PUBLIKU I KORRUPTUAR

Dedaj-Ndue-300x226NDUE DEDAJ

 

Na pamje të parë ngjan paradoksal ky titull, t’iu biesh në qafë fukarenjve duke i quajtur të korruptuar, në kohën kur po përvijohen dita-ditës përmes skandalesh financiare “bosët e dollarit”, erurove, lekëve, që mund të bëjnë dhe banjë me shampanjë. Por nuk janë vetëm pushtetarët të korruptueshëm, po dhe qytetarët. Më kot ligji nuk dënon si marrësin si dhënësin e ryshfetit. Kjo ndodh se ne jemi të dhënë pas informales, të paligjshmes, ngaqë nuk e kemi edukatën e ligjit dhe të shtetit ligjor. Ka 75 vite që thesari i shtetit na vidhet sa herë i jepet rasti dikujt, mjerisht nga Mbreti i vendit me 1939, te grabitja e arit nga pushtuesit gjermanë, përfolja për fshehje të thesarit në bankat e huaja nga udhëheqësit komunistë, deri te vjedhja e thesarit nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë me 1999, e prapë këtë vit, kur nga institucioni më i rëndësishëm bankar i vendit, në zemër të kryeqytetit, u vodhën 713 qind milionë lekë, në mos më shumë. Ndërkohë për shumë vite ari i uzinës së bakrit Rubik ka qarkulluar mes legjendës dhe realitetit. Ashtu si kërkimi hipotetik i thesarit të fshehur në të kaluarën në gropat e maleve, me aparatura arkërkuese etj. Pra, ne, dukshëm apo padukshëm, kemi patur gjithnjë etje për arin dhe probleme me të. Hajdutëria e thesarit është vetëm një nga devijacionet morale, që si dhe shfaqje të tjera të kësaj natyre ka të bëjë me prirjen tonë “gjenetike” kundrarregull, çka në një vend si yni kërkon analizë të thellë të deformimit social-psikologjik të individit, qoftë ky shtetar i lartë, apo individ i thjeshtë, që bën të njëjtën gjë, fut duart në paratë e të gjithëve. Eja pastaj e flit se çfarë ka ndodhur me idealistët që mbyten përherë e më shumë në klithmën e vetvetes, teksa shkëlqejnë tulet e dhjamërat e bosëve të të gjitha pushteteve, rangjeve e kohëve. Ngjan se gjithkush që ngjitet në një post nuk ka tjetër synim, vetëm të pasurohet, të përlajë copa Shqipërie këndej e andej, të ndërtojë vila e të zaptojë toka e deri plazhet publike. Publiku është aty memec. Asgjë nuk bëhet pa e parë ai. Por publiku ynë nuk denoncon, nuk proteston si komunitet qytetar. Vetëm ankohet kafeneve. Por as nuk dëgjohet kur thotë ndonjë gjë ndokush në emisionet radiofonike të mëngjesit etj.

Ana tjetër është përlyerja e vetë publikut në përfitime të paligjshme, si pjesëmarrës aktiv në korrupsion, jo vetëm kur jep bakshish te funksionari i shtetit që zgjidh një punë me favore, te gjykatësi, mjeku etj. Fjala është për shumë më tepër korruptim se kaq, sa ç’është përceprimi i përgjithshëm për gjynahet e njerëzve të zakonshëm në këtë mes. Çfarë ka ndodhur konkretisht në këto njëzet e pesë vite dhe si jemi sjellë ne si publik në çastin kur duhej të tregonim veten të ndershëm dhe të pakorruptuar? Është bërë privatizmi keq nga organet shtetërore dhe ne qytetarët jo vetëm nuk kemi denoncuar rastet por kemi nxituar të privatizojmë në mënyrë të parregullt një gjë që nuk na ka takuar, ku dhe sot janë disa objekte të konservuara në mes të qytetit. Janë ngritur piramidat fitim-shkatërruese në mesin e viteve 90, ne si publik kemi nxituar t’i fusim paratë atje edhe kur “Sudet” po binin rrufeshëm. Ka nisur kioskëzimi i vendit, ne kemi nxituar të ngremë kioskën tonë pa rregulla. Kanë vërshuar ndërtimet pa leje gjithandej, ne as që e kemi vrarë mendjen se po bëjmë ndonjë shkelje ligji, por kemi shtuar kush një kat, kush një garsonierë e kush një ballkon. Janë bërë zgjedhjet në vitin ikës e ypsilon, ne si publik i “ndershëm” jemi përlyer me shit-blerjën e votës dhe prapë fajin e kanë ata të tjerët. E kemi ditur mirë e bukur se ç’ishin në të vërtetë disa biçim shkollash të larta e universitete, e prapë kemi rendur të marrim atje një diplomë për fëmijët apo për vete, duke e ditur që është fiktive. Ne kemi kultivuar në këto vite një shoqëri të vesit, abuzimit e megjithatë nuk kemi qenë kritizerë të vetes, por vetëm të atyre jashtë nesh. Po dhe me hashashin jemi marrë ku e si kemi mundur, duke “lulëzuar” jo vetëm Lazaratin, supërfuqi të drogës, po dhe arëzat e harruara në mes të maleve, ku ka një curril uji. Ama aq sa jemi konformistë me veten, aq sqimëtarë jemi kur është fjala për tjetrin, te ai shohim qimen, te vetja as traun. Na kanë molepsur veset e tranzicionit pa pikë e pa presje. Përshtatemi me kotësirat, ritualet e “reja” që krijohen në dasma dhe vdekje. Na pëlqen turma dhe zhurma. Mendimi i ndryshe i dikujt apo disave mbytet nga të paurtit që e ngrënë zërin më shumë se të diturit. Njësoj jemi, nxitojnë ata, çfarë kanë intelektualët më shumë se ne? Pesë më shumë e pesë më pak, aty jemi të gjithë, thonë pupulistët. Por jo, intelektualët, le të themi, lexojnë ca libra më shumë, nuk flenë mbi tekstet e fakultetit, përpiqën për t’u bërë më të kohës me kompjuterin, gjuhët e huaja, sjelljen civile, integrimin, mënyrën e të bërit të administratës, biznesit, projekteve etj. Sot profesionalizmi është tjetër nga dje, nuk mund të thuash më nuk e di se si është bota, pasi është përditë e prekshme mendësia, veprimtaria, teknologjia e europianëve, amerikanëve etj. Të vraposh rrugëve më të lehta të jetës është si të mos ecësh fare, të rrish në vendnumëro, apo të shkosh së prapsthi. E problemi më i madh këtu është ai i të rinjve. Ka plot nga ata që mbarojnë shkollat e mesme (dalin prej tyre fiktivisht) dhe rrojnë si parazitë në kurriz të prindërve. Kjo për shumë arsye, po dhe për faktin se ne si prindër rrekemi të përfitojmë notën e pamerituar për fëmijën, qysh në klasën e parë, duke e mësuar atë vetëm formalisht të jetë i ndershëm, por jo dhe me veprime, kur dihet se te fëmija lë gjurmë ajo që ai sheh e prek. Ç’emër mund t’i vihet kësaj, përveçse korrupsion? E publiku nuk janë vetëm njerëzit e thjeshtë në bulevard. Vihet re spekulim edhe nga personat VIP të artit e shkencës. Emra të shquar e gjejnë veten në borde shoqatash, universitetesh, mediash minore për t’i bërë ato kinse elitare, në thelb më të shitshme, kurse në bordet e pagueshme të bankave, ujësjellësve e të tjerë bëjnë pjesë persona të shpërblyer politikisht nga qeveritë e rrallë profesionistë të vërtetë.

Por është duke u shfaqur publiku tjetër, i pakorruptuari, që befas u vetëbë i përfillshëm nëntorin e kaluar, ai që u tubua kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri, dhe hera e dytë tani që po proteston para Bankës së Shqipërisë, teksa ne të tjerët ngurrojmë t’u bashkohemi, se nuk na e ka luajtur syrin partia, jo se partitë janë duke bërë plazh!… Është tek e fundit një shpresë se po lind më në fund publiku qytetar, apo qytetaria e publikut. Se kush do ta ngrë zërin se sa paguhen punëtorët e fasoneve e gjer kamerierët që na shërbejnë kafen e mnëgjesit? Me siguri me çmimin më të ulët në rajon. Gra që qepin rroba e këpucë, që merren me përpunimin e peshkut, nuk protestojnë dot për pagat dhe kushtet e punës se pronari i flak nga puna. Punojnë (si) në të zezë. Por fasonet, siç e keni parë, trumbetohen si çerdhe e punësimit, vizitohen nga shtetarët më të lartë, ndonëse punëtorët e tyre paguhen dhe me 100 dollarë në ditë, sa nuk janë paguar amerikanët as në shekullin XIX. Punëtorët e minierave, hidrocentraleve, ngrihen ndonjëherë për të drejtat e tyre, por nuk i mbështet politika, pasi është ajo që i ka dhënë liçensat e ndoshta ka bërë dhe pazaret. Një çerek shekulli që publiku shqiptar prodhon politikanë, deputetë, kretarë komunash e bashkish që dëshirojnë një komunitet të “bindur” si dele, të manipulueshëm lehtë, të përdorshëm në fushatat zgjedhore, që pranon favore nga pushteti dhe jep ryshfet për to.

Por po lind shoqëria e re civile, ajo e vërteta, e papërdorura nga politika, që i ka mbledhur pësë mijë firma për shkarkimin e Guvernatorit të padorëheqshëm. Kur nuk i mbledh firmat politika e korruptuar, e as shoqëria civile e blerë ku lirë e ku shtrenjt, i mbledh “politika” publike, që nesër do të dëgjohet dhe më shumë si një erë e re ne këtë vend.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *