NDUE SHYTI, MBRETI I ÇIFTELISË SHQIPTARE

NDUE DEDAJ

– “Artisti i Popullit” së fundi mori titullin e lartë “Nderi i Kombit” –

Ndue Shyti, nëntor 2013.

Ndodh që shihesh shumë vonë me njerëz që je nisur për t’u takuar qysh herët. Kështu na ka ndodhur me “Artistin e Popullit” Ndue Shyti, dekoruar së fundi me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Mund të ishte ky rast shtysa për të udhëtuar drejt tij, por dhe mosha rreth të 80-ave e artistit, apo “pengu” i mbetur prej vitesh. Nëse për Moxartin është thënë se ai ishte vetë muzika, për Ndue Shytin mund të thuhet se ai simfoninë e tij muzikore e krijoi vetëm me çiftelinë me dy tela prej drurit të manit dhe bilbilin prej gështenjë. Dy tela aq të thjeshtë mjaftuan për të ndezur “llampën” e tij melodike përjetësisht të pashuar.

I trokitem në portën e shtëpisë së bashku me studiuesin nga treva e tij Mark Mesuli, shkrimtarin Salvador Gjeçi, publicistin Gjon Marku, që do t’i merrte dhe një intervistë mjeshtrit për një libër në proces. Nuk udhëtuam drejt Gojanit, aty ku është kulla e vjetër e Ndue Shytit, por drejt qytetit të Durrësit, ku ai banon në një vilë private, larg flladit të pishave të Munellës, Suçelit e Terbunit, por pranë valëve të detit. Flasim për rreth tre orë me Nduen, buzagaz e mirësjellshëm dhe në fund ai ngrihet për të bërë disa fotografi me ne, dhe se ka mbi dhjetë vite me paralizë në këmbë. Vërtet që këtë fillim nëntori jemi ne miq në shtëpinë e tij, por më parë kanë qenë dhe muzikologia e njohur Sabrie Nushi, Esat Ruka, Sulejman Sula, Fran Vukaj, që pak kohë më parë realizuan një emision kushtuar atij në TVSH, apo Riza Tafilaku që ka botuar një libër kushtuar tij. Ndue Shyti, ky bard i papërsëritshëm i maleve tona, e ka bërë epokën e vet si rrallë artist në këtë vend, falë talentit të tij të jashtëzakonshëm. “Në 32 vite, nga 1960-a deri në vitin 2002, kam dhënë 450 koncerte brenda vendit dhe plot të tjerë jashtë, në 18 shtete, 4 kontinente, thotë ai, duke saktësuar se nuk ka qenë në kontinentin e pestë, Australi, por një emigrant i ardhur prej andej i ka thënë se çiftelinë tande e kam pas kërkue me radiopostë qysh atëherë kur vendi ishte i mbyllur. Çiftelia e tij ka rënë në Francë, Itali, Norvegji, Austri, Jugosllavi, Turqi, Zvicër, Amerikë, Kinë, Kamboxhia etj. “Në Itali trioja me ajkën e artistëve të kombit, Gaqo Çako (muzikë klasike), Vaçe Zela (muzikë e lehtë) dhe Ndue Shyti (muzikë popullore) u vlerësua maksimalisht, si interpretues kulmorë shqiptarë”, shkruan Sulejman Sula.

