NJË HISTORI ME GAZETË DHE DISA MENDIME RRETH MEDIAS SË SOTME

NDUE DEDAJ

 

Këto ditë gazeta “Kosova sot” në Prishtinë kremtoi 15-vjetorin e krijimit dhe ajo që tërhoqi vëmendjen në numrin e së mërkurës ishte se një lexues i saj 74-vjeçar, Selman Asllani, bënte çdo ditë 8 kilometra rrugë nga fshati i tij Vinarc deri në qytetin e Mitrovicës për të blerë gazetën e tij të preferuar. Këtë fakt e përmendi dhe drejtoresha e gazetës gjatë një emisioni televiziv në Kosovë. “Jam i pasionuar me këtë gazetë dhe nuk kaloj as edhe një ditë të vetme pa e lexuar, për faktin se sjell larmi të informacionit”, kishte thënë ai. Nuk ka gazetar që nuk ndjehet mirë nga ky fakt, që ende gazeta ka lexuesin e vet klasik, ani se kohët ndërrojnë, që e kërkon lajmin, kronikën, reportazhin, opinionin, artikullin problemor, fotografinë, karikaturën, dosierin, reklamën, çdo gjë që një media prodhon. Po ashtu nuk ka gazetar që nuk ndjehet keq që nuk mund të bëjë diçka që gazeta t’i shkojë në shtëpi, më e pakta në fshat apo qytezën më të afërme, lexuesit që nuk rron dot pa shtypin e shkruar. Prandaj vërtet ky është një rast që na u bë me dije, po sa të tjerë gazetadashës ka në Shqipëri dhe në Kosovë, që nuk mund ta marrin gazetën për shkak të largësisë së vendbanimit, gjë që ka çuar dhe në pakësimin e tirazhit të gazetave. Kemi qenë para do kohësh në zonën e Alpeve dhe atje njerëzit vërtet donin të komunikonin me shtypin, pse jo dhe me televizionet, por kjo mund të ndodhte vetëm rastësisht, nëse ndokush nga mediat shkonte atje me shërbim. Duket e pabesueshme që në një vend kaq të vogël, me një numër jashtëzakonisht të madh gazetash e televizionesh, me antena telefonike të disa operatorëve për çdo majë, të ketë përsëri “uri” për të folur në media. Edhe pse nuk ka anketime se si e përcepton publiku i gjerë median e sotme, një gjë nuk ka diskutim, që shtypi është rrudhur në Tiranë dhe në disa qendra urbane të zhvilluara, në këto të fundit më së shumti falë disa gazetarëve profesionistë që gjenden atje dhe vazhdojnë të bëjnë me e pa honorare zakonin e lashtë të lajmësit. Por a është kjo e gjitha ajo që duhet? A munden këta gazetarë vetëm me vullnetin e tyre të mirë ta shkelin territorin e vendit skaj më skaj, atje ku shpesh është informacioni pikant? Pronarët e mediave me sa duket nuk lëshojnë më para për këso shtegtime gazetarësh (dieta, karburant etj.), pa të cilat në të vërtetë gazetaria e terrenit venitet, vdes. Reportazhi nuk mund të shkruhet vetëm nga bulevardet, por nga balta e Myzeqesë, galeritë e Munellës, stanet e Kalasë së Dodës. Aq më tepër gazetaria investigative nuk mund të bëhet pa një tjetër klimë ndaj shtypit nga shoqëria, politika, organet e ligjit, vetë komuniteti i mediave etj. Mund të duket se problemi qenka “rural”, se ata që nuk kanë gazeta janë nga pesëqind vetë për komunë, se të tjerët kanë zbritur në fushë e problemet e mëdha i kanë popullatat qytetëse, apo ato të vendbanimeve të përqendruara në periferitë e tyre. Media dihet që është zë, fjalë, imazh dhe kjo është e drejtë dhe e një njeriu në mal, qoftë dhe vetëm e atij lexuesit të zellshëm nga Mitrovica. Por megjithatë nuk është kështu, nuk është vetëm ai i largëti që ka nevojë për mediat. Kemi parë kohët e fundit në ekran njerëz të ngujuar në mes të Tiranës, ardhur nga anët e Veriut, që i thoshin troç akuzat ndaj policisë, prokurorisë për mosshkuarje deri në fund të gjerave. Kishin aq nevojë që t’i thoshin publikisht hallet e tyre shumëvjeçare pas së keqes që u kishte ndodhur. Mezi prisnin t’iu afrohej mikrofoni, e kishin pritur atë çast. Mirëpo a ndodh që atyre qytetarëve të thjeshtë të Republikës sonë t’iu përgjigjet ndokudh nga organet e rendit, ligjit? Një tjetër i ngujuar në një zonë të thellë shprehej se në familjen e tij nuk kishte shkuar askush nga deputetët e majtë apo të djathtë etj. Fatmirësisht kishte shkuar “Fiks-Fare”, për të treguar se ka njerëz në këtë vend që kanë nevojë t’i thonë me të madhe problemet e tyre familjare e sociale. Në këtë situatë kur funksionarët e shtetit, të mesëm a të lartë, nuk e kanë për zakon të flasin me publikun “me shpirt në dorë”, po vetëm përmes zëdhënësve, si për të larë borxh, cili do të jetë rezultati i kodit të etikës së qeverisë, kod që është paralajmëruar nga Kryeministri Rama, për të mos “folur” ministrat lirisht në media për punët e tyre, por sipas një rregulli qeveritar. Ky kod është debatuar deri tani më shumë se vetë ligji i shtypit, ku në një vend si Shqipëria do të ishte i mirë të kishte një kod mbiqeveritar që t’i detyrojë shtetarët të flasin, flasin, flasin sa më fort e sa më ndershmërisht me publikun. Kështu do të ndjehet mirë ai lexuesi i thjeshtë që e do informimin, si në zemër të kryeqytetit, si në kreshtat e Lunxhërisë. Cila media shtegtoi fshat pas fshati e shkoi për të marrë opinionin e njeriut mes grykash të “nemuna”, nëse na duhen kaq shumë komuna dhe bashki, kaq shumë deputetë, kaq shumë zyra e nëpunës, kaq shumë parti politike, kaq shumë shoqata, kaq shumë universitete private e publike, kaq shumë gjera pa bareqet, që tek e fundit paguhen prej tij? Instituti i statistikave na thotë se qarku më i varfër në vend është ai i Kukësit dhe më i kamuri ai i Vlorës, atëherë njësoj duhet të paguajnë tatime, taksa, detyrime shtetërore si ai që ka pak si ai që ka shumë, apo para ligjit jemi të (mos)barabartë? Kur qytetari njihet me këtë fakt ai natyrisht që do të donte të dinte nga organet e prokurorisë, gjykatës, policisë: po gjendja e kriminalitetit si është në këto dy qarqe? Ka më pak krim aty ka niveli ekonomik është më të lartë? E kërkon këtë dhe nga media, po që ajo në këtë rast ta kundrojë situatën nga publiku i Kukësit e Vlorës dhe jo aq nga studiot shpesh uniforme të debateve në Tiranë.

Shtypi, siç dihet, jo vetëm lajmëron atë që ndodh, por dhe paralajmëron atë që mund të ndodhë nesër në përmasa të frikshme. E kemi humbur bregdetin dhe nuk dihet nëse do të mund ta rifitojmë më, me gjithë përpjekjet që po bëhen kohët e fundit nga organet shtetërore, kemi humbur pyjet duke kryer masakrën më të madhe shkatrrimtare mbi territorin e vendit dhe shëmtuar natyrën tonë të bukur, por po rrezikojmë të humbasim dhe lumenjtë, për të realizuar ëndrrën e të qenit supërfuqi energjetike. Po është dhe problemi i kompensimit në masën e merituar të atyre që largohen për ndërtimin e bulevardit të madh të Tiranës, të hidrocentraleve të rinj gjithandej, të një fabrike minerali apo çimentoje etj. Ngaqë do të dijë se si do t’i vejë halli Shqipërisë, ai njeriu i thjeshtë e do gazetën përditë, se mos ajo i thotë ndonjë gjë të mirë nga tranzicioni. Se mos pushtetarët po bëhen ca më të mirë, jo nga vetja, po nga ligji? Këtë shqetësim ai ka patur një jetë, edhe kur merrte me vete te sonda, galeria, apo tufa e dhive një radio tranzistor. E donte dhe për lajmet, dhe për muzikën popullore, po dhe për të dëgjuar ashtu fshehurazi ndonjë gjë kundra regjimit, nëse ai ishte i fortë apo do të binte? Një radio e vogël iu tregonte të shpërngulurve malishevas në malet e Kosovës me 1999 se ç’bëhej me luftën, kush ishte gjallë e kush kishte rënë. Njerëzit tashmë duan të dinë më shumë dhe për kulturën mbarëshqiptare, shkencën, arsimin, librin, teatrin pavarësisht se ku ndodh ngjarja kulturore, në Tiranë, Prishtinë, Ulqin etj. Ndaj ai burri 74-vjeçar bën çdo ditë nga tetë kilometra rrugë për një gazetë. Kjo do të thotë se ai beson te shtypi, informimi, fjala e lirë. Nuk është as i pari dhe as i fundit që e bën këtë. Dikur dhe këndej Morinit kishte nga ata që bënin 4-5 kilometra, nga fshati i tyre në qytezën punëtore, për të marrë gazetën “Drita” dhe e kishin atë koleksion për 30 vite, siç e kishte redaksia në Tiranë. Falë kësaj marrëdhënie shtypi i shkruar do të vazhdojë të ekzistojë, dhe se ndokund në Europë mbyllen gazeta prestigjoze, dhe se tregu i shtypit këtu te ne ka aq probleme, dhe se komunikimi online është në zenitin e vet. Falë atij, pra, Selmanit në Mitrovicë dhe gazetës së tij të përditshme.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *