Nga: Prof.Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë
Na takon, jorrallë, që e sjell rasti t’i rikthehemi një kujtimi ose një ngjarjeje a te rilidhemi me një njeri, që nuk e kemi parë prej kohësh. Kjo nuk ndodhë se ata i kemi “harruar” qëllimisht, por ngase jeta është e mbushur me mjaft ngjarje dhe veprimtari të larmishme. Konkretisht, tani e kam fjalën për radhët, që po ia kushtoj këngëtares shumë të njohur në Bashkësinë Shqiptare të Nju Jorkut, Dila Gecaj. Në vizitat e mia atje, në vitet 1993 e 1994, kam dëgjuar e kam lexuar në gazetën shqip-anglisht “Illyria”, për vlerat e saj dhe për kënaqësitë, që ajo u sillte bashkatdhetarëve tanë, me zërin e saj aq të bukur. Po dhe jam takuar me vëllain e saj, Markun dhe u kam bërë një vizitë në shtëpinë e tyre bujare.
Por koha e vitet ecin dhe, megjithatë, kujtimet e mbresat mbeten, pra nuk shuhen aq lehtë. Ja, përsëri këto ditë m’u ngjallën ato kujtime të bukura, kur përsëri u lidha përmes Internetit me këngëtaren Dila Gecaj. Ajo është nga Gjakova, por “fijet” e lashta e çojnë atë e motrën dhe vëllezërit, Mark e Gjon, në krahinën Nikaj-Mërtur të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), nga e kam dhe unë origjinën. Sigurisht, kjo gjë është e kuptueshme, se të parët tanë kanë lëvizur pandërprerje dhe për arsye të ndryshme, nga një krahinë në tjetrën.
Por le të kthehemi të fakti, që përmenda më lart. Në ato biseda, Dila ma kërkoi adresën e shtëpisë, në Tiranë. Pa kaluar shumë ditë, postjeri solli një zarf jo të zakonshëm. Brenda tij, ajo kishte futur disa poezi modeste, pra me shpirtin e derdhur në vargje dhe një bisedë të saj, të botuar në shtyp etj.
Në vazhdimësi, kemi mbajtur lidhje përmes Internetit dhe Dila më ka treguar mjaft gjëra për jetën e saj dhe pasionin e madh, që ka patur e ka, për këngët shqiptare, por dhe për leximin e librave në gjuhën shqipe. Ajo ka lindur në qytetin e Gjakovës, me tradita të shumta atdhetare e kulturore. Në vendlindje mbaroi shkollën fillore dhe të mesmen mjekësore në Prishtinë. Megjithëse kanë kaluar shumë vite, ajo sjell në kujtesë fillimin e jetës në Nju Jork: ”Kur nisa të këndoja këtu, nuk kishte grupe as këngëtarë shqiptarë, si sot. Duhej që çdo javë të këndoja në dasma dhe në gëzime të tjera familjare. Atëherë, unë isha e vetmja. Në dasma e në festa tjera, njerëzit kishin nevojë që dikush t’ua bënte mjedisin sa më të gëzueshëm, me këngë e valle në gjuhën amtare”. Prandaj, në vazhdim, ajo formoi grupin e parë muzikor, ”Zani i Shqiponjave”. Së bashku me katër instrumentistë, kënduan në mjediset shqiptare, nëpër qytete të ndryshme amerikane. Pas këtij grupi, ajo krijoi grupin tjetër me emrin ”Teuta” dhe, në vitet ’90-të të shekullit të kaluar, grupin muzikor ”Flamurtarët”.
Një pasion i veçantë i këngëtares Dila Gecaj është dhe leximi i librave. Kjo gjë e ka frymëzuar atë që edhe të thurë vargje modeste. Në to shprehë mendime dhe ndjenja për çështje me rëndësi të jetës shqiptare, por dhe të bashkatdhetarëve tanë, në emigracion.Këto ditë ajo thuri vargje në kujtim të këngëtares Anita Bitri, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, bashkë më vajzën e nënën. Prandaj shprehet me sinqeritet: ”Më duket se kam lindur bashkë me këngën dhe leximin e librave dhe prandaj jetoj me to”. Ka vite që ajo ka bibliotekën e saj, të mbushur me librave të gjinive të ndryshme, shqip e anglisht. Në një sirtar të veçantë ka ruajtur artikujt, që janë shkruar për të, në shtypin shqiptar, në Amerikë dhe në Shqipëri. Por aty mban dhe letrat e falënderimit të një shkolle në Chapapqua, ku ajo ka dhënë mësimin e gjuhës angleze, poezitë për Gjakovën e paharruar, vendlindjen e saj. Ndër të tjera, ruan shkrimin e një gazete, me fotografi, i cili fliste për atë dhe të vëllain. Ishte viti 1979, kur u hap së pari në Amerikë programi televiziv në gjuhën shqipe. Aty u shfaq filmi kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Ajo gazetë i përgëzonte motër e vëlla, Mark e Dila Gecaj, për përgatitjen e atij programi, i cili vazhdonte gjysëm ore dhe që jepej një herë në javë dhe financohej nga vetë ata.
