Një fitore e përkohshme për nënën shqiptare – Ndalohet deportimi

Zyrtarët e emigracionit njoftojnë se po e rishqyrtojnë çështjen dhe se dëbimi nga SHBA nuk është më çështje e ditës

 

Zyrtarë të emigracioni në Detroit, konfirmuan burimet e gazetës “Illyria” nga ky qytet se deportimi i nënës shqiptare të tre fëmijë, që bëri aq bujë në media sot, është ndaluar përkohësisht ndërsa çështja po rishqyrtohet.
Siç ju ka njoftuar edhe gazeta “Illyria”, Çile Precetaj, 40-vjeçare nga Troy, Michigan, ishte urdhërua të largohej nga SHBA për 24-orë, duke u paraqitur në Aeroportin e Detroitit për deportim.
Mirëpo, ajo vendosi ta sfidojë urdhërin duke qendruar në shtëpi dhe tha siç u shpreh bashkëshorti saj, Pjetër Gojçeviç: “Le ta marrin nga duart e tre fëmijëve të vegjël që janë qytetarë amerikanë, që ta shohë bota mbarë se me çfarë ‘kriminelësh të regjur’ po merret emigracioni”.
“As edhe një gjobë për parkim, nuk ka marrë ndonjëherë”, tha ai.
Mirëpo, oficerët e emigracionit nuk guxuan të shfaqen në shtëpinë e saj.
Pak kohë më parë, (të martën mbasdite vonë), një zëdhënëse e Ruajtjes Kufitare të Emigracionit (ICE), Khaalid Walls lëshoi një deklaratë, ku thuhej se agjensia është duke “kryer një rishqyrtim të çështjes së zonjës Precetaj. Për këtë arsye dëbimi i saj nuk është më çështje dite”.
Burime të mëparshme nga të afërm të familjes folën për mundësinë e dy javëve pushim të urdhërit, por nuk ka pasur ndonjë përmendje zyrtare të ndonjë afati. Nga deklarata e autoriteteve duket më shumë si një pezullim pa afat i urdhërit për dëbim.
Kjo tërheqje e palavdishme e shërbimit të emigracionit nga përpjekja absurde për të dëbuar një anëtare të një familje të stabilizuar, takspaguese dhe respektuese të ligjit në SHBA, është zemërngrohëse. Kjo situatë e re jep shpresë për një zgjidhje pozitive dhe të llogjikshme të situatës.
SHBA ka një problem të kuptueshëm me miliona të paligjshëm në SHBA. Por ashtu si është argumentuar shpesh në media dhe është përkrahur së fundi edhe nga Shtëpia e Bardhë, përparësi absolute duhet të jenë vetëm ata me një të kaluar kriminale e jo njerëzit që punojnë e jetojnë ndershmërisht prej vitesh në këtë vend.
Rastet që kanë prishur jetën e qetë të shqiptarëve në Michigan kanë qenë më të shpeshta se në shtete të tjera. Është e rëndësishme për shqiptarët aty po edhe kudo në SHBA që të sigurohen se kjo nuk është një fushatë diskriminuese po vërtet pjesë e politikave të emigracionit të kësaj zone.
(Ruben Avxhiu) Illyriapress.com, 03 Dhjetor 2013

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *