Danja Sinanaj (BA, MA, PhD following)
Qendra e studimeve albanologjike
Hyrje
Pas luftës së parë botërore, një pjesë e madhe e shteteve zbatuan reforma me karakter politik e shoqëror, që kishin si qëllim zbutjen apo eliminimin e padrejtësive sociale[1]. Në rrjedhën e ngjarjeve u bë gjithashtu e rëndësishme vënia në zbatim e një reforme mbi tokën, që nuk do të sillte një zhvillim të menjëhershëm, por do të bënte të mundur eliminimin e prapambetjes ekonomike dhe zhdukjen e koncepteve feudale, që ende ekzistonin.
Në Shqipëri, marrëdhëniet gjysmë-feudale mbaheshin ende midis çifligarëve dhe bujqve, por nuk sillnin prodhimin e duhur bujqësor dhe për këtë arsye pronarëve iu leverdiste më shumë t’i jepnin tokat e tyre me qera si kullota sesa të merrnin prej bujqve rentën përkatëse. Në dhjetor 1928, me hapjen e parlamentit, Ahmet Zogu u shpreh se ishte e nevojshme një reformë e re agrare. U mendua ideja e shpronësimit të çifligarëve pa asnjë lloj pagese si shpërblim dhe tokat e mbledhura t’iu shpërndaheshin bujqve. Zogu nuk ishte plotësisht i gatshëm të merrte një masë të tillë duke qenë se donte të mbante në krah pronarët e mëdhenj, megjithëse kishte hequr pjesërisht dorë nga pozita si kryetar konservator që përfaqësonte pronarët e mëdhenj të tokave, që ai kryesonte deri në 1924. Projekti i kësaj reforme agrare mbase ishte një formë kërcënimi e paralajmërimi ndaj pronarëve të mëdhenj dhe njëkohësisht një përpjekje për mashtrim ndaj atyre liberalëve të pakët që ekzistonin në Shqipëri[2].
Gjatë përgatitjes së projekt-ligjit mbi ndarjen e tokave, çifligarët u treguan më të zgjuar duke qenë se i copëtuan tokat e tyre dhe i ndanë me familjarët e tyre, nëpërmjet kontratave të dhurimit të cilat ishin fiktive dhe iu jepnin këtyre të fundit mundësinë për t’i rimarrë në të ardhmen mbrapsht e për të gëzuar të gjitha të drejtat që lidhen me to. Një pjesë e madhe e tyre kërkoi treg edhe për të shitur realisht pronat, duke investuar paratë e fituara nga këta transaksione në vende si Italia, Korfuzi apo Austria[3]. Kështu reforma agrare prej kësisoj manovrash bëhej e vështirë për t’u aplikuar që në hyrjen në fuqi të saj. Madje edhe pas miratimit të ligjit agrar, neni 5 i këtij të fundit njihte të vlefshme edhe shit-blerjet e bëra pas hyrjes në fuqi, me lejen e zyrës së reformës agrare (neni 7). Këto shitje fiktive dhe jofiktive bënin të mundur për çifligarin të shpërndante pronën e tij midis njerëzve të afërt apo miq, në mënyrë që të mos prekej nga kjo reformë.
I.
Ligji i reformës agrare u dekretua nga Zogu më 3 maj 1930. Projektligji i kësaj u përpilua nga Mehdi Frashëri, Kryetar i Këshillit të Shtetit Shqiptar, Said Toptani e Maliq Bushati, deputetë të parlamentit, Agjah Libohova, Kryetar i Degës Penale të Gjyqit të Diktimit dhe nga Dr. Vavako, Inspektor i pyjeve. Përpara se këta të fundit të merreshin me të, u ftua një profesor i Universitetit të Firences Giovanni Lorenzoni dhe u ngrit një komision i posaçëm që do të përcakonte direktivat kryesore të këtij projekti të madh.
Në thelbin e saj, reforma parashikonte shpronësimin e pjesshëm të pronarëve të mëdhenj, duke u marrë prej tyre vetëm ajo pjesë e pronës që konsiderohej e tepërt dhe njëkohësisht ajo tentoi të pjestonte pasurinë e këtij vendi, duke shtuar numrin e pronarëve të vegjël e bujqve[4]. Pjesa e tepërt, e përmendur më sipër, nxirrej nëpërmjet disa llogaritjesh. Kështu një çifligari i llogaritej se për nevojat familjare i duheshin 40 hektarë tokë (kur familja përbëhej me më pak se pesë veta; për çdo pjestar tjetër shtoheshin pesë hektarë më shumë). Sasia e tokës që mbetej mbi këtë shumë ndahej në tre pjesë: dy prej tyre i mbeteshin pronarit, të cilat ai i shfrytëzonte nëpërmjet punës së çifçinjve, ndërsa një e treta do t’i takonte bujkut dhe në këtë mënyrë do të konsiderohej pronar. Gjithashtu, vetë reforma parashikonte se jo çdokush do të mund të bëhej me tokë (rreth dy të tretat e bujqve pa tokë ose me pak tokë do të përfitonin prej saj); ajo duhet të paguhej dhe të mirëmbahej.
Nga ana tjetër, familja e bujkut përfitonte prej reformës agrare 0.5 hektarë tokë për frymë, por në çfarëdolloj rasti kjo sasi nuk do t’i kalonte 5 hektarë. Kurse, për të gjitha ato familje bujqish, të cilat zotëronin një farë toke, por që nuk i kalonte 5 hektarët, Zyra Agrare do të kryente kompensimin për pjesën e mbetur. Të gjithë personat që parashikoheshin si përfitues prej Reformës Agrare, duhet të paraqisnin një kërkesë pranë Zyrës Agrare, duke përcaktuar edhe vendin e tokës që ata do të dëshironin të kishin. Kjo e fundit lidhej me Zyrën e Hipotekave dhe i transmetonte listën e përfituesve, bashkë me sipërfaqet përkatëse të tokave. Kujtojmë se, me hyrjen në fuqi të Kodit Civil të 1929, u suprimuan kadastrat dhe me anë të ligjit të 17.04.1929 “Mbi zyrat e hipotekave dhe taksat e tyre”, u krijuan këto zyra hipotekore. Si hap i fundit, bëhej transkriptimi i akteve të pronësisë në regjistrat kadastralë, që njihnin zyrtarisht kalimin e pronësisë dhe njohjen e saj[5], por gjithashtu bëhej edhe inskriptimi i hipotekave të reja dhe të drejtave të tjera reale të tokës në mjedise urbane dhe bujqësore.
II.
Konceptet bazë për mbrojtjen e statusit të pronarit dhe tagrave që lidhen me këtë të fundit u konsakruan si nga Kushtetuta në nenin 198, e cila shprehej se “E drejta e pronësisë, për çfarëdolloj pasunije që të jetë, është e padhunueshme; pa mos qenë e vërtetueme rregullisht nevoja e interesit botnuer, dhe pa mos u pague vlefta e arsyeshme, si mbas ligjës së posaçme, nuk mund të shpronësohet pasunija e kurkujt”, por gjithashtu edhe nga Kodi Civil, i cili bënte një rregullim më të detajuar të pronës. Megjithë ndryshimet legjislative, nuk ishte siguruar ende drejtësia sociale dhe për këtë duhet të shërbente parimisht dhe praktikisht reforma agrare. Dyshimet e mosfunksionimit të kësaj reforme lidhen drejtpërdrejtë me përpiluesit e kësaj të fundit: pronarët e mëdhenj. Duke qenë se një prej pikave të kësaj refome ishte shpronësimi deri në një masë të caktuar të këtyre pronarëve, mund të themi se në pozitat që ata ishin në legjislativ, e bënin situatën kompromentuese.
Megjithatë, shpronësimi do të sillte disa aspekte të rëndësishme, si për mbrojtjen e shtresave të varfra të shoqërisë, si në rritjen dhe zhvillimin e bujqësisë si degë thelbësore e ekonomisë shqiptare, por gjithashtu edhe heqjen e pjesshme të së drejtës së pronësisë nga disa persona vetëm me të drejtën e kundërshpërblimit, si element i rëndësishëm demokratik. Nga ky arsyetim kuptojmë se reforma agrare e përjashtonte konfiskimin, ashtu sikurse edhe Kushtetuta në nenin 208[6], i cili shpjegon se “Konfiskimi asht i ndaluem dhe s’mund të bëhet veçse mbas ligjës me vendim gjyqi”.
Gjithashtu krijimi i Bankës Kombëtare të Bujqësisë dhe i kontratës-tip ishin dy elementë inovatorë dhe përparimtarë që mendohej se do të sillnin zhvillim sipas reformës agrare. E para do të shërbente si institucion i rëndësishëm kreditimi, sidomos për fshatarët që kërkonin të investonin kryesisht në mjete të reja pune, duke suprimuar kamatën që deri në këtë periudhë, i bënte fshatarët të hiqnin totalisht dorë nga toka dhe nga frytet e saj. Duhet thënë se kamata mund të shkonte nga 50-100% të vlerës së huasë së marrë dhe jepej kryesisht nga myltezimët, nga tregtarët e mesëm të qyteteve, të cilët e shihnin këtë formë huadhënie si një mënyrë fitimi, pavarësish pasojave sociale që ajo sillte[7].
Banka Kombëtare Bujqësore u krijua si institucion kreditimi, i nevojshëm për mbështetjen e Reformës Agrare me ligjin e 3 maj 1930, por ajo nuk filloi të funksiononte deri në vitin 1937. Ajo kishte për qëllim dhënien e kredive për kryerjen e veprimtarive agrare, përmirësimin e pronës, kultivimin, administrimin dhe transformimin e saj. Kjo bankë do të fillonte të funksiononte pasi të ishte kryer derdhja e 1/3 së kapitalit të paravendosur prej 5.000.000 frangash ari[8]. Ky kapital fillestar do të krijohej prej çmimit të tokave të shpronësuara në favor të bujqve proletarë, të mbeturat nga huaja e ish Bankës së sundimit osman që kishin hyrë në të ardhurat e shtetit dhe të hyrat e tjera që do të vinin pas zbatimit të Reformës Agrare[9]. Pavarësisht qëllimit madhor që kishte kjo bankë, përsëri ajo nuk i kreu funksionet për të cilat ajo ishte krijuar.
Ndërsa përsa i përket kontratës-tip, ajo kishte si qëllim të përmbyste regjimin e mëparshëm pronar-bujk dhe të vendoste marrëdhënie kontraktuale mes palëve, duke shfaqur vullnetin e të dyja palëve dhe pëlqimin për kushtet e vëna. Ajo do të përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e palëve, duke u bazuar në Kodin Civil, por edhe në zakonet e mira që kishte çdo zonë e Shqipërisë. Ajo kishte për qëllim, de jure, të vendoste në të njëjtin plan dhe t’ju jepte të njëjtën rëndësi palëve, si pronarëve të mëdhenj, ashtu edhe fshatarëve me pak tokë, ose pa tokë fare. Pra, ajo i siguronte bujqve, të cilët nuk kishin tokë të mjaftueshme, të punonin në toka private, duke vendosur vijat e përgjithshme të “marrëdhënies koloniale” midis sipërmarrësve dhe punëtorëve bujqësorë[10].
III.
Shpronësimi do të bënte të mundur krijimin e pronarëve të rinj, të cilët do të gëzonin një pronë të caktuar, pa patur ndërmjetësinë e shtetit apo të personave të tretë. Kategoritë e personave që do të përfitonin nga reforma përfshinin: çdo bujk të martuar ose të ve, çdo e ve bujku me fëmijët e saj, fëmijët e bujqve të mbetur jetimë, bujqit proletarë me pasuri të vogël dhe të pamjaftueshme, mbi moshën 60 vjeçare, personat e pazotë për të vepruar për shkak të të metave të tyre fizike dhe mendore dhe çdo person tjetër që nuk siguronte dot minimumin jetik[11].
Megjithatë, ligji kishte parashikuar një kufizim që lidhej me mënyrën e shfrytëzimit të pronës. Ai shprehej se shteti mund ta rimerrte pronën e “dhuruar”, në rast se toka nuk do të punohej rregullisht. Pronari i ri duhet të deklaronte se do të tentonte gjithnjë të përmirësonte tokën dhe ta kryente një akt të tillë. Ai kishte si detyrim ligjor përmirësimin e saj, ndërkohë që një pronar i vërtetë, në raport me sendin mund të sillet ashtu siç ka dëshirë. Madje ai edhe mund ta shkatërrojë atë tërësisht, sigurisht pa dëmtuar apo cënuar të drejtat e të tretëve. Në këtë rast duket se reforma agrare nuk e njeh të drejtën për të disponuar lirisht sendin, duke qenë se pronarit i vihen kufizime në mënyrat e përdorimit të saj dhe sanksioni në rast të moszbatimit të këtyre të fundit, çonte sërish në shpronësim.
Për ta zbutur pak këtë dispozitë, gjithsesi parashikohej se “Brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e ligjit agrar, pronarët janë të detyruar të parashtrojnë përpara zyrës agrare gjendjen mbi ndryshimin bujqësor sipas kapacitetit të tokës, duke ndarë tokat e tyre në zona dhe duke treguar se cilat janë zonat prioritare, çfarë punësh do të bëhen në to, cilat do të jenë mjetet financiare që do përdorën, këto ndryshime do të bëhen vetë apo me qiramarrës” (neni 32). Sipas këtij neni kuptojmë se ligji kishte lënë disa margjina kohorë për t’i përgatitur pronarët e rinj. Pavarësisht kësaj, kjo nuk e justifikon cënimin e drejtpërdrejtë të tagrave të pronësisë.
Shpronësimi, siç edhe është përmendur më parë kryhej me kundërshpërblim dhe masa fillestar e kësaj shume shkonte nga 100-160 frangra ari. Në fakt, me këtë shumë u abuzua prej pronarëve të mëdhenj, duke arritur shifra të papërballueshme, për të cilat asnjë fshatar nuk ishte në gjendje të paguante (600-700)[12]. Duke parë këtë formë abuzimi, u vendos se kundërshpërblimi do të merrte trajtën e një pagese prej 20 frangash ari, si formë simbolike e kalimit të pronësisë. Si kufizim tjetër, që do të ishte në mbrojtje të pronarëve të mëdhenj, u vendos gjithashtu se në asnjë lloj rasti nuk mund të shpronësohej një person, në rast se ai do të zotëronte deri në 100 hektarë tokë. Nga ana tjetër, përjashtoheshin nga shpronësimi kullotat, pyjet, vreshtat, ullishtat, kopshtet dhe pemishtet, vendet arkeologjike, guroret si dhe çdo tokë tjetër me destinacion publik që mund të shfrytëzohej nga shteti.
Gjithashtu shpronësimi, ashtu sikurse ishte renditur edhe në Kodin Civil të 1929, do të konsiderohej si një prej formave të fitimit të pronësisë për palën përfituese. Prandaj, konstatimi i mësipërm bie deri diku në kundërshtim me çka po themi në vazhdim, duke qenë se fitim pronësie me kusht nuk ka në shkencën juridike. Pronat shtetërore do të ishin pasuritë e para që do të viheshin në shërbim të personave pa tokë, ose me pak tokë, sipas reformës agrare. Duhet thënë se pronarët e mëdhenj gëzonin më shumë prona së bashku, se sa vetë shteti, gjë që e bën ironik vendin e privilegjuar të tyre. Proporcioni midis pronave private dhe atyre shtetërore mendohej të ishte 2/3 me 1/3, pronësi që shtrihej në të gjitha zonat fushore të Shqipërisë, e përqëndruar në afërsisht 165 familje[13].
Ligji për reformën agrare preku 8109,5 hektarë tokë, ku 3411,5 hektarë i përkisnin pronave shtetërore dhe 4698 hektarë ishin prona private[14]. Sasia e kësaj toke nuk i plotësonte pritshmëritë e shtetit shqiptar për zbatimin e kësaj reforme. Siç duket prej këtyre të dhënave, u vu në dispozicion edhe prona shtetërore në një sasi të konsiderueshme, të krahasueshme me pronën private që iu mor personave fizikë.
IV.
Ashtu sikurse edhe në çdo aspekt tjetër social, ekonomik, politik etj, edhe në aspektin pronësor, shteti shqiptar ka mbajtur një qëndrim më të butë e tolerant ndaj minoriteteve dhe zotërimeve të tyre. Ndërkohë që, në vende të tjerë ballkanikë si Serbia, apo Greqia minoritetet po largoheshin me dhunë, duke cënuar kështu të gjithë katalogun e të drejtave të njeriut, duke përfshirë këtu edhe të drejtën e pronës, në Shqipëri u mbajt një qëndrim krejtësisht ndryshe.
Përgjatë Monarkisë, shteti shqiptar nuk ndoqi asnjë lloj politike shpronësuese ndaj pakicave etnike të asaj kohe, që jetonin në Shqipëri. Për ta theksuar akoma më tepër këtë ide, vlen të përmendet fakti se minoritetet që jetonin në Shqipëri gjatë viteve 1920-1930 e përmirësuan gjendjen e tyre ekonomike dhe krijuan një status më të përparuar në shoqëri.
Përpara se të krijohej shteti shqiptar, pjesa më e madhe e kësaj popullsie minoritare kishin statusin e bujkut çifçi, por ky status erdhi gjithnjë e duke u përmirësuar[15], sidomos me hyrjen në fuqi të ligjeve mbi qeramarrjen e tokave bujqësore. Kjo solli kalimin e kategorisë nga bujku pa tokë, në bujk me tokë, duke hedhur një hap të rëndësishëm për këtë kategori personash dhe duke iu atribuuar titullin pronar.
Pra, pozita e pakicave kombëtare erdhi duke u konsoliduar, jo vetëm sociologjikisht, por edhe ekonomikisht, duke qenë se dhënia e pronave përforcoi gjendjen e tyre financiare dhe rriti sigurinë e jetesës në një vend si Shqipëria. I vetmi rast, ku shteti nuk arriti të shuante konfliktin e pronarit të fshatit Goricë, Maliq bej Frashëri me bujqit që punonin në këtë fshat, solli si rezultat largmin përfundimtar të banorëve nga Shqipëria. Edhe me familje të tjera nga Kosova dhe vende të tjerë në Ballkan, u ndoqën politika strehuese, të rëndësishme për kohën, që prekën rreth 20,000 të shpërngulur, të cilët u sistemuan kryesisht në Fier dhe Durrës falë reformës agrare[16].
Që në kohën kur u mblodh Konferenca e parë ballkanike, u bë qartësisht i njohur qëndrimi i shtetit shqiptar ndaj minoriteteve, duke qenë se edhe vetë si shtet kishte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së tij që jetonin jashtë shtetit, sidomos në vende si Jugosllavia dhe Greqia. Prandaj, delegacioni i drejtuar prej Mehmet Konicës propozonte krijimin e një projekti që do të mbronte pakicat kombëtare dhe në të njëjtën kohë, mbrojtjen reciproke të shteteve ballkanike në rast sulmesh nga Fuqitë e Mëdha[17]. Ky propozim u mbështet kryesisht nga Bullgaria, e cila ndodhej në të njëjtën situatë si Shqipëria, por u mor gjithashtu edhe një aprovim i heshtur nga Turqia dhe Rumania, ndërkohë që delegacioni serb pati rezervat e veta mbi këtë çështje[18]. Pra, kjo dëshmon, ashtu sikurse u përmend edhe mësipër se çështja e minoriteteve ishte e rëndësishme për shtetin shqiptar, sepse duke mbrojtur pakicat e huaja, shpresohej të mbroheshin edhe pakicat tona në vendet ballkanike, duke përfshirë këtu mbrojtjen e të gjithë të drejtave të njeriut dhe në mënyrë më specifike, të të drejtave pronësore.
Përfundime
Megjithë pritshmëritë e hartuesve të ligjit agrar, reforma u zbatua në një masë të parëndësishme dhe pas vitit 1935 ajo u harrua tërësisht nga pushteti qendror. Në dispozicion të kësaj reforme u vendos një sasi e konsiderueshme toke, por duhet thënë se një pjesë e madhe prej saj ishte e papunueshme prej dekadash dhe kërkonte investime të mëdha për ta risjellë atë në jetë, gjë që bujku nuk mund ta realizonte.
Kështu që në një farë mënyre u rivendosën pozitat si mëparë, ku çifligari shfrytëzonte çifçiun dhe ku vetë shteti përdorte forcën për të detyruar të parin të paguante të dhjetën dhe taksat shtetërore. Gjithashtu, duhet theksuar se reforma ishte praktikisht e pa aplikueshme, duke qenë se “Për një hektar të shpronësuar dhe të shpërndarë për instalimin e fshatarëve pa tokë, me pak tokë dhe të emigrantëve u harxhuan 117 fr. ari. Kujtojmë se vetë fshatari paguante vetëm 20 fr. ari për tokën e përftuar”[19].