Ndue Shyti ka 60 vjet në Radio dhe Televizion me pjesët e tij instrumentale. Në koleksionin e tij ka 17 çmime, urdhëra e medalje kombëtare e ndërkombëtare dhe 4 çmime lokale, teksa ai vetë tashmë është një çmim, pasi për instrumentistët popullorë ka disa vite që jepet Çmimi “Ndue Shyti”. Alfabeti i çiftelisë ishte prej kohësh, si dhe “fjalët” e saj, nëse mund t’i quajmë kështu në mënyrë të figurshme meloditë, por ai me talentin e pashoq krijoi gjuhën e kësaj vegle, i dha dyzenit pasaportën ndërkombëtare perëndimore. Ai e përfshiu çiftelinë e trojeve mirditore në një familje të tërë veglash muzikore moderne, që deri atëherë nuk e kishin përfillur, madje duke e vënë atë në krye të herës e duke krijuar njëlloj polifonie orkestrale të Veriut. Atëbotë e mbrapa çiftelia do të ishte dhe ajo e para, parakja e traditës, që do të binte e vetme në oda dasmash, por dhe kryesuesja e një formacioni orkestral prej një dyzine veglash. Dhe e gjitha kjo ndodhte në shekullin e shkëlqimit të folklorit, po dhe të rënies së tij.

Biseda me Nduen nuk ka protokoll, madje ai nuk “bindet” kollaj hullisë nga duan ta çojnë pyetjet e gazetarit, do që t’i marrë gjerat shtruar e me rend si në kuvendet e Mirditës. Nga njerëzit e politikës, si demokrat i thekur që është, përmend Sali Berishën, jo vetëm si mjek që i ka shëruar zemrën, por dhe si politikan, Azem Hajdarin, por dhe Rexhep Mejdanin, që e ka takuar në Pukë në një veprimtari kulturore. Lavdëron fort Mark Mesulin, me të cilin ai thotë se njihemi pa qenë partitë, si të thuash përtej politikës. “Ka qenë kryetar i komunës së Gjegjanit në vitet 2000, kur erdhi në shtëpinë time, nuk e këqyri që unë isha demokrat. Marku më ka ardhur dhe në fatkeqësi, prandaj në anën njerëzore më asht tregue vëlla e shkue vëllaut. Ndihem i nderuar se gjithnjë vlerësimin e kam marrë vetëm prej artit…”

 

Mrekullia e “simfonisë me dy tela”

 

Ndue Shyti ka lindur me 10 shtator 1934 dhe qysh fëmijë ai i binte çiftelisë në vendlindjen e tij në Gojan, buzë Fanit të Madh, pa e shkuar nëpër mend se vegla me dy tela do ta bënte një nga artistët më të mëdhenj të kombit të vet. Po dhe fyelli që i kishte rënë gjyshstërgjyshi i tij mes atyre maleve ku Munella është përhërë një prekrenare vigane. Ai do të ishte jo vetëm instrumentisti numër një i çiftelisë, kësaj vegle magjike, në krejt botën shqiptare, por dhe krijuesi i një orkestrine me 100 instrumentistë popullorë në ansamblin “Puka”. Çiftelia do ta shndërronte atë në një mit, por dhe ai do t’i jepte një tjetër peshë instrumentale kësaj vegle kaq të brishtë në dukje. Çiftelia do ta ngjiste Nduen në skenat më prestigjoze të botës, do ta ngrinte në lartësinë e “Artistit të Popullit” (1979) dhe së fundi dhe të “Nderit të Kombit”. Ai ishte sa çiftelirënësi i luginës së tij të Fandamadhit dhe i formacioneve folklorike të Pukës, aq dhe një artist i sprovuar i Ansamblit të Shtetit në Tiranë. Gjirokastra nuk kishte kuptim pa këtë mjeshtër unik në festivalet e saj. Gjithçka e tij ishte çiftelia dhe se një tjetër ansambël verior mbante emrin “Çiftelia”, ai i “Lezhës, teksa ky instrument ishte kryesori dhe i Mirditës etj. Në vitet ’70, ky virtuoz i lindur i thoshte muzikantes së re të muzikës moderne, Sabrie Nushi, e sapoemëruar në Pukë, lërë moj cucë pjanon e mëso çiftelinë, duke e besfasuar për një çast, por në të vërtetë duke e tërhequr atë drejt një bote muzikologjike të traditës që nuk kishte të shterrur. Ai ishte nga ata virtuozë brilantë që dinte të bënte muzikë dhe me gjethen, gurin, shtogun, bririn, drurin, çdo send që natyra e atyre maleve ta dhuronte bujarisht. Mjafton të shohësh sot një nxënës të tijin, Gjovalin Ndrecën, si luan melodi origjinale me pipëz, zumare, fyell etj. Dhe ngado që të vejë fjala, Ndue Shyti do ta sjellë atë herë pas here te fillimi, me një nderim të posaçëm për mësuesin i tij vadejas të çiftelisë, mirditasin Gjin Shkoza (1900-1980), instrumentist i shquar paraardhës i kësaj vegle dhe gdhendës i saj.

Shyti vinte nga trevat e Prendush Gegës e Mat Dod Pepës, Gjin Shkozës e Tom Nikollës, Frrok Haxhisë e Fran Palit, Preng Koticës e Simon Beleshit, Fran Vorfit e Mark Nikollës, Nikoll Preçit e Gjergj Pacanit. Prej atyre trevave do të ligjëronin Dava Gjergji e Vitore Rusha, Zojë Pali e Vitore Matoshi. Rapsodia po shuhej, duke ia lënë vendin një këngë të re me mbrujtje qytetare. Ishin të huajt, që kur kishin parë në skenë vërshimin e 104 vetëve me çifteli në duar dhe me një laryshi veglash të tjera, e kishin quajt atë “simfonia me dy tela”. Mrekullia kishte ndodhur tashmë. Druri i manit kishte sfiduar për një çast drurin e ullirit, nëse mund të ishte ai një dru i shenjtëruar, apo të tjerë drurë kulte të njerëzimit.

 

 “Paganini shqiptar i çiftelisë”

 

Çiftelia e tij e nisi udhën në vitet ’50, kur ai për herë të parë, pas fshatit të tij, i ra asaj në Durrës për vullnetarët e njërës nga hekurudhat që po ndërtohej. Ishte viti 1958 kur u ngjit në skenën folklorike të Pukës, ku dita-ditës aftësohej si interpretues dhe në pesë vegla të tjera muzikore, si sharkia, dy lloje bilbili, zumarja, fyelli, për të qenë një ditë krijuesi dhe dirigjuesi i orkestrës më të madhe të muzikës popullore në vend. Ai nuk përdorte partiturë, notat e tij ishin të shkruara në mëndje, njëlloj si doket e maleve. Ishte me fat pasi bota ende nuk kishte dalë nga muza e folklorit. Në vitin 1957 në Moskë Tom Nikolla mori “Medaljen e Artë” me një këngë, Gjin Shkoza “Medaljen e Argjendtë”, kurse shkëlqimi meteorik i çiftelisë, nën një emër të përveçëm, do të priste Francën e 15 viteve më pas.

Vitet ’60 institucionalizuan punën me folklorin dhe ai ka shumë mbresa nga ajo kohë. “Ishim në Shkodër në një koncert, flinim në Hotel “Sporti”, unë i bija çiftelisë në sallon dhe aty mblidheshin qytetarë të shumtë shkodranë dhe mbanin vesh.” Ai shihte se çiftelia e tij binte për së mbari dhe aty ku kishte qenë qysh herët toka e bekuar e pjanos. Ndoi i ka rënë bilbilit dhe në bjeshkët e vendlindjes dhe në Shan Elize të Parisit në 80-n. Ambasadori ynë asokohe ishte Misto Treska. “Me arrit me një tub me çudit Francën, kjo nuk ishte pa deri atëherë”, thotë mjeshtri, një bilbil i punuar nga vetë ai me dru gështenje. “Ky instrument nuk njihej atje, prandaj them se nuk asht me e lanë mbrapa as sot folklorin, që asht njëni nga elementet dallues të kombit, ashtu si dhe gjuha.” Dhe vazhdon të kujtojë episode: “Prej atij bilbili më thirrën me gjithë djalë, Markun, me shkue në një ansambël në Zvicër. Ishte viti 1996. Mbasi i ramë bilbilit atje, u ngrit një profesoreshë 90 vjeçe e më tha: “Unë kam qenë në të gjitha skutat e botës, po askund nuk ka ndigjue një melodi të tillë”. Në atë pjesë melodike unë imitoja bariun, kurse Marku zogjtë e pyllit. Dhe kjo e mahniti mizikologen e moshuar dhe publikun zviceran.” Një vit më vonë ambasadori zviceran gjatë një veprimtarie në Pukë më tha: “Nuk ka flaut japonez që ia kalon këtij bilbili, duke më kërkuar t’i bëja dhe atij një bilbil, si dhe më ftoi në vendlindjen e tij, ku përfituan dhe kryetarët vendorë që erdhën me grupin artistik.

Ai beson se në Luvër gjendet një portret i tij, i bërë mbase nga ndonjë piktor… në Dizhonin e 70-s. Pse jo? A nuk janë atje dhe të tjetër “mbretër” të artit botëror si ai?

 

“Gjerdani i Artë” në Dizhon të Francës, kulmi

i shkëlqimit të folkut shqiptar

 

Ai e rrëfen pa pushim atë ngjarje madhore si të ketë ndodhur dje, një javë e paharruar,  30 gusht – 4 shtator 1970 në Dizhon të Francës. “Prej asaj dite kujtoj shumë gjera. Ka qenë dita ma e lumtun për mue, po dhe për kombin tim. Unë kisha pjekurinë artistike të instrumentistit dhe isha në kulmin e rinisë sime. Shqiptari e ka të veçantë krenarinë artistike, o me ba ma të mirën, o, në rastin tim, me e thye çiftelinë. Dhe ia arrita. Kisha ambicien artistike, po dhe dëshirën me e nderue Shqipninë. Programi na u shkurtue në 15 minuta, vetëm katër numra, dy valle popullore të Besim Zeksthit, një kangë e Ibrahim Tukiçit dhe melodia ime me çifteli. Mbasi u shkurtue programi kam hy në skenë me një inat të madh, se më thanë me e shkurtue dhe unë pjesën time. Unë e luajta shpejt dhe kështu e shkurtova!…” Ishte i mrekulluar kur shihte që gjithë ajo skenë ishte nën pushtetin e tingujve të tij. E kishte fituar betejën artistike në metropolin botëror të kulturës. Sa herë kishte thënë me modesti e nderim se ai nuk do ta kishte arritur atë sukses po të mos kishte qenë në duart e tij çiftelia e punuar nga Gjin Shkoza. “Nuk do ta arrija pa çiftelinë e Gjinit. Nuk kishte çifteli ma të mirë se ajo. U ngrit kryetari i jurisë së festivalit nga vendi ku ishte dhe tha: “Ju zini vend të parë në botë.” E megjithatë ai kujton se francezët e këqyrën çiftelinë me shumë interes, po dhe me vërejtje, a thua kishte përbrënda ndonjë zemrek, që i kurdiste ato meloditë e tij magjike. Por nuk gjetën asnjë mekanizëm në trupin e saj, ajo ishte e lehtë pupël, pa asgjë të huajin përbrenda. U grumbulluan rreth tij instrumentistë të njohur, laureatë nga më të mirët e botës, të buzukut grek, bilbilit egjyptian, veglave popullore spanjolle etj. Nuk ishte shaka, virtuozi shqiptar kishte marrë “Gjerdanin e Artë” të festivalit të Dizhonit, që për kurreshtjen e lëxuesit peshonte 3 kg e 860 gram. Ia sillte vendit të tij si një trofe artistike të rrallë. Ishte ende herët, por nuk do të vononin të tjera lajme shqiptare nga Franca. Po bëhej gati të trokiste me letërsinë e tij shkrimtari Ismail Kadare vetëm dy vite më vonë. Francezët me siguri do të mahniteshin se si kishte kapërcyer aq shpejt ky popull nga folku tradicional te romanet moderne të një autori të nominuar prej më se 20 vitesh për Çminin Nobel.

 

Krijuesi i orkestrinës popullore me 104 instrumentistë

 

Ndue Shyti nuk e mbajti çiftelinë për vete. Ishte një hop i paparë, që nga një rënës monofonik tradicional i çiftelisë, qysh se kjo vegël ishte shpikur, te një “kompani” çiftelirënësish, sa mezi i zinte skena. Kjo tregonte fuqinë që mund të kishte ky instrument në dirigjimin e një mjeshtri si ai, që dikush e quan jo vetëm të përmasve shqiptare, por dhe botërore. Dhe vërtetë nuk dimë të këtë patur  një instrumentist të çiftelisë si ai, askund ku ajo bie në Ballkan. Kulmin si orkestër e kemi arritë në një koncert në vitin 1979, ku numri i instrumentistëve shënoi rekordin 104 vetë, 6 prej tyre femra. “Më pyeti Enver Hoxha si ke mujt me e ba një orkestër të tillë? Ndërhyni ministri i Arsimit, Thoma Deliana e i tha: “E ka ba Ndoi vetë, me iniciativën e tij, pa asnjë përkrahje.” Ai thotë se Mirdita artin e veglave muzikore e ka pas të varfër, mezi baheshin një fyll e një çifteli bashkë, jo ma një orkestër me 13 vegla popullore. Në orkestrinën e tij janë përdorur: çiftelia, fyelli, bilbili, sharkia, lahuta, zumarja me dy pipa, gajdja, gjethja, daullja, fisarmonika, kitara, çiftelitë e temperuara etj. Nuk ka qenë e çelur rruga e këtij artisti, ai nga statusi social ishte thjeshtë një punëtor sharrash në fillimet, pastaj instrumentist në pallatin e kulturës në Pukë për 28 vjet. Ai thotë se nuk kishte ndonjë preferencë nga drejtuesit e Ansamblit të Shtetit për ta marrë me vete, por si mjeshtër i çiftelisë që ishte bënte vetë vend në shfaqjet jashtë shtetit. Ka dhënë koncert e ka luajtur pjesë instrumentale jo vetëm para publikut e udhëheqjes së vendit në Tiranë, duke marrë disa herë përgëzimet e vetë të kreut të vendit, por dhe para Mao Ce Dunit në Pekin në vitin 1966. Në fund të koncertit Kryetari Mao ka shtrënguar duart me artistët shqiptarë, por rapsodi ynë s’e ka dalluar përnjëherësh mes atyre pesë-gjashtë burrave udhëheqës në llozhë, të gjithë të veshur me kostumet e popullit punonjës kinez.

Artisti në njërin nga festivalet e Gjirokastrës

Folku shqiptar është autentik në melodi,

vegla, interpretim

 

Ndoi u bë zoti i çiftelisë. Thotë se ka qendruar 6 muaj pranë punishtes së mjeshtrit të njohur të punimit të çiftelive Marka Zef Përshefa në Bisakë (Fani Vogël) të Mirditës, si me thënë për t’iu vënë “notat” muzikore atyre. Gjithë “fisi” Përshqefa ishte çiftelibërës, traditë që e vazhdojnë dhe sot. Çiftelia ka kupën dhe kunjat prej drurit të manit, kapakun prej bredhi, bishtin prej ahu dhe “shkamin” ku mbështetën telat prej bronzi. Sigla “M. Z. Përshefa” mbi çiftelitë e gdhendura mjeshtërisht nga ustai i tyre, jo vetëm qe ngjitur në skenat shqiptare të folkut në Gjirokastër e kudo, por pati shtegtuar dhe jashtë shtetit si dhuratë. Në vitet ’80 në Shkodër studentët kosovarë që kishin mundur të vinin për vizitë në ILP, të parën gjë që kërkonin në “Pazar” ishte çiftelia e këngëve patriotike.

