Ne foton e pare: Ismet Elezi
NDUE DEDAJ
Në postën tënde elektronike ka mbërritur mesazhi i një profesori të mirënjohur, rreth një artikulli që ke botuar së fundi. Deri këtu nuk ka asgjë e re, pasi sot komunikohet me të gjithë, nga akademikët zëmëdhenj zhytur në palimpsestet e shkencës e deri te fëmijët e vegjël plot kurreshtje për botën. Ajo që të “befason” në këtë rast është se të shkruan një zotëri që i duhen vetëm sa gishtat e dorës vite për të kurorëzuar shekullin. Profesor Ismet Elezi, i lindur njëherësh me Kongresin e Lushnjës dhe pagëzimin e Tiranës kryeqytet, një nga titullarët e Drejtësisë shqiptare. Aktiv dhe i freskët si në djalërinë e tij të largët buzë Jonit. Dhe nuk është i vetmi i tillë, bile nuk kanë dalë nga skena dhe më të moshuar se ai. Profesori merret përditë me letrat, skedat, artikujt, botimet e fundit, siç e kemi vënë re dhe kur kemi qenë në shtëpinë e tij, çka ngjet me të gjithë diturakët. Tema qendrore e studimeve të tij ka qenë shteti i së drejtës. 150 tituj në Bibliotekën Kombëtare mbajnë firmën e profesor Ismetit, punime në fushën e së Drejtës Penale dhe historisë së saj, studime, monografi, artikuj shkencorë, reçensione etj. Ai është dhe autor i veprës se njohur “Kanuni i Labërisë” (2006). Bir i rivierës shqiptare nga Fterra e Sarandës, pati nisur studimet juridike në Firence, për t’i përfunduar në Leningrad pas Luftës; një jetë kushtuar Jurisprudencës me ditë e me net, në përgatitjen e brezave të juristëve në Fakultetin Juridik, si pedagog dhe drejtues i kadedrës së Penales për më shumë se tridhjetë vjet, punonjës në institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar, kontribues në komisionet ligj-hartuese, si të Kodit Penal etj. Prej pesë dekadash është marrë gjerësisht me të drejtën zakonore shqiptare, si një nga më të njohurit studiues të kësaj fushe, si dhe doktorët e shkencave juridike Emid Tedeskini, Vangjel Meksi, Syrja Popovci etj. Po dhe me krimin e vrasjes në Shqipëri, dukurinë e gjakmarrjes etj. Mendimi juridik shqiptar është trajtuar prej tij në një libër studimor të botuar me 1999. Deri te shkrimet publicistike që i hasim kohë pas kohe në shtyp, si “Shteti dhe trashëgimia kulturore” etj. Për të përmendur vetëm pak nga panorama e gjerë e veprimtarisë së tij akademike e shoqërore.
Por nuk është vetëm profesor Ismeti që nuk i ka “mbyllur” librat e rëndë të shkencës si dyert e një teatri klasik. Lexuesi ka ndjekur dhe të tjerë bardë shekullorë të shkencës dhe kulturës që vetëm fotografia apo ekrani ua tregon moshën e shtyrë, si historiani Kristo Frashëri në Tiranë, gjuhëtari Idriz Ajeti e shkrimtari Mark Krasniqi në Prishtinë, ilirologu Aleksandër Stipçeviç dhe historiani Zef Mirdita në Zagreb, mendimtari Sami Repishti në Amerikë etj. Është e pamundur që dijetarë të këtij kalibri të mos dalin çdo mëngjes me një motiv të zejes së tyre: promovimin e një libri të ri akademik, pjesëmarrjen në një konferencë shkencore, këshillimin e një doktorature, diçka nga kopshti dhe pasioni i pashuar i shkencës, paçka se me probleme të shëndetit etj. Siç është shkenca e pamoshë, ashtu janë dhe ata, punëtorët e saj të përvutë, shpesh të pavënë re nga bota e zhurmshme rreth tyre, kakofonia e politikës dhe vorbulla e tranzicionit. Vitet mund të kenë ecur, por ata janë aty ku e nisën për nga zelli në kërkimin shkencor dhe modestia organike, një virtyt që nuk e has dhe aq te studiuesit e rinj. Është fillimi i gushtit dhe të gjithë pushojnë, nga fëmijët te qeveritarët, por nuk ka “kohë” të pushojë një historian madhor si Kristo Frashëri, njeriu që ka më shumë se kushdo nevojë për shllodhje. Përkundrazi ai “ngutet” të qartësojë disa nga problematikat e nxehta të historiografisë sonë politike, polemizon fort dhe argumenton bindshëm. Si një misionar i papërkulur që nuk pret kurora lavdie për atë që bën, por i duhet t’i thotë të vërtetat sipas dokumenteve. Përfshihet së fundi në një replikë me historianen greke Elefteria Mandas, e cila shtrembëron e deformon maskarën shnjerëzore greke mbi çamët, e pushtuar nga ethet e nacionalizmit, vërejtur kjo jo rrallë dhe qysh herët ndër studiuesit serbë, grekë, maqedonas etj. Gjuha e profesorit jo vetëm është e begatë në argumente, por e fisme dhe pa fjalë të ashpra ndaj zonjës së padrejtë me historinë. Ky është klasi i një akademiku shqiptar të përmasave ballkanike e më gjërë, si