Për më tepër, disa studiues e shohin reformën agrare, jo vetëm të dështuar dhe të pa aplikuar në vend, por gjithashtu edhe si mjet ndëshkues që mund ta përdorte mbreti kundra ndonjë pronari të madh tokash, që nuk ka ndjekur rregullat e këtij të fundit, ose më thjeshtë nuk i është bindur[20]. Gjithashtu, si pjesë e reformës agrare ishin edhe ngritja e Bankës Bujqësore dhe kontratës-tip, por e para hyri në funksion me shumë vonesë dhe nuk influencoi aspak në mbështetjen e pronarëve të rinj, kurse e dyta u zbeh shpejt, për arsye se elementët kontraktues nuk ishin bërë ende praktikë e zakonshme për shqiptarët. Këta të fundit e kishin më të kollajtë t’i riktheheshin marrëdhënieve feudale, se sa t’i përshtateshin legjislacionit të ri.
Bibliografi
Historia e Shqipërisë, vëll. II, Instituti i historisë dhe i gjuhësisë, Tiranë, 1965.
Kareco, T.: “Reforma agrare demokratike nga një Monark”, në “Monarkia shqiptare 1929-1938”, Qendra e studimeve albanologjike, Botimet Toena, Tiranë, 2011.
Meta, B.: “Politikat e shtetit shqiptar ndaj minoriteteve gjatë periudhës së monarkisë”, në “Monarkia shqiptare 1929-1938”, Qendra e studimeve albanologjike, Botimet Toena, Tiranë, 2011.
Selenica, T.: “Shqipëria në 1937”, vëll. II, Tiranë, 1938.
Lorenzoni, G.: “Çështja agrare shqiptare”, Shtypshkronja “Mbrothësia”, K. P. Luarasi, Tiranë, 1930.
Skëndi, S.: “The political evolution in Albania”, Qendra për studimet e Europës Qendrore e Komitetit Kombëtar për Europën e lirë, New York, 8 mars 1954.
Shahini, A.: “Albania Between Italy and the First Balkan Conference 1930”, Mediterranean Journal of Social Sciences, vol. 3, shtator 2012.
Verli, M.: “Interesimi i shtetit shqiptare për shqiptarët në Jugosllavi në vitet 20-30 të shek. XX”, Botimet Toena, Tiranë, 2011.
Villari, G. dhe Truddaiu M.: “L’Albania alle soglie del XX secolo”, Notiziario del Centro Numismatico Valdostano, Anno II, N. 3, qershor 2006.
Burime arkivore
AQSH, P.151, D.103, V.1930, P.154.
AQSH, f. 894, v. 1939, d. 600, “Pasqyrë mbi statistikën bujqësore të Reformës Agrare”.
AQSH, Fletore Zyrtare nr.111, datë 13 Dhjetor 1928, “Statuti i Mbretërisë Shqiptare”.
AQSH, Fletore Zyrtare, nr. 60, dt. 08. 09. 1931, “Ligji për Reformën Agrare”.
USDS 875.00/266: Tirana, nr. 542, 22 tetor 1928.
La naissance et la chute de la réforme agraire en Albanie
Après la seconde guerre mondiale, les pays européens ont élaboré et appliqué des réformes politiques et sociales, qui avaient pour but d’éliminer les injustices sociales. De même, ces derniers ont mis en oeuvre une réforme sur les terres, appelée “La réforme agraire”. Dans l’Albanie de cette époque, les relations entre les propriétaires et les paysans étaient médievales, et c’est pour cette raison que depuis la constitution de la République Albanaise dirigée par Ahmet Zogu, des démarches ont été prises.
L’idée initiale était de redistribuer les terres de cultures en les confiquant à leurs propriétaires sans les payer. Mais Ahmet Zogu avait peur de la leurs réaction, et il ne voulait pas les avoir contre lui, surtout les grands propriétaires. Ainsi, la réforme prévoyait que les grands propriétaires conservaient la plupart de la leur propriété, et ils ne devraient donner que la partie considérée comme “de trop”. De cette façon, une famille de paysans pouvait peu profiter de cette réforme, car à chaque personne s’attribuait 0,5 hectare de terre, et n’aucun cas ça ne pouvait pas dépasser les 5 hectares.
En plus, le paiement de l’expropriation était prévue d’une somme de 100-160 francs en or par hectare. Cette somme était difficile d’être payée par les paysans, et elle est devenue au prix fort parce que les propriétaires ont profité de la situation terrible où ces gens vivaient, et ils ont augmenté le prix à 600-700 francs en or par hectare. Enfin, l’État Albanais a consacré une loi selon laquelle le prix a été fixé à 20 francs en or par hectare. Il faut aussi préciser que toutes les personnes qui achetaient ces terres, avaient ainsi l’obligation de les cultiver, de les bien maintenir, sinon l’État intervenait en les réconfisquant.