Ndoi ngulmon në mrekullinë e çiftelisë, bilbilit, zumareve, duke sjellë gjithnjë shembuj. “Ja, ansambli “Puka” pas 90-s zuri vend të parë në Europë, me vegla të bamë nga duart tona, me melodi të trevave tona, me interpretimin tonë autentik shqiptar.” Nuk është për t’u habitur që ai gjatë gjithë bisedës ka aq shumë stacione në Europë, ku ka shkelur folku shqiptar dhe ai si një zë i shkëlqyer i tij. I ka qëlluar t’i këputet njëri tel i çiftelisë me 1974 në Turqi, por melodia nuk është këputur. “U këput teli kryesor, po e çova melodinë në fund me telin tjetër.” Atij i krijonin tinguj jo telat dhe druri i manit, por gishtat, “telat” e shpirtit. Dritan Haxhia, biri i mikut dhe kolegut të tij, rapsodit të mirënjohur Frrok Haxhia, shkruan: “Kjo trashëgimi interpretimi dhe tingulli e ka ngritur Ndue Shytin, ka mote, në lartësitë ku vetëm shqiponjat ngjiten. E, pra, ai është një “shqiponjë” që gjithçka e shikon nga lart. Vetë tingulli i instrumenteve të tij është hyjnor, origjinal, i shkrirë me natyrën, që të sjell një frymëmarrje prej bjeshkëve të Mirditës ku ky artist i madh burimor, “autodidakt”, na sillte sa herë prekte telat e çiftelisë, apo fyellin dhe bilbilin, zumaren dhe gjethen.”

E pyesim Nduen rreth konceptit që ai ka për rapsodin. Rapsod i mirëfilltë, thotë ai, është ai që e krijon, e shoqëron me vegël muzikore dhe e këndon këngën. Por dhe ai që kryen vetëm njërin nga funksionet, ose e krijon këngën (tekst e melodi), ose vetëm e këndon atë. Unë quhem instrumentist, por mund të quhem dhe rapsod, pasi unë krijoj meloditë foklorike me çifteli, bilbil etj. Kam krijue 13 pjesë instrumentale dhe disa këngë. E pyesim dhe për krahinën nga rrjedh e ai thotë: “Për mue gjaja ma e madhe që ka pas Mirdita ishte se kur fliste njani, të gjithë të tjerët mbanin vesh. Jo veç Mirdita, po krejt Shqipnia kështu e ka pas zakon. Por tani gjerat nuk janë më si dikur, habitesh kur djali ia pret fjalën babës, vëllai i vogël vëllait të madh, shoqi mikut e kështu me radhë.

Rri e dëgjon këtë mjeshtër, në shtëpinë e tij, tash që është në kohën e tij të kujtimeve, dhe thua me vete: mbase Festivali i Gjirokastës do të kishte qenë e udhës të ishte zhvilluar jo me konkurim në bazë rrethesh, por të ansambleve të trevave, se po të marrim për shembull kulturën muzikore mirditore, ajo ishte e ndarë në disa ansamble muzikore, të Mirditës, Pukës, Shkodrës, Lezhës, Burrelit, Kurbinit etj. Ajo duhej të ishte e përfaqësuar vetëm nga një njësi të mirëfillta folklorike, ashtu dhe Luma, Malësia e Madhe, Rrafshi i Dukagjinit, Elbasani, Korça, Dibra, Myzeqeja, Labëria, Çamëria, Dropulli e çdo krahinë tjetër etnologjike, lë të ishin më shumë a më pak se 26 rrethet administrative të asaj kohe.

 

 

Krijues e studiues, miq në shtëpinë e Artistit të Popullit, nëntor 2013

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *