(Bisedë me Liljana Kristulin, mjeke dhe autore e pesë librave)
Nga: Prof. Murat Gecaj ,
publicist e studiues-Tiranë
- Është kënaqësi, dr.Lili, që po bisedojmë bashkë. Dy janë arsyet kryesore: Së pari, krahas botimeve profesionale, shkruan edhe në fushën e letërsisë. Së dyti, ke shërbyer në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), nga jam edhe unë. Po kësaj teme do t’i kthehemi pak më tej. Pra, po e nisim bisedën me pyetjen, kur ke filluar të shkruash?
– Të shkruaj, me kuptimin e plotë të fjalës, nisa në semestrin e dytë të klasës së parë. Atë vit, me të filluar ditët e ngrohta të pranverës, dilja që me mëngjes nga “Lëndinka e Lotëve”, e harrohesha mbas luleshqerkave. Më të hyrë të dimrit, që atë mot e shtroi borën para kohe, ngjitesha përpjetë Qeroskës e shkisja tëposhtë sokakut të ngrirë. Kthehesha në shtëpi, kur më cfiliste uria. (Isha bërë bredhamankë, thënë me fjalët e gjyshes).
Për të më “përmbledhur”, pasi njëra nga tezet kishte thënë se vetem të nxënët “ia mbledh kallaballëkun”, një ditë të hëne, më vunë në dorë pecen e kallamarin e më nisnë për në shkollë.
Semestri i dytë, kishte një copë herë që kishte filluar e unë nuk e kisha mbushur moshën shkollore. Nuk dija të shkruaja, por dija të lexoja. Më pranuan dëgjuese.
Mësova të shkruaja e vazhdoja të lexoja, kureshtare, çdo gjë që më binte ne dorë. Se shtëpia ishte plot me libra e revista. Biblioteka e qytetit, dy hapa më tej, në krye të rrugicës. Kur nga librat e tezes nuk mbeti më ç’të lexoja, se i përpiva pa mbaruar tetëvjeçaren, u regjistrova në bibliotekë. Më kujtohet ajo ditë. Klara, bibliotekarja, me orientoi drejt librave të përshtatshëm për moshën time. Ndërsa unë mora drejtimin për në sallën tjetër, me libra për të rritur. Era e ngjitësit të librave, moria e librave të sistemuar në raft e siper raftit, skrivania me librat e përhapur mbi të dhe qetësia, si në kishë, e sallës së leximit, më magjepsën.
Shi atë çast mendova: edhe unë do të shkruaj një ditë. Nisa të shkarravisja mbresa në çdo cep libri e fletoreje dhe më pas të shkruaja poezitë e para. Poezi, që i përmblodha në librin “Pemë e gjethe”.
2.Duke e lexuar , poezi pas poezie, “Pemë e gjethe” të le përshtypjen e tërësisë, vazhdimësisë, si një poemë. Tematika e saj, ajo mbizotëruesja është ndarja, largimi, pa trishtim, pa keqardhje, pa melankoli. Largimi, ikja, ndarja, për ty janë një proces normal i jetës?
-Jeta ime ka rrjedhur nëpër ndarje. Rritur midis Tiranës, ku banonte familja, dhe Korçës, ku banonte gjyshja me tezet, më duhej të ndahesha shpesh nga familjarët dhe miqësitë. Emërimi në Tropojë, pastaj transferimet dhe më vonë emigrimi, pra kjo lëvizje e përherëshme, ecejakje e vazhdueshme, pa zënë asnjëherë plotësisht rrënjë në të njëjtin vend, mendoj se ka lenë gjurmë, pra ka ndikuar edhe në poezitë e mia.
3.Librat në prozë “Mespërmes Europës” dhe “Gra të harruara” i ke shkruar në vetën e parë. Kjo është thjesht një zgjedhje letrare apo tregimet janë rrëfime nga jeta?
-Ngjarjet janë të jetuara, personazhet realë. Të shkruarit në vetën e parë ishte komunikim me vetëveten; ishte shkëputja nga kujtime të dhimbshme, fshehur nënë kore. Zgjodha të “rrëfehem”, për t’u bindur se isha shëruar nga e kaluara, edhe pse cikatricet ishin të thella; se isha ngritur sërish në këmbë edhe pse rruga, që po ndiqja, nuk ishte fushë me lule. Vendosa t’i botoja, për ta ndarë përvojën time me ata që, si unë, ndryshojnë, formohen, përpiqen e piqen, përmes gabimeve e vështirësive, me të vetmin qëllim : t’ia dalin mbanë.
4.Novela “Gra të harruara” ka personazhe me karaktere të spikatura . Çfarë mendoje, ndërsa shkruaje jetët e tyre, të ndërthurura me njëra-tjetrën ?
–Do më pëlqente, që lexuesja të mendojë: Kjo jam unë…Kjo është një pjesë e jetës time…
5.Ke botuar 5 libra, një me poezi, dy me tregime e dy profesionalë. Mendon se ke arritur aty, ku ke dëshiruar?
– Vënia në diskutim e asaj, që ke arritur të bësh, mendoj se është e rëndësishme për t’i njohur veten, dëshirat, mundësitë; për t’u rivlerësuar objektivisht, realisht, pa e mëshiruar veten, pa keqardhje, që nuk ke mundur ta bësh siç ke dashur o për ç’ka nuk ke arritur të bësh më parë. Besoj se asnjëherë nuk është vonë për t’ia bërë vetes pyetjen : Kjo jam unë? Është kështu, ajo që dua të jem, me të vërtetë?
6.Kjo do të thotë, se ke në dorë një libër tjetër?
Një vëllim me poezi dhe një novelë, për 2016-ën. Shpresoj.Uroj!…
- Çfarë është të shkruarit, për ty ?
-Pritje, pritje e domosdoshme. Si të presësh ndërrimin e një treni. Zbret nga treni i së përditëshmes, për ta marrë atë të fantazisë. Rri aty, përzjehesh me turmën, sheh, vëren, kujton, dëgjon, imagjinon, veçohesh, pret…E ndjen me të gjitha shqisat trenin, që afrohet. Je gati të hipësh mbi të. Gati për të shkruar një faqe tjetër.Kështu, ndjehesh mirë.
8.Bota e komunikimit ka ndryshuar. Shumë autorë përdorin blog për t’u lidhur me lexuesin. Ke një blog tëndin?
–Jo, por në facebook, jam duke publikuar librin “Heshtja nuk është zgjidhje”. Faqja gjendet pikërisht me këtë emër. Për këtë libër me tema shoqërore kam punuar disa vite. Mendimi për ta shkruar më lindi pasi lexova të dhënat, që sekretari i O.K.B.-së, Kofi Annan, ia paraqiti Asamblesë së Përgjithëshme së kësaj organizate. Ishin shifra e fakte tronditëse për dhunën, që pësojnë fëmijët nga të rriturit.
Duke nënvizuar se shifrat janë shumë më të vogla, se realiteti, ai raportoi që, gjatë vitit në studim, 150 milionë vajza dhe 3 milionë djem, të moshës më të vogël se 18 vjeç, janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale, ose kanë pësuar dhunë seksuale!?
Në nivel botëror, 36% e grave dhe 29 % e burrave, pohuan se gjatë fëmijërisë kanë qenë viktimë e provokimit dhe ngacmimit seksual, nga një i huaj ose një familjar.
Në libër e kam trajtuar pikërisht këtë temë delikate, pedofilinë, abuzimin e dhunën seksuale, duke shtuar edhe njohuri për bulizmin, stalking, mobbing e drogën, dukuri të përhapura, tashmë. Argumentet janë shtjelluar në përshtatje me moshën e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Ndërsa libri “Unë dhe Dializa” është manual për personat, që trajtohen me dializë. Shkruar, fillimisht në italisht, për pacientët e klinikës ku punoj. Më 2014, e botova edhe në shqip.
9.Po i kthehem sërish faktit, që ke jetuar gjatë në Malësi të Gjakovës, nga jam edhe unë. Pra, megjithëse ti je rritur mes Korçës e Tiranës, më ngjan se jemi bashkëkrahinas (ha,ha). Çfarë mund të më thuash, për ato vite ?
-Vitet e kaluara në Tropojë kanë qenë për mua një universitet i dytë. Në atë bashkësi me pak banorë, ku të gjithë dinim gjithëçka për njëri- tjetrin, çdo gjë kishte përmasa epike: dashuria, vetmia, miqësia, malli, dëshirat, dhimbja, vuajtja.
Bujaria, mikpritja, fisnikëria e banorëve të atyre trojeve, barazohen me lartësitë e bjeshkës. Novela, që kam ndër duar, e “ngjyen” penën pikërisht aty, në Tropojë të vjetër.
10.Kur të rastis të takohesh me një tropojan, si sot me mua, çfarë mbresash të ringjallen?
-Të mira, të bukura. Më vjen ndërmend “aroma e kshtajave të pjekuna, shija e pites dhe e flinit dhe më mbushet goja me lang. Ndjesi e “damshme” kjo, sepse janë të pasuna me kolesterol dhe m’duhet me ba kujdes !” (ha,ha,ha).
11.Keni shumë vite larg Atdheut, jetoni në Itali… Cilat janë përshtypjet, kur rikthehesh?
-Po të flasim për librat, them se më bën përshtypje sasia e botimeve. Autorë shqiptarë dhe përkthime, emra të njohur e të panjohur. Kjo është pozitive dhe e bukur. Por, në ketë “bum” krijimtarie, miqtë e mi, autorë librash ose studiues, shprehin trishtimin, që shtëpitë e botimit nuk investojnë për autorët. Pra, botimi është në dorë të shtypshkronjave: librat shtypen, vetëm po të paguash?!
12.Ti je mjeke, çfarë këshille do t’i jepje lexuesit?
-Të lexojë sa më shumë; romane, tregime, poezi. T’i “shfrytëzojë” rregullisht bibliotekat. Biblioteka është muzeu i librit. Ashtu si objektet e muzeut, librat e rrëfejnë biografinë e vendit dhe të popullit të tij. Biblioteka është djepi i demokracisë, aty librat flasin pa u imponuar, pa u përzierë, pa u ngatërruar me njëri-tjetrin. Zërin e çdo libri e dëgjon qartë, veçmas, e dallon. Nëpërmjet leximit zbulojmë se gjithkush, autorët e personazhet kanë sekrete e dëshira, pra jemi të barabartë. Kjo është një lloj terapie.
Falemnderit për bisedën!…
-Gjithashtu, ju falënderoj përzemërisht, dr. Lili. Me këtë rast, ju uroj shëndet të mirë dhe arritje në punët e pëërditëshme, krijimtari të begatë dhe gëzime e lumturi në familje!
Mars, 2015