Ruzhdi Gurra
Cikel poetik
Për një shok
Të Premten nuk të pashë,- ku qe?!
Vendi yt ku rrije dukej dhëmb i rënë.
Si një shkallë guri në një bokë me dhe
Sa në merak më ke vënë!
Në fakt të Premten ku qe?!
Herën e fundit ti më fole gjatë
Se një rrugë kishe në malin Sopot
Kosin e llashkave përzier me mjaltë
Do haje me shokë poshtë në Dragot
Mua të paktën nuk më the…..
Të Premten e fundit ku qe?!
Këtë të premte dolën nga xhamia
Flisnin peligrinët..më tha.. e më the..!
Unë i menduar në një qoshe rrija
ku ferrat dhe hithrat mbire ne bahce
-Në fakt këtë të Premte ku qe?!
Ca ditë
Ca ditë shkojnë ca ditë vijnë
Ca ditë zbardhin ca ditë nxijnë
Ca ditë ikin pa u ndjerë fare
Ca ditë zgjaten mijëvjeçare .
Ca ditë lodhem ca ditë shplodhem
Ca ditë ngrohem ca ditë ftohem
Ca ditë bëhem akull fare
Ca ditë ngrijnë në mijëvjeçare.
Ca ditë qaj ca ditë qesh
Ca ditë rroj ca ditë vdes
Ca ditë vdesin pa lind fare
Ca ditë rrojnë në mijëvjeçare.
Ca ditë fal ca ditë falem
Ca ditë ndal ca ditë s’ndalem
Ca ditë vritem pa u ndjerë fare
Ca ditë vras në mijëvjeçare
Ca ditë dua ca ditë s’dua
Ca ditë them mos fol me mua
Ca ditë vij pas si manare
Ca ditë lus mos vdesësh fare
Ca ditë vdes për dashurinë
Ca ditë fare s’kam të ngimë
Ca ditë lus unë Perëndinë
Zot më fal mua të zinë.
Ndjesi Nëne
Unë e ndjej që ti nuk ke shkuar
Unë e ndjej që ti hapin nuk e ndal
Unë e ndjej dritën e bekuar
Që vjen e kujdesesh përherë me mall.
Unë e ndjej që ti ecën lehtë
Unë e ndjej, që faqet m’i fërkon
Unë e ndjej lotin tënd të nxehtë
Një lot që thellë nga shpirti buron.
Unë e ndjej lehtë fërfëllimën tënde
Unë e ndjej erën si afsh manushaqe
Unë e ndjej në shpirt edhe në mëndje
Që ty nuk të iket pa më puth në faqe.
Unë t’a ndjej shenjtërinë, O Nënë!
Unë t’i ndjej qartë bekimet e tua
Unë i ndjej bukur,dhe ti pa më thënë
Se ato ngelën dritë,që kurrë nuk u shua.
Si ta përkthej unë fjalën tënde
Në rrugën e rinisë, vite pa e shkelur,
kioskat shtrembaluqe, aty kishin ngelur,
Dola një mëngjezi, sapo kish’ aguar,
për dikënd që zemra, shumë qe përmalluar.
Qe mbushur qyteti, me fytyra të reja,
nuk gjeja karrike, s’dija ku të veja.
Kisha lënë vendin, për në tjera vënde,
se s’dija përkthimin, e fjalisë tënde.
Nxora një cigare, e vura në buzë,
si dikur që kohën, e thurnim tërkuzë.
Gishtat kapërthyer, neteve pa gjumë,
bota kishte fjetur,por jo ti dhe unë.
Ashtu në karrike, kafen duke pirë,
kisha rënë në gjumë, deri në të gdhirë.
Me portretin tënd, ndër ëndrra të gdhendur,
një thirrmë nga pas, më bëri të çmendur.
Me dëshirë të madhe, u hodha përpjetë,
zemrën do takoja, si dikur në jetë.
Isha i sigurtë, shumë i pregatitur,
Se si ta përkthej,dashurinë e pritur.
Ngela i shastisur, pse jo plot zhgënjime
isha një i huaj, në vendlindjen time.
Fjala dashuri, që s’donte përkthyer,
Malet e kufijtë kishte kapërcyer.
Me një dorë kafenë, në tjetrën duhanin,
zemra m’u nda gjysmë, sikur ndan bostanin.
Rruga e rinisë –me kafiqë mbërthyer,
s’isha unë i pari, që ngelja zhgënjyer.
Nimete
Trafiku ngulçonte si kurrë ndonjëherë,
këmbën s’e lëvizte si i farmakosur,
në këtë skaj të botës së bardhë polare,
në erë
ëndërra amerikane peshë çon,
kjo ëndërr e nakatosur,
me tensione nervore,
trafik mendimesh,
hallesh,sharjesh, përpjekjesh,rënkimesh
rropatje, ekzistencë..burrokraci,
trafiku amerikan
kuçedër,
wampir, që çdo sekond përpin një njeri.
Sirena policie si shigjeta akulli
të gjuhen nga pas me frikë e oshëtimë,
makina zjarrfiksesh,
tundet vendi me bubullimë
ambulanca bluzëbardhësh- Oh my God !
-dikujt me humanizëm i ofrojnë ndihmë.
Ushton ekspresi në vajte ardhje,
rendin nën dritat e forta të shpresës.
Ku fati kryqëzon jetë pakeqardhje
me gozhdë pashpirtësie, e plagë mbetës .
Një aksident fatal
ka thërrmuar xhamat e shpresës në asfalt,
pa mëshirë,
një filizit të sapo çelur
Ah! Nimetja bërtitën zogjtë nëpër drurë
O Zot-o Zot,- shpejto….
Mos e lërë zogun të ikë..
U derdhën aty mijëra copëza ëndrrash rinie,
me metrazh të gjatë,
premtuese,
dashurie,
jetë dhe buzëputhje.
Ah- moj nënë-përmendi ajo me një shqipe të butë si bilbileshë
fjalë zemre e ruajtur për frymën e fundit,
… kur lotët të shkojnë si krua,
“ Nënë ! Sa shumë të dua”!.
Një Yll,
Një ëndërr më shumë, sot në Amerikë u shua!
Mulliri fshatit
Pa derë pa dritare mulliri fshatit tim
Duket si një han që ka humbur hanxhinë
Atje veç gomerët pëllasin me tërbim
Jargët e njëri tjetrin me gjuhë i lëpijnë
Mulliri fshatit buçet prej hajvanëve
Mulli kooperative kushdo dhjet e shkon
Mulli që kurrë mos pafsh këtyre anëve
Mulli që ditën qan e natën rënkon.
Mes busheve qëndron mulliri gërdallë
i thatë i rreshkur, të zitë e ullirit
Aty injoranca pjell thërrija, e bëjnë pallë
Ca morra të kuq, sa minj të e mullirit.
Mulliri fshatit tim-fryhet me barkun bosh
Mulliri fshatit tim një gërmadhë e rrallë
Mulliri fshatit tim, ska as drithë as kosh
Veç ca kurvarë llafazanë, që vijnë vërdallë.
Qershor 1980
Nuses time….!
Kam vite e muaj që nuk të kam parë
Sytë seç mu terën goja m’është tharë
Shegarushja ime të lashë duke qarë
Hëna kur unë dola mbante kokën var.
Mbante kokën var hëna me gjithë yje
Unë rrugn’ e malit çaja nëpër pyje
Goja më qe lidhur më qe bërë nyje
Qaj sot djalërinë që në mes m’u thye.
Mu në mes na u thye neve dashuria
Ato kohë të ëmbla dhënë nga Perëndia
Lulet buzë prillit i vyshku mërzia
Maji me qershorin vdiqën nga uria.
Vdiqën nga uria, u thanë nga malli
Se një çift i ri u ndanë për së gjalli
Ndaj unë qaj e fufem si një qyqe mali
Askush nuk pyet ç’hall na ka ky djali.
Kam vite e muaj që nuk të kam parë
Rrugët e kurbetit me lot i kam larë.
Po nuk më besove yjtë kam dëshmitarë
Shegarushja ime Zoti e sjelltë mbarë.
Beograd. ..1989.
Lutje
I Madh, je o Zot me miljona herë
Plot mëshirë ndër krijesat pa kurrfarë dallim
Mëshirëplotë për njerzimin, myslimanë e krishterë
Mbret, i pastër, paqedhënës, e mbajtës në premtim
Ky është Zoti yt dhe Zoti im. !
Fuqiplotë, mbizotërues, krijues gjithë universal
Arkitekt, ndërtues, vazhdues, bujar e dëmshpërblim
Gjykatës, përmbarues, Ai që dënon dhe të fal
Dorëdhënës, ushtarak, gradues, e ç’gradues në njerëzim
Ky është Zoti yt dhe Zoti im !
Dëgjues, vështrues, avokat në drejtësi
I Butë, i mençur, mirënjohës zemërpërdëllim
I Lartë, ruajtës, i përsosur dhe cilësi
Ushqyesi, llogarimarrës, fisnik e trim.
Ky është Zoti yt dhe Zoti im.!
Xhentil, vigjëlues, faljepranues gjithëpërshirës
I Urtë, I lavdishëm,ringjallës e vetëdëshmim
I Vërtetë, përkujdesës, i fortë, mbret i mëshirës
I Pathyeshëm ngadhnjimtar, e vetëfalenderim
Ky është Zoti yt dhe Zoti im..!
Filluesi, rikrijuesi, jetëdhënësi e jetëmarrësi
I Gjallë, i përjetshëm, i çfarëdosoj në krijim
Fisniku, strehimtari, i fuqishmi dhe gjykatësi
Nismëtari, paslënësi, i pari dhe i fundit mësim
Ky është Zoti yt dhe Zoti im.!
I Dukshmi, i padukshmi, udhëheqësi shumë i lartë,
Mirëbërës, ndëshkues e mëkatpranim.
I Dhembshur, pushtetmbajtës, cilësi shumë e qartë
Mbrojtes, pasuridhënës,mirëmbajtës dhe grumbullim.
Ky është Zoti yt dhe Zoti im.!
Ndëshkues, dobiprurës, shëndëllim në galaksi
Udhëzues, vetëshpikës,i pavdekshëm e trashgim
Durimtar, shumë i dashur je o Perëndi
Bekoje O Zot popullin tënd deri në Amshim
Ky është Zoti Yt dhe Zoti im.!
Amin!
Kritikë vetes time
Nuk më lexon më një miku im
për një vjershë timen hatri i kish mbetur
Unë bëj ca rreshta që janë si ushqim
dhe vë në lëvizje shpirtërat e fjetur.
Nuk më lexon më një mikesha ime
Kur hodha ca vargje ashtu si pa mend.
Mos u hidhëroni, se nuk janë vendime
si atje lart që quhet kuvend.
Nuk më lexon më shoqëria ndezur
Metrikën duan t’ua lozësh pas avazit tyre
Por këto u them, ka poezia vëllezër
Rreshta në petale, lule ngjyra ngjyra.
As vetë se kuptoj,se si një njeri
Nuk e lexon dot poezinë e tij…
Ne jetën e tjetrit bukur kritikojmë
Paçka se të tonën s’dimë ta lexojmë!
E urrej
E urrej mënyrën me mua si flisni.
flokët si i krihni më tërbon…
Inat e kam makinën si e ngisni,
çmendem kur sytë në mua zgurdullon.
E urrej gjithçka tënden,ecjen,çizmet,xhaketën,
më çmënd se si mendjen, ekzakt ma lexoni,
Të jem e sinqertë,- t’ju them të vërtetën
lemerisem kur me çmëndjen time strofa poezoni.
E urrej kur të drejtë keni, sa gjumi nuk më merr,
por më shumë përbrendem kur më gënjeni,
inat më vjen kur më bën te qesh,e tmerr
e kam, kur lotët faqesh m’i vëreni.
E urrej kohën kur nuk jeni pranë meje,
dhe faktin që ju nuk më telefononi.
Por më së shumti urrej jashtë çdo feje,
Mënyrën se si më dashuroni…!