KUR VLERËSOHEN VLERAT…

Ne foto Xheladin Mjeku

(Libri i prof.Murat Z. Gecaj: “PËR JU, KRIJUESE”, botoi “EDLORA“, Tiranë- 2015)

Nga: Xheladin MJEKU

studiues-Prishtinë

 

1.Çasje

Me prof. Murat Z. Gecajn është kënaqësi të takohesh, në çdo kohë e për çdo rast. Sepse ai, asnjëherë, nuk ndodh të të mos befasojë me punën e tij, me angazhimet dhe krijimtarinë e pandalur, që e mban të freskët e plot elan për punë.

Derisa po pinim kafet e takimit tonë në Tiranë, më 23 maj të këtij viti, ai para vetes, mbi tavolinë, ku po rrinim, kishte vënë dy librat e tij të sapobotuar, për të cilat kisha dëgjuar se ishin në proces botimi, kohë më parë: “Me shpirt atdhedashurie” dhe “Për ju, krijuese”. Kurreshtar t’i shikoja që të dyja, befas, më bëri përshtypje ai “Për ju, krijuese”, titull ky që simbolikisht më tingëllon si një përkushtim i fuqishëm për krijueset e vlerave të artit, të poezisë e kulturës, në përgjithësi. I përqendruar në pamjet e ballinave të të dyja librave, që qëndronin aty mbi tavolinë, sikur më bënte ta dëgjoja një zë, që më thërriste: “Ja, këtu janë disa nga emrat, që takojmë çdo ditë në jetën tonë. Portretet, që na pasqyrojnë botën kulturore kombëtare, që shtrijnë krahët gjithandej kah frymojnë krijueset tona, tashmë, të dëshmuara edhe jashtë kufinjëve të Atdheut, jashtë kontinentit plak e deri edhe në botën e largët, Amerikë, Kanada e gjetkë”.

Vërtetë kisha të drejtë në këtë “dyshim”. Po takoja, një për një, vlerat dhe të vlerësuarat, nga një penë e hollë mjeshtrore, që din dhe ia del t’i skalisë në lapidarë këto ambasadore të kulturës dhe artit, të cilat na përfaqësojnë denjësisht: me vlera shpirtërore, letrare dhe artistike, në përmasën mbarëkombëtare.

2.“Pasqyrë e të rrëfyerit”, si model i realizimit lapidar të veprës

Nuk është rastësi ky nëntitull, meqë në realizimin e këtij projekti, nga të veçantit e këtij lloji, për të mos thënë një krijim i tipit unikal, i realizuar nga pena mjeshtërore e  publicistit dhe studiuesit të njohur në fushën e letrave shqipe, prof. Murat Gecajt, takojmë një çasje krejt ndryshe në paraqitejen e portreteve të këtyre krijueseve. Ai nuk i qaset realizimit të kësaj materieje, veç me shënime e të dhëna të autoreve që do t’i paraqesë këtu. Por, si një bletë punëtore, që shëtitë lule më lule, i takon një për një, duke u marrë të dhënat dhe mendimet e tyre për përvojat jetësore, për krijimtarinë letrare e artistike, për veprimtaritë tjera krijuese dhe njerëzore, kryesisht për arritjet dhe synimet në të ardhmen. Kjo formë e realizimit të librit të kujton punën e palodhshme dhe plot elan të një dashamiri të denjë të të arriturave në kulturë, art e letërsi, të brezave të ndryshëm, të pjesës më të vlerësuar të Kombit, të femrës shqiptare, që me vetëdijen dhe guximin e saj hyri në fushat e pafund të jetës artistike, për të dëshmuar kështu vlerat e një populli, që ecën krah me zhvillimet e qytetërimeve tjera evropiane dhe botërore, në përgjithësi.

gecaj murat libri

Autori i këtij vëllimi reprezentativ të krijueseve shqiptare, me mençuri ia del ta konkretizojë synimin e tij, që të mbledh faktet për autoret, duke i intervistuar, duke dialoguar dhe me krijimin e mundësisë që ato të rrëfehen shlirshëm, për jetën dhe aktivitetet e tyre. Po shkëpus një shembull, si i qaset prof. Murat Gecaj trajtimit të këtyre temave. Në bashkëbisedimin me Liljana Kristulin, ku që në fillim ia përcakton qëllimin e bisedës, duke i parashtruar pyetjet e tij: “Është kënaqësi, dr. Lili, që po bisedojmë bashkë. Dy janë arsyet kryesore: Së pari, krahas botimeve profesionale, shkruan edhe në fushën e letërsisë. Së dyti, ke shërbyer në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), nga jam edhe unë. Po kësaj teme do t’i kthehemi pak më tej. Pra, po e  nisim bisedën me pyetjen, kur ke filluar të shkruash?”, (fq. 11). Kjo formë e shtjellimit të temave të përcaktuara i krijon mundësinë autorit që, përmes dialogut, të mësojë gjithçka për akcilën prej autoreve, krijueseve, artisteve dhe veprimtareve të shumta, që i ka bashkëvendosur nën një kupolë të përbashkët, me titullin simbolik dhe komunikativ, “Për ju, krijuese”. Dialogu këtu është njëra prej metodave të punës krijuese në realizimin e këtij libri, por jo vetëm dialogu vjen në shprehje në  këtë rast. Një kolazh i mirë mjetesh në veprim ia mundësojnë realizimin e këtyre temave, si dëshmitë biografike, librat e botuar, pastaj mjete, si aparati fotografik dhe blloku i shënimeve, që prof. Murati i ka të pandarë në përditshmërinë e tij.

Pothuajse, shumica e krijueseve rrëfehen para altarit të dashurisë për artin, të bukurën, për jetën plot sakrifica e për dhuntitë e tyre krijuese, deri në arritjen e vlerave të dëshiruara. Një rrëfim i tillë mundëson që më lehtë të shpalosen përvojat e tyre jetësore dhe veçoritë e tyre krijuese, të cilat janë bashkërenditur në libër. “Pasqyra e të rrëfyerit” na kujton këtë realizim të veçantë për nga forma e shtjellimit, që prof. Murat Gecaj e realizoi, falë punës së tij të palodhshme, duke mos u ndalur për asnjë çast në veprimtaritë kulturore, në përurimet dhe përvejtorët e shumtë, kudo që i bëhet ftesa për pjesëmarrje. Falë këtyre veprimtarive të shumta, prof. Murati ka krijuar shumë lidhje miqësie me krijuese e artiste të shumta, duke gëzuar respektin dhe dashamirësinë  e tyre. Pikërisht nga ky fakt del se, pothuajse, të gjitha e njohin më mirë me emrin “Babushi”.

3.Paraqitje e tre breza krijuesesh

Prof. Murat Gecaj, me qëllimin më të mire, ka sjellur këtu krijuese moshash e profesionesh të ndryshme, duke mos iu përmbajtur një kriteri strikt, por në frymën e  veprimtarive kulturore dhe njohjeve miqësore, përmes rrjeteve sociale elektronike me to, ia ka dalur të krijojë portretin origjinal të akcilës, duke vjelur të dhëna e dëshmi sa më shumë, që të ketë qenë e mundur, që të pasqyrojë sa më bindshëm jetën dhe veprimtarinë e tyre. Një paraqitje e tillë ka krijuar mundësinë që, pavarësisht krijimtarisë poetike, letrare, artistike e veprimtarive tjera prej tyre, të pasqyrojë   edhe kategorizimin, sipas moshave.

Në këtë vëllim, prej 91 personazheve, 62 janë shkrimtare e poete, ndërsa 29 të tjerat janë artiste e veprimtare të njohura. Numër i mirë prej tyre (30 sosh), vazhdojnë të jetojnë e krijojnë në vende të ndryshme të botës, si në Evropë, Amerikë, Kanada etj. Të bashkuara këtu me krijueset nga Shqipëria, Kosova dhe trojet tjera amtare, vijnë si një trup i përbashkët e një paraqitjeje kombëtare.

Paraqitja e tre brezave të krijueseve formon bindjen se autori ka qenë i mendimit që të japë emra sa më gjithëpërfshirës, pa i privilegjuar ndonjërën prej tyre. Kështu, në moshën e re, që sapo kanë dhënë frytet e tyre krijuese, për të dëshmuar pastaj me shkrimet e tyre edhe në të ardhmen, vijnë: Nafije Salihaj, Seli Murati, Adivie Hoxha, Ermira R. Jusufi, Ganimete Thaçi (Hasjanja), Afrore Shaipi, Albulena G. Pllana, Belantina Venari, Blertë A. Prebreza, Ledia Riza Lahi, Denisa Cingari e ndonjë tjetër, e cila mund të ketë moshën e këtyre që veçuam.

Krijueset tjera, si: Vilhelme Vranari-Haxhiraj, Albana Mëlyshi (Lifschin), Lida Lazaj, Zyba Hysa, Liljana Kristuli, Angjelina Krasniqi-Bardhaj, Ilirjana Sulkuqi, Kozeta Zylo, Vitore Stefa-Leka, Mimoza Agalliu, Raimonda Moisiu,  Lumturi Vladi, Vojsava Nelo, Majlinda Nana Rama, Merita Gjoni, Puntorie Ziba, Shadije Hotnjani, Kozeta Zavalani, Alma Begaj, Rajmonda Maleçka, Reshida Çoba, Vjollca Spaho, Mimoza Erebara, Enkelejda Kondi-Massedboeuf, Eli Kanina, Zyrafete Manaj, Lumturi Ymeri, Vera Istrefi, Seli Murati, Mina Çaushi, Makfire Canolli, Vjollca Pasku, Valbona Hykaj,  Enkelejda Tahiri  etj., mund të quhen brezi i atyre që, me veprat e krijuara dhe me vlerat që paraqesin, kanë dhënë ndihmesat e tyre të çmuara, në një periudhë të gjatë kohore.

Brezi i tretë, që vijnë këtu, janë kryesisht artiste e veprimtare, që ndonjëra tashmë nuk është në jetë, por veprat dhe vlerat e tyre mbeten pasuri e pakundërshtueshme shpirtërore dhe kombëtare. Poashtu, takojmë edhe emra, që dhanë ndhimesën dhe vazhdojnë të japin vlerat e punës së tyre të palodhshme, si: këngëtare, aktore, edukatore, historiane e veprimtare, gjithandej nëpër botë, ku paraqesin fuqishëm çështjen tonë  kombëtare, në instancat më të larta botërore e ndërkombëtare, duke takuar figura të fuqishme shtetërore e politike. Të tilla janë: Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, Tinka Kurti, Fatime Sokoli, Besa Imami, Xhevahire Gashi, Lule Bajraktari, Diana Bakalli (Shima), Fatbardha Gega, Persa Grabova, Pandora Dedja, Qibrije Hoxha, Dila Gecaj, Entela Binjaku, Sara Titka etj.

Trajtuam kështu paraqitjen e këtyre krijueseve, për të dëshmuar se gjithnjë vazhdon të jetojë fryma e brezave, duke krijuar gjenerata të reja, trashëgimtare që premtojnë se arti dhe kultura jonë kombëtare, pse jo edhe në përnasa ndërkombëtare, synon të japë emra e personalitete pa shkëputje. Veçanërisht, të gëzon fakti se bota femërore ka një vend meritor në këto përmasa, që flet për një ngritje intelektuale dhe emancipuese të femrës shqiptare, në breza.

4.Aty ku flasin vlerat

Kur flet prof. Murat Gecaj, nuk ka fije dyshimi se aty flasin vlerat dhe vlerësimet meritore, flasin sukseset, frymëzimet për krijime të reja, për gjurmime vlerash e krijuesish.

Ashtu siç e theksuam në fillim, ky vëllim, për vetë  tematikën, këndvështrimet, stilin,  figuracionin etj., sjell një risi për mënyrën e realizimit, si projekt dhe vlerë letrare. Krijimtaria letrare-artistike e poeteve dhe shkrimtareve, veprimtaria shoqërore dhe njerëzore e artisteve dhe e veprimtareve  shqiptare, të cilat punojnë  dhe veprojnë brenda  dhe përtej kufijve të Atdheut, deri në Amerikën e largët dhe Kanada, vijnë përmes bisedave të lira me to,  përmes diskutimeve dhe analizave, si  për krijmtarinë dhe tematikën e librave, që sjellin për lexuesin; përmes shkrime për përurimin e  librave  e dokumentarëve të ndryshëm,  për jetën dhe vlerat e krijimtarisë e të artit të tyre, në përgjithësi. Kjo krijimtari, në të shumtën, ka nivelin e letërsisë moderne të kohës, ka frymën e emancipimeve evropiane e botërore. Ajo dallohet për frymën njerëzore dhe sinqeritetin e rrallë, për mesazhet e bukura dhe frymëzimin  spontan. Gjuha dhe mënyra e trajtimit vijnë si një atraksion dhe  lehtësi këtu, që e bëjnë librin tërheqës për lexuesin.

Në mbyllje të këtij vështrimi veçojmë punën e frytshme të prof. Murat Gecajt, në botimin e kësaj përmbledhjeje antologjike të shkrimeve monografike, analizuese dhe paraqitëse, me mjaft interes, jo vetëm për krijueset shqiptare të letrave shqipe, të artisteve dhe veprimtare tona të dëshmuara.

Realizim, vërtetë mirë i realizuar dhe vlera kombëtare të vlerësuara.

Prishtinë,  gusht 2015

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *