunduar gjyqet e kanabisit. Janë mbase të vetmit “zyrtarë” të shtetit që banojnë në fshat, pasi atje nuk banon më jo vetëm ndonjë deputet apo kryebashkiak, por as administratori i njësisë vendore, polici i zonës, të gjithë flenë në qytet dhe rrogat i marrin në fshat.

Meqë është duke u debatuar ligji për Drejtësinë, a nuk është qytetari objekti i këtij ligji? Prandaj mjaft me shoqërime e ndalime për statistikë, për pak zhurmë mediatike, për të tërhequr vëmendjen se po punohet, pse jo dhe për shpërblime, dekorata, ngritje në përgjegjësi etj. Imazhi populist i përket një kohe të kaluar. Nuk ka më as polici, as drejtësi popullore, por polici dhe drejtësi të ligjit dhe shtetit ligjor, i cili dinjitetin e njeriut e ka “kapitalin” më të çmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *