GRATË “PLAKA” TË KOLZIUT

(Portret fisnikërie i munguar)

Nga Ndue Dedaj

Ato nuk ishin plaka, përkundrazi ishin gra të reja, por duke qenë gjithnjë me veshje të zezë, pa burra (njëra e kishte të vdekur e tjetra të gjallë, veçse në arrati përtej oqeanesh) dhe pa askënd tjetër në shtëpi, ngjanin si plaka në sytë e fëmijëve të asaj ane, ku pikëpritej Dibrri me katundet e Oroshit të Poshtëm. Ishin dy gra të fisme, me sjellje sojnike, që një ditë u bënë vërtet plaka, se u moshuan. Nuk i bënin keq askujt, sytë e tyre ishin të butë, miqësorë, dhe se nuk prisnin asgjë nga e nesërmja, s’kishin asnjë shpresë. Ishin Dranja e Llesh Kolziut (Kaziut) dhe Prena e Ndrecë Kolziut (Kaziut), dy vëllezër, i pari i vrarë pas Luftës së Dytë Botërore si nacionalist dhe pse kishte qenë partizan i ‘43-it në njërën nga Brigadat Sulmuese, i dyti ishte arratisur dhe gjendej në Amerikë si antikomunist. Për këtë të fundit flitej ndonjëherë në të rrallë, si për një njeri nga bota e përtejme, kur sillte ndonjë letër apo ndonjë dollar në familje, te gruaja e vajzat, ku njëra sosh ishte e martuar te Gerajt, në Shpërdhazë, një shtëpi e persekutuar politikisht. Bashkëshorti i saj, Biba, një armator i zoti i minierës, qe futur në burg politik, me akuzën për agjitacion e propagandë, se e rrezikonte pushtetin popullor me anë të vjehrrit “amerikan”, që nuk e kishte takuar kurrë dhe zor se do ta takonte ndonjëherë në jetë. Edhe Dranja, më e moshuar, njërën nga vajzat e kishte të martuar në Kashnjet. Ato të dyja nuk kishin djem, por dhe po të kishin, do t’u ishin kalbur nëpër burgje e tretur në internime, ku ishin të gjithë Kolzinjtë, i madh e i vogël, të lindur e të palindur, nga Tepelena në Plug të Lushnjës, deri në vitin 1991. Është drama tipike e një familjeje shqiptare, që nuk e lënë të ngre kryet për gjysmë shekulli. Rrënimi i madh nisi ditën që Deda, vëllai i madh i Lleshit e Ndrecës, ish-kryetar i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit Bukëmirë, u hodh kundër pushtetit, “doli në mal” siç thuhej asokohe, duke tërhequr pas fatin e rëndë të së gjithë familjes. Pas shuarjes së dy vëllezërve të mëdhenj, arratisjes së të tretit, kishte përfunduar në internim vëllai i katërt i Kazezëve, Gjergji, me shpresën e ringjalljes së familjes. Që atëherë shteti i vuri flakën kullës së Kaziut dhe ajo nuk u ngrit më, duke hyrë e dalë si hije në të dy gratë e sipërthëna, Drania e Prena.

***

Drane Llesh Kolziu

Prena Ndrecë Kolziu

 

Kolzezët ishin nga Oroshi i Mirditës. Shtëpia e tyre e vjetër kishte qenë në Bulshar, por dhe në Livadhëz e Bukëmirë, mbi një shkëmb të zi, mes disa arash tepsi të rrafshta, kredhur në blerim të përhershëm, në anë të Zallit të Kalorit, ku herët kishte pas qenë dyqani i një tregtari shkodran, në rrugën Shkodër-Orosh-Prizren. Përndryshe ai vend quhej Va Krypë dhe banohej nga Kolziu dhe Xhaferri, në fqinjësi me kalorësit në anën tjetër të lumit. Ishte një banesë e rrënuar, njëkatëshe, që mezi mbahej në këmbë nga dy gratë e vetmuara, që krejt familjen e madhe (fisin) e kishin në internim politik në fushat e Myzeqesë. Janë vërtet ngjethëse kujtimet e shkruara e të pashkruara të këtyre njerëzve, që mundën të mbijetonin e të mbërrinin demokracinë. “Plakat” e Kaziut, gratë e vuajtura të fëmijërisë sonë, askush nga populli nuk i urrente, ndonëse nga qeveria e re komuniste shiheshin si armike. Shteti i kishte tjetërsuar në armiq të klasës Kazezët etj. Nëse burrat e shtëpisë kishin qenë kundërshtarë të regjimit politik, pse duhej që kalvari të zgjaste dhe pas vdekjes së tyre, të nipat e mbesat.

Kur bën e analizon sot se si ngjau përplasja e madhe klasore mirditore, habitesh si gjërat ndryshuan rrjedhë aq shpejt. Pritej që Kazezët të ishin familja prijëse e Bukëmirës, Livadhëzit e më gjerë, siç dhe nisi. Por në mal ishte ende i biri i Kapidanit të Mirditës, Mark Gjomarkaj dhe presioni i traditës ishte i fortë, që do të thotë se mes dy ideve, rrymave, asaj komuniste dhe asaj nacionaliste, këta burra do të zgjidhnin traditën. Ata kishin qenë antifashistë, por nuk ishin të bindur për të qenë dhe komunistë, si dhe të tjerë mirditorë të shquar, si Pashk Curri në Fushë-Arrës, ish-drejtues i Çetës Partizane Pukë-Mirditë, luftëtar dhe poet që përfundoi në burgjet e regjimit komunist si disident. Kjo ka qenë një përplasje e madhe historike për shumë shtëpi të para, ndoshta të gjitha, që u zgjidh në favor të traditës, pavarësisht çmimit të rëndë politik. Në të vërtetë dhe disa nga komunistët e parë të krahinës së Mirditës ishin nga këto dyer fisnike: Bardhok Biba rridhte nga Dera e Gjomarkajve (Kapidanit), Pal Mëlyshi ishte nipi i Bajraktarit të Kthellës, Ndrec Ndue Gjoka nga një shtëpi e njohur e Fanit, ashtu si dhe shtëpia e Pjetër Ndue Mardoçit në Kthellë, që pati ndër antifashistët, nacionalistët dhe komunistët e parë vendas. Kolzezët dikur kishin qenë shtëpi në zë, në bajrakun e tyre oroshian, me shumë miq e shokë. Ata vinin nga Kola i Zi, siç kishte qenë aty në Orosh dhe Lleshi i Zi i famshëm i Kapidanëve. Një herë ata kishin pas prerë për festë “kaun e zi” për të gostitur të ftuarit, duke marrë me atë rast bujar dhe një mbiemër të dytë, Kaziu…

***

Por ky shkrim është veçse një kujtesë njerëzore për dy gra që nuk rrojnë më. Tek ato të dyja koha kishte ngecur në vend, qysh në vitet e para pas Luftës. I mbaj mend kur vinin ndonjëherë te ime gjyshe, Dila e Dedë Prengës, në shtëpinë tonë Qafë-Vorrës, dhe kuvendonin së bashku në hijen e manit të madh në oborr, duke pirë kafe. Se ç’bisedonin ne fëmijët nuk mund ta dinim, pasi ato nuk flisnin në sytë tanë, sapo ne afroheshim e ulnin zërin dhe flisnin si me shenja. Drania e Prena ishin pak a shumë bashkëmoshatare me nënën time, Gjelën dhe thuajse nga një lagje, vetëm Zalli i Kalorit i ndante shtëpitë e tyre, ajo kishte lindur aty ku ato kishin ardhur nuse, kështu që ishte një arsye më shumë për të ardhur në shtëpinë tonë ato dy gra të urta të vuajtura, ndonëse rrallë, sa për një kafe, aq më tepër që ne ishim familje e lidhur me regjimin, si të thuash në skajin tjetër të litarit. Por kodet njerëzore e kanë kapërcyer shpesh ideologjinë dhe kjo është një vlerë e asaj kohe për shumëkënd.

Për katër vite, dy gratë “plaka” të Kaziut i shihja përditë tek ruanin ato pak dele e dhi me të cilat mbaheshin, pasi udha për në shkollën tonë fillore, në Fushën Papërdhok, kalonte rrëzë shtëpisë së tyre. Nuk më kujtohet t’i kem parë ndonjëherë duke qeshur. Ishte mirësia e tyre që ato në vetëdijen time nuk mbetën si armike, por si gra pa fat, që kishin vetëm gëzimin e ndonjë nipi a mbese. Në atë mes vitesh ‘60, kur isha 7-8 vjeç, gjëja që nuk mund ta hiqja nga mendja ishte i shoqi i Prenës, Ndreca, që ishte në Amerikë dhe kurrë nuk vinte. Se si më dukej që një burrë nga anët tona të ishte në Amerikë, në fund të botës, ani se ai vend quhej “Toka e Premtuar”. Nuk mund ta kuptoja atëherë si kishte ndodhur ashtu, të ndaheshin burri e gruaja për gjithë jetën, duke qenë të dy gjallë, dhe se ai nuk ishte i vetmi rast nga Mirdita apo Shqipëria, por si ai kishte dhe shumë të tjerë, që vendi i vet i kishte tretur si zogjtë e korbit. I kishte ndarë Lufta e Ftohtë ata që nuk i kishte ndarë deri atëherë historia e një a dy mijë vjetëve.

***

Në një bar-bufe rrëzë Drinit në Lezhë,pi një kafe me Silva Kolziun, punonjëse e DAR-it, e diplomuar për fizikë, një vajzë që e di mirë të kaluarën e shtëpisë së saj, për të cilën kohët e fundit është botuar dhe një monografi. Ajo është mbesa e Gjergj Kolziut të kalvarit të internimeve. I them se do të doja t’i shihja fotografitë e Dranes dhe Prenës, si një homazh jo vetëm për ato, por për të gjithë ato gra të shuara të asaj familje mirditore, nga nëna plakë që mori njërin pas tjetrit lajmin e zi të vdekjes së dy bijve dhe arratisjes së të tretit. Dhe Silva m’i siguroi bujarisht, që t’i njohë dhe lexuesi. Unë besoj se këto dy portrete të asaj kohe flasin më shumë se fjalët e mia. Lufta gjithnjë kishte marrë burrat në këtë vend dhe ato që kishin hequr mundimet e saj mbi kurriz kishin qenë gratë, me ferrin për vete e paqen për të tjerët… Është një racë grash fisnike të paepura që po shuhet dita-ditës dhe pse ne ende nuk e kemi vjelë gjithë kujtesën e tyre të trandur. Në vorbullën e rrëmujshme të tranzicionit i harruam ato, padrejtësisht, ndaj ndihem mirë me këto pak radhë, që munda të plotësoj një detyrim që ia kisha fëmijërisë sime… por dhe një Historie ende të pashkruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *