(Mbresa nga leximi i vëllimit të radhës “At’je,at”herë,At’dhe” të Elinda Markut)
1) Pak fjalë hyrëse
Motivet e ndryshme të këtij vëllimi nuk janë të ndarë në cikle të veçantë,me nga një titull përkatës…Megjithatë,mendoj se vëllimi u përket tre cikleve,paçka se ciklimi duket, sipërfaqësisht,i pa vënë re.Një sy kureshtar nuk mund të mos vëjë re tre grupime poezish që përbëjnë tre pika domethënëse
shqetësimesh poetike: At’je (prej nga u ndamë,por ndarja s’qenka liri-nënvizon autorja),At’here (kur mund të mbytej /brenda kokës së vet,/po të mos i rrotullsillej poeteshës e nesërmja),At’dhe (prej nga kthehet herë pas here nga pema pa oborr,nga oborri pa shtëpi,nga shtëpia pa njerëz e nga gërmadhat e kujtimeve – nënvizon e thekson gjithë dhembshuri të heshtur autorja e ketyre vargjeve me dhimbje të tejthekshme)…
Pra,libri poetik në fjalë ka tre qerthuj dhe cilët janë këta,po japim mendimet tona…
2) At’je
A thua të jetë ndajfoje kohe kjo fjalë?
Kurrsesi!…C’është at’here?…
Për mendimin tim kjo është një fjali e ngjeshur vendore…Kështu e ka parë të arsyeshme poetesha Elinda Marku,e cila,qëllimisht,loz me shenjat e pikësimit.Sa të vërteta pëmblidhen vetëm te kjo fjalë-fjali:me trup ketu,me mendje atje,me shqetësime këtu e me shqetësime atje,me psherëtima këtu e me psherëtima atje.Të gjitha këto janë shqetësime e psherëtima të merguara bashke me të mërguarit.
Sikur autorja do t’i thojë lexuesit që edhe ti,or miku im,je at’je,ku ke lindur e ke shqiptuar fjalet e tët ati,të mëmës tënde,paçka se gjallë apo ikur në tjetër jetë…
At’je edhe korbat/S’kanë ç’tjetër të keqe të ndjellin/At’je ku jeta asht arratisë pa mort!…
Ose:
Në atdheun e engjëjve,moj bijë,/Nata kurrë mos raftë!…
Poeteshës i dhemb me shpirt e vërteta e mbijetesës:”Orët e ikjes nuk ikin pa u çmendur dhimbja,/pa u kthyer atje ku do t’i lidh/Në çmendurinë e mallit…Poetesha është tejet e vetëdijshme për brengën torturuese të kujtesës së at’jeshme!…Asaj edhe tash i duket vetja fëmijë i parritur…Po pse?…Se i duhet të harroje dhembjet e plagëve që nuk harrohen…Dhe realisht at’je,(ku s’jemi me trup,por jemi me mendje),mbi plagët e mëparshme kanë bifkuar e janë bërë shkurre dhembje plagësh të reja,po aq,(në mos më shumë) të padurueshme…Padurimi për të duruar këto të vërteta e tjetëson hiperbolikisht,të kthehet në burrë.E vërteta kjo është…Te thuash të vërtetën,vetëm atëhere burrërohesh,(paçka se fëmijë,paçka se grua,paçka se burrë i zhburrëruar prej mosthënies!…
3)At’here
Doemos që kemi të bëjmë me kohën,po me cilën kohë?…
Të djeshmen?…
Të sotmen?…
Apo me të ardhmen?…
C’thotë poetesha për këto tri kohë,përfshirë në një fjalë të vetme?…
Për Elindën është e pamjaftueshme vetëm e djeshmja,vetëm e sotmja apo vetëm e ardhmja.Ajo i ngërthen të tri ndarjet kohore duke i lidhur me çastin e frymëzimit.
Pra,at’here është dhe sot,është dhe dje,është dhe e nesërmja…Veç të mos harrojmë emrin e apostrofuar at’,që bëhet pikë këndvështrimesh poetike nga më të larmishmit.Sipas poeteshës at’here ish’te Ulza buzë udhës,/Udha buzë lumit,/Oborri që duhej fshirë stinëve,/Ish’te dera që duhej mbajtur hapur,/Ish’te votra që duhej mbajtur ndezur…Po a’tje ishin gjithë sa cituam më sipër…Po at’here dhe po at’je ish’te At’dheu…Pa citimet më sipër,mungon gjithçka,bëhesh peshk e të hanë të tjerët,pemë që të presin,shtëpi që shembet,mjegull që të përpin ikja së gjalli…Kjo figurë quhet enumeracion shkallëzues,po jo ngjitës…Dhembshurisht,quhet shkallëzim zbritës deri në dëshpërim ose më mirë me thanë gjer në pikëllim!…Kjo eshtë njëra ndër poezitë më të arritura artistikisht,
ndërmjet shumë e shumë të tjerave në këtë vëllim…Mbyllja është kuptimplote,me kumtim edhe më kuptimplotë:
S’di çka asht At’dheu,/Di që jam krejt At’dheu!…
Pra,të tria ndarjet kohore përbëjnë një kohë:çka jemi tash!…
Elinda Marku nuk është eliptike,(larg qoftë!…),por nuk mund të themi për shpirtin e saj që s’është epileptik…Shpirti i poeteshës drithërohet si gjethja në verë nga flladi pranveror.Po ashtu dridhet si degët e pemëve të zhveshura nga fërflliza dimërore.
Po ashtu dridhet së shkunduri nga stina e vjeshtës.
Ndihem shpesh tërësisht gjethe,/Që bie për hir të rrënjëve,/Për hir të sythimit!…
Vargu i saj ka temporitmin e kohës at’here,të kohës sot e të asaj që vjen…
4)At’dheu
Kjo nënndarje është më shumë se kapitull,më shumë se krye…Eshtë syth i fuqishëm i një filizi të shëndetshëm për një trung peme të frytshme…Po përmendim disa degë të kësaj peme të përplotë:”Migjeni rron në mjerimin tonë”,”Tregtarët e At’dheut”,”Malësorët”,”Brejtësit e padukshëm të maleve”,”Më tha Shqipëria”,”Shqipëri njëqindshe”,etj.,etj…Dhe të rikujtohesh se ky vëllim nis me poezinë “Fjala”,që bëhet,(siç është),më e domosdoshme se bota që digjet,që mbytet apo shfaroset…Vetëm fjala të shpëtojë,vetëm fjala eshtë varka shpëtimtare e kësaj bote plot at’je,plot at’here e plot at’dhe…Për këtë syth mund të flitej më shumë,por,ja,që nuk ndjehemi të aftë sa të zhbirojmë në rrathët e brendshëm të këtij trungu të ardhshëm!…Le t’ua lëmë fjalën edhe të tjerëve dashamirës të artit poetik në përgjithësi e të artit ligjërues të poeteshës Elinda Marku në veçanti…
A do ta marrin fjalën?…Kam besim se po,për të vetmen arsye se mund të shprehen njëqind herë më shumë e më saktë se ç’u shpreha më sipër…