SHBA paralajmërojnë: Putin po tenton të krijojë probleme në Shqipëri

 

Putin po tenton të krijojë probleme tek shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan, pra edhe në Shqipëri. Sinjali vjen nga kryetari i nënkomisionit për Çështjet Europiane pranë Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan, Christopher Murphy. Përmes një interviste dhënë Zërit të Amerikës, ai ka komentuar zhvillimet e fundit në rajon dhe raportet shqiptaro – serbe pas dhunës së shpërthyer në stadiumin e Beogradit më 14 tetor. Ai thotë se simbolika e takimit mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij serb Aleksander Vuçiç është tani më e rëndësishme se kurrë. Murphy ka komentuar edhe situatën në Kosovë, dhe gjendjen ekonomike në Shqipëri si dhe angazhimet kundër ISIS. Senator Murphy, së pari ju falenderoj për mundësinë  kësaj interviste për Zërin e Amerikës. Do të doja ta nisja me një pyetje rreth turneut tuaj në Ballkan, një rajon që duket se është ende larg një paqeje të qëndrueshme. Mjafton të kujtojmë se ishte një ndeshje futbolli e cila e përkeqësoi menjëherë situatën mes Shqipërisë dhe Serbisë këto ditët e fundit Senator Christopher Murphy:  Pata një javë me të vërtetë produktive këtu në Ballkan, ku pata mundësinë të vizitoja 5 shtete të ndryshme në harkun kohor të gjashtë ditëve. Besoj se ka dy këndëvështrime për t’iu referuar Balkanit. Nëse e shohim me optimizëm, mund të vini re përparimin që ai ka bërë në pak vite, duke u transformuar nga një rajon i copëtuar nga konfliktet, në një rajon me përparim të madh. Po bëhen përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kombe që së bashku po i afrohen BE-së dhe Natos, dhe ekonomitë janë në zgjerim e sipër. Por ka edhe sfida. Mund të jesh në të njëjtën kohë edhe pesimist për Ballkanin, nëse i referohesh vetëm sfidave. Personalisht, po largohem më shumë me optimizëm, se sa me pesimizëm. Unë di që ka ende sfida dhe incidenti në ndeshjen e futbollit nxjerr më në pah vështirësitë që mbeten përpara. Por një zhvillim i madh po ndodh.  Realiteti tregon se ka patur disa incidente të vogla dhe ushtrim dhune që prej ndeshjes, por reagimi ndaj tyre ka qënë përmes komunikimit dhe jo përleshjeve. Dhe kjo në vetvete tregon përparim të madh. Pra, po largohem nga rajoni plot shpresë, por po largohem gjithashtu me një ide të qartë se ky rajon, veçanërisht Ballkani Perëndimor, ka nevojë për një prani aktive të Shteteve të Bashkuara. SHBA kanë ambasada të mrekullueshme, veçanërisht këtu në Tiranë, të cilat po bëjnë një punë shumë të mirë. Ne kemi nevojë për më shumë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, më shumë senatorë, më shumë vëmendje nga Departamanti ynë i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë. Ky është një moment specifik për Ballkanin. Jemi në prag të fitoreve të mëdha këtu. Ka kombe që janë kthyer drejt ekonomive euro-atlantike, drejt institucioneve politike euro-atlantike. Investitorët të huaj të cilët janë të gatshëm të vijnë këtu, të hapin biznese dhe të krijojnë vende të reja pune. Ky është momenti në të cilin SHBA-të duhet të angazhohen dhe të riangazhohen në Ballkanin Perëndimor. Dhe ky është një nga mesazhet e qarta që do t’ua transmetojë kolegëve të mi në Shtetet e Bashkuara Çfarë rezultatesh mund të sjellë vizita e pritshme e kryeministrit Edi Rama në Beograd? Senator Christopher Murphy:  Kam shpresë se të dy udhëheqësit do të shtrëngojnë duart me njëri tjetrin dhe do ta bajnë të qartë se vetëm një incident dhe huliganizmi në një ndeshje futbolli nuk mund të pengojë procesin e gjatë të pajtimit mes fqinjëve. Unë e di se kryeministri po e pret me padurim këtë vizitë. Pata mundësinë të takojë dhe kryeministrin Vuçiç. Dhe di se dhe ai e priste me padurim atë. Ka shumë më tepër për t’u bërë për marrëdhëniet e fqinjësisë në këtë rajon. Nuk mund të vish në Ballkanin Perëndimor dhe të mos vesh re nevojën për bashkëpunim rajonal, për të ndërtuar ekonomi të forta dhe për të përmirësuar infrastrukturën. Do t’ua lë kryeministrave Rama dhe Vuçiç të vlerësojnë detajet e këtij takimi. Por ky është një moment i rëndësishëm, veçanërisht i rëndësishëm, për të dy udhëheqësit. Në rastin e një incidenti të tillë, udhëheqësit politik dhe njerëzit e thejshtë duhet të ulen së bashku dhe diskutojnë, të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes komunikimit, dhe jo me provokime dhe dhunë. Simbolizimi i këtij takimi tani është më i rëndësishëm se kurrë. Duke mbetur pikërisht te bisedimet, te marrëdhëniet mes fqinjëve. Ju si do i konsideronit marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës? Senator Christopher Murphy:  Pesë vite më parë nuk do ta kishim imagjinuar dot se do të ishim sot këtu, në një proces drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Qëndrova gjatë si në Beograd dhe Prishtinë. Duhet ende përparim në vendosjen e dialogut. Ka entuziazëm në të dy kryeqytetet për të bërë përpara me këto marëveshje dhe për të diskutuar  marëveshjet e ardhshme. Për momentin është e vështirë që të zbatohet menjëherë marrëveshja e Brukselit, pa një qeveri në Kosovë. Shkova në Kosovë për ta bërë të qartë se e gjithë udhëheqja duhet të bashkohet për të krijuar një qeveri sa më shpejt të jetë e mundur, për t’ju paraqitur të bashkuar botës dhe të jenë aftë për të zbatuar elementët e rëndësishëm të marrëshjes së Brukselit. Mungesa e qeverisë në Kosovë nuk është një arsye që Beogradi të rri duarkryq. Ka disa hapa që mund të ndërmerren nga Beogradi për të zbatuar disa pjesë të asaj marrëveshje. Por detaji më i rëndësishëm për të vazhduar më tej marrëdhëniet e normalizuara mes Kosovës dhe Serbisë është që partitë politike në Kosovë të lenë menjanë paragjykimet e tyre politike dhe të ndërtojnë së bashku një qeveri të re. Sot në botë ka shumë zona problematike, konfliktuale ku Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara. A e ka zbehur kjo situatë angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan? Ju përmendët diçka pak më parë… Senator Christopher Murphy:  Besoj se Ballkani po përfiton mjaft nga përfshirja e fuqishme e SHBA-ve në këtë rajon. Eshtë e dukshme se nuk kemi një mik më të mirë në rajon se sa Shqipëria, dhe shpresojmë që dhe Shqipëria të mos ketë asnjë mik më të mirë në botë se sa SHBA-të. Argumenti që do të paraqes në Uashington është që SHBA-të të rrisin investimet në këtë rajon dhe kjo do të kërkojë disa vite. Mundësia e SHBA-ve për të mbështetur hyrjen në BE dhe të vazhdojë zgjerimi i Natos dhe pajtimi politik mes vendeve dhe popujve të ndryshëm është një punë e rëndësishme për vitet në vijim. Eshtë e vërtetë se SHBA-të përballen me shumë sfida, në Lindjen e Mesme, në Ukrainë, dhe një konflikt që po shfaqet në Afganistan. (Por nëse do të përdor një shprehje amerikane). Por duhet të pranojmë që përfitimet e investimeve tona në Ballkan janë të mëdha. Mund të përfitojmë shumë nga një investim relativisht i vogël, krahasuar me atë ç’ka shpenzojmë sot në vende si Lindja e Mesme. Shpresoj që Shtetet e  Bashkuara do të vazhdojnë të investojnë këtu. Ju si do ta shihnit vizitën e pak ditëve më parë të presidentit rus Vladimir Putin në Beograd? Senator Christopher Murphy:  Mendoj se presidenti Putin, ka mundësi të jetë larguar i zhgënjyer. Ai shpresonte që Beogradi do të firmoste marrëveshjen për gazshjellësin South Stream, por nuk e arriti. Ai po ballaqohet dhe me vende të tjera në rajon të cilat refuzojnë të bëjnë përpara me këtë projet gazsjellësi, si  Bullgaria. Pra mesazhi im për Beogradin, është i njejti me mesazhin që ju përcolla dhe juve. Shtetet e Bashkuara i shohin miqtë e tyre ndryshe nga ç’i sheh Rusia të vetët. Për Rusinë ose duhet të jesh me ata, ose je kundër tyre, nuk ka rrugë të mesme. Nuk është kjo ajo që bëjnë Shtetet e Bashkuara. Ne e kuptojmë se do të ketë vende të cilat do të duan të kenë marrëdhënie dhe aleancë me BE-në, por dhe me SHBA-në, por që gjithashtu do të duan të vazhdojnë të kenë marrëdhënie politike dhe ekonomike me Rusinë. Ne nuk do t’i kërkojmë vendeve që të bëjnë një zgjedhje të gjerë, mes marrëdhënieve me Rusinë apo atyre me SHBA-në dhe Europës. Megjithatë ka disa momente kur duhet bërë një zgjedhje, kur një vend ka shkelur ligjet ndërkombëtare, siç ne besojmë se ka ndodhur me rastin e Rusisë me pushtimin e Ukrainës, ne u kërkojmë miqve tanë të bëjnë një zgjedhje: Do të qëndroni në krah të shtetit ligjor, apo do të qëndronin në krah të atyre që e thyejnë atë. Por këto janë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Ka disa shembuj të kufizuar kur ne i kërkojmë vendeve të vendosin të mbështesin shtetin ligjor. Kur isha në Beograd mu bë pyetja nëse vizita e presidentit Putin atje cënon marrëdhëniet e SHBA-ve me Serbinë. Nuk besoj. Nëse Serbia duhet të ecë më tej me linjën e gazsjellësit atëherë patjetër që kjo do i dëmtonte marrëdhëniet me SHBA-në. Por sidoqoftë ky është një tregues se si ne bashkëpunojmë me fqinjët tanë, ndryshe ngë mënyra se si vepron Rusia. Ka një avancim, ose një përjekje të Rusisë për të avancuar në Europën Lindore. Si mendoni se duhet t’i përgjigjen Shtetet e Bashkuara kësaj situate? Senator Christopher Murphy:  Eshtë e dukshme se Vladimir Putin ka qëllime zgjerimi. Ai pretendon se gjëja me e keqe që i ka ndodhur Rusisë, të paktën në 100 vitet e fundit, ka qenë shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, duke u përpjekur për të ribashkuar disa rajone të perandorisë së vjetër sovjetike. Duhet t’i mbajmë sytë hapur, se cila është axhenda e tij, të bëjmë kujdes që ajo të mos përfundojë në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Dukshëm ai i ka sytë dhe mbi Ballkan dhe nuk është e vështirë për t’u kuptuar, se do të përpiqet të shkaktojë probleme për vendet anëtare të Natos në të ardhmen. Pra, ne duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm, si miqtë tanë në Europë edhe partnerët tanë në Ballkan, për qëllimet e presidentit Putin, prandaj ne duhet t’i dërgojmë një mesazh të fuqishëm bashkimi lidhur me sjelljen e tij në Ukrainë. Ekonomia e tij është për momentin në një tkurrje masive. Njerëzit po paguajnë pasoja të cilat nuk duhet t’i paguanin për shkak të shkeljeve të ligjeve ndërkombëtare nga ana e tij. Pra, nëse ne qëndrojmë të bashkuar për të dënuar atë ç’ka Rusia ka bërë në Ukrainë dhe për të forcuar sanksionet ekonomike, ata do të kuptojnë se ka një cmim për t’u paguar. Vetëm kështu do të kemi  mundësinë të sigurohemi se kjo gjë nuk do të përsëritet diku tjetër. Sot bota kërcënohet nga një tjetër rrezik, ai që vjen nga ISIS, një fenomen që ka prekur edhe vendet e Ballkanit. Ju sa problematike e shihni situatën? Senator Christopher Murphy:  U takova me presidenten e Kosovës dhe e falenderova atë për masat e forta ligjore të ndërmarra kundër imamëve radikalë, të cilët ftojnë të rinjtë të bëhen pjesë e terrorizmit dhe atyre të cilët duan të marrin armët kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë. Në mënyrë të ngjashme edhe vende të tjera në rajon po përforcojnë masat e tyre, dhe Qeveria shqiptare gjithashtu ka vepruar mjaft mirë në lidhje me këtë. Duhet të jemi të sinqertë. Masat ligjore janë vetëm një pjesë e zgjidhjes. Të rinjtë, veçanërisht, tërhiqen drejt ekstremizmit, edhe sepse ata nuk shohin një rrugë tjetër për veten, kur ka shkallë të lartë papunësie në masën, 30-40 apo 50 për qind, atëherë lind rreziku që këta klerikë radikalë t’i tërheqin disa prej këtyre të rinjve për t’i futur atë në një rrugë shumë të rrezikshme në jetë. Kështu në të njejtën kohë na duhet një përforcim të qartë, çdo vend në këtë rajon duhet të miratojë një ligj që e shpall të jashtëligjshme luftën e banorëve të tij kundër SHBA-ve dhe Europës dhe partnerëve tanë suni në Iraq dhe Siri. Ne duhet gjithashtu të ndërtojmë ekonomitë tona, e t’i japim të rinjve përgjigjet që nuk i kanë, ndryshe nga imamët radikalë që japin një shumë të konsiderueshme parashë që të shkojnë të luftojnë në Siri apo Irak. Duke u kthyer te Shqipëria. Ju Senator patët takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare. Si do ta vlerësonit situatën e këtushme. A po bën vendi përpjekjet e duhura për reforma dhe për të ecur përpara? Senator Christopher Murphy:  Është e qartë se Shqipëria nuk ka bërë mjaftueshëm reforma dhe ka ende shumë çështje për t’u zgjidhur. Në krye të listës është mungesa e vazhdueshme e besimit që shumë sipërmarrje të huaja, veçanërisht amerikane, kanë ndaj shtetit ligjor këtu në Shqipëri. Por është e qartë se vendi po ecën në drejtimin e duhur dhe mund ta dëgjoni këtë edhe nga drejtues të grupeve të shoqërisë civile. Unë takova disa prej tyre, të cilët janë të angazhuar në lufën kundër korrupsionit  dhe krimit.  Ata ishin të gjithë optimistë lidhur me drejtimin që ka ndërmarrë qeveria e re për t’i hapur dyert shoqërisë civile dhe për të ndërmarrë disa hapa praprakë dhe të rëndësishëm për të reformuar sistemin gjyqësor dhe policinë. Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara. Por ka edhe shumë vende të tjera në rajon, Shqipëria nuk është e vetmja, që ka probleme me korrupsionin dhe me shtetin ligjor. Dhe patjetër unë dua që bizneset amerikane të jenë këtu në Shqipëri. Unë dua firmat amerikanë të investojnë këtu për të rritur ekonominë e saj. Por e vetmja mënyrë që kjo të ndodhë, është që ky vend dhe fqinjët e tij ta marrin seriozisht dhe t’i sigurojnë investitorët e huaj se ata kanë të bëjnë 100 për qind me partnerë të besueshëm.

Tetor 21.2014

 by Gazeta Ora

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *