KONFERENCË SHKENCORE, NË NDERIM TË AKADEMIKUT SHABAN DEMIRAJ

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

Sot paradite, në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, në kryeqytet,  Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve & Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, organizuan Konferncën përkujtimore, “Shaban Demiraj, figurë e shquar e shkencave albanologjike dhe e arsimit tonë kombëtar”, me rastin e 95-vjetorit të lindjes së tij. Merrnin pjesë akademikë e profesorë, studiues të fushave të ndryshme, përfaqësues të institucioneve kërkimore e studimore, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Ishin të pranishëm edhe studiues të njohur nga Kosova e Maqedonia.

Në emër të organizatorëve, fjalën e rastit e mbajti kryetari i Akademisë  Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, Limos Dizdari. Në përgjithësi, ai evidentoi vlerat shumëplanshe të Akademikut të ndjerë, prof. Shaban Demiraj, “Nderi i Kombit” e “Mësues i Popullit”, personalitet shumë i njohur në fushën e arsimit të lartë dhe të shkencave albanologjike shqiptare.

Pastaj, sipas programit të hartuar, i paraqitën punimet e tyre disa studiues, të cilët kishin në qendër te temave të tyre, studimet dhe botimet e shumta të prof. Shaban Demiraj, një pjesë e mirë e të cilave kanë qenë e mbeten pasuri e vyer edhe për brazat e studentëve dhe pedagogëve tanë të shkollave të larta.  Kështu, prof. Emil Lafe lexoi temën e  përgatitur në bashkëpunim me Remzi Nesimin (nga Shkupi), “Akademiku Shaban Demiraj, dijetar i shquar dhe me ndikim të gjerë, për zhvillimin e gjuhësisë shqiptare”. Përveç mjaft librave, me autorësinë e tij, vetëm në revistëne “Studime filologjike” ai publikoi 50 punime shkencore, të cilët janë me mjaft interes.

Studiuesit nga Vlora, prof. Nexhip Mërkuri e prof. Bardhosh Gaçe paraqitën para të pranishmëve temat e tyre: “Gjuhësia e përgjithshme dhe këndvështrimet bashkëkohore, për Epirin e Mesapët” dhe “Ndihmesa e Shaban Demirajt në studimin e letërsisë shqipe”. Më tej, Viktor Bakillari lexoi punimin e hartuar me Kujtim Kapllanin, “Nderimi i prof. Shaban Demirajt për albanologët e ndryshëm evropianë” dhe prof. Rami Memushaj, “Ndihmesa e prof. Shaban Demirajt për ilirësinë e Epirit”.

Të ftuarit e kësaj Konference ndoqën me interes të posaçëm temat e lexuara nga studiuesit, që kishin ardhur nga Shkupi: “Ndihmesa e prof. Shaban Demirajt për afirmimin e letërsisë arbëreshe”(nga Zeqirja Neziri) dhe “Vepra e prof. Sbaban Demirajt “Gjuhësia Ballkanike”, një shembull për ballkanistikën”(nga Zeqirja Ibrahimi).  Gjithashtu, u paraqitën tema të tjera,  nga studiuesit e Universitetitë të Shkupit: Mirushe Hoxha “Rreth trajtimit të mënyrës dëshirore, në studimet e prof. Shaban Demirajt, për morfologjinë historike të shqipes”; Valbona Toska, “Çështja e rimarrjes së kundrinës, në veprën “Gjuhësia ballkanike”, të prof. Shaban Demirajt” dhe Asllan Hamiti, “Ndihmesa e prof. Shaban Demirajt për ballkanologjinë”. Ndërsa nga Universiteti i Tetovës, Mustafa Ibrahimi lexoi punimin e tij, “Shaban Demiraj, për eposin arbëresh dhe për rëndësinë e gjuhës arbëreshe”.

Vëmendjen e të pranishmëve në këtë Konferencë, e cila u shoqërua me pamje filmike nga jeta dhe veprimtaria e begatë shkencore e pedagogjike e Akademikut Shaban Demiraj, e tërhoqi edhe punimi, që paraqiti Mario de Matteis, nga Universiteti i Bohumit, në Gjemani.

Pjesëmarrësit e kësaj Konference, në nderim të jetës dhe veprimtarisë së prof. Shaban Demirajt-Akademik,  i vazhduan bisedat e tyre në koktejin e shtruar me këtë rast.  Tërë veprimtaria ishte mbështetur nga MAS dhe Shtëpia Botuese “Albas”.

Në fund, dëshirojmë të shtojmë se botimi në një libër të veçantë i këtyre punimeve, që u lexuan në këtë Konferencë përkujtimore, do të pritej me interes nga studiues të ndryshëm, pedagogë e studentë dhe njerëz tjerë të interesuar, si brenda e jashtë vendit tonë.

 

Tiranë, 24 janar 205

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *