AHENGU VULGAR I DASMAVE (Ka rënë tradita, pa u krijuar e reja!)

NDUE DEDAJ

 

Këto ditë profesor Artan Fuga publikoi në një të përditshme opinionin me titull “A ka populli faj?” që tërhiqte vëmendjen rreth një klisheje apo tabuje, sipas së cilës (është krijuar idea se) populli nuk ka faj. Dhe sillte disa argumente që, po, populli ka faj! Ndër të tjera, për aksidentet e shumta që ngjasin përditë rrugëve, ku vërtet për qarkullimin rrugor duhet të kujdesen policët e shtetit, ama makinat jashtë rregullave i vozisin njerëzit e… popullit, më saktë bijtë e tij, pasi thuajse asnjëherë nuk bëjnë aksidente gratë drejtuese të mjetit. Argumenteve te profesorit secili nga ne mund t’iu shtojë të tjera nga vetja. Në dash nga politika, ku është populli ai që shitet e blihet për vota nga politikanët, është populli ai që nuk e ka problem ta furnizojë korrupsionin dhe rryshfetin si sekser i sprovuar etj. Është po ashtu populli ai që mbush ditët me dembelizëm klasik dhe kafenetë me thashetheme. Mos po i biem si shumë në qafë popullit? Jemi edukuar të flasim vetëm për të mirat e popullit, luftërat për liri, besën unikale, folkun brilant. Padyshim që populli është gjeneroz në vlerat e tij krijuese. Ama është po ai që në tranzicion ka krijuar një aheng skandaloz në dasma dhe ca rituale banale dasmorësh, si ai i vallëzimit mbi lekët e hedhura në dysheme në këmbët e nuses dhe të dhëndrit!? Duket se këtu te ne përherë do të ngjasin marrëzi kolektive, për të qeshur e për të qarë. Jo vetëm piramidat huamarrëse, që e çaun vendin në katastrofën e 97-s. Jo vetëm shpërnguljet masive e banorëve nga luginat pjellore dhe vendosja në ish-kënetat plot erë kanalesh dhe mushkonja. Por dhe këto “risitë” marroke në kremtimet familjare. Rrallëkush përpiqet të sjellë të veçantën, origjinalen, autoktonen në ceremoni të tilla, me më pak duk e me më shumë substancë. Dasma bëhet për vete dhe jo për t’ua treguar të tjerëve, aq më pak për t’i bezdisur ata.

 

Disko-dasmat tona, shfaqje të rëndomta publike, familjare

 

Është thënë se shqiptarët janë të ndjeshëm ndaj ndryshimit, të resë, që buis vazhdimisht sipas ligjeve të dialektikës dhe ne duam ta besojmë këtë, por a jemi gjithnjë në kahjen e duhur të progresit social-kulturor, apo herë-herë marrim për mbrapsht? Se ja, sa shqiptare janë dasmat tona? Sa të bukura dhe të kohës? Po dhe sa të deformuara e me tepri? Na duket se dasmat gjithnjë e më shumë po shndërrohen në “disko”, ku vetëm kërcehet, djersitet, zhurmohet pa fund, sa të shqyhen veshët nga dixheji që nuk ka të pushuar. Askush nuk vë rregull në dasmë, pos atij që lëviz butonat e aparaturës moderne, që të mbyt me muzikë të regjistruar dhe rrallë herë live, kur merret ndonjë orkestër e ftohet ndonjë këngëtar. Tashmë edhe në dasmë ajo që sundon është elektronika. Para pallatit ku ti bën dasmën nxjerr dixhejin që të mërkurën dhe çdo mbasdite lëshon muzikën, sikur të jesh në maje të malit, pa dashur t’ia dish se nuk e ke këtë të drejtë, se hollë-hollë mund të bësh muzikë vetëm në lokalin me dyer të mbyllura, pa shqetësuar askënd. Se jo të gjithë duhet me doemos të hyjnë nën atmosferën e dasmës tënde. Se ato diskotekat prandaj janë bërë nën tokë, që të mos shqetësojnë ata që duan të merren me tjetër gjë. Ishte e padurueshme një të shtunë, në një qytet, muzika në qiell, kur një pallat me tej ishte duke u zhvilluar një ceremoni mortore. A nuk mundej ky dasmaxhiu ta ulte paksa volumin e muzikës, në mos ta ndalonte fare, në respekt të vdekjes? Prishja e qetësisë publike nuk është vetëm të shtiesh me armë në dasmë, siç ngjet shpesh, po dhe të zhurmosh deri në mesnatë me atë muzikën e dasmës tënde. T’iu biesh borive “rurale” të dasmave dhe në mes të Tiranës. Martohesh ti, por nuk ka pse të çmendet njerëzia.

Është vërtet shqetësuese muzika që na dëgjojnë veshët nëpër dasma. Më të drejtë disa e fshikullojnë duke e quajtur muzikë “furgonash”, që duhet të mbash barkun me dorë. A mund të ketë ndokund tjetër në Europë një vend që të këndohet kjo e ashtuquajtur këngë, ku dhëndri i drejtohet nuses: “Me ma idhnue nanën/ gjuhën ta shkurtoj”? A ka vajzë që mund ta dojë një djalë të tillë gjuhëprerës të nuses? Por as që do t’ia dijë njeri se çfarë thotë kjo këngë, apo tjetra. Kush e ka mendjen tek kuptimi i gjësë. Mjaft që kërcejmë si në disko. Nuk ka dixhej që nuk këndon njëzet e katër herë në njëzet e katër orë: “O Mari, Maria, faqet gurabia”. Se si mund të krahasohen faqet e nueses me gurabinë vetëm një vargëzues i rendomtë mund ta dijë. Folklori i mrekullueshëm i traditës këtu ka marrë fund. Po kështu nuk mund ta kuptosh një këngë tipike orientale si ajo kushtuar njëfarë Osman Age, “pi raki e mos u deh” dhe “luajma synin ashiqare”, veç të tjerash, me turqizma të panevojshme. Hajde këngë dasme hajde! Një aheng i shpifur, pa pikë vlerë, që bën të oshëtijnë sheshet dhe pallatet tona gjatë gjithë javës. I themi njëherë një personi që merrej me këto disqet muzikore të dasmave, pse nuk përzgjidhni një tufë këngësh të bukura, me tonalitetin e folkut të krahinës etj. “E kush ta pranon? Kemi provuar, por jo, të gjithë protestojnë, duam ato, këngët… e ahengut.” Ky është populli, dhe se na vjen hidhur ta themi. Në një dasmë folem gjatë me disa miq të nderuar, mbi këtë zallamahinë e dasmave tona, pa patur mundësi të ndikonim për ta bërë më qytetar ahengun e tyre. Por thamë: “A ka muzikantë ky vend? Të paktën ata si e durojnë këtë aheng?” “Si nuk iu kërkohet ndihmë mjeshtërve, si Agim Krajka, Edmond Zhulali, Kol Susaj etj. për të krijuar disa modele videosh me muzikë qytetare dasmash? Etj. Tashmë shqiptarët kanë shkuar mjaft nëpër botë dhe nëse duan të sjellin zakonet e perëndimore, ata e dinë se muzika atje dëgjohet me kufje në vesh, në opera e koncerte, natyrisht dhe në festa publike, por përherë me vend e me shije. Një gjë mbetet për nëpunësit e policët bashkiakë, ose të përfshihen dhe ata në vallen popullore allaturka para pallatit, ose të ndërhyjnë në ndonjë farë menyre që këso lloj shfaqjesh dasmore të ndalen. Vërtet është ndërgjegja qytetare që duhet ta bëjë ndryshimin, por sa ajo të piqet, ligji nuk ka pse menjanohet.

Doemos që ka shpresë, ani se tash për tash të vakët. Tek-tuk në dasma kemi filluar të shohim djem e vajza të veshura me kostume kombëtare që këndojnë e kërcejnë bukur. Fëmijë e të rinj që e duan vallen popullore ka në Gjirokastër, Tuz, Rrëshen, Stubëll të Karadakut, po dhe në diasporë, Zvicër, Amerikë etj. Kështu mbase do të vijmë te dasmat e traditës, kuptohet aq sa ajo mund të ndërthuret në skenografinë e dasmave të sotme. Nuk ka se si të kërkojmë kuzhinë të traditës e të mos praktikojmë (me masë) dhe ritualet e vjetra në dasma. Nëse tradita nuk do të ringjallet pikë së pari në ngjarje të tilla të shënuara familjare, kremtime popullore, a shëtitje turistike, në ditët e tjera ajo është në muze. Në Kosovë nuset prihen nga flamuri kombëtar dhe kjo na duket një simbolikë e përkryer, që urojmë të mos bjerret aspak. Mjaft të vrasim mendjen për të bukurën dhe të përpiqemi për të, dhe ku më mirë se në dasma do të buisë ajo, në rituale, kostume, dhurata, muzikë, kërcime, kamera, fotografi, në gjithçka që një dasmë e kohës mbart.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *