- Me Akademikun Kapllan Resuli, autor i romanit “Tradhëtia”
– Profesor! Jeta juaj është një epope tragjike, ndoshta tipike për një shqiptar patriot, shkrimtar i shquar apo studiues me vlera të veçanta. Ç’mund të na thoni diçka më tepër rreth jetës suaj?
RESULI: – Nuk jam as i pari dhe as i fundmi, që e kam përjetuar ketë tragjedi. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe nëpër vende të tjera të botës, kanë ndodhur kësi tragjedirash, me personalitete më të ndryshe, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë, publicistë, personalitete pollitiko-shoqërorë e të tjerë. Kujtoni vetëm Xhordano Brunon. Sigurisht që në tragjedinë time ka diçka të veçantë, se ata që më kanë ndjekur e persekutuar, që më kanë arrestuar e dënuar, si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi, e dinin shumë-shumë mir se isha plotësisht i pafajshëm, se po më dënonin jo në bazë të ndonjë krimi, por në bazë të urdhërit nga lartë, nga u është diktuar edhe masa e dënimit.
Mbi të gjitha, pasi dola prej burgut, u zbuluan dokumenta që flasin hapur se mua më kishin dënuar me vdekje në Shqipëri pa u arrestuar, pa u hetuar: shënimi në amzën e të diplomuarve në Universitetin e Tiranës! Ndërsa mua më kishin dhënë diplomën, vendin e regjistrimit e kishin lënë bosh deri ditën e arrestimit tim, kur shkojnë e shënojnë atje: “I përjashtuar nga studimet për qëndrim të keq politik”. E çdo të thotë kjo, në qoftë se jo denim me vdekje?! Sipas këtij shënimi ata e paskan planifikuar që unë kurrë më të mos dilja nga burgu dhe të mos e shihja atë shënim. Në të njëjtën kohë ma kishin marrë diplomën dhe ma kishin zhdukur. E pasi e nxorra kokën gjall nga burgu dhe ia bëra të ditur botës anë e kënd se enveristët kanë falsifikuar edhe dokumentacionin e Universitetit Shtetëror të Tiranës, se lëre të tjerat, u ngritën e thanë për mua jo vetëm që nuk jam diplomuar në Universitetin e Tiranës, po se nuk qenkam diplomuar as në Albanologjinë e Shkupit. Bile, edhe se e paskam blerë diplomën e gjimnazit !
Gjatë kohës së burgut kanë bërë çmos të më likvidonin fizikisht. Shumë kush më ka thënë se jetëgjati jetëshkurtër nuk bëhet, po unë mendoj se këtu kemi të bëjmë para së gjithash me konstruktin fizik të trupit tim dhe, nga ana tjetër, me ngjarjet në Rumani, që nxitën edhe shqiptarët të ngrinin krye dhe të luftonin për liri e demokraci. Kështu, me që në Shqipëri po u digjte toka nën këmbë enveristëve, u detyruan të më lëshonin nga burgu, që të bindnim popullin dhe botën se po e demokratizonin vendin, se s’është nevoja që edhe në Shqipëri të ndodhte ajo që ndodhi në Rumani, likvidimi fizik i Çausheskut.
Sigurisht që në tragjedinë time ka edhe elemente të veçanta, siç është trajtimi monstruoz që m’i është bërë familjes, fëmijëve të mitur, djalit dhe sidomos vajzës.
–Keni lindur në Ulqin, keni jetuar në Kosovë dhe jeni arratisur për në Shqipëri? Cilat janë shkaqet e përndjekjes suaj nga shteti jugosllav dhe aq më tepër cilat janë arsyet e arratisjes për në Shqipëri?
RESULI: – Arsyeja e arrestimit tim në Jugosllavi është afirmimi im si shkrimtar disident, që nuk kisha marrë dorë në teqe për atë gjë. Në vitin 1952 kisha botuar në Dubrovnik poemën disidente “Bojana”, që pastaj u ribotua në të dy metropolat jugosllave, në Beograd dhe në Zagreb. Në një konkurs të poezisë në Beograd kësaj poeme iu dha edhe çmimi i pare, kurse në janar të vitit 1959, nga Prishtina më arriti lajmi se më ishin aprovuar për botim 4 libra: dy në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën sërbo-kroate. UDB-a nuk mund të lejonte as botimin e njërit libër, se jo më katër !
