MARILYNI DHE SOKAKËT E KORÇËS

     Nga Rozi Theohari, Boston

 

“Kjo çupka e vogël këtu në fotografi jam unë,” – thotë

Marilyni me një shqipe të ngadaltë. “Kemi dalë në Uster

bashkë me nënën e babanë aty nga fillimi i viteve dyzet

të shekullit të kaluar”.

Marilyni është një zonjë rreth të gjashtëdhjetave, por fytyra

e saj rrumbullake gjithnjë e qeshur dhe flokët gështenjë të çelur

e tregojnë më të re. Buzëqeshja e saj e ëmbël të çon mijëra

kilometra larg, aty, në qytetin piktoresk të Korçës, në Korçën e

serenatave, në qytetin e vajzave të bukura faqekuqe.

“Nëna ime, Eftimi Terova dhe babai Mina Cale, – tregon

Marilyni, – erdhën nga Korça në Amerikë më 1921 tok me

motrat e mia. Si fëmijë e fundit, vajza e pestë, u linda dhe rrita

në Uster, në ambientin dhe kulturën amerikane, megjithatë,

bashkë me qumështin e nënës thitha edhe bekimin e dashurinë

për mëmëdheun e lënë pas. Vit pas viti që përkëmbesha shkoja

në gjumë me ninullat e bukura shqiptare dhe zgjohesha po

nga fjalët përkëdhelëse të gjuhës së nënës. Kur u rrita, fillova

të kuptoja se bota ime e vogël ishte ndarë më dysh, në atë brenda

shtëpisë dhe jashtë saj. Jashtë ishte shkolla, anglishtja, emri im

amerikan, shoqet e shokët, aktivitetet e ndryshme, etj. Kurse

brenda, në gjirin e familjes, unë flisja shqip si prindërit,

ushqehesha me gjellët e shijshme korçare, edukohesha me

zakonet e traditat e të parëve tanë.”

“Çfarë kujtimesh të kanë lënë mbresa më shumë nga jeta

me prindërit?” – e pyes.

“Korça, – përgjigjet ajo. – Nëna e babai nuk e lëshonin nga

goja qytetin dhe sokaket e tij. Unë pyesja, ç’është ky “sokak”?

E ajo, nëna e dashur, m’i përshkruante aq mirë ato rrugët me

kalldrëm, të veshura me gurë fiçore të vendosur njëri pranë

tjetrit, ngjyrat, trajtat dhe qoshet ku bashkoheshin e ndaheshin

sokaket e mëhallës. Më tregonte se si i pastronin gurët e i bënin

dritë, pastaj uleshin para portave të shtëpisë, qëndisnin,

bisedonin e bënin shaka me fqinjët. Në kokën time të vogël

punonte imagjinata, regjistronte çdo bisedë, çdo fjalë, çdo

përshkrim, të cilat pastaj, natën i shihja në ëndërr si të gjalla.

Tani po të pyes unë ty, – thotë Marilyni. – “Çfarë kujton

nga pamja e nënës sate kur ishte e re?”

“Fytyrën e saj të njomë e të hijshme,” – i përgjigjem unë.

“Ah, po, unë kujtoj edhe diçka tjetër, veshjen e saj!”

Kur kishte ardhur nga Korça në Amerikë, siç tregon

Marylini, Eftimia kishte sjellë gjithë garderobën me veshjet e

qepura sipas modës franceze. Palltot dhe kostumet e Eftimisë

me peliçe origjinale te jaka dhe kapelet e modës, i lanë pa mend

gratë amerikane të cilat pyesnin me zili: “Kjo Korça juaj, mos

ndodhet afër Parisit?”

Pas vdekjes së të atit, në Uster, disa vjet më vonë Marilyni

u martua e shkoi në Miami, ku mori edhe nënën me vete. Aty

lindi një vajzë, Kristinën, e cila u rrit me dashurinë e dy nënave

shqiptare. Por vdekja e nënës, Eftimisë, me 1990 shkaktoi

dhembje e dëshpërim në zemrën e Marilynit. Me nënën ajo

kishte një lidhje të dyfishtë: atë të prindit dhe të mëmëdheut.

“Tani më dukej se nuk isha më shqiptare”, – psherëtin Marilyni

dhe hap çantën e saj. Që andej nxjerr një pasaportë të vjetër

shqiptare me datën: Korçë, 29/8/1921 dhe një fotografi të

zbardhur nga koha, të nënë Eftimisë dhe të Sofisë së vogël.

“Këtë pasaportë e mbaj me vete kudo që udhëtoj nëpër Amerikë

e jashtë saj. Me këtë copë kartë unë vërtetoj kombësinë time

shqiptare, buzëqesh ajo. Ndërsa në kuzhinë Marilyni vazhdon

të gatuajë gjellë me mish e perime, byrekë e lakrorë si të nënës.

Prej vitit 1988 deri 1998 Kristina vazhdoi karrierën e saj në

kompanitë e linjave ajrore. Kjo dhe u bë shkak që Marylini të

realizonte atë ç’ka i vlonte prej vitesh në gji: amaneti i palënë i

nënë Eftimisë për të vizituar Shqipërinë dhe Korçën e saj të

dashur. Me një grup turistësh që vizitonin Greqinë, u nis edhe

Marilyni. Ishte shtatori i 2000-s. Pas qëndrimit në Athinë grupi

u nis për në Patra e qëndroi në Korfuz.

“Kur e ndjeva veten kaq pranë brigjeve të Shqipërisë, – thotë

Marilyni, – zemra më rrihte, mendja më vinte rrotull dhe faqet

me digjnin si prushi. “Do të nisem menjëherë,” – u thashë

shoqeve të mia. “Jo,” – kundërshtuan ato, – “si do të udhëtosh

e vetme, në një vend të panjohur!” “Ai është atdheu im” –

këmbëngula unë. “Nuk të inkurajojmë për një udhëtim të tillë,”

– më thanë disa punonjës lokalë. Por unë vendosa dhe, gjënë e

parë që bëra mora kontakt me një zyrtar të udhëtimeve për në

Sarandë.

Udhëtimi i shkurtër me traget la në shpirtin tim mbresa të

paharrueshme. Bashkë me mua në bord ndodheshin edhe disa

familje shqiptare me fëmijët e tyre. Ata bisedonin me zë të lartë,

por unë nuk kuptova asgjë nga ai dialekt. Një farë dyshimi më

lindi: si do të merrem vesh me vendasit? Por hutimi im ia la

vendin emocionit të parë e të fuqishëm kur në gjysmë të rrugës

mbi det, u ndryshuan flamurët dhe flamuri shqiptar filloi të

valëvitej në qiellin blu. Deti kishte një ngjyrë të mrekullueshme

smeraldi të shkëlqyer dhe valët e vogla që përplaseshin njëra

me tjetrën, dukej sikur duartrokisnin e përshëndesnin ardhjen

time. Ndjehesha krenare, sigurisht isha e lumtur që më në fund

po më plotësohej një ëndërr e thurur gjatë gjithë jetës sime.

Kokën e mbaja lart, s’ngopesha dot së pari flamurin. Në këtë

udhëtim edhe unë isha veshur me ngjyrat e tij: bluzë të kuqe

dhe pantallona të zeza…

– Cilat ishin përshtypjet e para, – e pyes, – kur zbrite në

tokën shqiptare?

– “Ishin hapat e parë në Sarandë që më shkaktuan emocione

të tjera. Ishin njerëzit… Fillova të takoja racën time, të

shkëmbeja fjalët e mirëseardhjes dhe të admiroja natyrën e

bukur të qytetit. Sipas programit të udhëtimit, u paraqit para

meje I.Myrtaj, i zoti i hotelit ku do të qëndroja. Ai më siguroi

 

për qëndrimin tim në Sarandë, por edhe për udhëtimin me

taksi për në Korçë. E çlodhur, e qetësuar dhe e mrekulluar nga

vendi dhe njerëzit e gjakut tim, hëngra një darkë me peshk të

freskët dhe sallatë. Pastaj, me një kënaqësi të papërsëritëshme

shëtita përgjatë rrugës së bregut të detit, ku u befasova nga një

grup i madh banorësh, burra, gra e fëmijë, që shëtisnin si unë

buzë ujit. U vura veshin bisedave të të rinjve dhe, kur fillova t’i

dëgjoja e t’i kuptoja aq mirë, m’u bë zemra mal.

– Mezi po pres të më tregosh për Korçën tonë” – i them.

“Në udhëtimin tim për në Korçë më shoqëroi çifti Nola e

Tani Memushi. Arritëm në qytet përpara mesditës. Korçarët

ishin të sjellshëm e të kudondodhur, kështu që nuk harxhova

shumë kohë për të gjetur familjen me mbiemër “Terova”. Kur

qëndrova para derës ku lexova shkronjat Terova, m’u duk sikur

dëgjova zërin e nënës sime që fliste me vëllanë e saj Dhimitraq

Terova. Por… imazhi u pre përgjysëm. Pas trokitjes sonë doli

një djalë i cili tha se nuk dinte të kishte një teto Eftimi në

Amerikë. Megjithatë, ai na priti me mirësjellje. Diçka u thye

brenda meje. M’u kujtua se nëna kishte një kohë të gjatë që

nuk kishte patur këmbime letrash me vëllanë dhe farefisin në

Korçë. Pra, çdo gjë e kishte mbuluar mjegulla e ftohtë e harrimit.

Kur më panë në atë gjendje të dëshpëruar, korçarët më thanë

se ka edhe familje të tjera me të njëjtin mbiemër dhe ata shfaqën

dëshirën të më ndihmonin…

Por unë i falenderova për gatishmërinë e tyre dhe iu luta të

më linin disa çaste vetëm. Duke biseduar shqip me vetveten,

fillova të çapitem nëpër sokaket e Korçës. Çdo çap më jepte

zemër, çdo prekje guri me këmbë, nganjëherë një shkarje e

vogël deri në humbje ekuilibri, filloi të më bindte pak nga pak se

…së fundi unë plotësova një qëllim…, një ëndërr. Unë bëra

gjithë atë udhëtim të gjatë për të parë, ku ka shkelur këmba e

nënës dhe e babait dhe i shkela ata gurë. Për më tepër, qyteti i

Korçës me fushën e tij, kodrat, malet, me stilin e ndërtesave

dhe të rrugicave, me traditat dhe kulturën, me krejt mënyrën e

jetesës në përgjithësi, ishte pothuaj ai që unë kisha ndërtuar në

imagjinatën time.

– Përveç Korçës, vizitove ndonjë qytet tjetër? – e pyes.

– “Po, gjatë rrugës për në Sarandë pata fatin të vizitoja

Gjirokastrën dhe kështjellën e saj, si dhe qytetin antik dhe

qendrën e lashtë kulturore të Butrintit që më lanë përshtypje të

veçanta. U takova e bisedova me motra e vëllezër të gjakut

tim. Gjithë ditën ndjehesha e lumtur, pak e hutuar, por aspak

e lodhur. Sepse në mendjen time trokiste laitmotivi “ky udhëtim

më ndihmoi të njoh identitetin tim nëpërmjet origjinës së vërtetë

prindërore.

– Vizita në vendin e të parëve të mi, me siguri, i qetësoi

nënën e babanë aty ku prehen. Sapo mbërrita në Miami,

vizitova varrin e nënës dhe ndjeva thellë në shpirt uratat e saj.

Gjeta aty një farë balancimi të ndjenjave të mia, që s’e kisha

provuar më parë. Kohë më vonë udhëtova për në Uster, mbasi

e ndjeja si detyrë të vizitoja edhe varrin e babait. Dhe atë ditë,

lavdi Zotit, u njoha rastësisht me një bashkatadhetar, banor të

Usterit, Jani Melka. Kur mori vesh se po shkoja në varreza, ai

më dhuroi një buqetë speciale me lule. Nuk ishin lule të

zakonshme: farën e tyre e kishte sjellë nga Shqipëria dhe për

herë të parë po lulëzonin në Amerikë.

– I vendosa ato lule te guri i varrit, si për t’u çmallur me

mëmëdheun e largët, si një simbol të dashurisë së pashuar që

rrjedh nga një brez tek tjetri…

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *