Akademik Mark Krasniqi, Nderi i Kombit, do të mbetet përherë shembull frymëzimi për veprimtarinë jetësore në shërbim të atdheut. Rruga e jetës së tij ka qenë e vështirë, por ai ia doli ta mbushë me vepra që peshojnë në rrugëtimin historik të pavarësimit e lirisë së popullit të tij
Nga Gjokë Geci
Mark Krasniqi u lind më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë afër Pejës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren. Prej 1941-1943 ka studiuar Letërsinë në Universitetin e Padovës në Itali. Nga viti 1946-1950 ka studiuar Gjeografinë e Etnologjinë në Universitetin e Beogradit. Më 1944 ka marrë pjesë në luftën antifashiste në Batalionin e Rakoshit (Istog). Mark Krasniqi, në atë kohë, në cilësinë e sekretarit të Komunës së Kliçines (Pejë), arriti të ndërhyjë për të shpëtuar shumë fshatra nga shkatërrimi që kishte filluar të bëjë Brigada e Bokës Kotorrit më 1945.
Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës “Rilindja” në Prizren, bashkë me Esat Mekulin e Omer Çerkezin. Si gazetar i “Rilindjes”, ka qenë i pranishëm në gjykimin e At Bernard Llupit, klerik me shërbim në Pejë dhe Marije Shllakut, studente nga Shkodra, nga ishte edhe patër Bernardin Llupi, që të dy patriotë të shquar.
Falë raportimit objektiv të tij, nëpërmjet gazetës “Rilindja” u bënë publike dhe të njohura për mbarë opinionin, deklaratat patriotike të Marie Shllakut, drejtuar prokurorit: “Sikur të kishim fituar ne atdhetarët e vërtetë, kundër jush komunistë tradhtarë të popullit shqiptar, unë ju kisha gri si duhanin në havan!”, kishte deklaruar Marie Shllaku gjatë këtij procesi. Pavarësisht tendencave komuniste që mbrojta e të akuzuarve të mos publikohet, Mark Krasniqi vendosi të publikonte fjalë për fjalë mbrojtjen e patriotes Shllaku dhe të At Llupit.
Më 1947-1949 ka punuar si gazetar në “Radio Beograd”, në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe, bashkë me Shefqet Musliun, Imer Dautin, Sitki Imamin, Gjon Sinishtën e të tjerë. Pasi ka diplomuar në fakultet, ka punuar në Institutin Etnografik të Akademisë së Shkencave të Serbisë më 1950-1961, në Beograd, në fillim si asistent, më vonë si bashkëpunëtor shkencor. Më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës në Slloveni. Më 1961 është kthyer në Kosovë.
Prej 1961 deri më 1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës dhe disa herë prodekan e dekan i fakultetit. Më 1981 Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste e përjashtoi nga puna, sepse ai refuzoi kategorikisht kërkesën e Komitetit për t’i dënuar në mjete të informimit si armiqësore demonstratat e studentëve që u mbajtën në vjeshtën e këtij viti. Ai ka qenë kryetar i Akademisë të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka qenë në disa mandate deputet i Kuvendit të Kosovës, para dhe pas luftës, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, 16 vjet kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës etj.
Mark Krasniqi ka reaguar me shkrim ndaj diskriminimit dhe padrejtësive të ndryshme ndaj shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera etnike shqiptare brenda Jugosllavisë, duke dërguar letra plot me fakte Komitetit Qendror të Partisë komuniste, kongresit të saj, qeverisë federative dhe individëve me peshë të lartë në parti e qeveri, meqenëse me fjalë e me shkrim të gjithë deklaronin “bashkim e vëllazërim”, por në praktikë zbatohej e kundërta, sidomos ndaj shqiptarëve.
Akuzat që disa individë të papërgjegjshëm ia ngarkonin Mark Krasniqit se gjoja ka marrë pjesë në Kuvendin e Prizrenit më 1945 për bashkimin e Kosovës me Serbinë, sipas deklaratës së historianit Dr. Hakif Bajramit (i cili e sqaron gabimin me rastin e keqpërdorimit të emrit të profesorit): “Mark Krasniqi nuk ka marrë pjesë në këtë Kuvend, prandaj as nuk ka nënshkruar asgjë në lidhje me këtë Kuvend famëkeq, por emrin e tij dhe të disa të tjerëve i ka shënuar si “pjesëmarrës” Dushan Mugosha. Ngjashëm me këtë është emri i Mark Krasniqit dhe i shokut të tij, Ali Buletinit, në listën e porotëve të Gjykatave të Kosovës, të cilën e ka përpiluar Mita Milkoviq, sipas gazetës “Bujku”, megjithëse ata nuk ishin asnjëherë në dijeni për këtë falsifikim” ka thënë Dr. Hakif Bajrami.
Revista e pavarur shkencore “Art dhe Kulturë”, nr. 1 fq. 14, botuar ne Prishtinë më 1990, me autor prof. Jusuf Bajraktarin, shkruan për kuvendin e Lezhës më 12 korrik 1945, për të gjithë ata që kanë marrë pjesë, këshilltarë apo deputetë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës ku është marrë vendim për bashkimin e Kosovës me Serbinë Federale dhe i përmend me emra pjesëmarrësit, por natyrisht nuk e përmend Mark Krasniqin, pasi ai nuk ka qenë pjesë e këtij Kuvendi.
Mark Krasniqi ka mbajtur më 1992 një referat të rëndësishëm në senatin belg në Bruksel mbi pozitën diskriminuese të shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi. Ky referat (“Kosova sot”, 1992) është botuar në Prishtinë në gjuhën shqipe, në Frankfurt në gjermanisht, përkthyer nga Dr. Joakim Lansh, anglisht, në Nju-Jork, përkthyer nga Dr. Selaudin Velaj dhe japonisht në Tokio, përkthyer nga anglishtja nga Dr. Kvazimodo Jamamoto. Përveç kësaj, ai ka botuar një intervistë të gjatë në gazetën kryesore të Jugosllavisë, “Borba”, më 16 mars 1993, ku me argumente historike shkencore ka demaskuar pretendimet e Serbisë për gjoja “të drejtat e saj historike” që ta sundojë Kosovën, në bazë të dokumenteve të trilluara dhe të përrallave mitologjike të saj.
Për qëndrimet e veprimet e tij kombëtare shkencore, Mark Krasniqi ka qenë i përndjekur nga politika dhe policia serbe gjatë gjithë jetës tij intelektuale, si në Beograd, ashtu edhe kur u kthye në Kosovë. Bile, edhe shefi i policisë së Kosovës, Miqo Mijushkoviq, ka deklaruar se “Mark Krasniqi është armik i popullit serb”. Në realitet, Mark Krasniqi nuk është armik i asnjë populli, por ka qenë dhe është armik i çdo armiku të popullit shqiptar. Nga ana tjetër, mu për qëndrime e punë të këtilla, ai ka fituar simpatinë dhe përkrahjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm në botën mbarë. Madje për punën e tij intelektuale e kombëtare, të kryer në kushte shumë të rrezikshme për të, profesori u nderua me shumë mirënjohje e dekorata.
Mark Krasniqi më 28 nëntor 2014 u dekorua nga presidenti i Shqipërisë, Dr. Bujar Nishani, me dekoratën më të lartë të Shqipërisë – “Nderi i Kombit”. Përveç kësaj dekorate të lartë, Mark Krasniqi ka marrë shumë mirënjohje të ndryshme nga shumë institucione brenda dhe jashtë vendit, nga të cilat po i përmendim disa: “Medalja e Artë Lidhja e Prizrenit” nga presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Medalja “Naim Frashëri” nga presidenti i Shqipërisë Dr. Sali Berisha, “Profesor emeritus” nga Universiteti i Prishtinës, “Qytetar Nderi” i Gjakovës nga kryetari i Komunës, Dr. Pal Lekaj, “Çmimi Kombëtar Azem Shkreli” nga ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Astrit Haraqia, “Shpërblimi i Dhjetorit” nga Kuvendi Krahinor i Kosovës, “Ora e Presidentit” nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Dega e saj në Gjermani, Çmimi “Kombëtar Azem Shkreli” nga kryetari i Komunës Pejës, Dr. Ali Berisha, “Mirënjohje” nga Fakulteti Ekonomik, nga Fakulteti i Mjekësisë, nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, nga Veteranët e Luftës së Koshares, nga Katedra e Gjeografisë, nga Shoqata Kulturore Shqiptare “Sali Çekaj” në Gjermani, nga Bashkësia e Degëve të PSHDK-së në: Gjermani, Zvicër, Austri e Prishtinë, pastaj nga Këshilli për pajtimin e gjaqeve në Nju-Jork, 1990, Mirënjohje nga Organizata Humanitare “Urkunde” në Gjermani (Shvajnfurt), në krye me ing. Rudolf Karg, 1999, nga “Shoqata shqiptare “Besa” në Wollengong në Australi, 1994, nga “Shoqata Bamirëse Humanitare “Nona Tereze”, Dega në Mynhen (Gjermani), nga kryetari Shaqir Gashi, “Diplomë nga Lidhja e Misionarëve të Shqipërisë, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar”, Mirënjohje nga Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë në Zvicër, “Anëtar Nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani “Çmimi Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga PSHDK etj.
Populli shqiptar ia di për nder akademik Mark Krasniqit edhe që më 28 nëntor 2001 e solli nga Kruja monumentin madhështor të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili qëndron krenar në qendrën e Prishtinës.
Bibliografia e Mark Krasniqit
Veprat e botuara të Mark Krasniqit janë thesar i çmuar i kulturës sonë nga shumë aspekte, sidomos nga aspekti shkencor, letrar e, para së gjithash, kombëtar. Këtë veprimtari ai vazhdon me sukses edhe sot (dhjetor 2014) në moshën 94-vjeçare. Ai ka botuar biografinë e tij interesante “Kujtime e përjetime” më 2012 në më se 500 faqe. Në vazhdim po botojmë bibliografinë e veprave të tij të botuara deri në nëntor 2014. Përveç këtyre veprave, Mark Krasniqi është prezent me shumë shkrime në revista e gazeta të ndryshme dhe në disa studio televizive të Kosovës. Ai ka marrë pjesë me kumtesa shkencore, kulturore e politike në të gjitha vendet e Ballkanit, pastaj edhe në Bruksel, në Moskë, në Romë e në Ankara.
Vepra shkencore:
Gjurmë e gjurmime – studime etnografike, faqe 465, viti 1979
Lugu i Baranit – monografi etno-gjeografike, f. 203, 1985
Rugova – monografi etno-gjeografike (koautor, redaktor), f. 205, 1987
Aspekte mitologjike – besime e besëtytni, f. 350, 1997
Rrënjët tona etnike, f. 310, 2001
Mikpritja në traditën shqiptare, f. 247, 2005
Toleranca në traditën shqiptare, f. 205, 207
Besa në traditën shqiptare, f. 202, 2011
Nga tradita e Rugovës, f. 81, 2013
Nga Gurra e Traditës f. 450, 1991
Ndryshimet bashkëkohore gjeografike-shoqërore në Kosovë, f. 341, 1963, (Disertacioni i doktoratës, botuar serbisht nga Muzeu i Kosovës)
Tekste shkollore:
Gjeografia ekonomike – Tekst i përhershëm universitar (Botim i katërt, f. 350, 1985
Gjeografia e Jugosllavisë për klasën e IV gjimnaz f. 200, 1975
Gjeografia për klasën VIII të fillores, botim i tretë, f. 130, 1978
Publicistikë:
Qëndrime e reagime (Komplet prej 4 librash, faqe 1. 152, viti 1995):
1. Qëndrime, f. 240
2. Reagime, f. 274
3. Intervista, f. 318.
4. Mbështetje shkencore dhe përpjekje letrare, f. 318,
5. Përpjekje për Kosovën, f. 650, 2001.
7. Kosova sot -Referat i mbajtur në Senatin Belg në Bruksel më 1992
(Përkthyer gjermanisht Dr. Joakim Lansh, botuar në Frankfurt, anglisht, Selaudin Velaj, botuar në Nju – Jork, japonisht, Dr. Kvazimodo. Jamamoto, Tokio)
8. Reagim në reagime – 1966, botuar shqip e serbisht, f. 104, 2013
9. Kujtime e përjetime – Shënime biografike, f. 552, 2012
Vepra letrare (poezi):
- Prrallat e gjyshit, f. 105, 1953
2. Drita e parë, f. 53, 1956
3. Borëbardha, f. 16, 1956
4. Lepuri analfabet, f. 88, 1974
5. Postieri i maleve, f. 90, 1984
6. Kulla e buburrecit, f. 92, 1989
7. Poezi të zgjedhura për fëmijë, f. 139, 2005
8. Vjersha të zgjedhura për fëmijë, f. 95, 2006
9. Posta e porositur, botim i dymbëdhjetë. f. 120, 2013
( Botuar frëngjisht “Lettres recommandees”, Paris, 2013)
10. Jehona e kohës Botim i III i plotësuar, (Poezi për të rritur), f. 211
11. Mos fol gojë, pa nevojë (Poezi për të rritur), f. 80, 2011
Përkthime letrare:
- Marimangat, roman – Ivo Qipiko
2. Shërbëtori Jernej dhe e drejta e tij, roman – Ivan Cankar
3. Zambarja e shelqes, Përmbledhje poezish – Grigor Vitez
4. Shkrimtarët maqedonas për fëmijë, Përmbledhje poezish
5. Legjenda mbi carin Salltan, poezi – A. Pushkin
6. Shtëpia e iriqit, poezi – Branko Qopiq
7. Lexo e gjezdis, Kinë e Paris, poezi A. Majakovski, (me Esat Mekulin)
8. Gjeli i artë, poezi – A. Pushkin, (bashkë me Esat Mekulin)
9. Vjeti i madh- dëshmi letrare për LNÇl, – (autorë jugosllavë)
Akademik Mark Krasniqit, ky atdhetar i madh, tërë jetën punoi për çështjen kombëtare, duke u nderuar së fundmi nga presidenti i Shqipërisë me dekoratën Nderi i Kombit. Vështrimi mbi veprimtarinë kombëtare të Mark Krasniqit është përgjigja më e mirë për disa kritikë të frustruar që në çdo rast gjërat i shohin të errëta, edhe kur diçka duket aq madhështore sa çmimi Nderi i Kombit.