Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. GJIKA
(Pse Shqipëria ka mbetur peng i mendësisë komuniste)
Gjermania naziste më 9 maj 1945 njohu humbjen dhe firmosi kapitullimin e sistemit nazist. Funksionarët dhe ushtarakët e lartë që u kapën gjallë i kaluan gjyqit dhe u dënuan si kriminelë lufte. Kështu u nda populli gjerman prej së keqes së vet. Mbas kësaj Gjermania u nda në zona kontrolli, tri zona kontrolloheshin prej Anglisë, ShBA-ve dhe Francës dhe një prej Bashkimit Sovjetik. Pjesa që kontrollohej prej aleatëve perëndimorë krijoi shtetin Republika Federale Gjermane (RFGj), që u quajt dhe Gjermania Perëndimore. Pjesa që kontrollohej prej BS u shpall shtet më vete me emrin Republika Demokratrike Gjermane (RDGj), që u quajt dhe Gjermania Lindore. Në plan ekonomik e politik këto dy shtete gjermane krijuan dy sisteme të ndryshme. Gjermania Perëndimore ndërtoi me ndihmën e aleatëve të vet sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë, kurse Gjermania Lindore e detyruar prej Bashkimit Sovjetik ndërtoi sistemin socialist me ekonomi të përqendruar në duart e shtetit.
Gjermania Perëndimore, që në fillim, ndoqi këshillat e udhëheqësit të saj largpamës, kancelarit Kpnrad Adenauer, i cili iu drejtua popullit me këto fjalë:
“Për fajin e vetë ne gjermanëve, Gjermania është e shkatërruar, ajo humbi rininë në luftë dhe një të tretën e teritorit (Gjermaninë Lindore). Na duhet të punojmë fort për ta rimëkëmbur vendin tonë dhe për të paguar dëmet që u shkaktuam vendeve që pushtuam gjatë luftës. Popull gjerman, kur të shkosh në zgjedhje, të votosh ata kandidatë që janë të njohur për ndershmërinë dhe atdhetarinë e tyre dhe jo ata kandidatë që janë të njohur vetëm për shkollimin e tyre të lartë. Gjermaninë do ta ndreqin atdhetarët e ndershëm që punojnë me përkushtim e sakrifica dhe jo ata që kanë diploma të larta, por që u mungon përkushtimi atdhetar.”
Që nga viti 1945 deri më 1960 populli i Gjermanisë Perëndimore punoi kokulur dhe në fushatat zgjedhore zgjodhi bij atdhetarë të përkushtuar pavarësisht nga arsimimi i tyre. Kështu u krijua një klasë e re politike e cila ishte ndarë një herë e mirë prej nazizmit dhe ndoqi një politikë ekonomike me rritje të shpejtë. Brenda 15 vjetëve RFGj arriti të rimëkëmbej ekonomikisht e politikisht, shleu detyrimet ndaj ish vendeve që kishte pushtuar, ia hoqi frikën botës se mos shkaktonte një luftë të re dhe u bë fuqia e parë ekonomike midis shteteve të Europës Perëndimore dhe filloi të thithte fuqi punëtore nga vendet e tjera. Duke ecur në këtë rrugë ajo u fuqizua aq shumë sa që më 1989 e detyroi Bashkimin Sovjetik ta dorëzonte Gjermaninë Lindore gati gjashtë vjet para afatit të caktuar.
Kurse Shqipëria paskomuniste ndoqi një rrugë të ndryshme nga ajo e Gjermanisë pasnaziste. Shqipëria paskomuniste nuk deshi të ndahej nga e kaluara, nga e keqja që pati sunduar për gati gjysëm shekulli. Në Shqipëri u krijua një klasë politike, e cila në shumicën e vet vetëm në dukje ishte e palidhur me ish kupolën komuniste, por në fakt ishte pjellë e saj dhe zbatuese e një politike jo demokratike. Kjo dukuri pati pasoja shkatërrimtare për atdheun:
- Udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë ndonëse e njohu dështimin e sistemit socialist diktatorial dhe e pranoi shpalljen e pluralizmit dhe krijimin e ekonomisë së tregut të lirë, ajo nuk pranoi ta shpallte veten fajtore për dëmet që i kishte bërë popullit gjatë viteve 1944-1991 dhe nuk kërkoi të falur. Ajo nuk dënoi askënd prej drejtuesve të diktaturës, madje as ish diktatorin e vdekur. Kjo mendësi prokomuniste ndikoi tek drejtuesit e Partisë Demokratike ish anëtarë të PPSh-së, që, kur morën pushtetin të mos i dënonin pjesëtarët e ish kupolës komuniste si e meritonin për krimet e kryera. Kështu ish kuadrot e lartë të PPSh-së, të sigurimit dhe të ushtrisë u nxitën që të mos pranonin se ishin pjesë e asaj ushtrie që doli e mundur prej Luftës së Ftohtë, e cila duhej të tërhiqej kokulur e të mos merrte pjesë në veprimtarinë politike e pushtetore. Për turpin e tyre ata rifilluan një luftë të re mashtruese si në politikë dhe në letërsi, ashtu si në vitet 1943-1990. Filluan të shkruajnë artikuj e libra të rinj me kujtime të mbushur vetëm me sharje e shpifje kundër kundërshtarëve të tyre dhe me lavdërime për trimëritë e bëmat e tyre pozitive për periudhën e Luftës Antifashiste dhe për kohën e diktaturës. Ata nuk bënë asnjë përpjekje serioze për të shpjeguar pse dhe si u instalua e keqja, diktatura, si ata u kthyen nga partizanë trima në servilë të diktatorit, si dhe pse kapitulloi diktatura bashkë me ushtrinë e vet. Ata nuk duan ende të kuptojnë përgjegjësinë që kanë pasur në zbatimin e politikës antinjerëzore të atij sistemi dhe në teprimin e krimeve duke vrarë, burgosur dhe internuar vëllezërit e një gjaku shumë më tepër sesa kishin vrarë e dënuar armiqtë e jashtëm të popullit shqiptar gjatë 100 vjetëve para ardhjes në pushtet të PKSh-së.
- Mosdënimi i krimeve të kryera gjatë sundimit komunist dhe i figurës së ish diktatorit, përbënnjë krim të ri, që tregon se sa poshtë kishin rënë dhe sa poshtë qëndrojnë ende sot nga ana morale ish pushtetarët komunistë dhe bijtë e tyre, të cilët shfaqen sienverucë në jetën e sotme duke luftuar që të imponojnë mendimet e tyre duke sharë e shpifur kundër gjithë atyre që mendojnë ndryshe. Sundimi i kësaj gjendje mendore tregon se Shqipëria e sotme nuk është ndarë nga e keqja dhe vijon të jetë peng i mendësisë komuniste.
- Drejtuesit e partive politike të Shqipërisë paskomuniste, që kanë lidhje të drejtpërdrejta ose të tërthorta me PPSh-në, nuk punuan dhe nuk punojnë për ta ndërgjegjësuar shqiptarin për të dënuar krimet e kryera gjatë kohës së diktaturës komuniste dhe për të mos ua dhënë votën bijve të ish pushtetarëve dhe ish sigurimsave të kohës së diktaturës komuniste.
- Në Gjermaninë Perëndimore nuk ishte prekur prona private prej nazizmit, prandaj ndihmat e huaja dhe investimet e pronarëve vendas dhe të huaj dhanë rezultate të shpejta. Në Shqipërinë socialiste prona private u shtetëzua dhe qeveritë paskomuniste nuk luftuan me ndershmëri për t’ua kthyer pronën pronarëve të vërtetë, por ua ndanë atë kryesisht ish komunistëve dhe shërbëtorëve të tyre besnikë. Po këtyre forcave iu shpërndanë edhe shumica e ndihmave të jashtme. Kjo gjendje e pronës tek ne nxiti vjedhjen e korrupsionin dhe pengoi e pengon investitorët për të bërë investime serioze.
- Sistemi diktatorial duke e varfëruar tej mase shqiptarin, duke e mbajtur të shtypur përmes një dhune të paparë, ia shkatëroi moralin njerëzor dhe ia neveriti dashurinë për atdheun. Shqiptari i kohës së diktaturës për të mbijetuar detyrohej të bëhej hajdut, gënjeshtar, mosmirënjohës, spiun e vrasës; vese të cilat vijojnë të jenë ende sot pjesë e karakterit të shumë prej nesh dhe na pengojnë të punojmë kokulur e me përkushtim atdhetar qoftë në atdhe, qoftë në diasporë.
- Duke mos pasur pronë të mjaftueshme në atdhe, duke u drejtuar prej politikanësh të pamoralshëm, shqiptari i sotëm ende e sheh si rrugë shpëtimi rrugën e shpërnguljes drejt vendeve ku mungon tymnaja helmuese e politikës shqiptare dhe puna paguhet më mirë. Po të mos bëhen korrigjimet e nevojshme për të treguar e dënuar krimet e kryera deri sot prej ish pushtetarëve të diktaturës e të tranzicionit, atëhere shpërngulja e shqiptarëve nga atdheu ka për të mbetur si e vetmja rrugë shpëtimi dhe Shqipëria do të kthehet në një shtet me popullsi të rallë, gjë që rrezikon të ardhmen e kombit tonë.
* * *
Pasi ky artikull u publikua në disa gazeta e forume mediatike, disa lexues shprehën mendimin se krahasimi i Shqipërisë paskomuniste me Gjermaninë pasnaziste nuk qëndron, mbasi populli gjerman e populli shqiptar janë shumë të ndryshëm. Gjermanët dallohen si një komb që e ka në gjak disiplinën, punën, besimin fetar të krishter, etj, kurse ne shqiptarëve na mungojnë këto cilësi, etj.
Popujt dhe kombet kanë disa karakteristika dalluese, por për ecjen e tyre përpara rolin më të madh e luajnë qeveritarët që qeverisin sejcilin popull. Këtë cështje e pati sqaruar Napolon Bonaparti më 1811, kur gjatë marshimit drejt Rusisë, duke ecur nëpër fushat e Polonisë, një gjeneral i tij me origjinë polake i tha se populli polak është një popull raja, pa vlera, që di vetëm të punojë tokën. Napoloni iu përgjigj: “Nuk ka popuj vetëm të mirë e të aftë dhe popuj vetëm të këqinj e të paaftë. Kur një popull qeveriset prej njerëzve të ndershëm tek ai lulëzojnë vetitë e mira njerëzore, ndërsa kur një popull qeveriset prej njerëzish të pandershëm tek ai lulëzojnë veset e këqia.”
Ishte populli gjerman, ai që i kishte dhënë botës shkrimtarë e muzikantë me famë si Gëte, Vagner, etj, i cili kur u qeveris prej Adolf Hitlerit kreu krime monstruoze të cilat nuk i kishte njohur historia njerëzore. Ishte po ky popull gjerman, i cili kur u qeveris prej qeveritarësh të ndershëm e atdhetarë si Konrad Adenaueri e pasuesit e tij, u bë shembull i përparimit njerëzor dhe ndihmoi aq shumë për shkatërrimin e së keqes komuniste në botë.
Edhe ne shqiptarët, po të ndërgjegjësohemi për vlerën e votës dhe t’ua japim atë bijve e bijave të ndershëm, këta do të na qeverisin jo si enverucë por si atdhetarë idealistë, atëhere vetitë e mira njerëzore do të lulëzojnë në karakterin tonë dhe Shqipëria do të ecë me shpejtësi drejt përparimit.