Même si la loi sur la réforme agraire a été considerée comme l’une des lois les plus démocratiques de cette époque, elle n’a pas repondu aux nécessités des citoyens. En effet, elle a touché 4698 hectares de terres des personnes privées, et 3411,5 hectares de terrres qui appartenaient à l’État. Au total, il y avait 8109,5 hectares de terres utilisés pour contenter les gens. Ca veut dire que cette loi n’a pas été réussie dans un point de vue sociologique, car elle n’a pas aidé à réssoudre la situation des paysans dans le pays; mais elle a quand même construit une base démocratique, et juridique.
[1] Kareco, T.: “Reforma agrare demokratike nga një monark”, në “Monarkia shqiptare 1929-1938”, Qendra e studimeve albanologjike, Botimet Toena, Tiranë, 2011, f. 79.
[2] Skëndi, S.: “The political evolution in Albania”, Qendra për studimet e Europës Qendrore e Komitetit Kombëtar për Europën e lirë, New York, Seri e mimeografuar, 8 mars 1954, f. 160.
[3] USDS 875.00/266: Tirana, nr. 542, 22 tetor 1928.
[4] Selenica, T:: “Shqipëria në 1937”, vëll. II, Tiranë, 1938, f. 885.
[5] Historiku dhe funksioni i ZRPP-së, në http://www.zrpp.gov.al/mat.php?idr=310&idm=12&lang=1, konsultuar më 06.11.2013, f.1.
[6] AQSH, Fletore Zyrtare nr.111, datë 13 Dhjetor 1928, “Statuti i Mbretërisë Shqiptare”.
[7] Lorenzoni, G.: “Çështja agrare shqiptare”, Shtypshkronja “Mbrothësia”, K. P. Luarasi, Tiranë, 1930, f. 123.
[8] Neni 1: “Formohet nji Bankë bujqsore kombtare me kapital fillestar fillimtar prej 5.000.000 (pesë miljon) fr. ari. Banka fillon nga veprimet e veta po sa të derdhet nji e dheta e këtij kapitali”.
[9] AQSH, Fletore Zyrtare, nr. 60, dt. 08. 09. 1931, “Ligji për Reformën Agrare”.
[10] Selenica, T.: “Shqipëria në 1937”, vëll. II, Tiranë, 1938, f. 884.
[11] AQSH, f. 894, v. 1939, d. 600, “Pasqyrë mbi statistikën bujqësore të Reformës Agrare”, f. 17.
[12] Kareco, T.: “Reforma agrare demokratike nga një Monark”, në “Monarkia shqiptare 1929-1938”, Qendra e studimeve albanologjike, Botimet Toena, Tiranë, 2011, f. 90.
[13] Selenica, T.: “Shqipëria në 1937”, vëll. II, , Tiranë, 1938, f. 883.
[14] Historia e Shqipërisë, vëll. II, Instituti i historisë dhe i gjuhësisë, Tiranë, 1965, f. 601.
[15] Meta, B.: “Politikat e shtetit shqiptar ndaj minoriteteve gjatë periudhës së monarkisë”, në “Monarkia shqiptare 1929-1938”, Qendra e studimeve albanologjike, Botimet Toena, Tiranë, 2011, f. 47.
[16] Verli, M.: “Interesimi i shtetit shqiptare për shqiptarët në Jugosllavi në vitet 20-30 të shek. XX”, Botimet Toena, Tiranë, 2011, f. 223.
[17] Shahini, A.: “Albania Between Italy and the First Balkan Conference 1930”, Mediterranean Journal of Social Sciences, vol. 3, shtator 2012, f.2.
[18] AQSH, P.151, D.103, V.1930, P.154.
[19] Kareco, T.: “Reforma agrare demokratike nga një Monark”, në “Monarkia shqiptare 1929-1938”, Qendra e studimeve albanologjike, Botimet Toena, Tiranë, 2011, f. 95.
[20] Villari, G. dhe Truddaiu M.: “L’Albania alle soglie del XX secolo”, Notiziario del Centro Numismatico Valdostano, Anno II, N. 3, qershor 2006, f. 7.