Pasi bëra burgun politik në Kampin e të burgosurve të Idrizovos, pranë Shkupit, i ndërgjegjshëm se për mua nuk kishte më jetë në Jugosllavi, u arratisa në Shqipëri. Duke dyshuar se këtu do të më eliminonte UDB-a me duart e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, kërkova që të kaloja në Bashkimin Sovjetik, duke mos e ditur se pikërisht ato ditë BS ia kishte prerë Shqipërisë edhe marrëdhëniet diplomatike.
–Shqipëria, atdheu amë, në vend të mikpritjes, mirësisë dhe dashurisë u ofroi vuajtje dhe persekutime të pafund. Sipas mendimit tuaj cili ishte shkaku i vërtetë i kësaj lufte monstruoze ndaj personalitetit tuaj?
RESULI: – Jo, jo, jo Shqipëria! Mos ma përzieni Shqipërinë dhe popullin shqiptar me bandën e zezë dhe kriminale të diktatorit Enver Hoxha! Shqipëria dhe shqiptarët e joshqiptarët e Shqipërisë ishin për vete në një kamp përqëndrimi më monstruoz, që nuk ka të krahasuar as me kampet e përqëndrimit të Musolinit dhe as të Hitlerit. Shqipëria anë e kënd ishte e rrethuar me klon, me tela me gjemba, nëpër të cilat kishin lëshuar edhe korentin elektrik, në një kohë që as qytetet e Shqipërisë nuk kishin dritë. Krahas bunkerëve, mendoj se edhe ky është një nga monstruozitetet e Enver Hoxhës.Shkaku i luftës, që më kanë bërë Enver Hoxha me klikën e tij qysh nga moment i ardhjes sime në Shqipëri, është para së gjithash marrëveshja Enver-Tito që të luftonin emigracionin politik: Titoja emigracionin politik shqiptar në Jugosllavi dhe Enveri emigacionin politik jugosllav në Shqipëri. Kështu ata përkrahnin regjimin e njëri-tjetrit.
Në rastin tim ka edhe diçka të veçantë: në poemën BOJANA unë e kisha quajtur Shqipërinë e Enver Hoxhës GOLGOTE, për çka enveristët më kishin futur në listen e tyre të zezë qysh me kohë, pa arritur unë në Shqipëri.
Ja disa vargje na ajo poemë:
Breg i saj, këndej – matanë,
Plagë t’ randa pushtue ia kanë…
… … … … … … …
Trego çka ke pa matanë,
N’atë Golgotë, o moj Bujanë/
Mendoj se kjo është arsyeja që Enveri tentoi të më kthente tek Titoja duar-lidhur, në shkëmbim për Martin Camajnë. Po ky, Martini, sapo e mori vesh këtë gjë, ia mbathi për Itali dhe, kështu, unë i mbeta në duar Enver Hoxhës si dopjo gjashta.
–Ndërkohë lindin krijimet e para në gjininë e poezisë, por edhe të prozës së shkurtër, kur ende ishit në internim në kampin e Çermës në Lushnjë. Cila ishte ideja, problematika universale e krijimtarisë suaj në atë periudhë?
RESULI: – I afirmuar qysh në Jugoslavi si disident, unë edhe në Shqipëri vazhdova me disidencën time, patjetër – duke trajtuar tema jugoslave dhe duke mos u përzier në punët e Shqipërisë, as në ato të jashtme, ndaj Jugosllavisë, se jo më edhe në punët e brendshme, ndonëse, në të dy aspektet, nisa të konstatoj shumë gjëra që nuk shkonin, me të cilat unë nuk mund të isha dakord. Duke luftuar tradhtinë e Josip Broz Titos, unë nuk trajtova vetëm temën puro jugosllave, por edhe atë të dijasporës shqiptare në Jugosllavi, veçanërisht t’ashtuquajturën temë kosovare. Bile edhe vëllimin me tregime, ku unë kisha mbledhur tregimet e botuara deri atëherë në Shqipëri me temë puro jugoslave, sërbo-cërnagorase dhe makedone, si dhe disa me temë kosovare e shqiptare (nga Shqipëria) e quajta “Tregime kosovare”, duke vijuar kështu me idenë e afirmuar përmes romanit TRADHTIJA: Kosovarë të të gjitha shtresave, pa dallim feje, kombësije dhe ideje – bashkohuni !
–Romani “Tradhëtia”, që sot mbush 50 vjet nga dita e botimit të parë, zuri një vend nderi në letrat shqipe. Cilat qenë problemet që dolën pas botimit të kësaj kryevepre të letërsisë sonë ?
RESULI: – Me botimin e romanit TRADHTIJA, vërtet që u afirmova në Shqipëri e anë e kënd botës, në diasporën shqiptare, si një ndër shkrimtarët më të mëdhej bashkohorë shqiptarë, po më dolën edhe shumë probleme. Para së gjithash, Enver Hoxha me klikën e tij, duke lejuar botimin e këtij romani nuk e kishin parashikuar jehonën aqë të madhe të tij as në Shqipëri, se jo më edhe në diasporë. Ata e kishin konceptuar si një novelzë të parëndësishme, që do u shërbente vetëm atyre dhe qëllimeve të tyre kundër meje, që të ma bënin të pamundur kthimin në Jugosllavi dhe arratisjen në Greqi. Pastaj, me që romani ishte i drejtuar kundër klikës revizioniste Tito-Rankoviq, ishte edhe në hullinë e propagandës së tyre antirevizioniste në përgjithësi dhe anti-revizionizmit jugosllav në veçanti.
Në atë kohë, Enveri me klikën e tij po përgaditej për të shembur në Shqipëri xhamijat e kishat, teqetë e manastiret, po përgaditej për një luftë fetare pa precedan në historinë e njerërimit, gjë që në Kosovën fetare e dinte se nuk do të kishte jehonë të mirë. Prandaj ai pikërisht një shkrimtari të afirmuar kosovar i boton romanin për Kosovën, ku flitet pozitivisht për hoxhën e priftin, gjëra deri atëherë të panjura në letërsinë shqiptare nën flamurin e tij. Kështu, me këtë roman ai synonte të zbuste sadopak zemrimin e kosovarëve.
Mbi të gjitha, Enveri mendonte se e kishte likviduar gegërishten dhe po përgaditej ta ndalonte. Gegërishten e romanit TRADHTIJA, mësimdhënësit e shqipes të mbarë Shqipërisë, të mbledhur në një seminar në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, papritmas, e kërkuan për gjuhë zyrtare dhe letrare të Shqipërisë.
Dhe kulmi: Në personazhin e paraqitur me nota pezhorative në roman me emrin mulla hoxhë Mameri, sejmenët e tijë e lajmëruan se lexuesit e romanit identifikojnë atë – Hoxhë Enverin, dhe se qysh nga dita e botimit të këtij romani të gjithë armiqët e enverizmit kishin nisur ta quanin me përbuzje Mullai.
Sigurisht që kishte edhe asyena të tjera që Enveri u tërbua kundër këtij romani dhe autorit. Sa për shembull po ju përement se në popull po flitej se ky roman ia kishte eklipsuar kushëririt dhe kumirit të tij romanin “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR” dhe se në popull gjithnjë e më shumë po pëshpëritej se po ajo tradhëti,që kishte ndodhur në Jugosllavi, kishte ndodhur edhe aty, në Shqipëri.
Duhet ditur se një vit më parë, kur unë botova në gazetën “Drita” tregimin BURSA, ku flitej për presekutimin e studentëve në Jugosllavi, shkrimtari Faslli Haliti, në mes të Lushnjës e me zë të lartë deklaroi: “U-u, po kjo histori më ka ndodhur edhe mua këtu – në Tiranë/” Pas shpalljes së demokracisë, shkrimtari Vehbi Skënderi, përmes RTVSH deklaroi: “…Megjithëse ngjarjet e romanit “Tradhëtia” janë vendosur në Kosovë dhe në të bëhet fjalë për tradhtinë e klikës Tito-Rankoviq,…morëm vesh se aty bëhej fjalë edhe për ne, për Shqipërinë, sepse e njëjta tradhëti kish ndodhur edhe këtu, mes nesh…”.
Disa ditë pasi doli në shitje romani, Artisti i Popullit Pjetër Gjoka, në mes të Tiranës, edhe ai me zë të lartë, deklaroi: “…Ç’asht “Lahuta e Malsisë” për poezinë shqipe, asht dhe romani “Tradhëtia” për prozën tonë, një kryevepër. Edhe sikur Kapllan Resuli të mos shkruajë ma asgja, emni i tij do të mbetet në letërsinë shqiptare si nji ndër shkrimtarët ma të mëdhenj…Me atë roman ai e ka meritue me i ngritë në mes të Shqipnisë nji lapidar mbi çdo lapidar tjetër…”.
Kjo besoj se duhet të ketë qenë pika e fundit në gotën e durimit të xhaxhi Enverit, që nuk mund të shihte lapidar tjetër mbi atë të tijin. Pra, me romanin TADHTIJA, vërtet që i bëra një të mirë të rëndësishme popullit shqiptar dhe, përmes këtij populli, mbarë njerëzimit, por ama i bëra edhe varrin vetes dhe familjes, fëmijëve, se – në vend të mirënjohjes e të falenderimit – klika e Enver Hoxhës më vuri në krye të listës së zezë për të më eliminuar fizikisht dhe për të ma fshirë emrin jo vetëm nga ndërgjegja e popullit, por edhe nga ndërgjegja e fëmijëve të mi.
–Vijuat të shkruanit dhe vepra të tjera thellësisht patriotike, duke reflektuar kulturë perëndimore dhe atdhedashuri siç ndodh tek “Ushtima e Korabit”. Cili qe reagimi i lexuesit shqiptar ndaj një shkrimtari të talentuar, që akuzohej si agjent i UDB-së?
RESULI : – Jo vetëm deri ditën e arrestimit, por edhe pas arrestimit e dënimit, llafeve se unë jam agjent i UDB-esë pak kush i ka besuar. Sidomos nuk i kanë besuar ata që e dinin se me çfarë pushteti kishim të bënim në Shqipëri. Jo vetëm njerëz të thjesht, që më njihnin edhe familjarisht, kur më shihnin në shoqërinë e oficerave të lartë të SIGURIMI-t, më pëshpërisnin: “Hiquni prej tyre, se janë të pabesë !” Këto fjalë m’i ka thënë edhe një ish oficer i SIGURIMI-t, kurse shkrimtari Gani Skura, me 10 vite stazh në parti, erdhi edhe për të më parë në burgun e Burrelit. Jo vetëm që s’e lejuan, por edhe e arrestuna në vend, e nxorrën në gjyq dhe e dënuar me 10 vite burg. Në vendim, si krim për atë denim, i kanë shkruar: “…Ka shkuar për ta parë armikun e popullit Kapllan Resulin në burg dhe i ka dërguar buk…”. Në fjalën mbrojtëse, Ganiu ka deklaruar: “Kam shkuar për ta parë, se nuk kam besuar që është armik i popullit. Kam shkuar për ta parë e për ta pyetur a është e vërtetë se është armik i populli. Po të më kishte thëne se s’është e vërtetë, edhe deri te shoku Enver do të kisha shkuar për të kërkuar lirimin e tij nga burgu. E po të më kishte thënë se është armik, kurrë më nuk do të pyesja për të !”
Enver Hoxha, në Plenumin e KQ të PPSH-ës me 1971, ka deklaruar se Kapllan Resuli nuk është arrestuar si agjent i UDB-së. Megjithë këtë, Ramiz Alia edhe pasi më lëshoi nga burgu, shkruan në gazetën e Parisit L’HUMANITE se unë paskam bërë në Shqipëri 20 vite burg si agjent i UDB-esë. Atëherë unë ia përplasa në fytyrë VENDIMIN e Gjykatës së Rrethit të Tiranës, të vitit 1971, ku as që zihet me gojë UDB-a. Pikërisht pse nuk jam denuar si agjent i UDB-ë, Parlamenti Shqiptar më ka njohur pafajsinë e plotë, kurse personalisht Sali Berisha, nga posti i presidentit të Republikës, publikisht më ka kërkuar ndjesë për të gjitha krimet që janë bërë mbi kokën time, të familjes e të fëmijëve. Edhe kryeministri, Fatos Nano, në mes të Gjenevës, në sy të qindra emigrantëve shqiptarë, më kërkoi të falur për krimet që më janë bërë dhe më ftoi që të kthehesha në Tiranë. Për këtë gjë është bërë fjalë përmes mediave, në gazeta e sajte. Për këtë gjë ka shkruan edhe Akademia e Shkencave e Prishtinës në enciklopedinë e saj, duke më njohur jo vetëm pafajsinë e plotë, por edhe autorsinë e romanit TRADHTIJA. Po enveristët nuk duan t’ia din për të vërtetën. Ata sot e kësaj dite vazhdojnë të shkruajnë se unë jam agjent i UDB-esë, se si i tillë edhe qenkam dënuar në Shqipëri, bile edhe se romanin TRADHTIJA nuk e paskam shkruar unë.
–Momente terrori nga jeta juaj keni botuar herë pas here, madje keni përmendur edhe emra kundërshtarësh politikë dhe letrarë. E keni bërë në shenjë urrejtje, apo për të pasqyruar të vërtetën historike, që ju ka shoqëruar në kohë?
RESULI: -Unë jam shkrimtar disident, që do të thotë luftëtar i visë së parë kundër armiqëve të popullit, të çfarëdo flamuri, feje e kombësije qofshin. Si të tillë mua edhe më kanë dekoruar, më kanë shpallur edhe Kalors i Popullit, bile edhe Luftëtar i Shenjtë. Nga Moska më ka arritur edhe Plaketa e Nderit. Për ne, disidentët, nuk egziston urretja: ne njohim vetëm luftën e klasave. E në luftë si në luftë, mund edhe të vrasim e të vritemi, duke mos ja dëgjuar as emrin atij që e vrasim. Nuk janë të pakët ata që kanë bërë krime mbi kokën time, të familjes e të fëmijëve të mi. Po unë nuk i kam emërtuar që të gjithë. Ua kam përmendur emrin vetëm atyre që e kanë mbyllur jetën me krime, ose që po vazhdojnë sot e kësaj dite me krime, që kanë karakter klasor. Emrat e atyre që janë tërhequr nga rruga e krimit, jo vetëm që nuk i kam gjykuar, por edhe i kam lavdruar. Kujtoni vetëm Bahri Briskun, që ka dalë dëshmitar i akuzës së UDB-esë kundër meje dhe që sot e kësaj dite vazhdon në shërbim të UDB-esë. Si të mos e përmend emrin e tij, kur ai, me atë veprimtari, vazhdon jo vetëm kundër meje, por edhe kundër popullit. Si dëshmitar i akuzës së UDB-esë kundër meje ka dalë edhe Adem Demaçi, po ai para gjyqit u tërhoq dhe nga dëshmitar i UDB-esë u kthye në dëshmitar i mbrojtjes, i imi. Në vend, aty në sallën e gjyqit, unë kam hartuar vjershën, që ia kushtoj vetmohimit të tij. Një vjershë të tillë nuk besoj ta ketë shkruar kush tjetër për te. Po kur pashë se Ademi po vazhdonte bashkëpunimin me armiqtë e popullit, s’kisha si të heshtësha e të mos ia thoja popullit rrugën e gabuar që po ndiqte ai. Apo ishte rrugë e drejtë e tija thirrja që i bëri popullit shqiptar për ta pushuar grevën e përgjithshme kundër terrorit enverist, e të bashkohej me “bacin Ramiz”?/ Po kështu qëndron puna edhe me të tjerët. Unë nuk urrej askend. Unë luftoj kundër armiqëve të popullit. E lufta nuk është urrejtje. Lufta është detyrë sine qua non.
– Jeta juaj është aq interesante dhe e dhimbshme, saqë meriton të pasqyrohet emocionalisht në ndonjë skenar filmi, pse jo edhe në monografi. A ka ndonjë inisiativë nga miqtë tuaj për këtë ndërmarrje me vlera kombëtare?
RESULI: – Për jetën e krijimtarinë time deri më tash janë shkruar e botuar disa vepra. Me 22 mars të këtij viti doli prej shtypit edhe libri AKADEMIKU RESULI, pjesa e parë e jetës, Jugosllavia. Autori po pregadit edhe pjesën e dytë e të tretë.
Kineasti i mirënjohur jugosllav Emir Kusturica ka kohë që ka deklaruar se do të bënte për jetën e krijimtarinë time një film me shumë puntata, po deri më sot nuk di që të ketë realizuar gjë. Siç duhet ta dini, mua më luftojnë jo vetëm enveristët, por edhe titistët.
–Për jetën dhe veprën tuaj është shkruar shumë, por vështirësitë e botimit kanë qenë prezente. Kë do të falenderonit për punë origjinale nga miqtë tuaj, për të cilët ruani kujtime të bukura këtu në atdheun amë?
RESULI: – Vërtet nuk është i pakët numri i atyre shqiptarëve, që kanë shkruar pozitivisht për mua. Në radhë të parë do të përmendja emrat e kolegëve të mi nga burgu i Burrelit: Nazmi Berisha, Idriz Zeqiraj, Pjetër Arbnori, Gjergji Mole dhe Sytki Hoxha. Para se të bija në burg në Jugosllavi kanë shkruar pozitivisht për mua akademiku, dr. Esat Mekuli, akademiku, prof. dr. Hasan Mekuli, prof. dr. Petro Janura dhe shkrimtari Rexhai Surroi. Në Shqipëri, para se të bija në burg kanë shkruar pozitivisht Tajar Zavalani, kritiku i mirënjohur prof. dr. Adratik Kallulli dhe poeti i ndjerë Pano Thaçi. Pasi kam dalë prej burgut janë shquar me shkrime pozitive për mua Gani Skura, Zhulijana Jorganxhi, Ardian Marashi, Tomë Paloka, Ardian Klosi, Ardian Vehbiu, Skënder Buçpapaj, Vehbi Skënderi, Odhise Grillo, Hasan Hasani, Rexhep Hoxha, Luan Isufi, Ardian Kadrija, Kamber Skënderi, Mehmet Myftiu, Vlash Prendi, Mahi Nesimi, Zhaneta Ogranaja, Pjetër Jaku, Elinda Marku, Xhafer Shatri, Esat Myftari, dhe të tjerë. Nuk është i vogël numri i atyre që kanë shkruar jashtëzakonisht mirë për mua dhe veprën time në fillim, po pasi i ka kapur për fyti mafija enveriste, e kanë kthyer stilusin dhe kanë nisur të shkruajnë kundër meje. Deri më sot, libra e studime të hollësishme, pro dhe kundër meje, janë botuar rreth 150 tituj.
–Romani “Tradhëtia” mbetet një vepër unike në letërsinë shqiptare. A do të na japë shkrimtari Kapllan Resuli kënaqësinë të shijojmë ndonjë vepër tjetër të këtij niveli në të ardhmen?
RESULI: – Kam dëgjuar të thonë se vepra si romani TRADHTIJA shkruhen një herë në shekull. Megjithë këtë unë do ta kisha shkruar së paku edhe një roman të tillë, sikur të mos më kishin arrestuar, ose së paku sikur të më kishin lënë të qetë pasi dola prej burgut. Angazhimi im në frontin e mbrojtjes kundër mobingut e të satanizimit, që kanë organizuar kundër meje enveristët e titistët veç e veç, por edhe së bashku, si dhe angazhimi në frontin e disidencës e të shkencës, më ka rrëmbyer pjesën më të madhe të kohës, më ka penguar t’i kushtohesha letërsisë.
–Shtëpia botuese “Ballkan” në Ulqin boton ritmikisht veprën tuaj. Po në Tiranë keni patur ndonjë ofertë për të botuar serinë e veprave tuaja?
RESULI: – Shtëpia Botuese “Ballkan” ka botuar dhe botón edhe vepra të të tjerëve, që patjetër e meritojnë atë gjë. Në Tiranë, jo shtëpiat botuese, por as shtypshkronjat, as kundrejt pagesës, mua nuk më botojnë asgjë. Në vitin 2009, katër vepra të botuara në shtypshkronjën “Marin Barleti” dhe të paguara avans, m’u dogjën, duke tentuar për të më provokuar infarktin e dytë të miocardisit. As shtypit shqiptar të diasporës, se jo më shtypit shqiptar të Shqipërisë, nuk iu lejua të jepte për këtë kulturocid as njoftimin më të vogël. Mafia enveriste ndërhyri edhe në shtypin e huaj, bile edhe në mes të Beogradit e të Gjenevës, që për këtë kulturocid, pa precedan në ditët tona, të mos jepet qoftë edhe njoftimi më i thjeshtë. Krimet e enveristëve kundër meje janë shumë të mëdha. Në përpjestim me to është edhe urrejtja e tyre. Përmes shtypit, pra haptas, në emër të demokracisë së tyre, kanë kërkuar që të mos lejohet as që të hyjnë nga jashtë veprat e mija në Shqipëri. Bile, kanë kërkuar që as mua të mos më lejohet hyrja në Shqipëri, mua – që kam luftuar e kontribuar për lirinë e demokracinë e Shqipërisë më shumë se kushdo tjetër e si askush tjetër, mua – që edhe kam sakrifikuar për te më shumë se kushdo tjetër.
Duhet ditur se ShB “Ballkan” jo vetëm që nuk më jep asnjëfarë honororari, por edhe më kërkon shpenzimet e botimit. Është e vërtetë se pastaj ma dorëzon gjithë tirazhin, që unë e shpërndaj gratis. Dërgimi përmes postës më kushton më shumë se shtypshkronja.
-Sot jetoni në Gjenevë të Zvicrës, madje edhe shkruani. Cili ka qenë reagimi i autoriteteve zvicerane ndaj një autori të njohur, si Kapllan Resuli?
RESULI: – Para se të arrija unë në Zvicër ka arritur atje komisari politik i Ramiz Alisë – Ismail Kadare, që i ka mbledhur emigrantët shqiptarë të Shqipërisë e të Kosovës dhe u ka mbajtur leksione për mua, se jam agjent i UDB-esë e tj., ashtu siç e kishte instuktuar R.Alia, ashtu siç i ka folur edhe Adem Demaçit, që ky e ka pranuar edhe përmes shtypit.
Sigurisht që mafia shqiptare dhe ajo jugosllave kanë mobilizuar kundër meje edhe organizatat e tyre të miqësisë Zvicër-Shqipëri, gjegjësisht Zvicër-Jugosllavi, e në mënyrë të veçantë stalinistët, komunistët, dhe borgjezët e Zvicrës. Tek stalinistët e komunistët e Zvicrës më kanë prezantuar si antisocialist dhe antikomunist, kurse tek antikomunistët më kanë rekomanduar si komunist. Në këtë mënyrë, që nga dita e parë e arrtijes sime atje, dy gurët kryesorë të mullirit zviceran, antikomunistët dhe komunistët-stalinistët, m’i kanë bluar dhe vazhdojnë të m’i bluajnë kockat në mënyrë më kriminale, duke më luftuar ekonomikisht e psiqikisht, që të më detyronin për ta braktisur Zvicrën “vullnetarisht”, sigurisht – të paguar nga mafia shqiptare me droga e prostituta dollarë. Ata edhe ma hoqën statusin e emigrantit politikë, bile tentuan të më provokonin edhe infarktin e dytë të miocardisit, po dështuan në saje të ndërgjegjes sime të kristalizuar e të shpirtit të farkuar në kudhrën e qytetarëve konstruktivë të kësaj bote, siç ma kanë pranuar këtë gjë në Jugosllavi – prokurori publik Gavril Nešeski, ai që ka përfaqësuar akt-akuzën e UDB-esë kundër meje, dhe në Shqipëri – personalisht Fatos Nano, ktyetari i Partisë Socialiste.
Që kam qëndruar e po qëndroj në këtë vend, falenderoj popullin punues zviceran dhe, në mënyrë të veçantë, kolegët e mi në Lidhjen e Shkrimtarëve Zviceranë (AdS), që më kanë përkrahur dhe kanë dalë në mbrojtjen time edhe hapur, përmes mediave.
GAZETARI: –Ju faleminderit për intervistën, profesor!
RESULI: – Edhe unë ju falenderoj juve dhe mbarë popullin punues shqiptar, që në këtë 50-vjetor të botimit të romanit tim “Tradhëtija”, po më kujtoni.
Intervistoi: Fran Gjoka
Lezhe