Revista Kuvendi- Reviste e shoqates Kuvendi, botues Pjeter Jaku
Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan, aktiviteti i rëndësishëm i vitit në Diasporën Shqiptare në Amerikë, ka hyrë në kalendarin kulturor letrar të vitit…
Për të 12-in vit radhazi, nën kujdesin e Revistës KUVENDI, me botues shkrimtarin Pjetër Jaku dhe stafi i tij, në Michigan, Sh.B.A. më 7 dhe 8 dhjetor, 2013, u mbajt aktiviteti i rëndësishëm i vitit: “Ditët e Letërsisë Shqipe”
Është bërë tashmë traditë për mbarë krijuesit letrarë që jetojnë në Sh.B.A. në muajt e fundit të vitit të dërgojnë krijimet e tyre letrare të pabotuar ndonjëherë pranë revistës KUVENDI për të qenë pjesë e konkursit që mbahet në Michigan. Botuesit i KUVENDI-t, shkrimtari Pjetër Jaku kishte kohë që kishte njoftuar komunitetin si për ta rikujtuar atë aktivitet. Nuk kishte ftesa personale, njoftimi ishte i hapur që çdo krijues letrar, çdokush të merrte pjesë me dëshirën e tij. Dhe nuk ka asnjë arësye pse të dërgohen ftesa personale kur aktiviteti i përvitshëm tashmë dihet, është i hapur për cilindo dhe ka marrë formën e tij të plotë. Unë, duke qenë pjesëmarrës për të disatën herë në atë aktivitet, mbresat dhe përshtypjet e shkëlqyera që kam marrë dhe i ruaj në kujtesën time nga organizatorët, miqtë pritësa, që me angazhimin e tyre, me seriozitetin e punës së tyre që çdo gjë të shkojë sa më mirë, e prisja me dëshirë ardhjen e datës së caktuar. Sivjet kisha edhe një arësye tjetër që më nxiste dhe më dukej paksa e largët dita e aktivitetit; e kisha vendosur, të shkoja bashkë me bashkëshorten time…
E shtunë, 7 dhjetor 2013.
Avioni i kompanisë ajrore DELTA Air Line, pas një orë e dyzet minuta nisje nga Nju Jorku, mbërin në mesditë në aeroportin DTW, Detroid. E dija, sekretari i Vatrës për shtetin e Michiganit Mondi Rakaj, pas bisedës telefonike që kishim bërë më parë, do na priste në aeroport. Aeroporti DTW për mua tashmë është bërë vend i njohur… Duke zbritur shkallët për në hollin e madh drejt daljes, mes njerëzve të shumtë, seç ndjeva një si ngërç në veten time. Më ishte mësuar syri që për disa vite me radhë, bashkë me miqtë e tjerë që dalin e na presin në aeroport ne të ardhurve nga shtetet e tjera të Amerikës, ishte edhe një mik tjetër; fytyrëqeshur, gazmor, letrar, me humor… dy vite që nuk e shoh në dalje të aeroportit; ka një vit që nuk merr pjesë në aktivitetin e madh të letërsisë që zhvillohet. M’u shfaq përpara syve ai trup, ajo fytyrë dhe më dukej se do më dilte përpara e do përqafoheshim ashtu si vitet e tjera… Zef Lleshi! Na mungon… Në ato çaste të trishta emocionale, dëgjoj tingullin e telefonit. Ishte Mondi Rakaj. Jam këtu në aeroport, më thotë. I them numrin e derës dalëse. Me Mondin kisha pak muaj që isha takuar, sivjet isha i ftuar në ceremoninë e dasmës së tij… Takimi me Mondin ishte edhe emocional edhe befasues. Kishte ardhur bashkë me babanë e tij, zoti Pal Rakaj. U përqafuam si përherë si vëllai me vëllanë… Mondi, përveç preokupimit për ndihmën që jep si çdo vit për festën e letërsisë, kishte edhe diçka tjetër; bashkëshortja e tij ishte në ditët e fundit të sjelljes në jetë të foshnjes së tyre të parë. Mondi është intelektual, biznesmen i suksesshëm, djalë “flori” si i thonë fjalës dhe ka nga të ngjajë, përderisa edhe i ati, zoti Pal Rakaj është i tillë. Kemi krijuar miqësi me njëri tjetrin dhe biseda, sigurisht bëhet miqësore. Miqtë pritësa nëpër vite kanë një “traditë”, gjatë rrugës nga aeroporti për në hotel, ndalojnë në restorante të ndryshme për të na drekuar. Kështu bënë edhe ata at e bir, Pal dhe Mondi Rakaj. Të zotët e shtëpisë, Pjetër Jaku dhe Alfons Grishaj, si gjithmonë edhe kësaj here kishin merakun e tyre për mbëritjen tonë. Pasi u siguruan nga Mondi që kemi ardhur dhe ndodhemi në restorant, ne vazhdojmë rrugën për në hotel. Gjatë bisedës me ta, mësova se edhe sivjet në atë aktivitet, do ishin edhe miqtë e mi, shkrimtari Naum Prifti me vajzën e tij Rafaela Kondi dhe shkrimtari tjetër Fatos Kongoli me bashkëshorten e tij, Lili, me të cilët kemi qenë bashkë në disa aktivitete. Edhe me këta dy miqtë e mi, është e disata herë që ne takohemi dhe jemi pjesëmarrës në Michigan dhe në festa të tjera. Sigurisht, e prita me gëzim pjesëmarrjen e tyre…
Në orët e mbasdites, Alfonsi më njofton të bëhemi gati; do vijë të na mari për të bërë ritualin e përvitshëm… Zbresim poshtë dhe, në hollin e hotelit takohemi me shkrimtarët Naum Prifti e Fatos Kongoli, bashkëshortja e tij Lili, dhe Rafaela Kondi. Edhe pse kishim pak kohë që ishim takuar me njëri tjetrin, përsëri, takimi në raste të tilla ka të veçantën e tij; takohemi dhe përqafohemi me mall e dashuri Nuk vonoi shumë dhe në hyrjen e hotelit u shfaqën dy miqtë tanë me makinat e tyre: Alfons Grishaj dhe Kujtim Qafa. Edhe pse kam folur dhe shkruar herë të tjera për gjithë ata njerëz të mirë bujarë e mikpritësa, prap, sa herë takohemi, aq më shumë na e shtojnë dashurinë, respektin, vlerësimin. E ç’farë duam më tepër ne nga miqtë, shokët tanë, kur ndodhemi përballë njëri tjetrit dhe shohim krahapjet e tyre, kur përqafohemi si vëllai me vëllanë, buzëqeshtjet në fytyrat e tyre gazmore. Ajo buzëqeshje që flet më shumë se sa fjalët e urimit dhe mirseardhjes, ai shkëlqim rrezatues në fytyrat e tyre… Me bisedë të ngrohtë, nuk e ndjemë largësinë disa minutëshe nga hoteli, kur makinat ndalojnë përpara Kafes KUVENDI. Të tjerë miq e shokë, të njohur e të panjohur na presin atje. Kafe KUVENDI është një strehëz e ngrohtë, në çdo orë të ditës është e mbushur plot me klientë. Unë, pothuajse, pjesën më të madhe të atyre njerëzve, miqve, klientëve i njoh nga vitet e tjera. Në hyrjen kryesore të Kafes na presin të qeshur të zotët e shtëpisë, pronarët e kafes, shkrimtari Pjetër Jaku dhe bashkëshortja e tij, poetja Elinda Marku. Më ka shoqëruar përherë ajo buzëqeshja e Pjetrit që flet shumë. Përveç fjalëve refren: Mirëse na keni ardhur, ju lumshin këmbët… dëgjoj nga ata të dy edhe fjalët: na e ke bërë shumë qejfin kjësaj here… E kishin fjalën për vajtjen time me bashkëshorten. Salla e kafenesë ishte plot me miq dhe takohemi me radhë: Dom Ndue Gjergji, Dom Fran Kola, Luigj Gjokaj, Nevrus Nazarko, Nexhip Ejupi, Monela Jaku, Gjovalin Lumaj, Gjeto Ivezaj, Prek Topalli, Pal Rakaj, Luvigj Stërbyçi, Mondi Rakaj, Reshat Sahitaj, Tomë Paloka, Valentin Lumaj, Ruzhdi Gjokaj, Gazmend Kishta… Midis miqve, shohim një femër amerikane, e panjohur për ne, Ashley Wood. Ndërsa shtrëngojmë duart, dëgjojmë të na flasë shqip, një shqipe të pastër dhe pastaj bisedën e kthente në anglisht. U prezantua: Ashley Wood, e ardhur enkas nga North Carolina për të qenë pjesëmarrëse në aktivitet. Mësuam se sivjet, aktiviteti në Michigan kishte filluar që në datën 5 dhjetor me pritjen e Ashley-t dhe të shkrimtarit Reshat Sahitaj, i cili kishte ardhur para një jave. Ishte interesante dhe për t’u vlerësuar ajo femër amerikane, e “dashuruar” me shqiptarët, me gjuhën shqipe, me traditën, kulturën tonë Brenda disa muajve, Ashley kishte mësuar të komunikonte në gjuhën shqipe edhe pse gjuha jonë për të ishte e disata gjuhë që ajo i zotëron. Ajo është duke shkruar një libër dedikuar shqiptarëve, Shqipërisë që edhe do përkthehet së shpejti. Siç e kam përmendur edhe më parë, ambienti në Kafen KUVENDI është ambient shqiptar; jo vetëm reliket dhe pikturat e ndryshme, tre ekranet e mëdhenj televizori që transmetojnë vetëm programe shqiptare, por edhe klientela është pothuajse e gjitha shqiptare. Një Shqipëri të vogël në mes të Michiganit. Zumë vend në tavolinat e bashkuara për të darkuar.Të zotët e shtëpisë nuk i “mbante vendi” nga gëzimi. Pjetri, Elinda, Alfonsi, Monela, dukeshin sikur mbanin peshën më të madhe të asaj darke të paharuar Meze të ndryshme, ushqim i bollshëm, i shijshëm, shumllojshmëria e pijeve të ndryshme alkoolike dhe jo alkoolike; raki rrushi të zjerë vetë, verëra të markave të ndryshme…(Sa na kishte marrë malli për atë të uruar raki rrushi të zjerë vetë… Sa shumë na shijoi mes mive të shumtë) Por, më shumë se rakia dhe ushqimi i shijshëm, ne po shijonim dashurinë, respektin, mikpritjen e madhe që tregonin ata njerëz të mrekullueshëm, bujarë, e zemërmirë me ne të gjithë. E ndërsa tavolinat ishin plot dhe darka duhej të fillonte, zoti Pjetër Jaku, me gotën e urimit në dorë na uroi mirseardhjen. Elinda dhe Monela janë gjithmonë në lëvizje. Lëvizin, duke parë tavolinat nëse mungonte diçka apo jo… Alfons Grishaj-t i ka dhënë Zoti një dhunti të veçantë… Është edhe mjeshtër në organizimin dhe drejtimin e ceremonive të tilla gazmore e miqësore. Me dhuntinë dhe shkathtësinë që e karakterizon, ai na “detyroi” të gjithëve të bënim një përshëndetje në formën edhe të një prezantimi. E si mund të kalohej kollaj prezantimi nga i mirënjohuri, mjeshtri Gjovalin Lumaj, që çdo fjalë që shprehte, çdo varg, çdo përshëndetje e kalonte me humor me fabulat e tij. Po Nevrus Nazarko?! Humori i tij na befasoi dhe i dha edhe më shumë emocione gëzimi mbrëmjes. Pjesë të shoqëruara edhe me kujtime nga fëmijëria e tij dha edhe Luvigj Stërbyci. Në fjalën e tij plot humror, zoti Nevrus Nazarko kur foli edhe për krijuesit letrarë, nuk la pa përmendur edhe pikën e dobët timen, ajo që më ka shoqëruar gjatë gjithë fëmijërisë, rinisë, jetës sime; mbajtja mend e shumë këngëve shqiptare nëpër vite. Kur më erdhi radha mua për prezantim përshëndetjen time, pasi fola edhe për këngët e shumta që i mbaj mend, duke përmendur edhe intervistat e ndryshme që kam dhënë në televizione dhe radio të ndryshme këtu dhe në Shqipëri, recitova vargjet e këngës kënduar nga Arif Vladi dhe dubluar nga Valdete Hoxha: “Në mërgim u end shqiptari/ anembanbë kudo në botë/ asnjëherë gjumi s’e zuri/ për Liri për këtë tokë/ kalojnë vitet, kalojnë shekujt, kësula e bardhë si borë mbi vetull, mallin prush të mërgimtarit, nuk e fiku asnjë shekull/ hej Shqipëri, Shqipëria jonë/ balli të ndrit në histori/ krenari na jep gjithmonë, trime moj Shqipëri/ Pasi mbarova recitimin fillova ta këndoj edhe me melodi. Ishte një ambient tepër i këndshëm, që vetëm ne që e jetuam e kuptojmë se sa kënaqësi shpirtërore po ndjenim. Po na dukej vetja si pjesëtarët të së njëjtës familje që ishim mbledhur e po gëzonim së bashku. Dhe në fakt ashtu ishte, përderisa edhe të zotët e shtëpisë, edhe miqtë pritësa na i kishin krijuar të gjitha mundësitë dhe ambientin. Mes atij gëzimi, më vjen një mesazh nga miku im, nga miku i familjes Jaku, miku i KUVENDIT, shkrimtari Roland Musta. E përshëndeste aktivitetin shkrimtari Musta dhe ndjehej shpirtërisht mes nesh në ato çaste. Ia transmetova të pranishmëve urimin e Landit, i cili u mirëprit me duartrokitje. Në biseda të lira me njëri tjetrin përreth tavolinave, Rafaela Kondi më fton pranë saj. “Ka ardhur koha t’ia marrim tani, ashtu si dimë ne vetë…” E kishte fjalën se kishte ardhur koha që ne të këndonim. Filluam të këndojmë këngë të ndryshme nga krahinat e vendit edhe pse zëri nuk më dilte mirë; ndoshta nga avioni, ndoshta nga moti i freskët… Pjetër Jaku, që gjatë gjithë kohës i ndriste buzëqeshja në buzë, na thotë se kishte edhe fizarmonicist që të na shoqëronte. E ndërsa këndonim këngët e vendit tonë, unë “zbulova” edhe një adashin tim për këngët: Prek Topalli ishte mjeshtër, jo vetëm që këndonte bukur, por edhe dinte dhe mbante mend shumë këngë. Jemi bërë edhe ne pjesë e atij komuniteti, e atyre njerëzve që vetëm mirësi dijnë të japin Sa bukur! Sa dëshirojmë të kemi përherë ambiente të tilla të gëzueshme në komunitetin tonë… Edhe pse kishte kaluar mesnata dhe neve nuk na vinte të çoheshim nga vendi, menduam se ishte koha për të ikur, të pushonim disa orë në hotel, sepse edhe e diela ishte e programuar me veprimtaritë e tjera…
E diel, 8 dhjetor, 2013
… Përsëri zilja e telefonit. Përsëri Alfons Grishaj dhe Kujtim Qafa na njoftonin të bëhemi gati se po vinin të na merrnin me makina. Duke shëtitur udhëve të Michiganit, makinat ndalojnë në një restorant, pronari i të cilit ishte shqiptar. Miqtë si çdo vit, kishin menduar ngrënien e mëngjesit në atë restorant. Ndërsa po shijonim mëngjesin miq të tjerë nga Kafe KUVENDI na njoftojnë se po na presin, madje dhe po vonoheshim… Zot! Çfarë njerëz të mrekullueshëm! Sa të mirë… Edhe pse kam shkruar viteve të tjera, prap pena nuk rresht së shkruari për mikpritjen, bujarinë, zemërgjërësinë që kanë ata bashkatdhetarë, ai komunitet kaq i shkëlqyer, që duhet ndihmuar dhe përkrahur nga të gjithë ne… Kafja KUVENDI përsëri mëngjesin e asaj të diele, pas restorantit ishte stacioni i radhës. Ndërsa Pjetri, Elinda, Monela na servisnin kafenë të shoqëruar edhe me pjet alkoolike, klientë të ndryshëm na përshëndesin, vijnë e na takojnë. Të shkruash është pak ndaj emocioneve dhe kënaqësisë që ndjejmë në ambiente të tilla. Vjen e ulet pranë, miku ynë, aktori i talentuar Ndue Gjekaj, i cili së bashku me Rafaela Kondin ishin përzgjedhur për të drejtuar mbrëmjen e madhe të letërsisë. Një përzgjedhje e shkëlqyer e dyshes Kondi-Gjekaj, ashtu siç ishte e shkëlqyer edhe përzgjedhja e jurisë: Gjovalin Lumaj, Arben Dervishi, Ruzhdi Gjokaj. Zoti Gjeto Ivezaj, sigurisht si vitet e tjera nuk mund të mungonte edhe në atë takim. Ulemi në kolltuqet e Kafe Kuvendit dhe biseda e ngrohtë dhe miqësore shoqërohet me kafenë dhe pijet e ndryshme që na servirin të zotët e shtëpisë bashkë me programet televizive shqiptare. Mes asaj bisede të këndshme, hapet dera dhe hyn bjondina, Ashley Wood. E thjeshtë, popullore, si të ketë jetuar dhe i është përshtatur traditës shqiptare. Mirmëngjes, na përshëndet në gjuhën shqipe, na takon dhe na përqafon me mall. Ashley na lexon pjesë nga libri i saj që e ka në botim në gjuhën angleze dhe Rafaela Kondi na e përkthen. Madje, Ashley na e tregoi edhe historinë e saj se si ishte njohur me shqiptarët, ndihmën e madhe që ata i kishin dhënë dhe i ishin gjendur në çaste të vështira të jetës së saj… Për të disatën herë shprehte vlerësimin për shqiptarët, për Kishën Katolike “Shën Pali”, për Dom Ndue Gjergjin, për Dom Fran Kolën, për Pjetër Jakun, Alfons, Grishaj, Elinda Marku… Përsëri meraku i miqve organizatorë, të zotët e shtëpisë. Kishte kaluar mesdita dhe po mendonin të drekonim. Po a mund të lihej ai ambient kaq i ngrohtë miqësor?! Shprehëm të gjithë dëshirën se, shtëpia jonë tani është këtu, tek kjo sofër e KUVENDI-t Prap ushqim i bollshëmdhe i shijshëm, pije të ndryshme… Nuk po na bëhej të çoheshim, por edhe duhej të pushonim pak orë, për të qenë gati në mbrëmje për festën e madhe të Letërsisë, për të cilën edhe kishim shkuar.
Pas një pushimi pakorësh në hotel, përsëri i njëjti ritual; zilja e telefonit na njofton të bëhemi gati: Po vijmë t’ju marim me makina…
Salla e madhe “Gjergj Kastrioti” në Kishën e Shën Palit, ishte menduar të zhvillohej aktiviteti i rëndësishëm. Bashkatdhetarë të shumtë kishin ardhur në atë sallë për të qenë pjesëmarrës, për të festuar të gjithë së bashku. Unë, jam pjesëmarrës për të disatën herë në Michigan, ndjej emocione të forta dhe nostalgji kur bashkëkombas të ndryshëm vijnë e më takojnë, përqafohemi, shmallemi… Takohem me përjthyesen Aida Dismondy, me zonjën Mirela Grishaj, me aktorin Arben dervishi, me drejtorin e Albanian TV of America, zoti Gani Vila… Në skenë shohim dy këngëtarët e mirënjohur Hana dhe Nikollë Prelaj, të cilët do shoqëronin mbrëmjen me zërat e tyre melodiozë dhe këngët aq të dashura që ata mjeshtërisht i interpretojnë. Programin e hapin Rafaela Kondi dhe Ndue Gjekaj. Ashtu siç e kisha parashikuar, një prezantim brilant, gërshetim i bukur i dy zërave melodiozë, timbrik, me skenar nga poeti, mjeshtri i humorit dhe fabulave, Gjovalin Lumaj. Fjalën hyrëse përshëndetëse e mbajti Zoti Nevrus Nazarko Pastaj përshëndetën me radhë: Dom Ndue Gjergji, Dom Fran Kola, Reshit Sahitaj, i cili edhe recitoi poezi nga Pjetër Jaku, shkrimtari Naum Prifti, shkrimtari Fatos Kongoli, Pierre-Pandeli Simsia, Aktori i mirënjohur, i talentuari Arben Dervishi, pasi përshëndeti, mjeshtërisht recitoi vargje nga krijimtaria e poetit Mensur Spahiut. Mjeshtërisht interpretuan gjithashtu edhe Simon Sinishtaj, Luigj Gjokaj, Ruzhdi Gjokaj. Interpretim mjeshtëror iu bë edhe “S’është vonë”, poemë nga Gani Vila. Arben Dervishi, përveçse një aktor profesionist, e prezantoi veten e tij edhe një këngëtar i talentuar… Nuk kishte se si të mos emocionoheshim kur i shoqëruar nga kitaristi korçar Spahiu, Arbeni këndoi putpuri të ndryshme korçare. Prezantuesi Ndue Gjekaj, me aftësitë e tij profesionale në drejtimin e mbrëmjeve të tilla, e kaloi mikrofonin tavolinë më tavolinë, duke i dhënë mundësinë të pranishmëve të përshëndesnin aktivitetin. Prezantuesi na dha edhe lajmin e gëzuar se, libri i poetes Elinda Marku “Bija e Erës” është përkthyer në gjuhën rumune. Mes atij gëzimi, mes atyre emocioneve dhe kënaqësisë që po kalonim, nëpërmjet një telefonate, vjen lajmi i gëzuar, i shumëpritur: Mondi Rakaj, Sekretar i Vatrës për Michiganin, një ndër bashkpunëtorët e Kuvendit, na njoftoi se sapo kishte ardhur në jetë fëmija i tij i parë, djali Emiljano. Ky ishte edhe gëzimi befasues (surprizë) i asaj mbrëmjeje. Të papriturat e asaj mbrëmjeje ishin të shumnta; përmend këtu edhe vogëlushen e talentuar Mara Jaku, e cila sapo ka hyrë në udhën e bukur e të vështirë të letërsisë, poezisë, si prindërit e saj: Pjetër Jaku dhe Elinda Marku. Çast i bukur emocional, ishte edhe vlerësimi i jurisë për ndarjen e çmimeve letrare. Duke patur si rregull kryesor që çdo krijim letrar i pabotuar ndonjëherë më parë dhe i paraqitur për konkurim brenda një date të caktuar, juria, krejtësisht e pavaruar nga organizatorët, edhe pse ndodhet në pozita të vështira për zgjedhjen e krijimtarive letrare për t’u vlerësuar, me shumë profesionalizëm dhe paanshmërina njoftoi:
POEZI Çmimi i parë: Mensur Spahiu Çmimi “Gjergj Fishta:Ana Toma Agraja Çmimi “Migjeni” Gjeto Turmalaj
PROZE Çmimi i parë: Agim Dishnica Çmimi “PETRO MARKO” Vlash Fili
HUMOR Çmimi i parë: Naum Prifti- Pse qeshim dhe si qeshim.
PUBLICISTIKE Çmimi i parë: Hatixhe Latifi Popovci- Polarizimi, fenomen shqetesues.
Çmime të veçanta:
Për krijimtari që solli realitetin: Gani Vila, Poema “S’është vonë”
Çmimi i dhuntisë:Vogelushja 8 vjeçare, Mara Jaku.
Për krijimtari me frymën e traditës: Lulash Palushaj.
Çmime të akorduara nga Revista Kuvendi:
Mirënjohje dhe respekt për merita të veçanta në përkrahjen e vazhdueshme të veprimtarive të revistës:
Fatos Kongoli, shkrimtar:”Për pjesëmarrje në Ditet e Letërsisë Shqipe, organizuar nga revista Kuvendi, vlerësim dhe përkrahje të vazhdueshme”
Dom Fran Kola, Famulltar i Kishës “Shën Pali” Detroid: Përkrahës dhe dashamirës i vazhdueshëm i veprimtarive letraro-artistike.
Ekrem Bardha, Konsull Nderi, biznesmen: Përkrahës i vazhdueshëm dhe kontribues në realizimin e veprimtarive të revistës Kuvendi.
Kujtim Qafa: Për ndihmën, aktivizimin dhe kontributin e pakursyer në aktivitetin e revistës Kuvendi.
Rafaela Kondi: Për interpretimin më të realizuar, paraqitur në Konkursin e revistës Kuvendi.
Aktiviteti u ndoq nga: “Albanian TV of America” me drejtor, zotin Gani Vila.
Kështu përfundoi edhe këtë vit aktiviteti i rëndësishëm kulturor-letrar i vitit “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan” organizuar nga Revista “KUVENDI” për të 12-tin vit radhazi me botues, shkrimtari Pjetër Jaku. Ky aktivitet i një rëndësie të veçantë në mbarë Diasporën Shqiptare në Sh.B.A. është shembull për të gjithë ne dhe duhet përkrahur nga të gjithë krijuesit letrarë, biznesmenët. Faleminderit dhe mirënjohje organizatorëve, gjithë stafit të revistës KUVENDI Mirutakofshim vitin tjetër dhe në aktivitete të tjera kulturore, letrare, artistike. — with Nevrus P. Nazarko and 15 others.