Edit Durham: Një marrëdhënie sentimentale me abatin Preng Doçi

 

Nga: FATMIRA NIKOLLI

 
S’është nevoja t’ju flas për kishën e tij, të projektuar prej atij vetë, më e madhja në të gjithë malësinë, as për shtëpinë e tij të madhe, e mobiluar e gjitha sipas shijeve europiane, e as për mikpritjen e tij princërore. Këto i dinë të gjithë ata që vizitojnë Shkodrën e pastaj bëjnë një udhëtim lart nëpër male. Kur vajta unë aty, ai vetë s’qe në shtëpi, por e motra, që më përshëndeti me përzemërsi si të ishim të njohura të vjetra, dhe prifti i Oroshit, më bënë nderet e shtëpisë. Po Oroshi pa abatin (Preng Doçi) është si ‘Hamleti’ pa Hamletin…”. (Edit Durham, “Shqipëria e Epërme”, Botimet IDK, Tiranë)
Këto pak radhë (jo të vetmet të shkruara nga anglezja për abatin), duket se e dëftojnë mirë, atë ‘marrëdhënie sentimentale’ që jetonte përtej marrëdhënies intelektuale, mes Edit Durhamit e abatit Preng Doçi. Në fakt, kjo u vu në dukje nga Prof. Aurel Plasari të hënën në mbrëmje, gjatë fjalës së mbajtur në përkujtim të 150-vjetorit të lindjes së humanistes, albanologes, etnologes e dashamirëses së madhe të Shqipërisë. “Ajo, e konsideroi abatin Doçi gjeni. Marrëdhënie të tilla me gjasë sentimentale kanë prodhuar albanologe”, – tha profesor Plasari, e për të plotësuar këtë tablo sa interesante aq edhe të dobishme për Shqipërinë (siç ka rezultuar, përkthyer kjo në përkushtimin ndaj vendit të vogël), profesori përmendi edhe marrëdhënie të tjera të kësaj natyre. “Skema përsëritet tek disa femra albanologe me emra të mëdhenj, si për shembull mes Margaret Hasluck e Lef Nosit, të zonjës konteshë Carnarvon me Lumo Skëndon (Mit’hat Frashërit) etj.
E së njëjtës ide qe edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro-Furrxhi. “E kemi adaptuar tashmë mes nesh, këtë mbretëreshë të malësorëve që e kuptoi më së miri shpirtin e shqiptarëve të kohës, mbase edhe për sentimentin që përmendi Prof. Plasari”, – vërejti Kumbaro.
Elizabeth Gowing, angleze për nga origjina, prej vitesh ka jetuar në Kosovë. Mbërritjen e saj në shtetin e ri e shoqëroi edhe përballja me dimensionin e panjohur të bashkëkombëses, Edit Durhamit, fort e dashur për banorët aty pari. Në moshën 37-vjeçare (në të njëjtën moshë Durhami la Anglinë), Gowing vendosi të shkruajë. “Edithi dhe unë: gjurmët e një udhëtareje eduardiane në Kosovë”, titullohet libri. “Është një biografi e Durhamit e një autobiografi e imja. Në Angli pak e njohin atë. Unë do ta përshkruaja atë me pesë fjalë; ka qenë: piktore, shkrimtare, antropologe, humaniste e lobuese. Nuk dua të fyej ambasadorët, por Shqipëria nuk ka mundur të ketë kurrë një ambasadore më të mirë se Durhami”, – tha Gowing. Në moshën 80-vjeçare ajo do të dilte në protestë në Londër, për të drejtat e shqiptarëve, si për ta rikujtuar ‘detyrën e saj’, të dashurit e Shqipërisë. Nga ana tjetër, për përkthyesin e “Shqipërisë së Epërme”, Pirro Misha, në përshkrimet e Durhamit mund të shihet Shqipëria e para 100 viteve. “Sa arkaike apo e prapambetur, aq edhe heroike. Ajo jep detaje të rëndësishme për figura historike të kohës, që i njohu nga afër”, – nënvizoi Misha.
Në fund, për Durhamin foli në pozicionin e shkrimtarit edhe Robert Wilton, zëvendëskryetar i prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Ai risolli në vëmendje përshkrimet dhe dëshmitë e udhëtarëve anglezë që në Mesjetën e Vonë vizituan Shqipërinë.
Ekspozita
Pas konferencës jubilare, për Edit Durhamin Biblioteka Kombëtare çeli një ekspozitë botimesh që lidhen me të.
Si fillim, letrat e zgjedhura që filluan më 1903-shin. Më tutje, botimi i parë i veprës së Durhamit “Brenga e Ballkanit”, ndjekur nga kapitujt me interes për Rijekën, Shkodrën e Kosovën. Botimi i parë në anglishte i “High Albania” (Shqipëria e Epërme) u paraprin shkrimeve më të para në shtetit shqiptar për Edit Durhamin. Një syresh është botuar në “Përlindja e Shqipniës, në 25 të vjeshtës së parë, 1913”. Interesante janë edhe letrat e saj gjatë kryengritjes së 1911-ës dhe mbi rrethimin e Shkodrës. Në rend kronologjik, janë lënë më pas kontributet e britanikes gjatë Konferencës së Paqes në Paris më 1919-1920 dhe qarkoret e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme për të më 1920. Në fund, e jo për nga rëndësia, është lënë dekorimi nga Ahmet Zogu.

Kush ishte Abati Erudit?
Preng Doçi u lind më 2 shkurt të 1846-ës, në Malësi të Lezhës dhe u nda nga jeta më 22 shkurt 1917. Është cilësuar poet, mendimtar dhe aktivist shqiptar (njihet pak ngase i përket atij rrethi priftërinjsh katolikë që njëfarë kohe nuk qenë fort të pëlqyer për sistemin). Për shkak të ndihmës që i dha Kryengritjes së Mirditës më më 1876-ën dhe përpjekjen për bashkimin e zonës në lluftë kundër turqve, iu desh të largohej. Në Vuthaj të Gucisë u zu rob dhe u dërgua në burgun e Stambollit, ku pas ndërhyrjesh u lirua, me kusht që të mos kthehej në Shqipëri. Për këtë arsye, ai do të shkonte në Romë prej ku i dërgon telegram arqipeshkvit të Shkodrës duke e informuar se gjendej në Kolegjin Urbano ku dhe kishte kryer studime. Shërbimet në Newfoundland, Wayne, Pennsylvania, e më vonë edhe në Brunswick, në Kanada duket se e formuan me një kulturë të gjërë që do të qe me vonë kaq shuëm ed dobishme për atdheun e varfër. Abati, pat rastin që me përvojën e tij amerikane të njihte shtetin e së drejtës në kuptimin ma demokratik për kohën, si dhe rolin e kulturës në ndërgjegjësimin e një populli drejt lëvizjeve për liri. Pas dhjetë viteve u kthye në Romë, sekretar në disa kongregacione. Figura erudite e tij, bëri që Delegati Apostolik, Antonio Agliardi përmes Patriarkut Azarian në Stamboll ti nxirrte leje nga Porta e Lartë që ai të rikthehej në vendlindje si abat i abacisë së Oroshit në Mirditë, prej ku vijoi misionin e tij atdhetar. Preng Doçi shkroi me pseudonimet “Primo Doçi” e “Një djalë prej Shqypnije”. Ai kishte bashkëpunuar që herët me revistën e De Radës “Flamuri i Arbërit”. “Edhe me kenë pak veprat e shkrueme prej Abat Doçit, nuk janë pak 32 vepra…të botueme në nandë vjet të Shoqnis ‘Bashkimi’ themelue prej tij, as veprat e botueme me ndihmën financiare që dha për shtyp (Ligjërim në vdekjen e Abat Doçit, “Posta e Shqypnis”, nr 24, shkurt 1917-Gjergj Fishta)”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *