Nga Parisi: Enkelejda Masseboeuf Kondi
Religjionet po bëhen patericat e të dobtëve dhe armët e të çmëndurve!
Charlie Hebdo, gazeta humoristike- satirike me qëndër në Paris, është sulmuar sot nga një atentat terrorist. Tre persona të armatosur, kanë mundur të depërtojnë në ambjentet e brëndëshme të ndërtesës, duke përfituar nga rasti, se çdo të mërkurë në mëngjes, kjo gazetë organizon konferencën javore të redaksionit me gjithë gazetarët korespodentë.
Agresorët, në fillim, kanë qëlluar mbi policin e servisit e më pas kanë mundur të hyjnë në sallën ku ishin mbledhur gjithë gazetarët dhe kanë qëlluar gjakftohtë mbi ta.
Bilanci i kesaj ngjarje është i rëndë: 12 persona të vdekur, midis tyre 4 gazetarë dhe dy policë. Gjithashtu 4 persona të plagosur në gjëndje tejet të rëndë, midis jetës dhe vdekjes.
Personat e armatosur, paskësaj kanë braktisur vendin e ngjarjes dhe kanë ikur në drejtim ende të paditur. Në ndjekje të tyre është vënë policia e Parisit.
Presidenti i Republikës, François Hollande, i cili u ndodh në vendin e ngjarjes në orët e para të mbasdites, deklaroi se ky ishte një atentat terrorist dhe, se do të dënohen agresorët.
Sot Franca është e shokuar nga ky akt barbarie, nga ky akt i cënimit të së drejtës së fjalës.