Ditët e javët, muajët e vitet rrjedhin si pa u kuptuar. Por nuk ndalet zëri virtuoz i kënëtares së njohur shqiptare Dila Gecaj. Ajo është e pranishme në dasma e koncerte të shqiptarëve, ku duartrokitet nxehtësisht për këngët e saj, me temë traditat më të mira të shqiptarëve, si dhe për figura të shquara të tyre. Tashmë, janë bërë mjaft të njohura e të dashura këngët atdhetare, për të cilat ajo thotë se ”më flejnë në zemër”. Të tilla janë ato kushtuar Bajram Currit e Sefë Koshares, ”Motra e Gjergjit”, ”Krushqit për Kodonë”, ”Moj Shqipëri, të qofsha falë!”, ”Besën shqipes, amanet!”, ”Gjirokastër, të qoftë lavdi!”(me çifteli), ”Mirë se të gjeta, tokë amtare”, ”Moj lulije!” etj.
Disa prej këngëve ndër vite, Dila Gecaj i ka interpretuar me mikesha e miq të saj, si me Anita Bitrin, Merita Halilin, Parashqevi Simakun, Shqipe Kastratin e Sabahete Berlajollin, Fran Gjoken, Arif Vladin, Gëzim Nikën e Justina Alinë. E rëndësishme është që kjo këngëtare i ka magjepsur bashkatdhetarët shqiptarë, në Nju Jork e më gjerë, me zërin e saj të ëmbël dhe fjalët emocionuese, që përmbajnë ato këngë. Mjafton t’u hedhësh një sy shënimeve të dëgjuesve të këngëve të Dilës, pra të lexosh se çfarë shkruajnë disa nga fansat e saj në Internet dhe do të bindesh për këtë gjë. Në repertorin e saj numërohen gjithësej 370 këngë, që janë fiksuar edhe në 4 video e 18 CD. Ndërsa në “Youtu.be” gjenden lehtë disa këngë të saj , të cilat mund t’i shijojë secili i interesuar. Në ato, ajo dallon për interpretim artistik të përmbajtjes së tyre dhe janë vetëm në gjuhën tonë amtare, pra shqip. Po ta pyesësh këtë këngëtare kaq të njohur, të thotë se më tepër i pëlqen kompozitori Agim Krajka dhe si vegël muzikore, fizarmonika.
Duke e vijuar veprimtarinë e saj në fushën e këngës, Dila Gecaj ka planifikuar që në dhjetor 2014 të vijë në Tiranë. Bashkë me miken e saj, Lindita Gjoka, e cila jeton në Athinë, do të bëjnë incizimin e disa këngëve të tyre. Po kështu, do të takohen e çmallen me kolegë e miq këngëtarë shqiptarë. Se në jetën e Dilës kanë zënë vend të merituar, që në fëmijërinë dhe rininë e saj, mjaft këngëtare shqiptare, ndër të cilat ajo i përmendë me nderim të veçantë: Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Nexhmije Pagarusha, Mukades Çanga, Hafsa Zyberi e të tjera.
Në qershor 2015, përsëri Dila do të rikthehet në trojet shqiptare, tashmë e ftuar në një dasëm, në Tetovë. Se, me mendje e zemër, ajo gjithnjë është e pranishme në vatrat tona amtare, me mallin e pashuar për vendlindjen dhe me zërin e saj aq të bukur.
…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, e përshëndesim përzemërsisht këngëtaren e njohur Dila Gecaj dhe i urojmë frymëzime e veprimtari të pandërprera dhe të bukura, në shërbim të bashkësisë shqiptare, në Amerikë e më gjerë!
Tiranë, 25 tetor 2014