për t’i kumtuar asaj e të tjerëve se në rrethet shkencore elitare tashmë është vonë për qasje të natyrës nacionaliste, që i shkojnë përshtat politikës së vjetër dhe jo atyre që kanë kredon e integrimit europian. Frashëri, Ajeti, Krasniqi, Elezi, Mirdita, Stipçeviç, Repishti e të tjerë janë bashkëkohës me kolosë të dijes e kulturës shqiptare si: Eqrem Çabej, Arshi Pipa, Justin Rrota, Dhimitër Shuteriqi, Aleks Buda, Selman Riza, Vedat Kokona, Shaban Demiraj, Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi, Jup Kastrati, Rrok Zojsi, Andromaqi Gjergji, Petro Zheji, Robert Shvarc, Simon Filipaj, Vinçens Malaj, Aristidh Kola etj. Edhe kur profesor Frashëri nuk është i mundur të dalë, studioja e tij në shtëpi është e hapur për dijetarët, gazetarët, njerëzit e letrave etj. Ndërkohë që nuk e kanë lënë aspak gjunjët profesor Ismet Elezin, i cili para pak kohësh ngjiti shkallët e Universitetit Politeknik të Tiranës, i ftuar në një takim me punonjësit e KLSH, për të kumtuar drejtpërsëdrejti me ta rreth ligjit dhe ligjshmërisë në këtë institucion qendror. Janë për t’u përgezuar drejtues dhe stafe të tilla që e kthejnë kokën nga këta akademikë të shkollës së “vjetër” të traditës, që kanë agribinë dhe tagrin për të folur në çdo kohë me auditorin, përfshi dhe këtë të sotmin, jo pak i larmishëm për nga diplomat, metodat kërkimore dhe idetë.
Mund të sillen plot shembuj nga përditshmëria jo “komode” e zotërinjve të moshuar të shkencës, por nuk është ky mirëfilli qëllimi, një kortezi mirënjohëse ndaj tyre dhe aq. Diçka tjetër dëshirojmë të përcillet përmes këtyre radhëve. Ky klas dijetarësh përbën një model që u krijua me mundim përgjatë shekullit XX, kur dhe në Europë ndodhën ndryshime të mëdha në lëmin e shkencës, teknologjisë, arteve etj. Një model i pashoq që zor se në këtë mijëvjeçar do ta kemi sërish te ndonjë gjeneratë studiuesish. Rilindasit dhe albanologët e huaj europianë formuluan tezat kulturologjike shqiptare, por ata që krijuan disiplinat e mirëfillta shkencore, tekstet universitare, katedrat dhe shkollat e larta ishin këta profesorë unikë, duke kapërcyer barrierat ideologjike etj. Ndaj të mos i lëmë këta njerëz për asnjë çast në harresë, duke u kujtuar vetëm ditën kur na është bërë zakon të themi… “na iku dhe një enciklopedi e gjallë”. E kemi provuar këtë me Lasgushin dhe sot ndihemi në borxh moral që tridhjetë vjet më parë e linim të shëtiste buzë liqenit të Pogradecit me qenushin e tij simpatik të ashtuquajturin “klasik të gjallë të letërsisë”, duke u munguar auditoreve të Letërsisë në Tiranë, ngaqë për hierarkinë pushtetore ai ishte një i huaj. Gjithnjë me shpresën për më shumë vlerësime presidenciale, qeveritare e akademike për ta. Në shkurt të këtij viti ishte sëmurë rëndë profesor Stipçeviçi i mirënjohur i Zarës, pasardhësi i Teutës, që në shtratin spitalor ishte fotografuar me plisin e bardhë (qeleshën) mbi krye, në shenj nderimi për origjinën e tij shqiptare. Tekasa nuk ka munguar të rrugëtojë drejt tij Urdhëri “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” nga Presidenti Nishani. Edhe dy vjet e profesor Idriz Ajetit do t’i kremtojmë njëqindvjetorin e lindjes kushedi se me ç’dhuratë në Medvegjë, Prishtinë a Tiranë. Përmbyll këto radhë e nuk mund të harrosh pamjen përrallore të bibliotekës së profesor Jup Kastratit në Shkodër në të gjallë të tij. Ai në vitet ’80 shkonte shpesh te De Rada në Kalabri dhe na e sillte poetin e madh në auditore si një frymë. Tash na lypet neve të vemi te deradiani e gjuhëtari ynë vullnetmadh, për t’ia sjellë auditorit të sotëm tashmë dhe vetë atë si një model të sukseshëm karriere shkencore për kërkuesit e rinj. Është gjithsesi një botë librash që e kanë lënë mënjanë jo pak qiellgërvishtëset dhe vilat hijerënda të tranzicionit, me gjithçka tjetër brenda kontureve moderne, por jo dhe libra. Mes këtyre prelatëve të shkencës kemi patur e kemi nivelin më elitar të komunikimit aristokratik, pa kamera, shtirje e pompozitet, që do të doje fort të mbartej dhe te politika kryeneçe dhe politikanët fjalëshumë. Mendjet e ndritura janë një minierë mineralesh të rralla. Lum si ata që dinë t’i çmojnë në kohën e dukur. Një shoqëri e ftohtë ndaj tyre, që nuk i përfill në të gjallë, është veçse një “azil” i madh i paformë dhe Shqipëria natyrore s’ka si të jetë e tillë për fisnikët e saj të paktë.
07 gusht 2015