Lirikë me ritual shiu

Zejnepe Alili – Rexhepi

(NEPI)

 
(Poezi shkëputur nga vëllimi “Ujëvara e syrit”)

Vargje për shiun

S’pushon së rëni ky shi i rebeluar!
Shpirti vërshohet me nostalgji,
kur më mungon ti.

Dikur shpresoja,
se s’do të shkruaj më poezi
për shiun…
as për tëndin mall.

E pamundur…
qe një zhgënjim çasti,
që më rrëmbeu atë kohë.

Shiu s’pushoi,
as me ty s’u çmalla dot!
Në sy…shi
për një varg, një poezi.

Sërish në vargje

Pasqyrohem në lotin tënd
ujëkulluar,
si loti i pendesës.

Jehoj në zërin tënd
fuqishëm,
si këngë kushtrimi.

Pëshpëris me t’ëmblat buzë
magjishëm,
si baladë pranvere.

Dehem në prekjen e flokut,
dashuroj,
më e ëmbël është jeta.

Kur të ikësh

Para se të ikësh,
më thuaj, nëse e dehur mërgove
si perëndesha e shiut!

Para se të ikësh,
më le një fjalë pa thumb!
Gjurmët e mallit të dehen në harresë.

Para se të ikësh,
lëri magjitë e puthjes
në sy…në gushë,
nëse për jetë mike më ke?

Para se të ikësh,
zbraz valixhen e shpirtit të lodhur,
bëji vend dashurisë së re, po të mundesh!?
Jetën jetoje pa mua!

Shpresë pas shiut

Loti dhemshëm rrëshqet faqeve
si rrëketë e shiut të sotëm,
çdo gjë më përmallon
si mungesa yte e kahershme.
Në korniza kujtimesh e ruaj
shpirtin tënd kristal,
delikat je kur më thua:
Pse më bëre kaq shumë të të dua?!
Në vend të fjalës të fal buzëqeshje
ajo të zhduk brengën, të shton shpresën
sakaq thyhet qelqi i zemrave tona.
Jo, s’na ndal shiu i sotëm rebel
as e nesërmja dritë e diellit,
me valixhet e shpresës për të ardhmen
ngremë dolli: Bekuar qoftë dashuria!

Poema e syrit

Në ligjërimin e shiut
kur ndjehet melodia e valsit,
ata të dy kërcejnë me ankth
që të mos pushojë melodia e shiut.
Po në çast ndizet jeta
shkruhet poema, në pika shiu
numërohen fatet njerëzore
me onomatopenë e qyqes
kur prek shiu i lodhur vjeshtak.
Rinis drita e jetësimit
udhëtimin për në bregun e lotëve.

Pas shiut

Një mbrëmje marsi me shi,
na shoqëroi mua e ty
kur qemë të përmalluar
e çaste dashurie rikujtonim.
Më ike pa përshëndetur
sa i madh u bë trishtimi!
Po kur shiu pushoi
lulet çelën përsëri,
natyra u qetësua si më parë
veç ti u trete s’u ktheve më.

Begati shpirtërore

Ëndërrimeve të mia bredhin
netë të gjata pa fund
pushtuar në vuajtje shpirti kalorsiak.

Asgjë s’mundem pa ty,
dhembjen dot s’e mposht
me letrën e dashurisë lagur në lot.

Në ujëvarën e syrit
ndjenjën e vrarë me rastësi,
lumturinë e varur për një fije shprese
për atë shpirt të begatshëm jete.

Kur prehja bëhet kurorë
vështrimet mikluese trazojnë mallin,
takimeve në gjurmë lumturie
kur dashuria vihet në bast,
sundimtare e skllave si në lojë.

Me sy gjeraqine pushtohet flladi
si shtrëngata në pyll me shiun pas,
zemrës së ngrirë i ngjallet dëshira
me valën e detit niset porosia.

Breshërimë lotësh

Shi bie!
Në dhomën e errët
pranë dritares, netëve të ftohta
papritmas…
rrëshqet loti i nxehtë
përvëlues për shpirtin.
Diku bashkohen shiu e lotët
si rrjetë xhevahirësh,
në zemër bulojnë mijëra dëshira
shndërrohen në lot të tharë,
të fluturuara buzëqeshje
a ëndrra të pambaruara.
Lotët dhe shiu…
bëhen pjesë e zemrës,
plot dhembje e dëshpërim
që shkatërrojnë pa ngushëllim.

Baladë motesh

Ikën vite të shumtë…
E shkuar mbeti ajo kohë
kur u deshëm me afsh.
Pranë më rije …
që gjumi t’më merrte në shtegtim.
Dhe, kur më dridhte ëndrra
buza venitej për puthje,
malli më digjte syrin
loti i dhembjes s’kishte vend,
se pranë më rije ti.
Kudo e kahdo hija yte,
me puthje më mbuloje,
sërish kisha etje,
për çastet e bukura me aromë jete.
Dikur, krejt u rrënua si kullë letrash.
Eh, sa më djeg malli,
dhembja s’ka mëshirë për ne,
as për ndjenjën e dikurshme,
jeton sot për sot.
Të lutem, mbyllja shtegun vuajtjes!
Prania e saj është e tepërt.
Unë dua vetëm të shuaj mallin
me freskun tënd shpirtëror,
të të magjeps, t’më duash sa jetën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *