Poezi nga ENKELEJDA KONDI MASSEBOEUF

Poezite u moren nga libri “HESHTJE E KTHJELLËT”

 

S’di t’i jap një moshë njeriut

 

Kurrë s’dita t’i jap një moshë njeriut,

S’di të lexoj në fytyrë rrudhat

Apo të numëroj flokët e bardhë.

S’di t’i vëzhgoj me vëmendje

damarët në duar,

Hapat që hedhin në trotuare

Apo sa buzëkuq dhe krem-pudër

kanë femrat mbi fytyrë a buzë.

S’di t’i jap një moshë njeriut,

S’di t’i them “i vjetër” apo “i ri”,

S’di t’i bëj komplimente dikujt për moshën,

Por di ta quaj dhe ta dua njeriun si njeri…

 

Ikën apo vjen?

Nuk e di nëse ikën apo vjen

Këtij qiellit tim plot re, të vrarë,

Kur pikon puthja nën një strehë,

Loti-shi vjeshte që ende s’është tharë.

Nuk e di nëse ikën apo vjen

Këtyre brigjeve të huaja ku fryn erë,

Ku malli thërrmohet skutave të shpirtit,

Ku zjarri pret të ndizet edhe një herë.

Nuk e di nëse ikën apo vjen,

Se dhe lotët erës tani i janë tharë,

Kur ajo këndonte në një natë dimri

Me iso fërshëllimash e pa fjalë.

Nuk e di nëse ikën apo vjen…

 

Rebelim

Do të doja ta rebeloja fjalën,

Trupit të saj të vogël, të nxehtë, të rrumbullakët

T’i jepja formën e velave të një barke në det të tallaztë.

Ta bëja fjalën rebele, t’ia ngjizja thirrjen e shpirtit

Para paradokseve të shëmtuara

të kësaj kohe të shtypur,

Para gjakut që avullon në qiej të nxehtë.

Ta rebeloja fjalën…

E djegur fjala ime nga llavat e kohës së ftohtë,

E trazuar nga instinktet dhe halucinacionet

e shfrenuara.

Të presim së bashku stuhitë e turbullta dhe të dimërta

Të atyre që gjithnjë pretenduan se të kuptuan.

 

Baladë e trishtuar

 

Hënës prapë i fola për ne,

Ashtu, me zë të ulët, pak e ndrojtur.

Ftohtësia e saj u fërkua qiejve,

Qetësia iu prish dhe dhimbjen e ndjeu si unë,

Detit i dha një ngjyrë të zbehtë xhelozie,

Qiejt u zhveshën lakuriq nga habia,

Sytë tanë u përplasën dhe shkrepën vetëtima,

Me duart e mia të kërkova në dete e qiej

në këtë natë, kur ti ikje dhe kokën s’e ktheve më pas.

Toka me përbuzje e ndoqi këtë baladë të trishtuar,

Se ikjet janë gjithnjë të dhimbshme…

 

Erdhe

 

Atëherë kur gjithçka brenda meje

zbehej si gjethe vjeshte,

Erdhe ti, i ndrojtur trokite

në portat e tempullit tim të heshtur.

Erdhe dhe zgjove nga gjumi

jetën që digjej syve të mi të etur,

Erdhe dhe me një puthje zgjove

ndjenjën strukur dritaresh dhjetori,

Mbuluar nga një sipar i hijshëm yjesh që ndriçonte

hijen e zemëratës sime,

Atëherë kur në qiellin tim shkrepnin vetëtima,

Binte vetëm shi fjalësh të pathëna…

Erdhe ti dhe mes stuhish lundrove

brenda detit të shpirtit tim,

Aty ku dashuria përpëlitej mes dallgësh,

kredhur në banjë gjaku,

Ku as drita e diellit nuk depërtonte,

kish frikë se e përzieja…

Erdhe ti në britmën e verës sime të trishtuar

Dhe unë u zgjova në duart e tua, në shtrat lulesh,

Dhe njoha aromën e jetës

Në rrjedhën e zemrës tënde të kulluar…

 

 

Ali Podrimjes

 

Për një grusht ujë i etur,

Për pak paqe, shpirti munguar.

Kokën e mbështete në tokën e dritës,

Me një buqetë të vogël ndër duar.

Poet, tani s’ndihem më vetëm,

Se këtu afër, pranë meje,

Shpirti yt këndon ende këngë,

Nga Lodève ia dëgjoj oshtimën.

 

Poetit

 

Sot fola me një poet…

Dhembte shpirti i tij i mbyllur.

Brengat, të ngrira si eshtra të pakrisura nga koha,

Ishin ngurtësuar në heshtje aq shumë.

Në zemrën e tij vitet ishin kthyer në një botë

Të hidhur, të pamëshirshme.

Unë e ndjeva poetin

Dhe lotin e pimë të dy në një gotë të zbrazur

Dhe pastaj psherëtimën ua derdha vargjeve,

Heshtjen e përtypëm me kraharorët zhveshur.

Sot fola me një poet…

Ai derdhi lot në heshtje

Dhe e kuptova se poetët s’janë kurrë të lumtur!

 

 

Sot

 

 

Sot m’u duk

se sipër reve bota shfaqej e vogël, uniforme,

Mbështjellë me tisin e ylbertë të ditëve të mia,

Që presin vjeshtën hapnazike.

M’u duk sikur një fije shprese, jete

Midis reales m’u përhumb kaltërsive të pafundme.

M’u duk sikur malli s’kish kohë, kufifi j,

U tret aty diku, i trazuar në qenien time.

M’u duk sikur pak, shumë pak jetova

Dhe sa shumë humba.

M’u duk se të humba kur mbete pas meje

Dhe unë e vetme vazhdoj këtë fluturim të çmendur,

Që njeh vetëm një destinacion: kthimin e përkohshëm

Drejt teje, përjetësi, Atdheu im!

 

 

Pa pranverë

 

Në një qiell të qetë pa re,

Me esencë femërore parfumuar,

Kërkoj folenë e humbur për pak kohë,

Do pres pranverën e vonuar.

Ditët e para të majit do t’i pres,

Do t’i ngjitem edhe kohës ndër kujtime,

Me shikimin larg do ndjek fluturimin

E zogjve të hutuar,

Që më duken si fletë të bardha

Të pashkruara.

Kam mall…

Unë e humba folenë këtë verë,

Unë, zogu i brishtë pa krahë

E pa pranverë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *