Poezi te autorve te njohur perkthyer per Kuvendin
SHTRENGATA PRANVERORE
Sa e dua shtrengatën sapo maji vjen,
Krismën e parë pranverore,
Sikur luan, kur furishëm shpërthen
Nëpër kaltërsinë qiellore.
Rishmas ushtojnë buçitje të reja.
Ja, shiu i imtë, pikla-pluhur lart,
Perla ujore bien nga reja,
Dielli i stolis me fije t’arta.
Nga mali përroi vrapon me rrëmbim,
Zhurmim shpendësh në pyll, heshtje s’ka.
Potere pylli, prej mali zhaurimë,
Jehona, kthen gëzueshëm gjithçka.
Perkth. 2014
D E T I
Sa bukur nëpër natë, o det me valë!
Këtu – shkëlqim atje – në blu dhe terr!
Në dritë të hënës, si një qenie e gjallë,
Shkrep, vezullon, ecën e frymë merr!
Në pambarim, në hapësirë nget.
Lëvizje, dritë, gjëmë dhe shamatë.
Shkëlqim i zbehtë derdhet mbi det…
Sa bukur – në shkretirë, nëpër natë!
O valë madhështore, o valë deti,
Kjo festë ç’është e për kë kremtojnë?
Suvalat sulen me rropamë e dritë,
Dhe yjet sipër ndjejnë e vështrojnë.
Te ky shkëlqim e te kjo trazirë,
I humbur si në ëndërr po qëndroj.
Oh, në magjinë e tyre me sa dëshirë,
Të mundja, gjithë shpirtin të mbuloj!
————–
George Gordon – Lord Byron*
AJO SHËTIT
NDËR BUKURI
nga Meloditë Hebreje
I
Ajo shëtit mes bukurish,
Në nat’ pa re, me qiell ndër yje;
Në dritë a muzg çdo mirësi
Has pamjen e ato dy sy;
Me shndrim të ngrohtë e butësi,
Që Zoti heq nga ditë mërzije.
II
Sa më pak rreze, hije më tepër!
E brishta bukuri -pa emër!
Kreli zi, valëvitet lehtë,
A rrezet këndshëm mbi fytyrë,
Ku shprehen shpesh mendimet qetë,
E pastër, e dashur, streha e tyre!
III
Nën vetull, në buzë dhe në faqe,
Sa ëmbëlsi shfreh fjalë e saj!
Buzagazi joshës, ngjyrat -përflakje,
Rrjedh thënie mirësish pa skaj!
Mendim i shtruar mbi gjithçka,
Zemra që dashuron s’ka faj!
——————
KUMBON NË RRUGË
NJË ORGANETË
Kumbon në rrugë një organetë,
dritare e hapur, mbrëmja sa ka ardhë,
çohet mbi fusha e vjen te dhomëz e shkretë
aromë bujare, pranvere të bardhë.
S’e di përse më dridhen gjunjët sot,
s’e di përse më mbushen sytë lot.
Ja, kryet ula mbi dorën time
për ty, që je aq larg, bie në mendime.