NDUE DEDAJ
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga na bën me dije se Papa Françeskut “i dhurova një kristal të nxjerrë 900 metra thellë nga Trepça, me dheun e Kosovës, për ta bekuar atdheun tonë të shenjtë”. Nuk është një gjë e panjohur dhurimi i gurit të vendit tënd dikujt tjetër me një pozitë të lartë shtetërore, aq më tepër Papës, por simbolika e këtij gjesti në këtë rast na duket se ka një domethënie më se të veçantë. I pari kuptim sipas nesh është ai rrënjëve të hershme, autentike shqiptare në një vend që ia kanë kafshuar e deformuar kufijtë, historinë, demografinë prej afro një shekulli e gjysmë. Presidentja e kishte shpallur kredon e asaj vizite që gjatë rrugës për në Selinë e Shenjtë, kur shkroi se “me Shenjtërinë e Tij do të ndaj rrëfimet për traditën e pasur të vendit tonë dhe qytetarëve të saj, rrugën tonë drejt lirisë, sakrificën në bazamentin e shtetit tonë dhe harmoninë mes religjioneve…” Ky pra është dhe “kristali”, diamanti, margaritari që kryetarja e shtetit të ri të Kosovës do t’i kumtonte Papës, duke kërkuar prej Tij njohjen e shtetit të saj legjitim, i njohur tashmë nga njëqind e tetë shtete të botës.
Një grua Presidente që rrugëton në këtë dimër jo pak të acartë e shpërthyes drejt shtetit të Vatikanit, kur sapo është kthyer nga Parisi ku ka marrë pjesë në manifestimin e lirisë së fjalës me krerët më të lartë të shteteve dhe qeverive të Europës. Nuk e di pse ajo shifra 900 metra thellë të bëhet se është jo nëntokë po e kredhur në historinë e këtij populli, shqipja e të cilit rrjedh nga “Meshari” i Buzukut. Presidentja Jahjaga është e ndërgjegjshme për auteticitetin kulturor dhe juridik të këtij populli në të gjithë hapësirën etnike shqiptare dhe kërkon që këtë të vërtetë të patjetërsueshme ta përçojë edhe në rrafsh diplomatik. Kemi patur rastin ta dëgjojmë nga afër një ligjërim të sajin të spikatur për Kanunin e Lekë Dukagjinit tre vjetmë parë në “Takimet e Gjeçovit” në Zym. Nuk është se befasohesh nga filozofia dhe fuqia e kësaj vepre madhore, në gojën e dijetarëve vendas e të huaj, etnologë, konstitucionalistë, politologë, po kur këtë e dëgjon nga kryetarja e një shteti që aspiron të antarësohet në bashkësinë e shteteve europiane, bindesh se në Kosovë ka një vetëdije të lartë shtetërore për gurët e themelit, ato “kristale” që janë të dheut e kombit tënd. Një popull që ka ditur të vetëqeveriset, aq më mirë mund të qeveriset. Shteti i Kosovës meriton të njihet nga të gjithë, pse në themelet e tij ka traditën juridike dhe sakrificën shtetformuese të kohës moderne. (Por, meqë jemi te rrënjët arbërore, si për paradoks, ndërsa Presidentja Jahjaga shpiente në Vatikan një thesar të çmuar të nëntokës sonë, mbi kalanë e moçme të Dalmacies në Koman, po binte si “Shpata e Demokleut” linja e tensionit të lartë Shqipëri-Kosovë, çka ka shkaktuar jo pak “tension” mediatik e institucional në Tiranë, për ta devijuar trasenë e saj një kodër më tej!)
Por të vimë te guri mineral i Trepçës, kristali i thellësive nëntokësore të saj. Ndoshta asnjë “gur” tjetër nuk do të qendronte më mirë se ai në kohezionin e të sotmes, aq sa dhe të së djeshmes. Është një nga minierat emblematike të rajonit ballkanik, me një histori të veten politike dhe ekonomike, një zë i pashuar i punëtorisë për të drejtat e veta. Një minierë zinku, plumbi, ari, argjendi që nuk e ka kryer misionin e vet dhe ku minatorët, duke i dalë përzot asaj, bëhen dalzotës më shumë se të mineraleve që iu japin bukë për famijtë e tyre. Minatorët trepçianë janë në grevë pasi miniera e tyre është ende pezull. Protesta e së shtunës në Prishtinë i ka dhënë vetëm 48 orë afat qeverisë që ta zgjidhë problemin e Trepçës. Të drejtën e adminstrimit të pasurisë së vet territoriale asaj ia jap legjislacioni ndërkombëtar dhe ai vendës. Diplomatët perëndimorë janë shprehur se miniera nuk do të jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë.
E nuk mbaron as këtu simbolika e “kristalit” që zonja Jahjaga i dhuroi Papa Françeskut. Bota shqiptare ka një pasuri shpirtërore të paparë, dëshmuar dhe te harmonia e besimeve fetare dhe besimtarëve, gur themeli i ekzistencës paqësore në një shoqëri të lirë e moderne. Na kujtohen fjalët plot urtësi të patriarkut të diturisë së Kosovës e më gjerë, Don Lush Gjergjit, se fetë asnjëherë nuk e kanë cenuar kombin, përkundrazi e kanë ndihmuar atë në ravën e tij të përndritur rilindase. Papa e pa me sytë e tij këtë aset të jashtëzakonshëm gjatë vizitës në Shqipëri shtatorin e kaluar, por një konfirmim zyrtar dhe nga Kosova e bën më të plotë këtë pamje, aq më tepër që atje kohët e fundit ka patur dhe ndonjë episod xhihadist. Një popull që ka sakrifikuar si rrallë ndonjë tjetër për lirinë i tij, që është martirizuar deri te fëmijët e djepit e kullat i janë shkrumbuar me napalm, i ka të gjitha kodet historike dhe shanset e të sotmes të shkojë përpara pa u ndikuar nga korentet e ndyshme që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit. Kosovarët, të shtrënguar nga rrethanat politike, kanë emigruar gjerësisht në shekullin XX, si brenda trojeve të tyre, aq më shumë në orient e oksident, por sjellja e tyre atje ku janë vendosur ka qenë gjithnjë shembullore, në Shqipëri, Turqi, Zvicër, Gjermani, Amerikë etj., duke mbartur krahas virtyteve të racës dhe vlerën e respektit për fenë e tjetrit, kur ajo ishte e ndryshme nga e tyrja. Por kjo do të ishte një temë pa mbarim, pasi më të vërtetë tradita e tolerancës fetare nuk vjetërohet, nëse e ruajmë të parrezikuar.
Presidentja Jahjaga që do t’i qortonte bashkëqytetarët e saj që shfaqen dhunë në përmbyllje të protestës së fundjavës në kryeqytet, duke gjuajtur më gurë godinën qeveritare e dëmtuar bizneset përreth. Me sjellje të tilla agresive, qoftë dhe sporadikisht nga disa të rinj, nuk thyhen thjesht xhamat e Kryeministrisë, por thyhet në fakt ai “kristali” përbashkues i lirisë në një komunitet, politikë, qeverisje. Nuk mund ta përcjellesh pa shqetësim një dhunë të tillë të skajshme, ndaj një qeverie me vetëm një muaj në detyrë, kur në radhët e para të protestës ishin të gjithë ata politikanë të opozitës kosovare që nuk u ngjitën dot në qeverisje me anë të tryezës tripalshme. Ndërkohë, një problem i tranzicionit, si në Prishtinë, ashtu dhe në Tiranë, është se politikanët që i nxjerrin turmat në shesh për protesta lypet dhe t’i maturojnë ato nga fillimi në fund, ndryshe nuk kanë vlerë deklaratat e tyre më pas se ne distancohemi nga dhuna. Ngado që ta rrotullosh, “barinjtë” e turmave janë liderët e tyre politikë. Pas njëzet e pesë vitesh në demokraci është e tepërt të thyesh xhama e të gjuash mbi policët duke i lënduar ata fizikisht e moralisht.
Ja kështu lexohet prej nesh simboli i dhuruar Papës nga Presidentja e Kosovës, pra, që kristalet të ruhen të kristalta në të gjitha shpërfaqjet e “prizmit” etnik, kulturor, politik e fetar të popujve. E ndërsa zonja Jahjaga fluturonte me avion drejt Romës, ndjeje se historia përsëritej, të përfytyrohet shtegtimi drejt Vatikanit i Gjergj Kastriotit dhe pritja që Papa Palit II i bënte kryeprincit të shqiptarëve, të cilin një tjetër Papë do të nisej për ta kurorëzuar Mbret, por që nuk do të mbërrinte. Me siguri dhe atëherë dhurata e Skënderbeut për diplomacinë ka qenë një dorë dhé nga toka shqiptare, një dorë dhé që nuk ka munguar kurrë në dorën e shqiptarëve të mëdhenj, Ismail Qemalit, Nënë Terezës, Ismail Kadaresë, drejt botës së qytetëruar. Ai “kristal” që është në dorën e secilit shqiptar për të mos u zhbërë.