MUZEU I NOSTALGJIKËVE

NDUE DEDAJ

Vera është pije e shijshme zotërinjsh kur është e paprishur, ndërsa kur “kërcet” ajo bëhet uthull e shërbehet vetëm për sallatën. Ndoshta s’është dhe aq e gjetur, por kështu dhe nostalgjia, ajo është një pasuri shpirtërore e njeriut, derisa nuk është ideologjizuar, domethënë “thartuar”. Nostalgji për fëmijërinë, vendlindjen, prindërit, dasmat, kohën shërbimit mbretëror, kohën e luftës partizane, shkollën, punën në miniera, uzina, ferma, gjithçka që lidhet më ty dhe historinë tënde njerëzore, familjare, pse jo, dhe atë politike, për aq sa kjo e fundit ka qenë e pranishme tek ti. Pasi nuk është se ka patur ndonjëherë kohë jopolitike, që njerëzit të ishin të çliruar prej saj. Tjetër politika moderne si promotor zhvillimi, ku shoqëria nuk mund të kuptohet pa të. Por nuk ka më vend nostalgjia politike e së kaluarës, spekulimi dhe përdorimi politik i një ngjarje historike, sado e vlefshme, i një ditë të shënuar kombëtare, si dita e dëshmorëve, e cila dhe pse merr shkas nga rënia e Qemal Stafës me 1942 është dita e gjithë dëshmorëve të kombit që nga Pavarësia. Edhe këtë 5 Maj sërish drejt “Nënës Shqipëri”, ashtu si në Ditën e Çlirimit, u nisën të gjithë për të vënë kurora. Me fjalime të shkurtëra rituale e poza solemne të fjalimmbajtësve si përherë. Nuk munguan as komunistët me portretin e Enver Hoxhës, si dhe në nëntor, por kësaj here nuk u lejuan që të bëheshin pjesë e protokollit shtetëror, duke u ndaluar nga shërbimet e Gardës derisa të mbaronte ceremonia zyrtare. Duke parë sekuencat filmike nuk mund të mos vije re se e gjithë gjëja që ata donin të paraqitnin me krenari ishte portreti i Komandantit (dhe ai jo me veshjen partizane), dhe asnjë portret tjetër i figurave kyçe të Luftës, si Spiro Moisiu, Ymer Dishnica, Gjin Marku, Nako Spiru, Mustafa Gjinishi, Abaz Kupi, Mehmet Shehu, Omer Nishani, Haxhi Lleshi etj. Le pastaj të kishte aty portrete të Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Imzot Nikollë Kaçorrit, si udhëheqës të një epoke të mëparshme. Ndërkohë që nuk duhej të kishte kurrëfarë portretesh, si në manisfestimet politike të viteve ’80! Natyrisht që një përkujtimore nuk është konferencë shkencore e historisë së Luftës, por pas 70 vitesh simbolikat e saj duhej të ishin qartësuar e gjithëpranuar, kuptohet duke përjashtuar nga çdo nderim bashkëpunëtorët e fashizmit (kolaboracionistët), për të cilët nuk do të ketë ndonjëherë “amnisti” e lavdi. Gjithsesi, për shumëkënd duket se ora ka ngecur aty, te nostalgjia e pakufishme për “udhëheqësin legjendar” e s’ka tjetër. Ai portreti i tij në sfond, nëse në Tiranë u shmang, ishte në ceremoninë në Skrapar, siç diku tjetër nostalgjikët i kishin vënë nxënësit të nderonin me grusht, pa ia ditur ata adoleshentë domethënien atij gjesti të tyre. E me ngjasë kështu do të ndodhë gjatë gjithë këtij viti, diku portreti i kreut komunist do të ndalohet e diku tjetër do të lejohet, çka nuk është aspak serioze për një shoqëri të civilizuar. Po të ishte fjala thjeshtë për Komandantin e Luftës mund dhe të kishte njëfarë pranimi (pos atyre që e quajnë Luftën Nacionalçlirimtare në vitin e fundit të saj si luftë civile), por ai është njëherësh Diktatori e këtu gjerat komplikohen. Pa u shtyrë një regjim më tej, atë të Zogut, apo zogist, quajeni si të doni, me të tjerë nostalgjikë, më tepër si jehonë historike se sa si veprim politik, për shkak se është një kohë më e largët e shumë nacionalistë nuk rrojnë më. Megjithatë as ata nuk kanë ndenjur dyarkryq në lartësimin e të pamerituarve, kur u është krijuar mundësia, duke ngritur në ndonjë qytet shtatore individësh të dominuar nga krimi. Sidoqoftë ata nuk kanë ndërmarrë ndonjë agresion kundër “diktatorit”, siç bënë kohët e fundit nostalgjikët komunistë që i hodhën litarin në qafë “mbretit”, si një hakmarrje e asaj që pati ngjarë në shkurt të vitit 1991 në sheshin “Skënderbej”. Ky qendrim aspak i denjë me historinë e shekullit të kaluar mund të duket se është vetëm shqiptar, por nuk është se dhe vetë Europa e ka të zgjidhur plotësisht problemin e saj me të kaluarën. Ende ngjarjet politike kundërthënëse nuk e kanë lënë të qetë kontinentin e vjetër. Mendësia konservatore është një nga shkaqet e kësaj. Po ashtu ndasia ideologjike që ende është e fortë, ndonjëherë deri në kufijtë e luftës së ftohtë. Por ky nuk është një ngushëllim për qendrimin (lexo: mjerimin) tonë në raport me të kaluarën e afërme, ku çdo qeveri që vjen ngre grupin e vet të historianëve për rishkrimin e historisë, siç ka ngjarë dhe së fundi me një të tillë. Duket se asgjë nuk mund të pranohet nga të gjitha palët, prandaj secili del e promovon vlera, gjysmëvlera apo sajesa historike, kulturore për llogari të vet. Gjysma nuk e pranon assesi gjysmën tjetër. Nuk ka kuptim që pleq të lodhur nga mosha të zihen në rrjetet sociale, prapë si partizanë e ballistë. Dhe sidomos nuk ka kuptim që brenda së majtës, dikush t’i dalë më përzot Luftës e ta ketë më përzemër se të tjerët, pasi kësaj i bie era kapital politik dhe përfitim elektoral. Disa parti duhet thënë minore janë ende shpejt për të marrë përgjegjësi mbi historinë. Partitë do të vijnë e shkojnë dhe ngjarjet e mëdha  përherë do të jenë më shumë se prerja e tyre politike dhe të gjitha politikat së bashku. Ndaj, pa dashur të lëndojmë askënd në ndjenjat e veta, t’i lëmë heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut pa parti, pasi më e pakta gjë që ata kanë patur në jetë ka qenë pikërisht partia, cilado qoftë ajo, e vërteta është se partia e tyre ishte Shqipëria. Dhe kjo jo për ndonjë patetikë, porse partitë shqiptare kanë qenë tepër jetëshkurtëra për të patur heronj me idealin e tyre, ato ishin ose pa ndonjë peshë reale, si ato para 39-s, ose ilegale dhe disa vite pas përfundimit të Luftës, si PK. Për ata që duan t’i dëgjojnë të gjitha kambanat dhe t’i lexojnë të gjitha letrat e historisë, thuhet që 25 përqind e partizanëve ishin nacionalistë, bile dhe shumë nga drejtuesit e formacioneve nacionalçlirimtare, ndonëse deri në fund mbeti i tillë vetëm Myslim Peza, si një ikonë jokomuniste e rezistencës antifashiste. Një vështrim më realist, pse jo historiografik kritik, do ta bënte më të paktë nostalgjinë dhe nostalgjikët do t’i sajdiste me një muze. Tash nuk është dhe aq puna e tyre e kaluara, por e brezave më të vonë, të cilët duhet ta mësojnë pa pasione politike historinë. Do të ishte e udhës që disa grupe veteranësh, që thonë gjithnjë të njëjtat gjera para lapidarëve, të tërhiqeshin disi dhe të venin të rinjtë e shkollave në këmbë të tyre. Se ç’do të ndodhë me Varrezat e dëshmorëve kur ata të mos jenë më? Kush do t’i shpjerë lulet atje? Dëshmorët nuk janë “monopol” i veteranëve dhe pasardhësve të tyre. Do të ishte e mirëpritur dhe dalja nga klisheja, domethënë që lideri i së djathtës të shkonte me 5 maj te varri i Vojo Kushit, dhe ai së majtës te memoriali i Abaz Kupit, etj. Ndërsa askush nuk shpie një kurorë te Ramize Gjebrea, pasi ajo nuk i përket (politikisht) askujt, të djathtit nuk i qasen se ishte partizane, të majtit nga droja se mos se na zemërohen “shokët” e udhëheqjes që urdhëruan gjyqin pushkatues të saj. Siç harrohen thuajse gjithnjë kurorat për varret e ushtarakëve të huaj rënë për shtetin shqiptar në kohë të ndryshme.

Historia doemos që nuk është kjo, e nuk do të jetë as nesër kështu…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *