At’ Gjergj Fishta gurëthemel i qenësishëm i vetëdijes sonë kombëtare

Albert Vataj

Ne 75 vjetorin e vdekjes se poetit!

Me përulësi dhe respek, me përkorje dhe ngulm të epërm shëlbimi në shpirt dhe vullnete, vijmë sot në këtë përshpirtje dhe kujtesë, sot në 75 vjetorin e vdekjes së të madhit At Gjergj Fishta.

FISHTA1
At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike, e jo vetëm. Roli dhe kontributi i tij në ato vende ku ai behu si një zë, ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes sonë kombëtare.
E pamatshme është vepra që gatoi me pasion e përkushtim. Gjithçka që rreket të formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte të pamundur ta përfshinte të gjithin në këtë përqafim dëshmimi. Ai ishte një univers, ishte një rast i përjashtuar nga logjika e krijuesit. I lindur për të qenë një i jashtëzakonshëm, ai e ndërtoi këtë mit, pikërisht atë që na qaset sot në nevojën gjithnjë të pashterrur për ta përvetësuar si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.
Pak njerëz kanë pasur fatin e At Gjergj Fishtës në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime të mëdha duke lënë pas një akt të pashoq krijimi. Pak vite më pas… eshtrat ia derdhën në lumë. Dhe vjen si një gjamë harresa dhe anatema prej diktatutës komuniste. U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Dhe vjen demokracia. Edhe pse i çburgosur nga anatema, mohi e harrimi, ende mbeti jo krejt i shpaluar, jo gjithkund i pranuar, jo gjithqysh i këtushëm. E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulur thellë thonjt. E megjithatë ai mundi të rivinte si një vigan, si një zë i fuqishëm, si një e vërtetë e pamohueshme. Ai mundi të rigjente vendin e vet në zemrat që e kishin strukur dhe e mbanin të fshehur si një amanet i vetë Zotit dhe Kombit që i kishte gjithçka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *