Romani i autorit shkodran Fadil Kraja, premierë teatrale në Mal të Zi, Tuz
Ma. Arjeta Ferlushkaj
Shfaqja
Në Q.K.I “Malësia” në Tuz, me ftesë nga O.J.F. “Teatri shqip”, më 14 dhe 15 dhjetor 2013, ora 19.00, u shfaq premiera e dramës “Britma e një gruaje” nën regjinë e Idriz Gjokaj, në bashkëpunim me Gjergj Gjonaj. Shfaqja u ndjek me një interes të madh, qoftë nga autoritetet e larta vendore e jo vetëm, qoftë nga publiku i gjerë dhe u shoqërua me duartrokitje të shpeshta. Mund të thuhet se misioni i trupës së angazhuar, u krye me sukses pasi i gjithë spektatori u përfshi emocionalisht në përjetimin e ngjarjes që u dhuroi skena. Një dëshmi që e “vulos“ suksesin e madh të kësaj drame është kërkesa insistuese për ta risjellë në skenë atë. Prandaj dhe, duke u nisur nga ky interesim i madh, O.J.F. “Teatri Shqip“ ka vendosur që “Britma e një gruaje“ të shfaqet sërish me 19 dhjetor, ora 20:00 në Q.K.I. “Malësia“, Tuz. Mysafirë të shfaqjes njoftohet se do të jenë figura të nderuara të artit skenik si Artistja e Merituar Tinka Kurti, Bruno Shllaku, Agron Dizdari etj.
Për këtë shfaqje kanë punuar një numër i konsiderueshëm njerëzish, profesionistë dhe dashamirës të artit: kostumografia është punuar nga Mirsada Gjokaj, skenografia nga Beqo Nanaj, përzgjedhja e muzikës nga Luigj Dedvukaj dhe realizimi teknik nga Gjon Junçaj. Ndërsa, aktorët e kësaj drame, një trupë amatore që duhet përgëzuar, janë: Marash Junçaj, Ali Beqiraj, Suzana Ujkaj, Viktor Dreshaj, Beqir Gjokaj, Lucë Junçaj, Marash Dedvukaj, Rasim Beqaj, Pashko Gjokaj, Gjeto Vulaj, Musa Gjokaj, Fran Dedvukaj, Tonin Junçaj, Besnik Gjonaj, Leon Junçaj, Marash Dukaj, Romeo Dreshaj, Gjeto Ulaj, Leon Camaj, Suzana Gjonaj, Valentina Vulaj, Merita Dedivanaj Lucaj, Flora Beqaj dhe Merita Gjokaj. Duhet përmendur se trupa amatore nuk është hera e parë që ka vënë në skenë vepra të Fadil Krajës, përmedim dramën “Tronditje“, më të cilën kanë fituar mjaft çmime.
Drama
“Britma e një gruaje” vjen si një premierë teatrale si rezultat i punës së bërë me tekstin e romanit me të njëjtin titull të autorit shkodran Fadil Kraja dhe poezisë me titull “Kupe Dania” të shkrimtarit Arshi Pipa, pjesë e vëllimit të tij “Libri i burgut”. Dramatizimi i tekstit është punuar nga Milto Kutali, profesor në Universitetin e Arteve, Tiranë.
“Bismilah“ – është fjala e parë e shqiptuar që hap siparin e kësaj drame, errësohet skena dhe spektatori ftohet të kthehet shumë vite mbrapa në kohë: në shekullin e XIX-të, në kohën kur Shqipëria ishte nën sundimin osman. (Por në asnjë skenë nuk ka referenca kohore të pohuara pasi mesazhi është i qartë: këtu brenda ndodhet edhe aktualiteti dhe koha e tashme). Pas fjalës së parë, shohim një vajzë 16-vjeçare (Zoga), e cila bën kryq.
Në fakt, duke u nisur që nga titulli dhe pastaj skena e parë, publiku i vëmendshëm mund të krijojë imazhin e asaj që do të shohë në vazhdim: një femër që zgjon një komb me thirrjen e saj për bashkim. Nxitja është sporadike: përmes konfliktit fetar (“Ndryshe kem‘ Bajram e Pashkë / Besë e nder i kemi bashkë“), filtrohet nga skena në skenë, motivi kryesor i dramës: bashkimi kombëtar. Këtu vihet theksi dhe rreth këtij motivi sillet e gjithë vëmendja, qoftë nga zgjedhjet regjisoriale, qoftë nga publiku, pavarësisht se si ky i fundit mund ta kuptojë atë gjatë artikulimit të idesë së përgjithshme të premierës.
Katër janë vendet e veprimit ku zhvillohen ngjarjet dhe shpalosen karakteret: tek burimi, në kafenenë e Kupe Danes, në bedenat e kalasë, në shtëpinë e Preçit, babait të Zogës. Fati i Kupe Danes, bëhet çelësi zbërthyes i tipareve karakteristike qytetare e malësore shqiptare: besa, bujaria, nderi dhe sakrifica, tipare të mbartura nga personazhe si Kupe Dane, Gjyl Begu, Ali Thaçi nga Kosova, Dede Gjo Luli me shokë, Abdyl Harapi etj. Këtë tablo e plotësojnë thashethemet mbi ngjarjen, nxitjet keqdashëse për përçarje mes shqiptarëve (përfaqësuar nga personazhi i Karemanit) etj. Dhënia e informacionit tek publiku, komunikimi i situatës tek ai nuk vjen ngutshëm por zbulohet gjithçka dalë ngadalë. Perspektiva që i jepet aktorit për zbërthimin e karakterit të tij mund të themi se është e kuruar mirë por artikulimi mund të ishte edhe më mirë. Megjithatë, veprimi fizik ekzekutohet me kujdes sepse, më shumë se karakteri, duhet theksuar situata.
Mund të themi se për këtë premierë është punuar me parimin që shfaqja t’i shkojë sa më afër spektatorit të vet dhe të mos mbetet një dramë e destinuar për një publik specifik. E themi këtë nisur nga fakti se, në dramë, janë shtuar personazhe (rasti i Çun Mulës) apo janë ndryshuar paksa skenat e veprimit, që romani nuk i ka . Zgjedhja është e drejtë, sepse jo domosdoshmërisht i duhet qëndruar besnik një teksti. Kjo ndodh sepse regjisori kërkon të luajnë me vëmendjen e spektatorit dhe të kënaqë pritshmëritë e tij. Në disa raste kjo sjell cënimin e kritereve estetike të artit, por mund të themi se në rastin konkret, drama i shpëtoi këtij rreziku përmes gjetjeve të detajeve regjisoriale. Një rrugë e mirë që u zgjodh ishte seleksionimi. Dramaturgu dhe regjisori kanë ditur të bëjnë zgjedhjet e duhura duke i shmangur spektatorit konfuzionin dhe duke i përqëndruar ata tek planet më të rëndësishme. Kështu ata kanë siguruar edhe një unitet e koherencë të mirë mes pjesëve, në funksion të së tërës – shfaqjes në plotësinë e saj.
Sa i përket stilit të shfaqjes, mund të thuhet se nuk ishte një regjisurë me shprehje ekzibicioniste të tepruara, përveç disa skenave pak të bujshme (vrasjet), të cilat përligjen nga vetë konflikti tematik që shoqëron ngjarjet. Tema të tilla janë zgjedhje për publikun vendas, por duket se motivet patriotike (jo në nivele patetizmi) janë edhe parapëlqime regjisoriale.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se në teatër, njerëzit janë më shumë të prirur të prekën nga ajo që shohin se nga ajo që dëgjojnë ndaj dhe shfaqja duhet pasuruar me detaje nga i gjithë ansambli krijues. Për këtë kanë luajtur rol mjaft të mirë, duke nisur që nga kurimi i imazhit të aktorëve me aksesorët e duhur, prania e disa personazheve njëkohësisht në skenë që krijon efekt vizual të fortë (në veçanti prania e figurave historike si Dedë Gjo Luli e Çun Mula), ndërhyrjet e tallallit që nga “zona“ e spektatorit, inserti i fragmenteve si këngë më vete (rasti i këngës “Hajredin Pasha“) apo momentet e këndimit nga 3-4 vargje prej aktorëve etj., duke eliminuar përsëritjen apo monotoninë. Edhe seleksionimi i karaktereve është i kuruar, sepse janë zgjedhur mosha, vese, zakone, raca, besime, morale etj. të ndryshme që krijojnë mundësi për larmi dhe rrjedhimisht efekte të veçanta tek publiku. Tani spektatori mund të priste gjithçka nga kudo. Kjo strategji autoriale e bëri publikun të zhytet brenda veprimit dhe t’i lejojë vetes të ndikohet emocionalisht skenë mbas skene. Kur një premierë e arrin këtë, ka arritur suksesin dhe ka dhuruar spektaklin dramatik.
Sfidat dhe mirënjohja!
Mbasi që marrim dhe pastaj përcjellim emocionin e fituar nga realizimi i shfaqjeve të tilla, pak kush kujtohet se në çfarë kushtesh i bie që të punojë një trupë teatrore, bashkë me njerëz të tjerë, komponentë të rëndësishëm për të çuar në skenë një premierë, kur nuk mbështetet institucionalisht. Çdo projekt, që gëzon mbështetjen financiare dhe infrastrukturore, të ndihmon të ecësh më mirë, më lehtë e sidomos më suksesshëm. Çfarë mund të themi në rastet kur të gjitha këto mungojnë? Dhe çfarë mund të themi për mungesën thelbësore: atë të teatrit? Prandaj dhe më e pakta që mund të bëjmë, është të shprehim mirënjohjen e thellë për këto artdashës, të cilët vetëm me pasionin e tyre për skenën, mposhtën pengesat e shumta, që e shoqërojnë realizimin fillim e mbarim të një premiere të tillë. Pastaj, më vonë, shpresojmë se mund të bëhet diçka më shumë nga autoritetet përkatëse e përgjegjëse.
Profil
Idriz Gjokaj është regjisori i parë profesionist që jeton e punon në Tuz, në Mal të Zi. Në vitin 2011, ai ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Artit Skenik pranë Akademisë së Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve), dega Regji Teatri. Në po këtë degë, regjisori i ri ka mbrojtur edhe titullin Master.
Gjatë studimeve, Idriz Gjokaj ka përcjellur si regjisor disa pjesë teatrale, në bashkëpunim me regjisorin dhe aktorin Andi Begolli, përmendim: dramatizimin e novelës së Koliqit me titull “Gjaku”; “Ajaksi” i Sofokliut (fragment); “Rikardi III” i Shakespeare-t (fragment); “Ariu” i Anton Chekhov-it etj. Në disa prej tyre, Gjokaj ka debutuar edhe si aktor. Përmendim gjithashtu shfaqjen e komedisë dramatike të Václav Havel me titull “Audienca”, e punuar bashkë me Andi Begollin, e cila u shfaq në Teatrin e Metropolit në Tiranë, në Teatrin e Kukullave si dhe në Teatrin Profesionist të Gjakovës në vitin 2012.
Me komedinë “Duke pritur të hënën”, e dramaturgut argjentinas Carlos Maria Alsina, Gjokaj diplomohet si regjisor (cikli tre vjeçar Bachelor), ndërsa me premierën “Halit Gashi” (Tuz, 2012), këngë epike legjendare shqiptare, e dramatizuar nga Milto Kutali, mbron titullin Master.
Kohët e fundit, Idriz Gjokaj ka bashkëpunuar si asistent me regjisorin Boris Lijesevic në pjesën teatrale “Baballarët kanë ndërtuar” (2013). Pas premierës “Britma e një gruaje’, regjisori Gjokaj po punon për një projekt në Teatrin Kombëtar në Podgoricë, mbi një pjesë të dramaturgut Stefan Çapaliku.