(Bisedë me Majlinda Nana-Rama, drejtoreshë e Panairit të Librit, “Fieri-2015”)
Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë
-Jo shumë kohë më parë, pra në mesin e muajit prill 2015, ne zhvilluam bashkë një bisedë për krijimtarinë tënde letrare. Aty, ti tregoje se po bëheshin përgatitje për organizimin dhe zhvillimin e një Panairi të Librit, në qytetin e Fierit. Dhe ja, tani, në disa adresa shtypi e Interneti ose njerëzve të veçantë, u dërguat njoftimin për realizimin e këtij projekti. Çfarë mund të thuash më tepër, për këtë ngjarje me rëndësi kulturore, jo vetëm për rrethin tuaj, por dhe më gjerë?
-Së pari, faleminderit që, me këtë bisedë, edhe ju po bëheni pjesë e kësaj ngjarjeje, me përmasa mbarëkombëtare shqiptare. Sipas programit, tashmë të hartuar dhe të shpërndarë për të interesuarit, Panairi i Librit “Fieri-2015” do të jetë i shtrirë në katër ditë, pra në datat 21-24 maj 2015. Ai do të çelet në mjediset para Prefekturës së Fierit.
-Kush është i ftuar dhe që pritet të marrë pjesë, në këtë Panair?
-Janë ftuar ndër personalitet më të njohura të fushës së letërsisë, shkrimtarë e poetë, studiues të ndryshëm, por dhe nga politika. Pritet që ata të jenë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Në ceremonin e hapjes do të jenë të pranishëm përfaqësueus të ministrive të Kulturës, si të Shqipërisë e Kosovës, deputetë etj.
-Ndonjë me emër, nga ata, a mund të na thoni?
– Po, për shembull, të ftuar të veçantë janë: Akademikët Ali Aliu e Rexhep Qosja, poeti Fatos Arapi, për të cilin do të zhvillohet një Konferencë shkencore, në datën 22 maj. Po kështu, do të jetë i pranishëm ministri i Kulturës së Kosovës, Kujtim Shala, për të cilin kemi menduar t’i bëjmë edhe një përurim të krijimtarisë së tij letrare e studimore. Në të njëjtën kohë, do e nderojnë këtë veprimtari profesorë e studiues të njohur, si: Jorgo Bulo, Klara Kodra, Agim Vinca, Zejnullah Rrahmani, Moikom Zeqo, Nasho Jorgaqi, Behar Gjoka etj.
-Kush e organizon këtë Panair, që është dhe vazhdim i një tradite të mëparshme?
-Këtë veprimtari të madhe për librin e organizojnë Fondacioni “Harpa” dhe Bashkia e qytetit. Pritet që në atë të marrin pjesë rreth 100 Shtëpi Botuese. Ato do të paraqesin larmi botimesh, si: letërsi artistike shqipe dhe të huaj, për të rritur e për fëmijë, libra me tematikë historike dhe enciklopedike, fjalorë të ndryshëm, albume, udhëzues, harta etj.
-Përmende më lart se do të organizohet një konferencë… Po ndonjë veprimtari tjetër, a do të ketë?
-Përveç konferencës për poetin e njohur Fatos Arapi, do të ketë edhe dy konferenca të tjera. Në atë me temë, “Libri dhe problemet e tij, në aktualitetin e sotëm”, do t’i lexojnë punimet e tyre: Ali Aliu, Moikom Zeqo, Muharrem Jakupi, Irena Toçe, Valbona Nathanaili e Abdullah Zeneli. Ndërsa në Konferencën me temë: “Fan Noli dhe Faik Konica, dy personalitete-miq e rivalë të përjetshëm”, do të flasin Nasho Jorgaqi, Behar Gjoka, Klara Kodra e Agim Vinca.
-Nga praktika e panaireve të tillkët, organizohen edhe përurime të librave, nga autorë të ndryshëm… Pra, cilët janë ata, që do t’i paraqesin aty librat e tyre?
-Do të përurohen: veprat e Kujtim Shalës, Preç Zogajt, Bashkim Shehut, Mira Meksit, Rita Petros, Nasi Lerës, Kleo Latit, Zejnullah Rahmanit etj. Po kështu, meqenëse sivjet kanë përvjetorë lindjesh ose ndarjesh nga jeta disa autorë, do të bëhen interpretime nga krijimtaria e autorëve të njohur shqiptarë: Naim Frashëri, Martin Camaj, Ernest Koliqi, Çajupi, Gjergj Fishta, Pashko Vasa etj. Për këtë, kemi menduar të aktivizojmë aktorët e Teatrit “ Bylis” dhe nxënësit më të talentuar të shkollave të mesme të qytetit.
-Sigurisht, tërë kjo pjesëmarrje autorësh, të ftuarish dhe veprimtari të ndryshme, do të ketë edhe vlerësime përkatëse… Çfarë është menduar për këtë gjë?
-Në mbyllje të tërë Panairit të Librit, në Fier, do të jepen katër çmime. Ato do të jenë për prurjet më të mira të vitit, në gjini të ndryshme letrare. Vlerësimin do ta bëjë një juri, e përbërë nga personalitete të njohura të fushës së letrave shqipe.
-A mos e keni “harruar” në këtë bisedë, median e shkruar dhe atë elektronike?
-Jo, ata do të jenë të pranishëm gjatë katër ditëve të Panairit të Librit “Fieri-2015”
-Deshët të shtonit ndonjë gjë tjetër, për pjesëmarrësit ose të interesuarit e tjerë të këtij Panairi?
-Besoj, është e dobishëme të dihet se, të ftuarit që dëshirojnë, mund të marrin pjesë, çdo ditë, në guidat turistike, si në Apoloni, Ardenicë e Bylis.
-Ju uroj sa më shumë sukesese në këtë veprimtari të bukur, interesante dhe mbresëslënëse, për të gjithë pjesëmarrësit!
-Faleminderit, Prof. Gecaj, si për interesimin tuaj dhe zhvillimin e kësaj bisede!
Tiranë-Fier, 18 maj 2015