Nga ky cikel “ Kuvendi” do të botojë pjesen me te madhe te krijimtarise se paraqitur ne konkursin e Diteve te Letersise per vitin 2013
Leksione të huaja
Takohem me ty e të pyes për shëndetin,
ti më flet për ditën, syzet, ngrohtësinë e diellit!
Takohem me ty e të pyes për lodhjen,
mundimin gjatë ditës,
ti më flet për mrekullitë në fund të detit!
Takohem me ty e të pyes për prindërit,
motrat, vëllezërit,
ti më flet për buzët, bluzën, macen edhe qenin!…
Sërish takohem me ty,
e ti flet e flet me leksione të huaja!
Kafshimi i fjalës
Diçka të shpejtë më kërkoi vajza,
ngutshëm fliste dhe me sy!
Më nevojitej medicin-fjala,
ula kokën si për ta përgatitur!
I acartë ndërhyri djali,
sikur vajza rrëmbeu diçka prej tij!
Më ngriu në buzë fjala,
sy azmatiku rënduan në fytyrë!
Në të sajën shpërtheu gruaja,
sunduese më shumë se çdo perandori!
Më kot gjuha kërkoi pështymën,
në gojën e tharë të azmatikut!
Kafshuar dhëmbësh më afroheshin fjalët,
shkëlqimi tyre i metaliktë!
Koka ra si e prerë nga shpata,
prej kafshimit lemeritës nga fjala!
Në më harroftë dielli
Mësova se pëlqen të largohesh,
diku larg në tjetër vend…!
Ec, shpejto
atje ku veten e mendon me më shumë mirësi!
Druhesh, ruhesh… Sesi rrudhesh,
venitesh e mpihesh!
I dëgjoj fjalët, i ndjej e i shoh dhimbjet, dridhjet
dhe ato që grinden nëpër gjoksit tënd…!
Shpengohu prej meje… E di, pa ty, pa qetësi…
E di, e di, veç ti gazplote,
gazlirë, qëndisur në sy shendetplote rritesh…
Hidhesh, shtrihesh e qesh, ngrihesh,
shton shtatin, vlimin, shton dije të çuditshme
dhe s’kërkoj tjetër kënaqësi!
Oooo, me të njëjtën frymë, me të njëjtin diell,
fluturon nëpër qiellin e gjoksit tim të larë pas shiut,
(pas shiut, e mira ime,
pas shiut në trazim të madhërishëm për lehtësim),
flutur ther e ther, pa pushim, dhimbja ime, sërish!
Dhe, beso, unë notoj e notoj,
si ti, në kërkim për shërim joshem papushim!
E dhimbshura sa qielli me yjet, hapësira,
të përgëzoj… nxito… nxito… shpejto e vrapo…
Në më harroftë dielli, s’të harroj!…
Zog i zogut tim
Nipit tim, Aldos
Me doçkat e vogla, bar i ri, erëmirë,
i lirshëm në rritje
ther e ther nëpër shtroje, nëpër sy
dhe në gjoksin tim plot dhimbje ndizet,
merr krahë e fluturon gëzim i rritjes tënde!
Afrohu, afrohu, mos ki frikë, afrohu,
s’më shqetëson, s’më shton dhimbjet!
Druhesh, trembesh prej dridhjes së duarve,
fytyres, buzëve të mia dhe frikesh e qesh,
frikesh në afrim… e në mua ther e ther!
As nga loti im-det, pafund, pa fillim,
mos u frikëso, mos u trishto, lule erëmirë,
zog i zogut tim në pritje të rritjes për fluturim;
në të shmallem, thërmohem e tretem njëherësh!
… Të besoja se gjatë rrugës së rritjes tënde
do të mund të puthje,
të përqafoje a të prekje të vërtetën;
në çast le të mbyllet syri,
do të joshesha krejt në qetësim, zog i zogut tim!
Gënjej veten
Nexhip Ejupit
Ndërsa nxitoj në pikëtakimin me ty,
dikush në rrugë më përshëndet
dhe si duke iu këputur trupit, buzëqesh…
Bëj se i kthej respekt, se i buzëqesh.
Në kafe dikush më thërret në emër
dhe si duke u djegur sysh e fytyrës nga malli,
ngre dorën e më fton në tryezë.
Bëj sikur digjet në mallin e tij, malli im,
bëj sikur…
Dhe në punë si miqësisht dikush afrohet;
bëj se dëgjoj, se flas, bëj sikur qesh!
Në shtëpi, miku im, as gruaja e as fëmijët,
të bardhë e të lirë si drita, nuk ngrihen në respekt!
Hesht… Kafshoj sytë drejt dhomës!
(Ca gjëra nuk blihen, ca gjëra nuk shiten,
ca të tjera është mirë të mos i dish,
të mos i shohësh, të mos i ndjesh!)
Vështroj pasqyrën. Bëj sikur… Bën sikur!
Medet! Në fytyra e sy, në gjokse e hapa,
në duart e buzët e njerëzve, në përshëndetjet,
buzëqeshjet e në pritjepërcjelljet,
bile edhe në përqafimet e psherëtimat e puthjes së tyre,
hënëzon ftohtësi e kohës moderne, dashuri e pakuar!
… Medet e medet, qindraherë-zemërthyer, miku im,
gënjej veten se jam gjallë, se jetoj mes dashurive!