Dua të kujtoj këtu një episod, që ka të bëj me datën e sotme. Në Dhjetor të vitit 1995, me daten 12, Pjetri kishte shkuar diku jasht qytetit, për punët e Kuvendit. Kurrë nuk do ta harroj atë ditë dhe viziten që bëri në librari gazetari i atëhershëm Arben Rrozhani, bashkë me një punonjës të shikut të cilit, edhe pse ishte nga Rresheni, tash nuk ia kujtoj më emrin. Duke pas parasysh se unë e njihja Ben Rrozhanin si gazetar, së paku bashkëpunëtor të Shekullit, më kërkoi “Albumin e Arteve Figurative” . Nuk ma kërkoi për t’a blerë, por me pretendimin se tash kishte filluar të joshej mbas pikturës, dhe se desh t’i hidhte një sy, ose ta merrte për ca ditë e ta kthente serish. (sepse qytetaret e Lezhës e dinin se Librari Kuvendi shpesh ka luajtur disi edhe rolin e bibliotekes, teksa jepnim libra edhe me të drejtë kthimi). Mua, pa më shkuar kurrë mendja se Rrozhani po kryente një punë të SHIKUT, dhe SHIKU një punë të kryetarit , kundërshtova e nuk ia dhashë “Albumin e Arteve Figurative” , sepse as nuk isha e sigurtë, nëse kish mbetur ndonjë kopje, prej faktit se të gjitha kopjet e këtij albumi që kisha mundur të gjëj, unë i kisha shkuar “dëm”, duke iu hequr secilit pikturën “Motra Tone” të Kol Idromenos, çka për mua kjo pikturë e ky protret nuk ishte e nuk është vetëm thjesht një punë e arrirë, piktura ikonë e artit shqiptar, por për mua mbetet ende poezia më e bukur kushtuar motrës, nënës, gruas shqiptare. (Ende e kam një kopje të asaj pikture të hequr nga ai album. Do të zgjidhja ta prezantoja gruan shqiptare vizualisht nëpërmjet këtij protreti. Ky protret më ngjan aq shumë edhe me portretin e “Zojës së Bekuar, Shën Marinë”. “Motra Tone” për mua është Shën Shqiptarja, Shën Motra, Shën Dashuria, Shën Fisnikeria… Çdo emër që mund t’i vija këtij protreti do të më duhej t’i shtoja një “Shën” përpara. Përndryshe unë guxoj ta quaj “Shën Piktura” shqiptare. Kritika e ka krahasuar me Xhakondën. Punë të tilla për mendimin tim, nuk kanë të krahasuar. Arti për mua nuk ka të krahasuar, ani pse në art krahasimi është një figurë që përdor artisti përveç të tjerave.
Megjithë këmbënguljen e madhe të Arben Rrozhanit për t’i lëshuar në dorë “Albumin…” në fjalë, nuk u binda t’ia jepja, as me të drejtë kthimi, as vetem për ta parë aty për aty, as për t’ia shitur me asnjërin prej çmimeve që më ofroi.
Pjetri u kthye në orën 2 :00 PM. Sa pa u përshëndetur ende, fill mbas Pjetrit hyri Kryetari i Degës së Rendit, Lulzim Llangozi. Mbas tij hyjnë edhe 13 policë të tjerë. Kryetar Luli, pa na përshendetur fare iu drejtua Pjetrit me ton urdhërues: “ Pjeter, ma jep këtu, tani “Albumin e Arteve Figurative”. Me të dëgjuar “Albumi…” iu hodha. – Edhe ti shef e paske ndarë mendjen të bëhesh piktor, si një miku im, i cili edhe ai albumin e arteve figurative më ka kërkuar dy orë rrjesht sot, por nuk ia dhashë.
Luli, më pa një herë gjithë përçmim e pastaj u leshua. Nuk të pyeta ty! –Mëgjithëse nuk më pyete mua, unë si qytetare mund ta pyes shefin , apo jo? Thjesht po e pyes shefin e policies, mos edhe atij i ka hyrë piktura në qejf si gazetarëve. Ndërsa Pjetri shtoi: “Albumi i Arteve Figurative” nuk shitet, as nuk kalon matanë banakut nga dora e atyre që shesin libra këtu. Në librari ka plot të tillë, por janë të inventarizuar për t’u kthyer për karton me Vendim të Keshillit te Ministarve”. Në anë tjetër , aty nga fundi, njëfarë Luigj Alia, që në 97-tën u kap me thes në krye, në banken e Qytetit, s’ndejti pa e vënë një gurë edhe ai në këtë masakrim të kulturës. “ I ke mbushur komunistat e Lezhës me vepart e Enverit dhe ne s’na ke dhënë rilindasit.” Si përherë me të qeshur, Pjetri i përgjigjet : “Po ç’di ti për rilindasit, more Luigj, ndërsa komunistat e Lezhës e, ndoshta edhe ti, i keni pasë veprat e Enverit, para se ti grumbulloja unë nga libratitë e rrethit, me urdhër të Kryeministrit.”
Kryetari i policëve, Luli kësaj here, në vend të fjalëve lëshoji 13 policët, të cilët e kthyen librarinë përmbys, me një vandalizëm të paparë. Kishte kohë që shefi i SHIKUT , Martin Miri i kishte vënë syrin objektit të Librarisë së qytetit. Ia kishte dhënë truri që, meqë ishte në post, ta privatizonte e ta kthente në dyqan makinash. Me të marrë librarinë, do të bënte pronar të vëllanë, Kolen, një vizatues ky, që kurrë nuk u bë as dizenjator, megjithëse ishte mësues vizatimi në gjimnazin e qytetit e kishte negociuar me Pjetrin disa herë, pa rezultat. Prej në orën 2pm deri në 7 pm atë ditë, Libraria u shkatërrua nga policët, të cilët as që e kishin idenë së çfarë ishin ata libra që hidhnin e përplasnin, sa në një qoshe në tjetrën. Jo më të dallonin e të ndanin librin politik nga ai artistik, historik, shkencor, shkollor etj. Ata nuk kishin ardhur të ndanin librat, kishin ardhur të hidhnin librat e t’i lironin objektin Martin Mirit. Dhe që të bëhej e mundur kjo, iu desh Lulit të sajonte një “akuze” për të arrestuar Pjetër Jakun, pengesën kryesore të mosrealizimit të planit të tyre. Martini, i cili kishte sigurisht edhe mbështetjen e deputetit të rrethit aso kohe RM, një prej shkrimtarëve lezhian edhe ky, dështoi. Ndërkohë që Pjetër Jaku ishte në burg, për Pjetrin vijnë në Lezhë i ndjeri Sabri Godo, Teodor Laço, Fatmir Mediu etj. Ministri i Kulturesi, siç mësojmë më vonë, thërret kryetarët e Lezhes ( të gjithë me radhë) dhe u thotë se, nëse mbahet në burg Pjeter Jaku, librarin do ta sjellim nga Tirana. Por, Pjetri nuk ishte vetëm librar, i emëruar nga Këshilli i Rrethit mbante edhe detyren e Kryetarit te Deges së Librit për rrëthin e Lezhes. Me kërkesen e tij ai kish pranuar t’i bënte të dyja këto punë. I shkojnë gazetarët në burg, por ai kurrë nuk pranoi të bëhët top futbolli në këmbët e tyre, dhe për interesat e gazetave. Ai kurrë nuk besonte dhe , ende sot nuk beson se e kishte fut në burg Sali Berisha, siç po mundoheshin ta përligjnin të interesuarit për objektin. Shikasit ato ditë vërshonin nëpër qytet si hijena, duke u munduar të sajojnë deshmitarë të rremë, deri edhe fshasarët, por më kot. I plotëfuqishmi i qytetti, Dodë Nikolli, thonte hapur se nuk ka asnjë denoncim për këtë problem. Kjo është një histori e gjatë, që dikur dhe diku duhet ta rrëfej vetë Pjetri, por atij as që i interesonte, edhe kur në komunitet flitej ndryshe dhe sipas orekseve të dashakqinjëve. Pjetër Jaku, me daten 3 Janar të 96-tës, me dokumentin e pafajësisë të firmosur nga prokurori Bujar Qiqi, kthehet sërish në Librari. Kthehet sërish te Kuvendi. Ndërsa për Martin Mirin ende nuk e dimë, nëse është kthyer sërish në SHIK e në Lezhë. Për koiçidencë edhe deputeti i Lezhës së asaj kohe ka emigruar. Prap për koiçidencë të gjithë kryetarët e bashkive dhe shumë institucioneve të tjera të Lezhës kanë ikur dhe jetojnë pothuaj të gjithë në të njëjtin shtet me Kuvendin. Mund të pyesesh: A e ndjekin Kuvendin si lexues këta ishkryetarë lezhianë, apo thjesht e kanë ndjekur vetëm në linjën e emigrimit? -Në fakt, vetëm ishët e të gjitha kohëve, nuk i afrohen dhe aq sa duhet Kuvendit, ndoshta sepse ende besojnë se vetëm atyre mund t’u takojnë punë të tilla që quhen “Kuvend” e Kryevend.
Edhe pse kryetari i policëve Llangoji i llangozëve e kishte thirrur, kryetarin e degës së Librit në zyrën e tij, për ta kërcënuar, përsëri Librari Kuvendi funksionoi për lexuesit dhe krijuesit e apasionuar lezhjanë, njëri prej të cilëve ishte vet Pjetri.
Një meritë e madhe i takon edhe dashurisë së pazevendësueshme dhe të pandërprerë e qytetarëve-lexues , çka kjo dashuri në fakt ka qënë një stimul tjetër i madh për Librarianë, botuesin dhe autorin Pjeter Jaku. Nuk besoj se mund të gjesh lexues kaq të shumtë sa në qytetin e Lezhës. Pikerisht për këtë Pjetri nuk donte t’ua kthente librarinë lezhjanëve në një ekspozitë makinash, as për shumën që i ofroi Kola i Mirajve.Vetëm një qytet që lexon në masë, është i destinuar të nxjerrë shkrimtarë, e poet. Këtë e vërteton pikërisht qyteti i Lezhës, nëse do të ktheheshim të numëronim autorët lezhianë. Qyteti i Lezhës nuk është i vetmi qytet i bukur në Shqipëri, sepse qytetet e Shqipërisë, që të gjithë pa përjashtim, kanë bukuri e pasuri poetike të pafundme.